Ad
Shkruajtën se në morg ka 100 TRUPA TË PAJETË, policia procedon penalisht dy administratorët e ‘JOQ Albania’ (Emrat – Akuza)

Shkruajtën se në morg ka 100 TRUPA TË PAJETË, policia procedon penalisht dy administratorët e ‘JOQ Albania’ (Emrat – Akuza)

Ad


Portali JOQ Albania

Policia e Shtetit ka nisur hetimet për përhapje të lajmeve të rreme lidhur me viktimat për tërmetin ndaj dy personave nga portali “JOQ Albania”.

Zyrtari i Policisë së Shtetit Lutfi Minxhozi bëri me dije se hetimet janë përqëndruar në publikimin e një lajmi lidhur me numrin e viktimave nga tërmeti në morgun e Tiranës. Sipas lajmit të publikuar në portalin “Jeta Osh Qef” apo “JOQ Albania” numri i viktimave që supozohej se mbahej i fshehtë arrinte në 100. Policia e Shtetit ka proceduar 29-vjeçarin Erland Dalliu dhe Gentian Çengeli, 39-vjeç.

Deklarata e Policisë së Shtetit:

Policia e Shtetit, në vijim të monitorimit të vazhdueshëm për zbulimin dhe goditjen e çdo rasti të abuzimeve me këtë situatë të fatkeqësisë natyrore, duke synuar jo vetëm sigurinë fizike të qytetarëve, por edhe garantimin e qetësisë dhe ndjenjës së sigurisë, po merr masa për parandalimin dhe ndëshkimin ligjor të gjithë personave, të cilët nëpërmjet njoftimeve të rreme në rrjetet sociale, përhapin panik me lajme destabilizuese.

Kështu, në Tiranë, janë proceduar penalisht shtetasit Erland Dalliu, 29 vjeç banues në Tiranë dhe Gentian Çengeli, 39 vjeç banues në Tiranë, administratorë të faqes së internetit Jeta Osht Qejf.

Këta shtetas, nëpërmjet faqes nën administrim të tyre, kanë lejuar publikimin e njoftimeve të rreme, të cilat mbjellin panik tek qytetarët.

Konkretisht, kjo faqe në datën 28.11.2019 ka shpërndarë një lajmërim, në të cilin aludohet për një numër të madh viktimash të gjendur në morgun e Tiranës.

Menjëherë pas publikimit të njoftimit, nga strukturat e specializuara të hetimit të krimit kibernetik, krimit ekonomik e financiar dhe strukturat e hetimit Antiterror janë kryer veprimet procedurale për të dokumentuar publikimin e këtij njoftimi dhe njoftimeve të tjera të kësaj natyre.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se ky njoftim ishte tërësisht i rremë dhe dashakeq duke synuar përhapjen e panikut e frikës tek qytetarët

Policia e Shtetit po monitoron çdo minutë dhe do të procedojë penalisht çdo person që do të publikojë lajme të rreme, të cilat përhapin panik tek qytetarët.

Në të njëjtën kohë, njoftojmë të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, Komisariatin Dixhital dhe në faqet zyrtare të Policisë së Shtetit në rrjetet sociale, për çdo njoftim të rremë që publikohet në rrjetet sociale i cili synon destabilizimin e qytetarëve.

Policia e Shtetit fton median dhe qytetarët që për çdo situatë e cila mund të ngrejë dyshime ti drejtohen Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore për të marrë informacion zyrtar.

Faleminderit!

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *