Ad
Reforma në drejtësi dhe luga e florinjtë. Ethet e reformës në drejtësi

Reforma në drejtësi dhe luga e florinjtë. Ethet e reformës në drejtësi

Ad

Reforma në drejtësi dhe luga e florinjtë.
Ethet e reformës në drejtësi kanë përfshirë jo vetëm aktorët kryesorë të angazhuar në këtë proces jetik për vendin, por edhe masën e gjerë të mitingashëve të papunë, telenovelëndjekësit e thekur, manekinet e X6 me sponsorë të burgosur apo në arrati, patriotët e përmallur matanë kufijve që s’u mësojnë dot fëmijëve shqip e deri tek analistët e rakisë dhe të qebapëve!
Dhe tani që mediat e kanë më të lehtë se kurrë për të bërë lajm nga poltrona e zyrës me një të shtypur të mous-it, nuk humbin rastin të përcjellin këtë rezultante të “OPINIONIT PUBLIK” si “breaking news”!
-Na pinë gjakun, na rropën, na morën frymën, janë disa nga shprehjet më të zakonshme që dëgjon nga kaviet e kësaj mizanskene kolektive. Duke u dhënë zë për të nxjerrë dufin ndaj gjithë dështimeve dhe zhgënjimeve të jetëve të tyre, këta “opinionbërës” po tërhiqen për hunde drejt zhgënjimit më të madh të tyre! Po ti hedhësh një sy se çfarë pret “populli” nga reforma në drejtësi, prej shumicës syresh do të gjesh pritshmëri të tilla si rritja e rrogave, e pensioneve dhe e përkrahjes ekonomike, ulja e çmimeve, shtimi i vendeve të punës, përmirësimi i furnizimit me energji elektrike dhe ujë, përmirësimi i shërbimit shëndetësor, rritja e cilësisë së arsimit apo zhdukja e kriminalitetit dhe korrupsionit.
Në fakt një njeri me dy pare mend dhe me një sens të reduktuar sofizmi (të manipulimit të së vërtetës me argumente të rreme) e ka fare të qartë që reforma në sistemin e drejtësisë ka të bëjë pak ose aspak me këto pritshmëri legjitime të një pjese të opinionit publik shqiptar. Përveç shumë teknaliteteve të cilat nuk kanë pse dhe as nuk mund të përtypen nga masat e gjera, ajo duhet të fokusohet tek pavarësia e pushtetit gjyqësor dhe bërja e tij i aftë për të dhënë drejtësi (për fat të keq vetëm ligjore) për këdo, pavarësisht statusit social, ekonomik apo pushtetit politik.
Mirëpo drejtësia si një aspiratë njerëzore është një koncept shumë shumë më i gjerë se kaq, prandaj asnjë lloj reforme në sistemin e drejtësisë nuk ka për ta ndryshuar substancialisht drejtësinë aktuale sociale. Reforma për drejtësi në këtë kuptim duhet të nënkuptojë pikë së pari një rikonceptim të themeleve të modelit ekonomik, social, politik, juridik dhe padyshim moral të gjithë shoqërisë sonë.
E nëse kjo lloj reforme nuk besoj se u intereson asnjërit prej megafonëve të refrenit të reformës në sistemin e drejtësisë, atëherë ata do të vazhdojnë t’ia shtojnë volumin pajisjeve të tyre shurdhuese me qëllim që çdo thirrje tjetër të mbytet pa e dëgjuar njeri. Reforma populiste në drejtësi e fokusuar tek njerëzit dhe jo tek parimet, nuk ka për ta bërë vendin tonë më të drejtë, por padyshim që kjo nuk përbën problem, jo vetëm për ata të cilët nuk e duan, por as për ata të cilët nuk mund ta kuptojnë.
Tanimë nuk ka më kush dyshim se vitin që po vjen do të bëhet një soj reforme në drejtësi, por luga me të cilën ushqehen aktualisht shqiptarët nuk do të jetë e ndryshme nga e sotmja! Madje dyshoj se nga kjo reformë do t’u bjerë gjë në lugë…
Nëse të gjithë kritikojnë veprimet e të tjerëve, jo sepse s’do t’i kishin bërë vetë në vend të tyre, por se i kanë bërë të tjerët, do të vazhdojmë ta shohim shoqërinë tonë larg modeleve të shoqërive më të drejta dhe e vetmja shpresë për t’a prekur drejtësisë shqiptarët do të vijojë të mbetet braktisja e vendit ku kemi lindur!
Koha është gjyqtari më i mirë…

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *