Ad
Unë dhe nëna ime – Nga Edmond Bejtaj

Unë dhe nëna ime – Nga Edmond Bejtaj

Ad

Ishte një kohë kur mendoja ta braktisja përgjithmonë Shqipërinë i bindur se ajo nuk më meritonte, dhe jo vetëm kaq, por ngaqë më dukej si vendi ku më kishin internuar pasi kisha lindur diku në Europën e bukur, ajo mund të shuhej pa problem se mua nuk më rruhej më për të.
Dhe ishte kjo kohë kur ndodhi që një miku im i huaj, i cili kish konsiderate per mua ngaqē nuk i dukesha si gjithë shqiptarët e tjere që i kishin zënë derën deri atehere, më tha se do më ulte me ca njerez te pushtetshem, me lidhje te forta me Shqiperine, te cilet kishin ndërmend të nguleshin fort atje e prandaj mund të ma ndryshonin jetën nga kështu në kështu, dhe e tha duke më treguar pëllëmbēn nga kurrizi, e pastaj duke e kthyer nga barku.
E meqë nuk e doja më atë jete qe kisha, e prita takimin me gjumë tē prishur.

Ate dite u vesha dhe parfumosa siç duhej, dhe kur u ula atje ku më thanë, vura re se nuk isha keq ne raport me miqtë e Shqipërisë, e jo vetem kaq, por ndjeva se nje femër nga grupi i tyre po më shikonte me vemendje, vera ishte e mirë dhe keshtu qe i prita me qejf komplimentet që po me mbrinin, e që tregonin se nuk u dukesha hiç si shqiptar, dhe dora-dores që ata flisnin po më shijonin më teper edhe vera, edhe syte e femrës perballe, edhe e ardhmja qe me priste.

Derisa ata filluan te tallnin karin me Shqiperine, duke e mëshiruar per fatin e keq te saj, dhe e bënin duke treguar detaje nga mizerja jonë e verifikuar në udhëtimet e tyre, dhe aty unë fillova të bëhesha esëll, se ne atë moment Shqiperia ne trurin tim mori vetem pamjen e nënës time, që sapo me kish derguar nje foto te sajën me ngjyra të shkrepur nga Nikon-i që i kisha derguar une, e ku dukej e ulur mbi krevatin tim me dorën tek jastëku, dhe nga mbrapa fotos kishte shkruar se e niste ditën duke e puthur ate jastëk me lutjen qe te me mbronte Zoti kudo qe te isha dhe se im atë nuk thoshte gjë për mua por kur pinte kafen lotonte dhe ndizte duhan të cilin unë nuk ja kisha parë kurrë ta tymoste, dhe kur ata burra duke menduar se po më perkedhelnin vazhdonin te me tregonin se çfare mrekullie më priste ne vend te mizerjes se deriatehershme, mua mu duk se e morën nënën time nga ajo foto me ngjyra dhe e sollën zvarrë për ta shkërdhyer aty mbi tavolinë mes pjatave plot dhe gotave të verës përgjysëm, dhe jo vetem kaq, por po më ftonin edhe mua t’i hipja nje herë qe tu tregoja se edhe mua më vinte turp prej saj, dhe e gjithë kjo nën vështrimin e tim eti që duke lotuar e tymosur po më thoshte – Jepi edhe ti, legen !, – dhe aty më hipi një tërbim që nuk e kam ndjere më, dhe veshët filluan te më ushtonin si te birit te Corleones pasi kish marrë revolverin tek shkarkuesi i ujit në nevojtore, por e qetësova veten, ashtu siç e qetësoja kur në një provim e kisha kuptuar se ai që kisha përballë do më ngelte dhe do humbisja shkollën e do veja ushtar, dhe aty filloja t’i ulërija vetes – Ore mos u qurravit kot para këtij plehrës se nuk do vdesësh po nuk u bëre inxhinjer !, – dhe aty çlirohesha dhe nuk e çaja më kokën por ngrihesha duke i thënë – Vër çfarë të duash, mos më pyet më !, – dhe kēshtu kullova pikat e fundit te verës ne gojë, fshiva buzet me pecetë, mbeshteta thiken dhe pirunin ne pjate, dhe fola, ;
– Dhe u thashe se unë isha nje shqiptar si gjithë te tjeret, madje se në Shqipëri kishin ngelur akoma ca burra që me mua fshinin bythën, se vendi im ishte më i bukuri ne botë dhe per mjerimin ishte fajtor vetem im atë, por atij ja beja te gjitha hallall se ma kish falur jetën me dëshirë, dhe se nuk më vinte turp hiç nga jeta ime, sado që ishte jete muti, ngaqë emri i lashtë i fshatit të babait tim ishte Olimpia dhe atje asokohe banonin Perënditë, dhe për këtë nuk kisha asnjë dyshim meqë në ate tavolinë unë dallohesha ashiqare nga lëkura dhe sytë që isha i vetmi bir i Afërditës, i asaj perëndisë që kur qielli zbardhet na lajmēron se po afron dita, e që i binte se te parët e mi edhe në kohën kur jetonin në shpellë nuk kishin ngrënë mish njeriu.

Dhe u ngrita duke i falenderuar per drekën, duke vendosur ta lija jetën time siç ishte, pra jetë muti, pranë nënës time, pa e kthyer pëllëmbën nga ana e barkut, siç bëjnë lypësit.

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *