Ad
Të kishe durim ta dëgjoje, komshiu të spjegonte fije për pe

Të kishe durim ta dëgjoje, komshiu të spjegonte fije për pe

Ad

Komshiu nga Edison Ypi

Pavarsisht se kush trokiste në derën tënde, nëna, motra, vëllai, një mysafir, një mik, më nuhatës se një qen, më i shpejtë se një lepur, i pari që hapte derën, nuk ishe ti por komshiu përballë me shkumë rroje në fytyrë, duke u mbllaçitur, duke mbërthyer kopsat e pantallonave, a duke mbërthyer rripin e mesit.
I tmerruar nga përfytyrimi se komshiu mund të bënte të njëjtën gjë, ti nuk hyje kurrë në apartamentin e komshiut. Kujdes i tepërt. Komshiu gjithmonë e gjente një mënyrë për të hyrë në shtëpinë tënde.
Nuk kishte mënyrë për t’i shpëtuar vigjilencës së komshiut.
Të shpresoje të hyje në shtëpinë tënde me një mikeshë pa të parë komshiu, ishte ëndërr e çmendur.
Ngaqë komshiu s’kishte asgjë për të fituar, asgjë për të humbur, asgjë për të ndarë, gruaja e komshiut s’kishta asnjë arësye për të mos mbetur vazhdimisht shtatzanë. Kur ndodhte që numuri i kalamajve të komshiut kalonte masën kritike dhe shtatzania e rradhës konsiderohej e tepërt, andej nga muaji i gjashtë a i shtatë i shtatzanisë, komshiu gjente një xherahe për t’ja nxjerrë gruas fetusin me çengela hekuri mes ulurimash.
E vetmja manovër për ta paksuar disi kuriozitetin e sëmurë të komshiut, ishte të hiqeshe sikur s’kuptoje, të bëje rolin e budallait. Çmenduria e vetshpallur e zbaviste. Megjithatë përmbahej. I frigej ndonjë të keqeje të paparashikueshme që mund t’i vinte nga sjellja e çuditëshme e dikujt që edhepse i çmendur s’është, i çmendur preferon të hiqet.
Në kushtet e pamundësisë absolute për të jetuar më mirë, për të pasur më tepër, për të ngrënë, për tu veshur e mbathur, kur i mungonin të dhënat e sigurta, imagjinata e komshiut më e papërmbajtur se e Ajnshtajnit kombinohej me aftësinë e tij rrëfyese më të fuqishme se të Tolstoit.
Komshiu kishte dëshirë të papërmbajtur të kishte një Kanoçe. E dije që për Kanoçe komshiu nuk të spiunonte. Megjithatë nuk guxoje t’ja bëje. Të pengonin ndërlikimet që mund të vinin nga paqëndrueshmëria e komshiut.
Të kishe komshi një mediokër që kishte lexuar vetëm “Shvejkun” dhe “Tre Shokët” dhe të shurdhonte me dromca për të vjellë nga ato dy libra, ishte një mënxyrë që nuk rrëfehet dot. Gjysmaku e hidhte aq përpjetë sikur nuk ishit njësoj komshinj të dy, por vetëm ti komshiu i tij.
Vështirë t’i bëje ballë zellit të komshiut për të bërë të ditur hollësira nga jetët e të tjerëve. Të bëje sikur për jetët e të tjerëve nuk ishe i interesuar, për komshiun ishte krejt e pabesueshme, dhe fillonte dyshonte, niste thurte meselera inekzistente për ty.
Të tregoje interesim ndaj thashethemeve të komshiut, por të hiqeshe sikur nuk kuptoje, mund të ndodhte që ta besonte për një çast, dhe përjetoje një moment çlodhje. Por pas pak komshiu vinte në vete. Çfarë do ndodhte më pas nuk mund ta gjente dot asnjë parashikim fallxhoreje.
Për të krijuar një farë sigurie që komshiu të mos të spiunonte, mund të gjeje ndonjë mënyrë që ta vinte pak dorën në zemër, të ishte pakëz i mëshirshëm. Përderisa vetë komshiu ishte spiun, nuk mund të mos ishin spiunë dhe gjithë të tjerët. Prekej disi nga ky afrimitet, derisa vinte në vete dhe niste përsëri të të spiunonte.
Të kishe durim ta dëgjoje, komshiu të spjegonte fije për pe nga stërgjyshi i tij tek e ardhmja e ndritur kur nën udhëheqjen e partisë revolucioni proletar botëror do triumfonte, klasat do zhdukeshin, e të tjera e të tjera. Ta kundërshtoje sadopak komshiun për të tilla, ishte një nga mënyrat për t’i thënë burgut hapu.
Komshiu, ky fatalitet i mënxyrshëm prej të cilit nuk shpëtoje dot asnjë çast, bërtiste; Jam puntor, jam proletar, bota më përket, revolucionin do ta bëj. komunizmin do ta ndërtoj.
Kishte të drejtë komshiu. Ai të cilit bota, jeta, komunizmi, revolucioni, nuk i përkisnin, ishte komshiu i komshiut, unë.

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *