Ad
Ta bënin interesin e çdo njeriu të vëzhgonte çdo rast që shpinte drejt asaj që duhet të vëzhgonte detyra e tij

Ta bënin interesin e çdo njeriu të vëzhgonte çdo rast që shpinte drejt asaj që duhet të vëzhgonte detyra e tij

Ad

Një parim udhëheqës i skemave të Benthamit ishte se faktorët nxitës duhet të ishin të tillë që “ta bënin interesin e çdo njeriu të vëzhgonte çdo rast që shpinte drejt asaj që duhet të vëzhgonte detyra e tij”. Ndaj zbatueshmëria e pozicionit dhe e realizimit të detyrës së një administratori publik është e lidhur ngushtë edhe me formimin e tij etik. Që një administrator publik të jetë i vërtetë, ai duhet të përmbajë drejtësinë, cilësinë dhe vlerën. Morali i tij duhet të mbështetet në dashurinë, në mbrojtjen, në ndihmën dhe respektin për qenien njerëzore. Sa më pranë vlerave morale të jetë veprimtaria e një administratori publik, aq më të përgjegjshme do të jene veprimet dhe zgjidhjet e tij. Një vendim që ai merr nuk është thjesht individual që mund të ndikojë vetëm në karrierën e tij, por ai vendim ka një peshë, vlerë apo rol të rëndësishëm në vetë jetën e shoqërisë. Etika që zbatohet në këtë rast për marrjen e një vendimi është institucionale sepse administratori e merr vendimin në varësi të politikës udhëheqëse të institucionit që ai drejton dhe etika individuale që ka të bëjë me vetë personalitetin e çdo njeriu. Pas një analize mbi etikën, natyrshëm që lind pyetja: kur në Shqipëri ekziston legjislacioni, pse ai nuk zbatohet? Pse ekzistojnë shkeljet etike kur nëpunësi ndalohet me ligj t’i kryej ato? Në Shqipëri zbatueshmëria e rregullave etike është në realitet në nivele shumë të ulta dhe kjo për mjaft shkaqe.

Në mënyrë shumë sintetizuese po paraqesim disa prej tyre:
1. Mungesa e njohjes së rregullave morale të sistemit demokratik nga ana e punonjësve të administratës publike.
2. Problemi madhor është zbatueshmëria e ligjit.
3. Punonjësit e administratës publike në të gjitha nivelet janë mjaft të prirur, të hapur dhe pa asnjë imunitet drejt shkeljeve më të përfolura dhe më evidente të etikës si korrupsioni, nepotizmit, padrejtësia, etj. të cilat janë paraqitur përhershmërisht në raportet e ndryshme ndërkombëtare se ekzistojnë në nivelet më të larta në qeverisjen shqiptare, si mënyrë sjellje ato kopjohen në mënyrën më të shëmtuar dhe ndiqen vazhdimisht symbyllurazi edhe në shkallët më të poshtme të administratës nën proteksionin e nëpunësve më lartë.
4. Indiferenca ndaj shkeljeve etike si nga brenda administratës po ashtu edhe nga jashtë saj.

Ndaj për të rritur zbatueshmërinë e ligjit dhe të kodeve etike gjykoj se:
1. Nuk nevojitet që Parlamenti apo Këshilli i Ministrave të miratojë ligje apo rregullore të reja mbi etikën, por duhet të rritet niveli i zbatimit të tyre.
2. Institucionet publike, qendrore apo lokale që nuk kanë një Kod Etik të tyrin, duhet ta hartojnë atë, mbështetur në legjislacionin në fuqi.
3. Që të zbatohet ligji ligjor dhe më tej ligji moral duhet që së pari nëpunësi i administratës i çfarëdo niveli qoftë duhet të zotërojë si qenie njerëzore moralin si moral të vërtetë, të shëndoshë dhe të pacënueshëm gjë e cila në rradhët e administratës sonë lë shumë për të dëshiruar.
4. Duhet të ndryshojmë mentalitetin e të menduarit mbi moralin dhe etikën në detyrë, të vepruarit me etikë të mos klasifikohen më si sjellje apo tipare të njerëzve “të dobët”.
5. Çdo çast heshtjeje nga sektorët aktivë të shoqërisë demokratike: shteti, biznesi dhe shoqëria civile vetëm e shton mosrespektimin e ligjit duke shkaktuar dëme ekonomike dhe morale jo vetëm mbi institucionet e brishta demokratike por edhe mbi çdo njërin nga ne.
6. Njëkohësisht duhet të zhvillohen në mënyrë permanente me nëpunësit e të gjitha niveleve të administratës publike, seminare dhe takime mbi etikën dhe moralin në ushtrimin e detyrës së tyre, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit.

Ndaj si konkluzion mund të themi se Etika është një nga cilësitë e nevojshme që jo vetëm duhet ta zotëroj një nëpunës i shërbimit publik, por edhe duhet ta zbatoj në punën dhe jetën e tij. Një qytetar i moralshëm është edhe një nëpunës i moralshëm; një qytetar i përgjegjshëm dhe i ndershëm është edhe një nëpunës i përgjegjshëm dhe i ndershëm; një qytetar që respekton ligjin është edhe një nëpunës që zbaton detyrimin ligjor për të mbrojtur, respektuar dhe zbatuar ligjet në fuqi si dhe rregullat e etikës. Etika duhet të aplikohet çdo ditë nga nëpunësi i shërbimit publik në aktivitetin e tij në mënyrë që:
1. të zbatojë dhe të mbrojë ligjin;
2. të kryejë detyrën që ka marrë përsipër për të bërë ndaj qytetarit dhe institucionit ku punon;
3. të mos keqpërdorë pushtetin dhe autoritetin që i jep detyra.
Etika nuk është vlera që arrihet dhe mbaron, përkundrazi ajo duhet të zotërohet dhe të zhvillohet gjithnjë sepse interes publik është ai që duhet të mbizotërojë në sjelljen etike. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet vazhdimësia e funksionit efektiv, efikas, të përgjegjshëm dhe transparent të administratës publike shqiptare. Një detyrë kjo jo e lehtë për t’u kryer nga punonjësit e administratës publike, e cila ndodhet vazhdimisht dhe potencialisht nën presionin politik dhe për të cilën tanimë janë paralajmëruar ndryshime…..

Nga Edmond Petraj

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *