Ad
Tërmeti është fenomen i cili shkaktohet nga çlirimi i papritur i energjisë së grumbulluar

Tërmeti është fenomen i cili shkaktohet nga çlirimi i papritur i energjisë së grumbulluar

Ad

Tërmeti është fenomen i cili shkaktohet nga çlirimi i papritur i energjisë së grumbulluar, i cili shkakton krijimin e valëve sizmike (dallgëve sizmike). Në sipërfaqen e tokës, tërmeti shfaqet në dridhjet ose zhvendosjet e tokës (truallit) dhe nganjëherë edhe në krijimin e dallgëve detare, tsunami. Në të gjitha këto raste, tërmeti mund të shkaktojë dëmtime të mëdha njerëzore dhe materiale. Ai matet me ballë. Ballë quajmë njësia për të matur tërmetet.

Përhapja e vullkaneve dhe tërmeteve
Përhapja e Cunameve

Tërmetet mund të ndodhin si rezultat i veprimit të forcave të natyrës ose të shkaktohen si pasojë e aktivitetit njerëzor. Termi “tërmet” përdoret për çdo ngjarje sizmike që krijon valë sizmike, pavarësisht nëse ato janë me origjinë natyrore apo të shkaktuara si pasojë e aktivitetit njerëzor.

Llojet e tërmeteve

Kemi katër lloje kryesore të tërmeteve. Tërmetet vithisure, tërmetet vullkanike, tërmetet tektonike dhe tërmetet artificiale.

Tërmetet vithisure

Tërmetet vithisure janë ato tërmete të cilat shkaktohen kur kemi rrëshqitje të masave të tokes. P.sh. kur shembet ndonjë shpellë. Janë tërmetet më të dobëta dhe kane rreze veprimi prej afro 100 km. Vetëm 3 % e gjithë tërmeteve që ndodhin janë tërmete vithisure.

Tërmetet vullkanike

Zakonisht paraprihen nga erupsioni vullkanik, pra janë tërmete që shkaktohen nga veprimi i aktiviteteve vullkanike. Për nga intensiteti dhe fuqia e lëkundjeve vijnë të dytat pas tërmeteve tektonike. Rreth 7 % e gjitha tërmeteve janë tërmete vullkanike.

Si shkaktohen tërmetet vullkanike :

Magma për shkak te trysnisë hidrostatike ngjitet larte duke dale ne formën e llavës. Për shkak te shpejtësisë se madhe ne dale ndodhin shpërthime te mëdha.

Tërmetet tektonike

Janë lëkundje të fuqishme dhe përfshijnë sipërfaqe të mëdha të tokës. Zakonisht shfaqen në zonat me rudhosje të re, ku ngritjet dhe fundosjet e sipërfaqes së Tokës janë intensive. Vatra e këtij tërmeti gjendet në rreth 70 km thellësi të Tokës e në disa raste edhe më thellë. Janë më të shpeshtat, rreth 90 % të gjitha tërmeteve janë tërmete tektonike. Shfaqen rreth 80.000 tërmete tektonike në vit e prej tyre rreth 10 janë shumë të fuqishme.

Tërmetet artificiale

Zakonisht shkaktohen artificialisht nga njeriu, p.sh. nga eksplodimi i eksplozivëve gjatë hapjes ose shpimit të shpellave, nga bombardimet e ndryshme ushtarake nëpër luftra, ushtrimeve ushtarake me armë të rënda etj. Mund të kenë fuqi të ndryshme, varësisht nga sasia e eksplozivit të përdorur.

Tërmete me origjinë natyrore

Shumica e tërmeteve me shkaqe natyrore janë pasojë e ndërtimit tektonik të tokës. Këto tërmete quhen edhe tërmete tektonike. Litosfera (lithosphere) e tokës është si një qilim i përbërë nga shumë pllaka tektonike të cilat lëvizin ngadalë, por në mënyrë të vazhdueshme nën ndikimin e nxehtësisë së mantelit dhe bërthamës tokës. Anët e pllakave tektonike rrëshqasin ndaj njëra tjetrës duke shkaktuar forca fërkimi midis pllakave tektonike. Kur kjo forcë fërkimi kapërcen kufirin kritik, i cili quhet fuqia lokale, ndodh një thyerje e papritur. Kufiri i pllakave tektonike përgjatë të cilit ndodh thyerja quhet vija e thyerjes (fault plane). Kur thyerja përgjatë vijës së thyerjes sjell si pasojë zhvendosjen e dhunshme të kores së tokës, atëhere çlirohet energjia e tërheqjes ose përdredhjes elastike dhe krijohen valët sizmike duke shkaktuar në këtë mënyrë një tërmet. Llogaritet se më pak se 10% e energjisë së përgjithshme të tërmetit çlirohet në formën e energjisë sizmike, ndërsa pjesa më e madhe e energjisë përdoret për të furnizuar me energji zmadhimin e thyerjes së tërmetit dhe kthehet në nxehtësi. Prandaj, tërmetet e ulin potencialin energjitik dhe energjinë termike të tokës, por këto humbje janë të papërfillshme. Sizmiologët, për të përshkruar procesin fizik të shkaktimit të tërmeteve përdorin teorinë e çlirimit elastik.

Shumica e tërmeteve tektonike e kanë origjinën e tyre në thellësi më të vogla se disa dhjetra kilometra nga sipërfaqja e tokës. Tërmetet të cilët ndodhin përgjatë kufirit të pllakave tektonike quhen tërmete ndërpllakësore (interplate), ndërsa rastet më të rralla, kur ngjarja sizmike ndodh në pjesën e brendshme të pllakës litosferike, quhen tërmete brendapplakësore (intraplate).

Në pikat ku korja e tokës është më e trashë dhe më e ftohtë, tërmetet ndodhin në thellësi më të mëdha prej disa qindra kilometra nga sipërfaqja e tokës, përgjatë zonave të zhytjes aty ku pllakat tektonike zbresin në mantelin e tokës. Këto lloje tërmetesh quhen tërmete me qendër të thellë. Ka mundësi që këto tërmete shkaktohen kur materiali liosferik i zhytur pëson një transformim gjendjeje të menjëhershëm (për shembull nga olivinë në spinel), duke çliruar energjinë e grumbulluar, në formën e energjisë së tërheqjes dhe përdredhjes, energjinë kimike ose energjinë gravitacionale, e cila nuk mund të mbahet më në temperaturat dhe trysnitë (presionet) që ekzistojnë në këto thellësi.

Tërmetet mund të ndodhin edhe në zonat vullkanike dhe të shkaktohen nga lëvizja e magmës vullkane. Këto tërmete shërbejnë si paralajmërim për shpërthimin e vullkanit.

Një teori e propozuar këto kohët e fundit tregon se disa tërmete mund të ndodhin gjatë një lloj furtunë tërmetesh, ku një tërmet do të shkaktojë një seri tërmetesh, secili i shkaktuar nga ndryshimet paraardhëse në vijat e thyerjes, të ngjashme me pasgoditjet, por të cilat ndodhin vite më vonë, dhe disa nga këto tërmete pasardhëse shkaktojnë po aq dëme sa tërmetet paraardhëse. Një fenomen i tillë u vëzhgua në rastin e rreth 12 tërmeteve që goditën Vijën Anatoliane në Turqi në shekullin XX, gjatë një gjysëm dyzine tërmetesh të mëdha që goditën New Madrid gjatë periudhës 18111812, dhe mendohet se i njëjti feneomen ka ndodhur edhe gjatë grupeve të vjetra jonormale të tërmeteve të mëdha në Lindjen e Mesme dhe në Mojave Desert (shkretëtirën Mojave).

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *