Ad
VIJA E HORIZONTIT, E LIGJIT DHE E NJOHJES

VIJA E HORIZONTIT, E LIGJIT DHE E NJOHJES

Ad

Ka një vijë në horizont që tretet mes qiellit e tokës, e që zgjatet drejt kaheve të pambarimit.
Ngjyra e saj është po aq të papërcaktueshme sikurse edhe kufiri i hapësirës që bashkohet prej shkrirjes së saj.
Kjo vijë mund të jetë ndërmjet deteve, maleve apo ndërmjet fushave dhe qiellit.
Ka edhe një vijë tjetër, ajo e lumejve dhe e liqeneve, që përgjatë miliona viteve i mundësuan njeriut ekzistencën me një bujari të pashterrshme.
Kjo vijë është një tjetër shkrirje ngjyrash mes të kaltrës dhe të gjelbrës për të krijuar jetën.
Janë edhe disa vija tjera, të vogla e prandaj të ruajtura në xhepat e kohës ku njeriu gjeti strehën e parë – në shpella.
Vijat e radhës që njeriu nisi t’i kuptonte ishin ato të duarve të tij, e me të cilat la gjithnjë e më shumë gjurmë në kohë e hapësirë.
Që nga gjuetia primitive e deri te termocentralet bërthamore, gjurmët e njeriut e shënjuan tokën në mënyrë të pakthyeshme, derisa erdhi dita kur vijat e rrugëve e të telekomunikacionit, agresive si metastazat, kërcënuan edhe vijën e fijeve të barit ndër male.
Diku në mes të kësaj kohe, njeriu thirri vijën e ligjit për ta shpëtuar një pjesë të vijës së dukshme të natyrës – Zonat e Mbrojtura – prej sulmit të pikave të padukshme të gazit karbonik e helmeve të tjera që ai vetë vazhdon t’i hedhë në tokë, në ajër e në ujë.
Mirëpo vijat e ligjeve që përcaktojnë kufijtë e rreth 200 mijë Zonave të Mbrojtura në të gjithë botën, të përbëra nga një numër pambarim pikash, kanë nevojë të njihen e pastaj të respektohen.
Sidomos në Shqipëri, një vend në të cilin 25 vjet më parë vreshtat priteshin për inat politik, ndërsa aktualisht pyjet digjen për kullota, stalaktitet qindvjeçare grabiten për zbukurim restorantesh e vrulli i lumejve shtrëngohet të udhëtojë në një tel korrenti drejt fabrikave të vendeve fqinje që na eksportojnë ujë të ambalazhuar.
Këtë ndërgjegjësim të opinionit për Zonat e Mbrojtura do të përpiqet ta kryejë me modesti, përgjatë ciklit të vet jetësor gazeta VIJA.
Me fokus të veçantë mbi katër qarqet e veriut: Shkodrën, Lezhën, Kukësin dhe Dibrën, VIJA do të ofrojë dhe do të kërkojë bashkëpunim me të gjithë aktorët dhe faktorët e ruajtjes së mjedisit, për ta informuar dhe orientuar publikun drejt një kulture miqësore ndaj të gjitha vijave të natyrës që ia mundësojnë jetën njeriut.

(Editoriali i numrit të parë të gazetës VIJA, botim i organizatës GO2, Tetor 2016)

[Ne foto: Pamje e pjesshme e Liqenit dhe e Komanit, nga Qafa e Erës (1400 m) në Malin e Cukalit . Foto: Eltjana Shkreli]

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *