Ad
Zbulohen hartat më të vjetra të planetit tokë dhe disa spote misterioze

Zbulohen hartat më të vjetra të planetit tokë dhe disa spote misterioze

Ad

Nga Përparim Zaimi*

Në vazhdim të hulumtimeve shkencore që kam kryer gjatë 20 vjetëve të fundit, arrita të realizoj se objektet e zbuluara dhe analizuara nga ana ime në këndvështrimin e argumentimit të fenomeneve historike, gjuhësore, misterioze që lidhen me malin e Tomorit si bartës i përmasave të tjera të realitetit objektiv, të ekzistencës së një civilizimi tjetër teknologjik shumë më të avancuar se i yni ose siç thuhet shpesh UFO-ve, zbulimit të Atlantidës dhe Perandorisë së Atlantëve, mundësinë e ekzistencës të dy planetëve të tjerë në sistemin e jashtëm diellor etj., përbëjnë disa aspekte të zbulimeve.

Parë në këndvështrimin e shkencave nautike, astronomike, gjeografike, gjeomorfologjike konstatova se jemi para një zbulimi tjetër të madh në shkallë planetare, zbulimin e hartave më të vjetra të planetit Tokë. Në këto harta janë pasqyruar dhe projektuar në formë globi zona gjeografike të Hemisferit Lindor dhe Perëndimor të planetit tonë.

Më poshtë do të njihemi me dy harta të globit tokësor projektuar miliona vjet më parë.

Pak histori

Një nga hartat më të vjetra konsideruar deri më sot është harta Babilonase e botës, e cila është një tablet balte bërë rreth viteve 700 deri 500 para Krishtit. Disa informacione të tjera e vendosin atë në vitin 2300 para Krishtit. Koncepti se Toka është e rrumbullakët (sferike) ka qenë njohur që në kohën e Aristotelit (350 pr.kr ) sipas literaturës së botuar. Hartografia Greke dhe Romake arriti kulmin me Ptolemeun rreth viteve (85-165) të erës tonë.

Në vitin 1490, harta e ndërtuar nga Henricus Martellus Germanus, gjeograf gjerman u konsiderua si më e sakta. Geradus Mercator (1512 – 1594) vendosi një standard të ri për hartat botërore. Sot hartat e lundrimit janë ndërtuar sipas sistemit të propozuar nga Mercatori dhe quhen harta merkatore.

Hartat Globe: U ndërtuan në periudhën e zbulimeve të mëdha gjeografike kur lundërtarët e mëdhenj Kristofor Kolombi, Ferdinand Magelani, Amerigo Vespuci etj., realizuan zbulimet e mëdha dhe lundruan rreth botës (Globit).

Harta e botës e Henricus Martellus Germanus në vitin 1490 ishte shumë e ngjashme me globin tokësor (hartë) të ndërtuar më vonë nga Martin Behaim në vitin 1492, Erdapfel. “Të dy hartat kanë influencë të dukshme nga Ptolemeu dhe të dyja ndoshta rrjedhin nga hartat e krijuara rreth vitit 1485 në Lisbonë nga Bartolomeo Columbus” (Wikipedia).

Erdapfel (Molla tokësore gjermane) prodhuar nga Martin Behaim në 1492 është konsideruar si globi tokësor më i vjetër që ka mbijetuar deri më sot. Me poshtë do të njihemi me të dhëna befasuese.

Harta ku është projektuar Ishulli i Atlantidës dhe Perandorisë së Atlantëve    

Argumentimin e këtij zbulimi e kam shtjelluar në librin shkencor “Atlantida, Perandoria e Atlantëve dhe Shqiptarët”, botuar në vitin 2013. Padyshim që është argumentuar shkencërisht se Ishulli i Atlantidës dhe Perandoria e Atlantëve kanë ekzistuar, duke u dhënë bazë të vërtetë dhe shkencore të dhënave në formë legjende të Platonit të urtë, në dialogët e tij Timaeus dhe Critias.

Për efekt të përcaktimit të periudhës se kur ka ekzistuar Atlantida dhe Perandoria e Atlantëve, kam theksuar se i takon një periudhe kohore së paku 12000 vjet më parë, kohë në të cilën ka ndodhur kataklizma e madhe, zhytja e Atlantidës në thellësitë e Oqeanit Atlantik. Deri këtu plotësonte kërkesën time për të argumentuar shkencërisht ekzistencën e saj si një fakt historik dhe fizik, pra del nga kuadri i legjendës dhe rezulton të ketë qenë një realitet.

Figura e mëposhtme paraqet hartën e Atlantidës dhe Perandorisë së Atlantëve, të projektuar në Glob, nga një civilizim tjetër teknologjik jashtëtokësor.

Nga Wikipedia mësojmë se gadishulli Ballkanik duhet të jetë me moshë që përfshin periudhën e Mezozoikut 245 000 000 deri 65 000 000 vjet më parë. Gadishulli Apenin duhet të jetë më i vonshëm, pra i përket periudhës së Kenozozoikut  65 000 000 vjet deri sot. Thuhet që Italia duhet të jetë formuar rreth 50 000 000 vjet më parë, ndërsa mali i Tomorit 65 000 000 vjet më parë (Prof.Sazan Guri).

Duke këqyrur elemente të caktuar të projektuar në këtë hartë glob, mendoj se kjo hartë pasqyron një realitet mbi 50 milion vjet më parë dhe më pak se 65 milion vjet (në qoftë se të dhënat e përmendura më sipër kanë një koefiçent të pranueshëm sigurie).

Përcaktimi i moshës me metodën e izotopit të karbonit radioaktiv 14, mund të na saktësoj më mirë kohën, por për ne është e mjaftueshme të dimë që këto janë hartat më të vjetra të planetit.

Në hartë vërejmë se në kohën kur kjo është ndërtuar nuk figuron të jetë Gadishulli Apenin, Ishujt e Sardenjës dhe Korsikës, Siçilia dhe ishulli i vogël i Maltës. Kjo është një pikë referimi për të përcaktuar një diapazon kohor sa më të përafërt.

Një përfundim logjik është se civilizimi teknologjik jashtëtokësor e ka prekur planetin Tokë,     territorin e sotëm shqiptar mbi 50 milion vjet më parë. Kjo është një e dhënë tepër intriguese për shkencëtarët.

Në qoftë se i referohemi treguesve të mësipërm, pra se në hartë nuk figuron gadishulli Apenin, ishujt e tjerë të përmendur si dhe pjesa e arkipelagut Grek të sotëm, vijmë edhe në një përfundim tjetër logjik që është: Perandoria e Atlantëve ka ekzistuar miliona vjet më parë, ndoshta si civilizim i parë tokësor. Të dhënat që disponohen nga studjues të ndryshëm flasin për një epokë që i takon periudhave shumë të reja gjeologjike. Këtu nuk flasim për legjenda të trashëguara, por për disa të dhëna konkrete dhe logjike të mbështetura në një evidencë fizike.

Le të vazhdojmë me hartën e dytë të projektuar po në Globin Tokësor. Ajo paraqet Hemisferin Perëndimor të planetit Tokë. Më konkretisht: Polin e Veriut, Amerikën Veriore dhe Kanadanë, Amerikën Qendrore, Amerikën e Jugut dhe Antarktidën, Polin e Jugut.

Harta është e paraqitur si më poshtë:

Harta Glob ku janë projektuar Hemisferi Perëndimor i Planetit miliona vjet më parë

Ne mund të vërejmë rajone të caktuara të Hemisferit Perëndimor, sikurse kanë qenë dhe projektuar në atë kohë. Sigurisht që kanë ndodhur ndryshime të mëdha. Ndryshimet konsistojnë në formën e Globit, pra nuk ka patur formën elipsoidale pak të shtypur në pole që ka sot, paralelet e hemisferit verior nuk janë simetrikisht të barabarta me paralelet e hemisferit jugor, shtypja në pole është e ndryshme etj. Tregon gjithashtu që kontinenti Amerikan (Verior dhe Jugor) kanë qenë me një shtrirje më të madhe dhe më pas kanë pësuar tkurrje dhe kanë marrë trajtën gjeografike sikurse paraqiten sot.

Poli i Veriut duket të ketë qenë i lundrueshëm, ndërsa Poli i Jugut ka qenë i mbuluar me sipërfaqe tokësore. Kjo do të thotë se është projektuar para periudhës së akullnajave, një tregues tjetër orientues për moshën e këtyre hartave. Sigurisht periudha glaciare është shumë e vonshme.

Mendoj se i takojnë të njëjtës periudhë gjeologjike sikurse edhe harta që paraqet Atlantidën dhe Perandorinë e Atlantëve.

Po me njerëzimin çfarë ka ndodhur? A qëndron hipoteza se njerëzimi mund ta ketë filluar ekzistencën e tij disa herë për shkak të faktorëve të ndryshëm klimaterik dhe kozmik? Përgjigjet kërkojnë hulumtime të mëtejshme që do të na sqarojnë shumë mistere të së shkuarës së lashtë.

Po flasim për një periudhë për të cilën mungojnë të dhëna, por elementet e zbuluar, pra hartat e prezantuara më sipër na japin një informacion tepër intrigues për studiuesit e fushave të ndryshme.

Në librin “Omniscient Eye”-Syri Gjithpamës, botuar në Amerikë në korrik 2018, kam reflektuar përllogaritjet e kryera lidhur me gjeomorfologjinë e rajonit ku është zhytur Ishulli i Atlantidës dhe rezulton që Kontinenti Afrikan ka lëvizur në drejtim të Kontinentit Europian  rreth 380 km, pra ngushtica e Gjibraltarit që sot është 7 – 8 mile detar nga bregu Afrikan në atë Europian, ka qenë rreth 400 km. Situatën e krijuar mbas kësaj katastrofe apokaliptike Platoni i urtë e ka përshkruar me një vërtetësi dhe saktësi për tu habitur, 9600 vjet mbas ndodhisë, mbështetur në tregimin e Solonit. Jo vetëm kaq, por mbas 2400 vjetësh zbulohet harta që vërteton se tregimi i Platonit ishte i saktë dhe jo një legjende apo narrativ i kohës.

Spotet Misterioze

Sikurse u shprehem në trajtimin e mëparshëm të hartave, kemi dy harta globe. Njëra nga këto paraqet gjeomorfologjinë e Ishullit të Atlantidës dhe Perandorisë së Atlantëve, që i korrespondon Hemisferit Lindor, ndërsa tjetra, pra e dyta po në glob paraqet Hemisferin Perëndimor me tiparet që e kam përshkruar.

Përpos këtyre trajtimeve me vlera shkencore të padiskutueshme, mbasi përbëjnë një zbulim të madh në fushën e hartografisë, me syrin e hulumtuesit kam konstatuar disa spote misterioze. Sigurisht që nuk është e lehtë të konkludosh se çfarë simbolizojnë këto spote, cili është kuptimi i tyre, çfarë fshihet mbas tyre. Civilizimi teknologjik shumë i avancuar, miliona vjet më parë kur  është ndërtuar harta, mendoj se ka dashur të shprehë diçka të rëndësishme dhe serioze nëpërmjet tyre. Atëherë, a mund të themi ndonjë gjë lidhur me këtë problem që shtrohet?

Në afërsi të njërit prej këtyre spoteve që ndodhet në Oqeanin Atlantik, ka ndodhur katastrofa apokaliptike mijëra vjet më parë. Ishulli i Atlantidës me një sipërfaqe rreth 400 mijë km2 ( sipas llogaritjeve të kryera nga ana ime) zhytet në thellësitë e Oqeanit Atlantik dhe pothuajse zhduk qytetërimin më të hershëm dhe më të avancuar që ka parë bota antike, gjithmonë sipas shpjegimeve dhe tregimeve të lëna trashëgim. Së bashku me Ishullin e Atlantidës, shkëputet nga gadishulli Iberik dhe zhytet në thellësitë e Oqeanit Atlantik një masiv gjigand tokësor, në formë gadishulli rreth 270 mijë km2. Ekzistenca e këtij gadishulli zbulohet dhe përmendet për herë të parë nga ana ime në librin shkencor Atlantida dhe Perandoria e Atlantëve.

Spoti i dytë me përmasa shumë të mëdha ndodhet në detin Mesdhe. Kohët e fundit mësojmë nga mediat se kërkimet e disa ekspeditave gjeologjike kanë zbuluar sasi gjigande të gazit. Kjo korrespondon brenda rrezes së këtij spoti.

Një Spot i tretë shumë interesant ndodhet në Kontinentin Verior të Amerikës. Dikur, pra miliona vjet më parë në atë spot ka qenë një ishull, rrethuar me ujë (ndoshta liqen i madh, ndërsa në ditët tona duket që hapësira ujore të jetë tharë ose është ngritur elevacioni mbi nivelin e detit dhe është tokë.

Në afërsi të Polit aktual të Veriut ndodhet një spot mjaft i dukshëm, që në këndvështrimin tim mund të jetë pozicioni i Veriut Gjeografik ose më saktë Veriut Magnetik të planetit Tokë në atë kohë. Po të jetë kështu mund të themi se megjithëse vitet e fundit është konstatuar nga shkencëtarët se Veriu Magnetik po lëviz apo spostohet me shpejtësi në drejtim Lindor rreth       40 – 50 km në vit, atëherë vijmë në përfundimin se pozicioni i Veriut Magnetik apo Meridianit Magnetik të Planetit Tokë të asaj kohe ka mbetur pothuajse i pandryshuar. Kjo nuk ka gjasa të ndodh sepse dihet që deklinacioni në vite dhe pozicione të caktuara të globit ndryshon. Atëherë, duhet të kemi qarkullim, ndërrim të poleve në një kohë të caktuar dhe shkëmbim të vendeve            ( V-J ). Për nivelin teknologjik të shkencës dhe përhapjes e përdorimit masiv të saj, kjo do të shoqërohet me probleme të mëdha duke krijuar shqetësime në teknologjinë e aplikuar në anijet, avionët, sistemet satelitore, telekomunikacionin etj.

Nëse do të ndodhë (koha nuk dihet sepse sipas studimeve rezulton të mos ketë një cikël periodik të caktuar, por ndodhia është rastësore), pasoja të mëdha do të kishte edhe në Hidrosferën e Planetit. Pothuajse shumica e gjallesave  ujore orientohen mbi bazën e fushës magnetike të tokës. Shkencërisht është provuar që shumë specie komunikojnë nëpërmjet bio-rrymave dhe udhëtimet migruese të tyre realizohen me saktësi shumë të madhe në hapësirat e pamata të oqeaneve. Në fakt shkencëtarët kanë kohë që po i studiojnë masat për të minimizuar dëmet që mund të shkaktohen. Ne jetojmë në një fushë magnetike gjigande sikurse është fusha magnetike e Tokës. Është logjike që çdo ndryshim i saj do të reflektohet jo vetëm në hidrosferë, por edhe në biosferën e Tokës, ku përfshihemi edhe ne si qenie njerëzore.

Vitet e fundit shkencëtarët kanë zbuluar të dhëna interesante lidhur me boshtin magnetik të Tokës, disa e përfytyrojnë si një “shufër magnetike” likuide që e përshkon planetin nga njeri skaj i boshtit në skajin tjetër. Në fakt fusha magnetike e Tokës gjenerohet nga rrotullimi i bërthamës së jashtme të hekurit të shkrirë.

Arsyeja pse ndodh fenomeni i ndërrimit të poleve akoma nuk është e qartë. Ka një interpretim se është rrjedhojë e faktorëve të brendshëm të globit tokësor. Është llogaritur se herën e fundit fenomeni i ndërrimit total të poleve ka ndodhur 781 000 vjet më parë. Që nga ajo kohë ngjarjet kanë qenë më të shkurtra, me një ndryshim të përkohshëm 41 000 vjet më parë që u pa ndërrimi i poleve për 250 vjet, para se të riktheheshin në pozicionin që janë sot.

Mësimi që nxjerrim nga zbulimi i këtij Spoti është se ky fenomen, pra ndërrimi i poleve dhe rikthimi në pozicionin e mëparshëm është evident. Që nga koha kur është projektuar kjo hartë glob, sikurse e theksuam më sipër mund të ketë ndodhur dhjetëra dhe ndoshta qindra herë fenomeni i ndërrimit të poleve dhe rikthimit të tyre në pozicionin e mëparshëm. Studiuesit kanë llogaritur që në 80 milion vitet e fundit, ky fenomen ka ndodhur 181 herë.

Pa dashur ta ekzagjeroj opinionin tim, duke u nisur nga këto zbulime, duhet thënë që Historia e shkruar e botës nuk do të ishte e plotë, pa përfshire historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që përbën gur themelin e historisë botërore.

*Hulumtues i shkencave nautike

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *