Ad
Rovena Gashi dhe e motra përplasen me KPA, pretendojnë shkelje të të drejtave

Rovena Gashi dhe e motra përplasen me KPA, pretendojnë shkelje të të drejtave

Ad

Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzoi kërkesën e prokurores së shkarkuar Rovena Gashi për të pasur si ndihmëse ligjore të motrën – gjykatësen Ema Gashi. Vendimi u kundërshtua nga subjekti si shkelje e të drejtës së përfaqësimit. Çështja ndaj Gashit u shty për në 23 prill.

Prokurorja e shkarkuar Rovena Gashi,e motra gjyqtarja Ema Gashi dhe bashkëshorti prokurori Dritan Gina, gjatë seancës dëgjimore në Kolegjin e Apelimit. Foto:BIRN

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) e gjeti të pabazuar kërkesën e prokurores së shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) Rovena Gashi, për të pasur ndihmëse ligjore gjyqtaren e Durrësit, Ema Gashi, njëkohësisht motra e subjektit.

Vendim i ndërmjetën i KPA u mor gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të enjten. KPA është vënë në lëvizje nga ankimi i Gashit ndaj vendimit të KPK që e ka shkarkuar atë, ndërsa seanca publike u thirr për t’i dhënë asaj mundësi të dëgjohej në lidhje me një gjetje të re të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Vendimi, sipas të cilit Gashi duhet të zgjedhë një avokat të licensuar për tu përfaqësuar para gjykatës, u kundërshtua nga motrat gjatë seancës publike të së enjtes me pretendimin se subjektit po i mohohej një e drejtë themelore.

Përfaqësuesja e subjektit, Ema Gashi tentoi fillimisht të merrte fjalën menjëherë pas njoftimit të vendimit, por ajo u anashkalua nga trupa gjykuese.

“Më fal një sekond, kërkova leje”, tha Ema Gashi ndërsa trupa gjykuese u ngrit në këmbë për të lënë sallën. “Po e nisni me shkelje proceduriale, kërkova fjalën. Nuk mund ta mbyllni kështu seancën”, shtoi gjyqtarja, që sipas një vendimi të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë (institucion tani i shkrirë), është me leje të papaguar për arsye “shëndetësore dhe familjare” prej prillit të vitit të kaluar. Veç motrës i pranishëm në seancë ishte edhe bashkëshorti i Gashit, prokurori Dritan Gina.

Trupi gjykues që po shqyrton ankesën e Gashit kundër vendimit të shkarkimit prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit përbëhet nga Albana Shtylla kryesuese, Luan Daci relator, Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo anëtarë.

Gashi, e cila është prokurore prej vitit 2004 dhe ka qenë Drejtore e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, u shkarkua nga KPK më 25 korrik. Komisioni arriti në përfundimin se ajo kishte dhënë “përgjigje të pavërteta, të ndryshme dhe kontradiktore me realitetin e fakteve të vërtetuara nga dokumentet dhe kontratat e nënshkruara prej saj”.

Qëndrimi sfidues i Gashit gjatë seancës në Kolegj ishte i ngjashëm me atë para KPK-së. Ajo nuk u paraqit në seancën publike në verë të vitit 2018, por depozitoi sipas vendimit të KPK një mori kërkesash proceduriale të cilat u konsideruan nga Komisioni të qëllimta për të vonuar procesin.

Seanca në Kolegj

Seanca publike në KPA e cila u caktua më 18 mars pas një vendimi të ndërmjetëm të Kolegjit për të dëgjuar “subjektit të rivlerësimit, lidhur me një gjetje të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, dërguar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”, filloi po ashtu me kërkesa të Gashit.

Gjatë seancës së të enjtes ajo paraqiti dy kerkësa, e para në lidhje me lejimin e të motrës si ndihmëse ligjore dhe e dyta mbi procedurën e zëvendësimit të vëzhgueses Mia Roessingh me vëzhguesin Theo Jacobs. Ky i fundit po ashtu kërkoi kohë për tu njohur me gjetjet e paraqitura prej koleges së tij, e cila sipas KPA nuk mundi të paraqitej për arsye shëndetësore.

Motra e Gashit arsyetoi se ajo mund të ishte ndihmëse e së motrës në këtë proces duke thënë edhe se ajo vetë prekej nga rivlerësimi i cili kishte hetuar ndër të tjera edhe pasurinë e babait të saj dhe të prokurores së shkarkuar.

Pas paraqitjes së kërkesave të Gashit dhe asaj të vëzhguesit ndërkombëtar, KPA u tërhoq për të marrë vendim të ndërmjetëm. Pas ndërprejes disa minutëshe, KPA doli me vendim i cili rrëzoi kërkesën e Gashit dhe njoftoi shtyrjen e seancës më 23 prill.

Kryesuesja arsyetoi se Kolegji, duke qenë e vetmja trupë gjykuese në procesin e vetingut, nuk ishte organ publik dhe për rrjedhojë në këtë rast nuk gjenin zbatim parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative, për lejimin e ndihmësit.

Kryesuesja theksoi se Gashit i jepej e drejta të zgjidhte një përfaqësues ligjor të licesuar. Ndërsa për të refuzuar pranimin e gjyqtares Ema Gashi si ndihmëse iu referua parashikimeve të Kodit të Procedurës Civile neni 96, sipas të cilave një gjyqtar ose një prokuror nuk mund të jenë përfaqësues palësh. “Për këto arsye, trupi gjykues arriti në konkluzionin se subjektet e rivlerësimit, përfshirë edhe znj.Rovena Gashi, mund të mbrohen dhe përfaqësohen për shqyrtimin e ankimeve të tyre në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit me përfaqësues ligjor, në përputhje me rregullat e parashikuara në nenin 96 të Kodit të Procedurës Civile”, vendosi KPA.

Pas kësaj kryesuesja mbylli seancën, duke mos pranuar ndërhyrjen e gjyqtares Ema Gashi e cila tentoi të fliste.

Megjithatë Ema Gashi foli për mediat jashtë sallës. Duke qëndruar në krah të prokurores së shkarkuar Rovena Gashi, ajo e cilësoi vendimin e kolegjit shkelje të rëndë. “Kolegji i Posaçëm i Apelimit e filloi punën e vet sot me një shkelje të paprecedentë proceduriale. Të drejtën e ndihmësit ia hoqën”, tha Ema Gashi, ndërsa e cilësoi gjithë procesin e rivlerësimit si të padrejtë dhe që kishte cënuar gjithë familjen e saj.

Ajo tha se vendimi i Kolegjit se në këtë rast nuk gjente zbatim neni 39 i Kodit të Procedurave Administrative, binte ndesh me Ligjin 84/2016 për “Rivlerësimin e kalimtar të gjyqtarëve”, i cili parashikonte të drejtën e përfaqësimit bazuar në këtë kod.

Gashi po ashtu pretendoi se referimi i Kolegjit te neni 96 i Kodit të Procedurave Civile ishte i pasaktë, pasi ajo plotësonte kriteret për të qenë ndihmëse sipas këtij kodi, pasi ishte e motra e subjektit, por pa iu referuar pjesës ndaluese për gjykatësit dhe prokurorët.

Gashi tha se nuk do të merrnin avokat dhe se ajo do të ishte “deri në fund” përfaqësuese e motrës së saj Rovena Gashi.

Shkarkimi dhe hetimi

Komisioni i Pavarur i kualifikimit e hetoi Gashin vetëm për kriterin e pasurisë duke lënë mënjanë atë të figurës dhe profesionalizmit. Sipas KPK-së, prokurorja Gashi dhe bashkëshorti i saj gjithashtu prokuror, Dritan Gina nuk kishin burime për të justifikuar një apartament 80 mijë euro në bregdet dhe një tjetër me vlerë 38 mijë euro në Tiranë.

Kërkesën e Gashit për hapje të hetimit në të tre kriteret KPK e rrëzoi për ekonomi gjyqësore. Megjithatë BIRN gjeti në një shkrim mbi raportet e deklasifikuara të DSIK-së se lënia mënjanë prej KPK e vlerësimit në kriteret e tjera kishte “shpëtuar” një sërë prokurorësh e gjyktësisht të shkarkuar për problemet me pasurinë, nga evidentimi i akuzave për korrupsion e lidhje me krimin e organizuar.

Edhe ndaj Gashit kishte një raport negativ nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, që e kishte gjykuar atë të papërshtatshme. DSIK, sipas raportit pjesërisht të deklasifikuar të cilin BIRN e zotëron, thotë se ndaj Gashit personalisht nuk kishte të dhëna, por kishte të dhëna për bashkëshortin e saj.

Sipas raportit për prokurorin Dritan Gina disponoheshin të dhëna “për përfshirje në veprime të kundraligjshme, shfaqur në formën e shpërdorimit të detyrës, korrupsionit pasiv të prokurorit”. DSIK arsyeton se kjo e bënte edhe Gashin “një individ të mundshëm për t’u vënë nën presion nga strukturat kriminale”.

Rovena Gashi dhe Dritan Gina mbanin poste drejtuese në organin e akuzës, gjatë kohës që ky institucion drejtohej nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, por të dy u ulën në detyrë menjëherë pas zgjedhjes së Arta Markut në krye të Prokurorisë në dhjetor 2017.

Pas uljes në detyrë, Gashi dhe Gina i kundërshtuan vendimet e Markut në gjykatë, duke i cilësuar ato të kundraligjshme. Pretendimet e tyre u rrëzuan respektivisht nga Gjykata e Durrësit dhe Gjykata Administrative e Tiranës, duke lënë në fuqi vendimet e kryeprokurores. Po ashtu Kolegji i Posaçëm i Apelimit, rrëzoi një kërkesë të çiftit kundër vendimit për pezullimin e tyre. Megjithatë pasi Gashi ishte shkarkuar nga KPK Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi vendimin e markut për pezullimin e tyre nga detyra.

Gashi dhe Gina po ashtu ishin nën hetim për “fshehje të pasurisë” dhe ishin pezulluar me urdhër të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku. Çifti i cilësoi akuzat si hakmarrje personale të Markut, pas padive që ata bënë më herët kundër saj.

BIRN mësoi se më kërkesë të Prokurorisë së Fierit dhe me miratimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, çështja penale ndaj bashkëshortëve Gina-Gashi është pushuar.

Caktimi i Gashit si përfaqësuesja e Prokurorisë së Përgjithshme në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi në fillim të vitit 2017, shërbeu si shkëndinjë e përplasjes publike mes ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe ambasadorit të SHBA në Tiranë Donald Lu. Gashi ashtu si Llalla dhe një sërë funksionarësh të tjerë të drejtësisë, ishin mes atyre të cilëve ambasada e SHBA-ve u njoftoi heqjen e vizave. Ish- prokurorja madje u ankua për heqjen e vizës në një letër publike.

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *