Ad
Shen Meria e Sinjes me piktura e kësaj kishe- shpellë që i kushtohet Fjetjes së Shën Mërisë

Shen Meria e Sinjes me piktura e kësaj kishe- shpellë që i kushtohet Fjetjes së Shën Mërisë

Ad

Piktura e kësaj kishe- shpellë që i kushtohet Fjetjes së Shën Mërisë përbëhet nga tri shtresa të ndryshme. E fundit, i takon periudhës pasbizantine të vonë. Nga shtresa e parë e pikturës ruhet vetëm portreti i Shën Mërisë Platiterës, nga i cili është vështirë, tani për tani, të gjykosh për të tërën pasi e gjithë pjesa tjetër është mbuluar nga një shtresë e dytë. Në këtë shtresë të dytë pikture gjetëm një mbishkrim të ruajtur mjaft mirë, të ndarë në dy pjesë e të shkruar në greqishten tradicionale kishtare. Nga mbishkrimi mësojmë se piktura është realizuar në vitin 1292 në kohën e Andronik Paleologut dhe gruas së tij Irena kur në krye të “së shenjtës peshkopatë të Gllavenicës” ishte peshkop Joaniqi. Emri i këtij të fundit të dhënë me shkurtime, na e saktësoi Koço Bozhori. Veç këtyre, mbishkrimi na jep edhe emrin e murgut Neofit që, me sa dukej, është ktitor, pasi e shohim të paraqitur me veshjen karakteristike në miniaturë pranë Shën Mërisë Platiterës në shkëmbin e lakuar të përshtatur si absidë.
Kualitete të larta në pikturën e shpellave vërejmë edhe në vise të tjera të vendit. Ato dëshmojnë për veprimtarinë artistike të atelieve që kanë punuar me të njëjtat kërkesa si në kishat e qyteteve e të qëndrave të mëdha ashtu edhe në atë të guvave. Berati me materialin e vet e përforcon akoma më tepër këtë tipar karakteristik.
Stili paleolog në Berat dhe në rrethinën e tij hyn në mënyrë të natyrshme dhe, në se nga arti paraardhës njihen vetëm disa miniatura kodikësh të shek. XI- XII e disa piktura monumentale, si shtresa e parë e vitit 1292 e Sinjës, piktura me datë më të hershme të njohur e vitit 1272 e Rubikut, është e rëndësishme të theksojmë se ky stil u pasua më tej me të tjera vepra, siç janë ikonat e festave, ungjillëzimi, krishtëlindja, të mundshme për të qenë bashkëkohore me afresket e hajatit të Shën Triadhës, si dhe një varg ikonash dhe miniatura të shek. XIV- XV të riprodhuara me dorë në skriptoret e Beratit, në manastirin Vangjelistra, etj, të paisur me data dhe të dhëna për autorët dhe porositësit, që ishin përgjithësisht funksionarë nga radhët e aristokracisë të këtij qyteti. Traditat e pasura të Beratit u rritën më tej në shekujt e mëvonshëm dhe mjeshtra të tillë të shquar si Onufri, lanë në këtë qytet një varg pasuesish të njohur me emër apo dhe anonimë.
marrë nga : Dhorka DHAMO, TE DHENA PER DATIMIN E AFRESKEVE NE BERAT, MONUMENTET 2/1990 (40) IMK Tiranë.

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *