Ad
Unë, aeroplani i kryeministrit dhe dëshiruesi i lirisë

Unë, aeroplani i kryeministrit dhe dëshiruesi i lirisë

Ad

NGA NIKOLETA KOVAÇI

Cërrrr, cërrr, zilja e telefonit!
Meqë e kam të falur s`para ia njoh mirë veglat dreqit. E sigurisht, kam të identifikuar vetëm pak njerëz. E pashë numër të panjohur dhe nuk e hapa! Kur prapë cërr, por nuk ndalonte hiç! Meqë këto kohë kam Nanën për vizitë te shpia, e ajo gjithnjë ingranohet në këto punët e shtetit, që nga më e madhja deri te më e vogla, e di që ajo shqetësohet nëse unë nuk e hap telefonin. Ka dëgjuar se gazetarët këtu kërcënohen me jetë, iu gjuhet me armë shtëpia, i lënë pa punë dhe i kërcënojnë deri në heqje nga puna të burrit, gruas, fëmijës, të dashurit/ës, etj (ndonëse Nana e di që unë s`kam probleme të tilla kërcënimi me heqje njerëzish nga puna…) ajo i mban veshët pipëz deri sa të më dëgjojë timprin e zërit mua.
E ngrita telefonin!
Një zë burri: Aloooo, Nikoleta, ti je mojjj?
Po-i them, gjithë drojë! S`ishte zë i njohur! Prita vijimin. U ndalua pak sikur donte të më shante e pastaj vijoi: Unë e di që ti nuk më njeh, po unë jam një ndjekës i joti i hershëm. Më beso të lexoj qëkur shkruaje si e çmendur për vrasjet e të fortëve të vendit e deri te një ngatërresë e madhe që pate bërë për një aksident të Fatos Nanos. E mban mend mojjj, ishte ai rasti i Shkallnurit. Atëherë të them të drejtën mu duke trime, pak budallaqe po trime, se aty ishin të përfshirë disa persona shumë të frikshëm nga Durrësi. Atëherë mendoja kështu, se tani ata kanë qenë edhe në qeveri shumë kohë, janë gjithandej në drejtime punësh të këtij shteti e nuk kanë asnjë sekond kohë të merren me ty, e mirë bëjnë. Se ti tash nuk vlen asnjë grosh nuk vlen! Dreqi ta hajë sa shumë më zhgënjeve!
-Qyqja- i thashë-më fal! Si mund të ta shlyej gjithë këtë zhgënjim që të paskam dhuruar! (Vazhdoja dhe besoja se personi po bënte shaka, shpejt do të identifikohej dhe prisja të më dilte një njeri i njohur. Madje nisa të mendoja edhe për vijimin e bisedës, duke lënë të kuptohej se ne ishim miq të njohur prej një jete. Po ai vijoi!
-Kurrsesi- më tha! S`ke qysh! Ti duhej ta dije se nëse emri yt nuk do të ishte në atë listë, sigurisht që do të ishe zhgënjim i madh për të gjithë njerëzit që të duan. Dhe në fakt ti ke shumë. E aq keq më vjen sa mendoj tani që ke zhgënjyer edhe ata, jo vetëm mua!
Atëherë kuptova që ky person ose s`më njihte fare ose di dreqi çfarë do i kenë thënë për mua. U hutova me listën, por u përpoqa t`i hulumtoja edhe njëherë zërin, për të mësuar të paktën dialektin se nga më vinte, sigurisht që nga Veriu jo!
-Kam kaq kohë që mendoj se një ditë edhe ty do ta shihja emrin nëpër lista që publikohen gazetash dhe portalesh për të marrë kredinë e butë të bashkisë së Tiranës e ti vijon e je ende pa shpi. Kam kohë që shqyej sytë të të shoh nëpër darkat dhe mbrëmjet gala që organizon kryeministri dhe gjithë anëtarët e Qeverisë dhe të mafies e prapë s`të shoh. Kam një jetë që të pres të dalësh nëpër ekrane të flasësh kundër pushteteve e kundër shtetit që po shkatërrojnë fare jetën e qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, e ti hiç, gjëkundi. Më kot kam pritur nga të tjerët të thonë një fjalë të mirë, se më kanë thënë që janë të paktë ata që dalin aty e nuk janë të përpunuar nga të fortët e politikës dhe të politikave. Janë edhe nja dy-tre të tjerë, që dalin të shkretët e duket se bëjnë luftë të ashpër, po aty iu shuhet zëri. Gjëkundi nuk dalin më t`i shohim. Si duket këta persona as në protesta nuk i lënë të dalin, jo më nëpër televizione.
-E pikë e zezë-thashë me vete, po ky dreq ku më njeh kaq mirë dhe ç`dreq gjëje pritka prej meje. Një fytyrë me vinte e një më ikte, por s`po gjeja asnjë hapësirë ta ndaloja. I thashë si me stil: Çfarë mund të bëj për ty?
-Asgjë-më tha! Tashmë nuk mund të bësh asgjë. Tashmë avioni është atje!
U hutova fare. Thashë mos ishte ndonjë avion droge dhe ky do me denoncu i ziu e s`po di si të ma thotë!
I them: Më thuaj vendin ku gjendet avioni tani se mund të bëjmë diçka. Kemi miq gazetarë në çdo rreth dhe dikush do t`iu ndihmojë!
Jo, mojjj, çfarë avioni këtu. E kam fjalën për avionin e kryeministrit, për atë që të mori shokët dhe shoqet dhe t`i çoj për të promovuar vlerat e vendit me ta!
Ehhh, u çlirova fare. Dhe nisa të justifikohem.
-Po ja, ti ke të drejtë që je i irrituar po unë kurrë s`kam thënë një fjalë të mirë për këtë qeveri, në fakt për asnjë qeveri të këtij vendi. Unë kurrë se kam pranuar këtë kryeministër për kryeministër të Shqipërisë sime, pasi ai s`mund të ketë qoftë një element të vetëm që ta meritojë atë post. Aq më pak ata që ai ka në kabinet. Unë gjithnjë, aq fuqi sa kam patur kam bërë luftë me çdo mediokër, sharlatanë, përbuzës, injoranët, të pabesë, hajdutë, vrasës, kriminelë, e deri ordinerë që janë ngritur në emër të shtirjeve pas b…së politikës. Unë s`kam se si të jem në atë avion se kurrë s`kam pranuar ftesa darkash as drekash, kurrë sua kam mësuar dyert e zyrave, kurrë s`kam shkruar atë që kam menduar që nuk është e drejtë, kurrë s`kam bërë asnjë pazar me botuesit për të sulmuar askënd dhe kurrë s`kam lejuar të më afrohet ndonjë vend ku mund jaragavitesha për të mbajtur një vend pune etj…
Eha-më tha- e dija që do m`i thoje të gjitha këto. Unë e di se ka edhe shumë më tepër por sido që aty unë pashë gazetarë të djathtë sa të duash, pashë nga ata që e shajnë dhe e telendisin gjithë ditën, për natën në fakt se di… Pashë-dhe aty u ndal, u ndal pasi e kuptoi që po e tepronte dhe shtoi: Unë e dua gazetarin e lirë, goce, ndaj edhe të telefonova ty. Besoj kam telefonuar edhe gjithë ata gazetarë që janë të lirë në këtë vend të marrë peng nga një politikë hajvanësh e matrapazësh! Mirë u dëgjofshim!

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *