E hënë 23rd Shtator 2019
23-Sht-2019
Ad
Rebelimi i vitit 1997/ 10 ditët e Luftës Civile tek greva e urisë e studentëve të  Vlorës ( Pjesa e trete )

Rebelimi i vitit 1997/ 10 ditët e Luftës Civile tek greva e urisë e studentëve të Vlorës ( Pjesa e trete )

Ad

Greva e urisë e studentëve të Vlorës nisi më 20 shkurt në ambientet e Universitetit. Rreth 50 studentë hyjnë në grevë urie. Kërkesat e tyre ishin dorëheqja e qeverisë dhe kthimi i plotë i parave. Kjo grevë cilësohet si nxitësi kryesor i degjenerimit të situatës deri në konflikt të armatosur.

Më 22 shkurt në përkrahje të grevës del “Forumi për Demokraci”, ndërsa në qytet gjendja mbetet e rëndë. Në përkrahje të tyre dalin edhe studentët e Gjirokastrës, Elbasanit dhe më pas të nxitur nga FRESSH edhe studentët vlonjatë në Tiranë. Krejt ndryshe vepruan studentët e Universitetit Luigj Gurakuqi në Shkodër të cilët me anë të Unionit Studentor deklaruan : “Bashkohemi me dhimbjen e studentëve vlonjatë për humbjen e parave në skemat piramidale, por nga ana tjetër, mendojmë se liria dhe demokracia, atdheu dhe kombi kanë një çmim më të lartë”. Më 26 shkurt mijëra njerëz rrethojnë godinën e Universitetit për t’a mbrojtur nga ndonjë “sulm” i SHIK-ut. Po atë ditë grupi i grevistëve deklaron se nuk dëshiron më ndihmë mjekësore, duke vënë në dyshim grupin e mjekëve pranë tyre.

Më 27 shkurt në Vlorë vjen kryetari i bashkisë Shkodër, Bahri Boriçi, i të Djathtës së Bashkuar, në mbështetje të grevës së urisë. 28 shkurti 1997, do të mbetet një datë në historinë e Shqipërisë.

Pasi kanë forcuar mbrojtjen e tyre ndaj godinës së Universitetit, forcat rebele në mbrëmjen e 28 shkurtit, pa paralajmërim sulmojnë godinën e SHIK-ut. Në përpjekjet midis rebelëve dhe oficerëve të SHIK, shumë më të pakët në numër, mbesin të vrarë 9 persona, 6 oficerë dhe 3 civilë.

Masakra e 28 shkurtit shënon fillimin e Luftës Civile 10-ditore, dhe fundin e rendit në Vlorë për rreth një vit.

10 ditët e Luftës Civile

  • Data 1 Mars 1997, e gjen Vlorën pa asnjë autoritet shtetëror të mbetur në këmbë. Lajmi i masakrës mbi oficerët e SHIK, trondit shtetin. Rebelët marrin nën kontroll bazën e Pashalimanit, simbol i rezistencës së shtetit. Qeveria shpall gjendjen e jashtëzakonshme dhe trupa të shumta rrethojnë Vlorën dhe Tepelenën. Në Tepelenë rebelët vendosin topa në hyrje të qytetit dhe i drejtojnë nga Veriu.
  • Me datë 2 mars qeveria e Aleksandër Meksit dorëhiqet, pas dështimit për të zgjidhur krizën. Ngjarja festohet në Vlorë me mijëra krisma kallashnikovësh. Ndërkohë parlamenti miraton shef të operacionit për rivendosjen e rendit, shefin e SHIK, Bashkim Gazideden. Menjëherë Gazidede urdhëron mbylljen e shkollave në mbarë vendin në një afat të pacaktuar. Vendosen gjithashtu kufizime ndaj shtypit dhe ndaj furnizimit me mallra konsumi të popullatës.
  • Më 3 mars Sali Berisha rizgjidhet President i Republikës me votat e deputetëve të PD-së. Një zemërim i papërmbajtur shpërthen në Vlorë dhe Tepelenë, qendrat kryesore të rebelimit. Saranda gjithashtu bie në duart e rebelëve, ku njerëz të armatosur të ardhur nga Vlora me anije, djegin çdo institucion duke përfshirë edhe librarinë e qytetit. Gjithashtu shpërthejnë godinën e paraburgimit dhe marrin mbi 400 armë. Digjet Qendra e Formimit Profesional në Vlorë, që kishte kushtuar 7 milionë $ amerikanë. SHIK-u përpiqet të izolojë Vlorën, Sarandën dhe Delvinën me qëllim që rebelimi të mos përhapet në pjesën tjetër të vendit.
  • Më 4 mars formohet në Vlorë Komiteti i Shpëtimit Publik të Vlorës i njohur thjesht si Komiteti i Shpëtimit. Ky komitet fillon të veprojë si strukturë paralele, duke kryer de fakto një grusht shteti. Në të njëjtën ditë në Vlorë vendosen snajpera në çdo pallat dhe në çdo rrugë ngrihen barrikada, për të penguar hyrjen e SHIK-ut, armiku i vetëm i rebelëve. Ura e Mifolit bllokohet dhe minohet. Kjo urë do të kthehet në një nga simbolet e rebelimit duke u bërë ura që ndan Shqipërinë. Ndërkohë studentët i japin fund grevës së urisë. Në Sarandë sulmohet marina dhe mijëra armë rrëmbehen. Bandat patrullojnë detin me anijet e marinës. Saranda shpall autonominë duke deklaruar se në këtë zonë banojnë 20.000 grekë. Në Qafë-Gjashtë një agjent i SHIK digjet i gjallë, kurse njëri merret peng. Dy të tjerë arratisen. 50 ushtarë bashkohen me rebelët. 2 pilotë të Forcave Ajrore dezertojnë dhe shkojnë ne Itali. Ata deklarojnë se ishin urdhëruar të godisnin mbi popullsinë civile. Dalin në skenë bandat e para. Dështon plani i Gazidedes për ta izoluar rebelimin vetëm në Vlorë, pasi ai përhapet në gjithë Jugun e vendit. Në Delvinë pas luftimesh të ashpra rebelët triumfojnë duke e detyruar ushtrinë të tërhiqet. Në Sarandë rebelët vendosin postblloqe në rrugë.
  • Fillojnë të përhapen teoritë mbi ndarjen Veri-Jug të vendit. Protestuesit në Vlorë fillojnë të degjenerojnë në sharje ndaj Berishës, ku nuk mungojnë edhe gratë të njohura si shamizezat. Gjithashtu përdorin masivisht tre gishtat, simbol i shovinizmit serb. Më 6 mars, Sali Berisha mban një takim me përfaqësuesit e partive politike dhe nënshkruajnë një deklaratë ku dënojnë shpërthimet e depove dhe bëjnë thirrje për dorëzim të armëve. 6 orë më vonë, zyrtarisht liderët e PS dhe PAD mohojnë çdo lloj përgjegjësie dhe obligimi ndaj kësaj deklarate që ata e kishin konsideruar “sukses politik”. Rebelët në Sarandë nisen për të marrë Gjirokastrën.
  • Në datat 7-8 mars, rebelët e ardhur nga Saranda, në bashkëpunim me ata vendas, shpartallojnë ushtrinë në Gjirokastër. Forcat speciale merren peng. Në krye të revoltës në Gjirokastër dalin deputetët e PAD, Arben Imami dhe Ridvan Pëshkëpia. Me rënien e Gjirokastrës në duart e rebelëve, i gjithë Jugu i vendit është jashtë kontrollit. Armët vazhdojnë të përhapen në vend. Sulmohet “Aeroporti Kombëtar i Rinasit” nga fshatarë të zonave përreth. Plaçkitet në mënyrë barbare “Universiteti Bujqësor i Tiranës”.
  • Me 9 mars formohet Qeveria e Pajtimit Kombëtar me në krye Bashkim Finon, kryetar i bashkisë Gjirokastër. Kjo qeveri u formua si pasojë e vullnetit politik të maxhorancës dhe opozitës. Qeveria e re ju bën thirrje ish-efektivëve të ushtrisë të kontribuojnë për rivendosjen e rendit dhe qetësisë. Presidenti del në TVSH në një deklaratë drejtuar kombit ku ai bën thirrje për “Pajtim, besim, bashkim dhe gjakftohtësi”.
  • Të gjendur pa kundërshtarë në fushën e betejës, pasi pozita dhe opozita ishin bashkuar në një qeveri të përbashkët, rebelët e jugut nisin një valë të jashtëzakonshme shkatërrimesh.
  • Në Gramsh rebelët sulmojnë godinën e policisë, drejtohen drejt Fierit dhe marrin kontrollin e rrugëve.
  • Berati bie në duart e bandave dhe bëhet qendra kryesore e rebelimit pas Vlorës. Bashkë me të bien edhe Poliçani, Këlcyra dhe Skrapari.
  • Në Kuçovë rebelët marrin nën kontroll 19 aeroplanë luftarakë të tipit “MIG”. 
  • Komiteti i Shpëtimit të Vlorës përshëndet marrëveshjen e 9 marsit. Ndërkohë rebelimi përhapet edhe në veri të vendit, duke i dhënë fund Luftës Civile dhe duke i hapur rrugën anarkisë dhe sundimit të bandave të armatosura, veçanërisht në jug të Shqipërisë.
Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Këtë e pëlqejnë %d blogues: