Ad
Procesi i vetingut katastrofë/ Magjistratët shqiptarë letër përfaqësuesve më të lartë të institucioneve evropiane

Procesi i vetingut katastrofë/ Magjistratët shqiptarë letër përfaqësuesve më të lartë të institucioneve evropiane

Ad

Një grup përfaqësues i magjistratëve shqiptarë, kanë shprehur shqetësimin përfaqësuesve më të lartë të institucioneve evropiane lidhur me reformën në drejtësi në Shqipëri, pikërisht për shkak të mënyrës se si po zhvillohet procesi i vetingut dhe njerëzve që po e kryejnë atë.

Përmes një letre ku kanë mbledhur firmat e përfaqësuesve magjistratë në vendin tonë, kanë ngritur pikëpyetje tejet serioze lidhur me të ardhmen e sistemit, si dhe me mesazhet jo adekuate që po përcjell në komunitetin e magjistratëve.

Letra e Plotë:

Lënda: Lidhur me mënyrën se si po zhvillohet procesi i vetingut në Shqipëri.

Drejtuar: Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës;

Kryetarit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg;

Presidentit të Komisionit të Venecias;

Kryetarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës;

Presidentit të Parlamentit Evropian;

Presidentit të CEPEJ.

Shumë të nderuar përfaqësues të lartë të institucioneve evropiane!

Na lejoni që nëpërmjet kësaj letre, ne nënshkruesit e saj, një grup përfaqësues i magjistratëve shqiptarë, të ju informojmë me shqetësim se reforma në drejtësi në Shqipëri, promovuar qysh në krye të herës edhe nga ne nënshkruesit e kësaj letre, pikërisht për shkak të mënyrës se si po zhvillohet procesi i vetingut dhe njerëzve që po e kryejnë atë, ka ngritur pikëpyetje tejet serioze lidhur me të ardhmen e sistemit, si dhe me mesazhet jo adekuate që po përcjell në komunitetin e magjistratëve.

Kufizimeve të jashtëzakonshme të të drejtave dhe lirive themelore, si dhe paqartësisë së legjislacionit të posaçëm në këtë rast, i është mbivendosur profili i ulët profesional e kulturor e, për këtë shkak, paaftësia domethënëse dhe vulnerabiliteti i pjesës më të madhe të anëtarëve të institucioneve të vetingut. Konstatojmë me shqetësim se procesi i vetingut të magjistratëve në Shqipëri po zhvillohet në mungesë të diligjencës dhe urtësisë, siç rekomandonte Komisioni i Venecias, i pyetur në cilësinë e amicus curiae lidhur me këtë proces.

Kështu Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, si instanca e parë e organeve që kryejnë procesin e vetingut, në mënyrë flagrante mban qëndrime të ndryshme, për situata identike ose të ngjashme, duke shfaqur një qasje të dyfishtë ose shumëfishtë, në kurriz të parimit të sigurisë juridike. Anëtarët e këtij institucioni, të cilët vetë hetojnë dhe vetë gjykojnë, në jo pak raste, po shkojnë shumë larg në ushtrimin e diskrecionit të tyre për të krijuar ose mos krijuar bindje mbi faktet që i paraqiten për shqyrtim, gjer në kufijtë e arbitraritetit. Elementët e procesit të rregullt ligjor të parashikuar nga neni 6 i KEDNj-së janë përmbysur, ndërsa konceptet dhe institutet bazë të së drejtës civile kanë pësuar mutacione për shkak të përdorimit eksperimental, sipërfaqësor dhe tejet subjektiv të tyre gjatë zhvillimit të procesit të vetingut.

Shumë magjistratë janë shkarkuar pasi janë ngarkuar me barrë të paarsyeshme dhe joproporcionale prove për të afërmit e tyre, të cilët janë konsideruar persona të lidhur dhe janë hetuar pa pëlqimin e tyre, duke u paragjykuar për lidhje të mundshme me magjistratin, pa asnjë bazë faktike e ligjore të arsyeshme në këtë drejtim, apo përtej periudhës së rivlerësimit, madje për periudha tejet të largëta.

Po kështu shumë magjistratë janë hetuar dhe shkarkuar bazuar vetëm në një nga tre kriteret e rivlerësimit të parashikuara nga ligji i vetingut nr. 84/2016. Ndërkohë që ky i fundit, edhe pse parashikon se shkarkimi i magjistratit mund të bazohet edhe vetëm në një kriter, sanksionon hetimin e tij për të tre kriteret. Kjo ka shkaktuar që, deri më tani, ankimi i këtyre magjistratëve në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit të rezultojë thjesht dhe vetëm një iluzion dhe aspak një mjet efektiv. Në asnjë rast nuk ka ndodhur që ankimi i magjistratit të shkarkuar, bazuar vetëm në një kriter rivlerësimi, të ketë patur sukses në KPA.

Gjithashtu nuk mund të flitet për respektimin e parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit, të parashikuar nga vetë legjislacioni i posaçëm për procesin e vetingut. Jo pak magjistratë janë shkarkuar për shkak se gjoja me veprimet a mosveprimet e tyre kanë shkaktuar humbjen e besimit të publikut tek drejtësia. Kjo rrethanë, nga një ngjarje e jashtëzakonshme që duhet provuar dhe argumentuar, është shndërruar në një klishe që organet e vetingut e kanë përdorur lehtësisht për të vendosur masën ekstreme të shkarkimit.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), e vetmja gjykatë e procesit të vettingut, edhe pse e vetmja instancë gjyqësore, ku mund të ankohen magjistratët e shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka lënë në fuqi të gjitha vendimet e shkarkimit, madje në jo pak raste edhe duke e rënduar pozitën e magjistratit në cilësinë e subjektit ankimues, në kundërshtim të hapur dhe flagrant me parimin “no reformation in peius”.

Veç sa më sipër, pothuaj në asnjë nga rastet kur ka ushtruar ankim magjistrati i shkarkuar, KPA-ja nuk e ka kaluar çështjen në seancë gjyqësore publike, për të dëgjuar, sipas parimit të kontradiktoritetit, magjistratin e shkarkuar, por e ka lënë në fuqi shkarkimin, duke gjykuar mbi aktet, në dhomë këshillimi, edhe pse është e vetmja gjykatë e procesit.

Jo vetëm kaq, por në pjesën më të madhe të rasteve kur ka ushtruar ankim komisioneri publik, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë që ka konfirmuar magjistratin në detyrë, duke vendosur shkarkimin edhe për këto raste. Në një rast domethënës, vetë një nga vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, do të shprehej se “Accepting the interpretation of the Appeal Chamber, on the contrary, would transform article 61 n. 3 Law 84/2016 into a tool capable of performing the genetic mutation of any of the diverse items mentioned in article 33 into cases of inaccurate disclosure.”

Ne jemi një vend i vogël dhe komuniteti i magjistratëve në Shqipëri është i vogël po ashtu. Shumica e kolegëve e njohin njëri-tjetrin, duke qenë në këtë mënyrë prova e gjallë e sjelljes gjyqësore dhe jashtë gjyqësore të njëri-tjetrit. Natyrisht që nuk mund të mohohet që në disa raste çështjet kanë qenë të qarta dhe nuk ka qenë e vështirë për institucionet e vetingut që të vendosin shkarkimin e magjistratit përkatës. Por, nga ana tjetër, numri i magjistratëve të shkarkuar padrejtësisht, me vendime të paarsyetuara, apo me argumentime të varfëra, deri qesharake, është aq i lartë sa nuk mund të justifikohet as me nocionin “collateral damage”.

Në këtë optikë të rrethanave, procesi i vetingut, nga një premisë e madhe historike, për fat të keq, gjithnjë e më tepër, po ngjan me një eksperiment terminal, bazur në filozofinë e mohimit, i cili po kryhet nga njerëz jokompetentë, zgjedhja e të cilëve nuk duhet të ketë qenë rastësore. Kjo pasi ata duken të jenë të vetmit persona të përshtatshëm për një proces të tillë inkuizitor, të udhëhequr nga objektivi për të shkarkuar një numër sa më të madh magjistratësh.

Vetë Kryeministri i vendit në një qëndrim publik, në prag të vendimit të BE-së për çeljen e negociatave me Shqipërinë, u shpreh se kjo gjë duhej të ndodhte, ndër të tjera, si vlerësim pikërisht dhe kryesisht i përmbushjes nga qeveria shqiptare të pritshmërisë së BE-së për një numër të tillë drastik shkarkimesh të magjistratëve, numër i cili madje ishte tejkaluar prej saj. Kryeministri në këtë rast e cilësoi procesin si revolucionin francez të Shqipërisë dhe vetingun si gijotinën e tij.

Jo vetëm kaq, por suksesi i reformës në drejtësi, në diskursin politik dhe shoqëror të ditës në Shqipëri, identifikohet gjerësisht thjesht dhe vetëm me numrin e lartë të magjistratëve të shkarkuar, pa një analizë kritike shoqëruese me këtë rast.

Askush në vend nuk guxon të qortojë apo shprehë kritika ndaj procesit, pikërisht për shkak se qasja dhe retorika politike e ditës është frustruese ndaj çdo mendimi të tillë kritik apo atij që e shpalos atë. Kjo është arsyeja kryesore që po Ju shkruajmë, të lënduar për atë që po na ndodh neve, por jo vetëm.

Rëndom përfaqësues të lartë të shumicës qeverisëse dhe ekzekutivit shqiptar, evokojnë pa hezitim procesin e vetingut, të cilin shfaqen sikur ta kishin nën kontroll, si një proces që po largon magjistratët e korruptuar, pa pasur asnjë bazë reale që kjo të mund të ketë ndodhur pikërisht për këtë shkak. Nëse një gjë e tillë do të ishte e vërtetë, sipas artikulimit të këtyre politikanëve të lartë, ajo do të përbënte vepër penale, çka nënkupton se deklarime të tilla do të përbënin cënim të hapur të parimit të prezumimit të pafajësisë për këta magjistratë.

Situatën e rëndon më tepër fakti se deklarime të tilla bëhen në kohën kur vendimet e shkarkimit të magjistratëve nuk kanë marrë formë të prerë, pasi janë apeluar dhe janë në proces shqyrtimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Për fat të keq, si për të ilustruar “vërtetësinë” apo “drejtësinë” e vendimeve të shkarkimit të KPK-së, frymëzuese të deklarimeve të tilla nga këta përfaqësues të lartë të shumicës qeverisëse, ka shërbyer jurisprudenca e KPA-së, e cila, siç u shpjegua edhe pak më lart, ka lënë në fuqi të gjitha vendimet e shkarkimit të magjistratëve, pa ndryshuar asnjërin prej tyre dhe pa kaluar pothuaj asnjë rast shkarkimi në seancë gjyqësore publike, si e vetmja instancë gjyqësore e procesit.

Për mendimin tonë, kjo ka ndodhur për këto arsye kryesore:

1. Dispozitat e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, sa i takon përmbajtjes së tyre, paraqiten tepër të zgjeruara, të paqarta dhe të paparashikueshme;

2. Organet e vetingut, të ngarkuara me zbatimin e këtyre dispozitave, janë pothuaj plotësisht të përbëra nga anëtarë jo-gjyqtarë, të cilëve u mungon profesionalizmi dhe përvoja e nevojshme për të trajtuar çështje tepër komplekse që përfshin procesi i vetingut;

3. Anëtarët e organeve të vetingut emërohen plotësisht nga Parlamenti, pa asnjë përfshirje të sistemit gjyqësor dhe shumica e tyre më parë kanë shërbyer si punonjës të profilit të ulët në administratë, nga prej rezulton se ata janë të ekspozuar ndaj presionit politik;

4. Pjesa më e madhe e anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit janë emëruar politikisht, pa plotësuar kriteret e ligjit për formim të lartë profesional, tregues të vlerësimit të lartë në punë, grada shkencore, përvojë të spikatur etj;

5. Pjesa më e madhe e gjyqtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit janë emëruar politikisht, pa plotësuar kriteret e ligjit, siç janë vjetërsia në profesion; mospasja e ndonjë mase disiplinore të fuqi apo mosqënia i shkarkuar ndonjëherë nga detyra; niveli i lartë dhe i spikatur profesional. Në kushtet kur shumica absolute e gjyqtarëve të KPA-së janë emëruar pa plotësuar kriteret formale të ligjit, pa pasur një eksperiencë të mëparshme të qënësishme gjyqësore, ai nuk mund të konsiderohet një gjykatë e caktuar me ligj, element i procesit të rregullt ligjor, në kuptim të nenit 6 të KEDNj-së.

Nisur nga fakti që një pjesë e gjyqtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, jo vetëm që janë emëruar në kundërshtim me ligjin, pasi nuk plotësonin kriteret formale të parashikuara në ligj, por edhe kanë fshehur, duke mos thënë të vërtetën para komisionit parlamentar përkatës ad hoc të ngritur me qëllim përzgjedhjen e tyre, lidhur me plotësimin e kriterit të përvojës së punës apo mospasjes së ndonjë mase disiplinore apo mosqënies ndonjëherë të shkarkuar nga detyra, magjistratët i kanë kërkuar Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të paktën në dy raste, nisjen e procedimit disiplinor për disa prej tyre.

Për fat të keq, ky i fundit, pa u investuar në themel lidhur me shkaqet e pretenduara për procedim disiplinor, ka kthyer përgjigjen sipas të cilës këto shkaqe nuk parashikohen si të tilla në nenin 16 të ligjit nr. 84/2016.

Në përmbyllje të përshkrimit të situatës, mund të thuhet pa ekuivok se në Shqipëri po vërtetohet parashikimi i gjyqtarit të njohur shqiptar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, të nderuarit Ledi Bianku, sipas të cilit “Nëse shkenca juridike nuk bën punën e saj për të analizuar dhe gjykuar gjyqtarët, këtë ka rrezik ta bëjë as më pak e as më shumë, por injoranca”.

Bazuar në sa më lart, një pjesë e madhe e magjistratëve shqiptarë, të cilët po i nënshtrohen procesit të vetingut gjenden para mohimit flagrant të drejtësisë, sipas kuptimit të nenit 6&1 të KEDNj-së.

Me respekt Nënshkruesit

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *