Ad
Prona intelektuale dhe karroja me presh Të mos shkruajë më? Kjo është dilema

Prona intelektuale dhe karroja me presh Të mos shkruajë më? Kjo është dilema

Ad

Shkrimtari mendohet. Fshatari aspak
Pazarin e ka të garantuar, pese më pak e pesë më shumë

Ese

Gjithsesi më vjen për të qeshur, jo me Çaplinin, po me karron me presh. Përfytyroni fshatarin tonë me një kostum të dalë boje e me një gravatë si peshqir me të cilën fshin fytyrën e djersitur përplot pluhur dhe cërka balte. Vjen nga larg, ka pritur muaj t’i bëhen preshët, t’i shkul e t’i hedh në karro. Kështu dhe romancieri ( o zot, si erdhi kjo ditë, të hiqet paralele midis një shkrimtari dhe një mbjellësi prasësh ) del nga shtëpia të japë lajmin e madh në kafene, midis miqsh; romani mbaroi! Si ka dalë? Ç’preshë! Shumë janë karabushe, s’kam c’t’i bëj farës.

Eh, ç’po i ngatërroj letrat dhe zarzavatet në nonsese surreale, po ja, që kjo kohë ka ardhur.
Shkrimtari mendohet. Fshatari aspak. Niset t’i shesë. Pazarin e ka të garantuar, pese më pak e pesë më shumë. Xhumbë e parave në xhep ej, tungjatjeta!
Tani them se e kalova parashtrimin e kësaj historie kaq prozaike, po i afrohem kulmit.
Romancieri ndeshet me botuesin, i cili i kërkon para për romanin?!! Romancieri e ka bluajtur historine e atij romani ne mullirin e tij për 20 vjet. Pa gjumë, i bezdisur nga sëmundjet e lëna pa kuruar prej marrëzisë se ëndrrës për famë.
Fshatari me shitësin, që pasi e peshon mallin i jep paratë në dorë. Kaq. Fshatari merr paratë.
Romancieri kthehet duarbosh.
Fshatari mbjell prap.
Romancieri mendohet. Të mos shkruajë më? Kjo është dilema. Askush nuk shqetësohet që romancieri s’merr asnjë kacidhe, por jep para për të botuar. Keni dëgjuar kështu? Sigurisht që keni dëgjuar dhe s’iu bën përshtypje. Romancierë të vërtetë janë apo s’janë pesë a gjashtë, ndërsa botues ( 99% janë shtypshkronja, se veç e kthejnë në libër atë që ju ke shpënë pa e lëçitur fare, qoftë dhe një faturë dritash a një copë letër, që ështe kallur brenda, ku lexohet; gjellën e ke në furrë të sobës. ) bëhen nja njëqind a dyqind.
Më shkrepet të ngre një invers.
Fshatari e jep mallin, po s’merr asnjë lekë, po duhet të paguaj që malli i tij të shitet, konsumatori ta përfillë e madje ta lëvdojë duke e ngjëruar. Ç’konsideratë e lartë nga ana e shitësve, që bëjnë pallë me pallaskë në dorë duke qëlluar mizat. Fshatari kthehet në shtëpinë e vet me karron bosh dhe me xhepat trokë. Dhe prodhon prapë, se atë pune di të bëjë, të mbjellë dhe të shkulë. Dhe të niset për në treg. A hahet kjo?
Gjithashtu romancieri të mbarojë së shkruari dhe të niset për te botuesi. Asnjë lekë fitim dhe ai, veç jep për të parë emrin e vet nëpër vitrina. Ves i vjetër.
Më vjen një ide tjetër. Romancierin e paguajnë dhe madje e paguajnë mirë. Po veç me një kusht; që të mos hajë dhe gojën ia mbyllin si një kasafortë me kod. S’ha më romancieri, po ama dëndet me para.
Fshatari ha sa shqepet, po i ndalohet të lexojë. Asnjë gërmë për fshatarin, madje i ndalohet të lexojë dhe gazetat e qeverisë që janë badiava. Për këtë shkak ia qepin sytë, që të mos shohë më.
Natyrisht fara e romancierëve do të shuhet. Ndërsa fara e fshatarit do të gezojë shëndet të plotë zhytur në injorancë totale. Kjo nuk do të bjë fare pershtypje, përderisa do të ketë për të ngrënë, do të dalë e do të teprojë. Kush pyet për injorancë? Për ironi pikërisht ata zgjidhen deputetë.
Por një gje më shqetëson; romancieri paguhet, fshatari jo; revolucion me gjak, një bastijë e dytë. Priteni këtë. Pse jo, dhe një Haxhi Qamil.
Fshatari paguhet, romancieri jo, asgjë s’ka për të ndodhur. Kështu kanë vdekur shkruesit, me një cironkë në xhep.
Vërtet, i bën përshtypje njeriu, se një shkrimtar nuk paguhet më? Aq sa i bën përshtypje se në Tiranë s’ka ujë, drita, ajër të pastër, parqe, intelektualë.
Ai do të çuditej pa masë po të mësonte nga gazetat e opozitës, që e bëjne qimen tra, se fshatari i preshëve nuk është paguar nga shitësi, po kjo s’ndodh kurrë dhe, kështu që djerrakohësi njeri që ende merret me përsiatje të tilla, s’ka pse të revoltohet.
S’ka më revoltë. Ajo ka vdekur dhe mirë ka bërë që ka vdekur. S’ka më kohë njeriu të lexojë një roman të shpifur ku trillohen historitë. Në realitet ndodhin aq ngjarje të tmerrshme, që s’t’i rrok truri, sa ato që sajojnë shkrimtarët janë si ai preshi karabush i fshatarit. Kaq të zbehta, pa fare dramacitetin e demokracisë së dështuar dhe, për këtë shak përplot tragjedikomedi. A ia kalon dot për nga fuqia e misterit dhe korrupsionit një roman si Lëkura e qenit e F Kongolit, Gërdecit?
Jeta, vëlla, jeta, ajo i ka fajet, që romani s’ecën dhe botuesi ecën. Ndodhin aq shumë tragjedi makabre, vrasje, përdhunime, sa romani s’besohet më. Ai ka dalë jashtë mode. Përditë veshët dëgjojnë dhe shurdhohen, sytë lexojnë skandale e krime dhe verbohen.
Veç ai fshatari babaxhan i preshëve është i përjetshëm, sepse ka punë me barkun, që hap grykën si thesi dhe do të mbushet tre herë në vakt. Lëre pa ngrënë një ditë, e merr me mend vetë, pa provo ta lesh një javë..O bobo..
E kundërta me romanin. Vërja në dorë një njeriu çfarëdo, që gëzon shëndet të plotë dhe ka sjellje të mira, që të vështron me dashuri, që të duket si mik, ai do ta shfletojë për mirësjellje, mund të lexojë një a dy rreshta dhe menjëherë do të ndiejë se është nën efektin e një kanabis sativa, var kokën dhe fle, pasi shikon me çudi se ai ilaç për gjumë paska kushtuar 300 lekë sa një kile preshë` me kandar hajdut.
Jo, s’ju gjen gjë nga romani, bëjani nënën romanit, këtij paraziti, këtij derdimeni, që ju pengon nga aktiviteti i gjallë i jetës tiranase. Ç’larmi ka jeta e kryeqytetit, kandidat për eurozonë. I tejmbushur me ngjarje kaq tronditëse dhe të paimagjinueshme sa kinematë me filmat e Hollivudit janë mbyllur, salla e Operas dhe Baletit është shndërruar në pasarelë mode, libraritë ne kefene, Teatri Kombëtar në lojëra fati e kazino, e, ç’qejf që bëhet, sepse tek e fundit ajo e mbramja fare, terezitje e gjërave, ai fshatari me karron me preshë, ende nuk është infektuar nga pasurimi i shitësit dhe varfërimi i vet, ndërsa është krejt i papërfillshëm dhe s’pengon gjë për futjen në eurozonë, majmërimi i botuesit dhe mjerimi i shkrimtarit…..

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *