Ad
Urimi i Patriarkut të Moskës dhe i gjithë Rusisë, Kirillit, me rastin e 90 vjetorit të Kryepiskopit Anastas

Urimi i Patriarkut të Moskës dhe i gjithë Rusisë, Kirillit, me rastin e 90 vjetorit të Kryepiskopit Anastas

Ad

Fortlumturisë së Tij, Anastasit
Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë

Fortlumturi, vëlla dhe bashkëmeshtar fort i dashur më Krishtin,
Desha t’Ju uroj me gjithë zemër në këtë ditë kaq të veçantë të 90 vjetorit tuaj.
Që në vitet e rinisë suaj, morët vendimin që t’ia dedikoni të gjithë jetën përhapjes së mesazhit të Ungjillit, njësoj si apostujt e shenjtë, duke dhënë dëshmi për Krishtin e Kryqëzuar e të Ngjallur, deri në skajet e dheut (Vep. Ap. 1:8).
Vullneti i Perëndisë ishte që ju të qëndronit në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila, me ndihmën e Zotit, në dekadat e fundit po përjeton ngjalljen nga e mosqena, nëse do të mund të shpreheshim kështu, pas epokës së errët të persekutimit. Sot, kjo Kishë mban të ndezur lambadhën e besimit që sjell shpëtimin për të gjithë popullin shqiptar. Eksperiencat dhe përjetimet që keni marrë nga shërbimi juaj i gjatë në vreshtin e Perëndisë janë të kaq të shumta. Sot ju jeni primati më i madh në moshë, dhe gëzoni nderimin dhe respektin e mbarë botës orthodhokse, siç thuhet dhe në Shkrimin e Shenjtë: “ Ndër të moçmit gjejmë diturinë, dhe gjatësia e ditëve u jep edhe gjykimin” (Jobi 12:12).
I njohur është edhe kontributi juaj gjithëpërfshirës në sferën akademike. Në të gjejmë të shpalosura dhuntitë tuaja të shumta, të dhuruara me bujari nga Dhënësi i Gjithë të Mirave. Edhe në këtë kohë të vështirë, me të cilën po përballet bota orthodhokse, kontributi juaj për ruajtjen e unitetit mes Kishave të Shenjta të Perëndisë është veçanërisht i vyer.
Lutem që të keni fuqi shpirtërore dhe trupore, ndihmë të pashtershme prej qiellit, si dhe shumë sukses në veprën tuaj hieratike, që të vazhdoni të punoni me zell për shpëtimin e grigjës suaj.
Me dashuri vëllazërore më Krishtin,
+ Kirilli
Patriarku i Moskës dhe i gjithë Rusisë.

Burimi: https://mospat.ru/en/2019/11/05/news179611/?fbclid=IwAR3Ba2kzoL_7vUZluLerV6N0hJFOqi3Jtd1aLuSQALOgwhxfnP75qk15nQ0

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *