Ad
Portreti i një prokurori/ Atentati në Durrës dhe dy versionet e prokurorisë e policisë

Portreti i një prokurori/ Atentati në Durrës dhe dy versionet e prokurorisë e policisë

Ad

A kishte apo jo si synim eleminimin e prokurorit Arjan Ndoja atentati me armë zjarri, i organizuar mesditën e të premtes gjatë aksit Durrës-Tiranë? Përderisa dosja ka përfunduar pranë Krimeve të Rënda dhe hedh dyshime për cilësitë e veçanta të prokurorit, dyshimet paraprake lidhen pikërisht me detyrën e Ndojës. I gjendur shpesh në vorbullën e konflikteve gjatë karrierës 18-vjeçare, Arjan Ndoja njihet nga kolegët e tij si një magjistrat i diplomuar shkëlqyeshëm, por që askush nuk e shpjegon se si ai u lidh në shoqëri me persona problematikë, sikurse Aleksandër Laho. “Ata kanë vite që shoqërohen bashkë dhe mund të them se njihen që prej kohës kur Ndoja ishte avokat, gjatë katër apo pesë viteve që u shkarkua nga Theodhori Sollaku dhe veshi tunikën e avokatit”, kështu e shpjegon një burim për Gazetën “Si” njohjen e prokurorit me personazhin problematik me nofkën “Rrumi”. Por a i ofronin Aleksandër Laho (Landi i Shijakut) dhe Ndoja mbrojtje njëri-tjetrit në ditë të vështira? Këtë veç heshtjes që mund të nënkuptojë pohim, asnjë nuk u jep një përgjigje të prerë.

Kush ishte prokurori Ndoja

Arjan Ndoja, i moshës 42 vjeç u diplomua në vitin 2001 dhe deri në vitin 2004 ishte një nga prokurorët më premtues në sistemin e drejtësisë. I emëruar si prokuror i thjeshtë në qytetin e Durrësit nga ish-prokurori – përgjithshëm Arben Rakipi, Ndoja vlerësohet “si prokurori që agumentonte cilësisht çdo dosje apo edhe hetim asokohe”. Por sapo merr detyrën e prokurorit të përgjithshëm Theodhori Sollaku, në vitin 2004, prokurori Ndoja u shkarkua nga detyra pas një hetimi për Dashamir Gjokën, një personazh i njohur në Shijak për problemet me drejtësinë italiane për një sërë akuzash. Me shumë mundësi ky moment ishte edhe pika e kthesës për prokurorin Ndoja, i cili në kushte të vështira edhe ekonomike si prokuror që jetonte ende me qira, veshi pelerinën e avokatit dhe nisi të sfidojë (për shkak të përgatitjes së tij si një nga më të mirët) edhe kolegët e tjerë avokatë. Gjatë asaj kohe ai përfaqësoi si avokat çështje të bujshme që nisin nga arrestimi i Arjan Selimit, një trafikant droge për llogari të ShBA, apo edhe arrestimin e Emiljano Shullazit për armëmbajtje, sapo “Mili” kishte nisur rrugëtimin e tij në kriminalitet. “Për shkak të përgatitjes, ishte e rrallë që në atë kohë si avokat Arian Ndoja të humbiste, ai fitoi edhe çështjen e tij kundër Prokurorit të Përgjithshëm dhe Presidentit që kishte dekretuar shkarkimin dhe me vendim gjyqësor duhej të kthehej në detyrën si prokuror”, shpjegon një nga kolegët e Ndojës, i cili mendon se sulmet si ato të kryeministrit nuk ishin të parat ndaj magjistratit të diplomuar me medalje. Gazeta “Si” u interesua për karrierën e mëtejshme të Arjan Ndojës dhe mësoi se në 2008, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama e ktheu në sistem Ndojën dhe ai jo vetëm u kthye në qytetin ku kishte shërbyer së pari si prokuror, pra në Durrës, por mori gjithashtu edhe detyrën e drejtuesit. Por pas përvojës që e zhgënjeu, a ishte prokurori i njëjtë siç kishte qenë ditën e parë? “Në temperament natyrisht që po – shpjegon një tjetër prokuror – këmbëngulja është diçka që e dallon prokurorin nga të tjerët, por ai kishte ndryshuar…” Prokurori që na flet është një nga kolegët që preferon të flasë në anonimitet për Gazetën “Si”, pasi siç shton ai, “s’ka ç’i duhet të përzihet”.

Formulari i vetëdeklarimit të prokurorit Ndoja

Në të vërtetë, prokurori kishte zënë shoqëri të reja, një ndër to edhe Rrumi, me të cilin shfaqej publikisht. Por Rrumi pavarësisht dyshimeve të forta dhe tentativës për t’u paraqitur si një biznesmen, kishte gjithashtu edhe probleme që në kartelën e policisë janë shmangur të shkruhen. Ai rezulton me probleme me ligjin për veprën e plagosjes, ndërkohë që emri i tij u publikua edhe për rrahjen e biznesmenit libanez që la Shqipërinë me këmbë në allçi, por që për të Rrumi nuk u mor asnjëherë i pandehur.
Aleksandër Laho që u lakua për çështjen e tokave në Gjirin e Lalzit nga ana tjetër nuk ka asgjë të deklaruar veç një aktiviteti në Sukth. Sikurse është publikuar në faqen e Qendrës Kombëtare të Biznesit, Laho administron një biznes për tregëtinë e automjeteve të përdorura me bazë në Sukth. Por përpos kësaj, siç thuhet, Laho ka edhe biznese të tjera mes tyre edhe lokale që nuk ekzistojnë të regjistruara në emrin e tij.

Ekstrakt i regjistrit tregtar për Aleksandër Lahon

Veç konflikteve me biznesmenin libanez, Rrumi dyshohet se është përplasur gjithashtu edhe me një grup kriminal mjaft të njohur në qytetin e Durrësit. Por për njërën nga këto episode, që kishte si shkak çështjen e tokave, Rrumi ka deklaruar se nuk kishte lidhje me asnjë ngjarje.
Për atentatin, ku sakaq policia ndryshe nga prokuroria, beson se në qendër ka pasur pikërisht Rrumin, ky i fundit nuk është pyetur ende. Ndonëse ka dalë nga rreziku për jetën dhe ndonëse është akomoduar në një nga repartet e ortopedisë (në të njëjtin kat me prokurorin), Rrumi nuk ka dhënë një deklaratë mbi rrethanat e atentatit. Nuk dihet cilat janë dyshimet e tij, përderisa prokurori në deklaratën paraprake hodhi poshtë dyshimet se vrasësit synonin eleminimin e tij.

Pamje nga atentati në Durrës, ku mbetën të plagosur 3 personave, mes tyre prokurori Arjan Ndoja. Gazeta Si, 3 nëntor 2019

Por grupi i hetimit do t’i rikthehet sërisht marrjes në pyetje të prokurorit Ndoja, duke pasur parasysh se pas atentatit me breshëri automatiku, njihet gjendja postraumatike që shkaktojnë ngjarje të tilla. E sigurtë është – pohojnë burimet e Gazetës “Si” – që asnjëri nga njerëzit që gjendej në makinën benz me targat AA 333 ZD, nuk ka shquar dhe as që ka pikasur se ndërkohë po ndiqeshin nga lokali në plazh ku ata drekuan. Por prokurorët janë shpresëpakët në “sinqeritetin” e kujtdo që do pyesin mbi këtë atentat, referuar edhe ngjarjeve të ngjashme për të cilat dëshmitarët janë të paktë, aq më tepër që besimi tek autoritetet është i ulët. Nga ana tjetër për të plagosurin e tretë Andi Maloku, drejtori i Spitalit të Traumës Arben Zenelaj thotë për Gazetën “Si” se “pacienti ka gjendje stabël dhe me dëmtime serioze, ndoshta edhe të përhershme”, duke mos dhënë asnjë detaj tjetër.

Hetimi

Por hetimi, veç sekuestrimit të dhjetëra kamerave të sigurisë, është në pritje të ekspertizës mbi gjurmët e mundshme që mund të zbulohen në automjetin gri, i braktisur në Ishëm. Ndonëse janë ende larg autorëve (pavarësisht dyshimeve), prokurorët mendojnë se nëse do t’i referohen mënyrës së përdorur në atentat, kuptohet se vrasësit në çastin që kanë vendosur të qëllojnë në ecje e sipër, nuk kanë marrë parasysh faktin se në makinë gjendeshin edhe të tjerë jashtë shënjestrës. Që do të thotë se nga këqyrja e makinës së qëlluar nga pas dhe paralelisht, vrasësit nuk po kursenin jetën e asnjërit. Ndaj ndryshe nga policia, prokuroria mendon se në qendër të atentatit mund të ketë qenë edhe prokurori, edhe Rrumi, edhe shoferi

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *