Ad
Ulen sërish siguracionet, ja lista me çmimet e reja sipas kategorive të automjeteve

Ulen sërish siguracionet, ja lista me çmimet e reja sipas kategorive të automjeteve

Ad

Kompanitë e sigurimit kanë ulur dje me 30 përqind siguracionet e makinave. Bëhet fjalë për sigurimin motorik të detyrueshëm të njohur si TPL (sigurimi i Detyrueshëm i Mbajtësit të Mjetit Motorik për Përgjegjësinë Civile ndaj Palëve të Treta). E njëjta situatë ndodhi dhe më 24 gusht, ku çmimet e tregut u ulën me 20%, por pak ditë më vonë u kthyen në normalitet për të përsëritur nga dje të njëjtin cikël, por me një ulje më të theksuar.

Sa shitet një policë sigurimi

Ditën e djeshme, një policë për mjetet me kubikazh deri në 1600 cm3 dhe më e re se 10 vite shitej 11 700 lekë ndërkohë që më herët ky çmim mesatarisht në treg ishte 17.600 lekë. Për një mjet me të njëjtën fuqi motorike por që është e barabartë ose më e vjetër se 10 vite primi dje është rreth 12 000 lekë, ndërkohë që më herët ishte rreth 18 000 lekë. Për mjetet me kubikazh 1600-2500 cm3 dhe me vjetërsi më të vogël se 10 vite primi i sigurimit ishte rreth 18 300 lekë ndërkohë që dje i njëjti prim shitej rreth 12 000 lekë. Për një mjet me vjetërsi të barabartë ose më të madhe se 10 vite primi që shkruhet nga kompanitë është rreth 12 500 lekë ndërkohë që më herët ky prim kishte një mesatare prej 18 900 lekë. Për mjetet që kanë një kapacitet motorik mbi 2500 cm3 dhe janë më të reja se 10 vite, pra pas 2007, primi i ri është 12 500 lekë ndërkohe që më herët ishte 19 000 lekë. Për mjetet me të njëjtin kapacitet, por me vjetërsi më të madhe se 2007 primi i sotshëm është 13 000 lekë ndërkohë që më herët ishte rreth 19 500 lekë. Ulja e primit nuk është bërë vetëm tek TPL, por edhe tek kartoni jeshil. Kompanitë aplikuan dje çmime 50% më të ulëta. Konkretisht kartoni jeshil për një afat 15 ditor nga 40 euro po shitet 20 euro ndërkohë që ai për një afat 1 mujor nga 60 euro në 30 euro.

Treguesit në korrik 2017

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-qershor 2017 kapën vlerën mbi 7,415 milionë lekë, ose 12.03% më shumë se në periudhën janar-qershor 2016. Gjatë periudhës janar-qershor 2017, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 551,848 me një rritje prej 14.69% krahasuar me periudhën janar-qershor 2016. Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-qershor 2017 arritën rreth 4,322 milionë lekë, ose 11.43% më shumë se në periudhën janar-qershor 2016. Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-qershor 2017, pati një rritje prej 14.35% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 6.46% krahasuar me periudhën janar-qershor 2016. Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-qershor 2017 pati një ulje prej 9.29% të volumit të primeve të shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 0.12% krahasuar me periudhën janar-qershor 2016. Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-qershor 2017, pati një rritje me 2.65% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-qershor 2016. Po kështu edhe numri i kontratave u rrit me 2.13%.

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *