Ad
Pjesë nga ditari i një psikologeje Nga Silvana Loka

Pjesë nga ditari i një psikologeje Nga Silvana Loka

Ad

Ndodhi. Unë e dija që shumë pacientë mund ta mendonin, por nuk e kisha menduar se do ta dëgjoja të më thuhej ashtu, aq drejtpërdrejt, si atë ditë.

Ajo u ul qetësisht përballë meje, pa folur asnjë fjalë. Rregulloi palat e fundit që mbante veshur dhe pasi drejtoi trupin në karrige më tha: “E kam vendosur. Sot dua të flasim për ty. Unë nuk dua të të them asgjë për veten. Boll kemi folur për mua. Unë mendoj se ti ke nevojë për ndihmë sa edhe unë. E di çfarë mendova përpara se të dilja nga shtëpia? Po bëhesha gati për të ardhur këtu dhe më ndodhi gjithë seria e aksidenteve të mundshme në shtëpi: m’u derdh kafja; kapa fijen e getave në cep të karriges; harrova që kisha lënë gjëllën mbi sobën e ndezur. Dhe të mendova ty. Sa herë që të takoj, ti nuk ke asnjë njollë mbi rroba, je gjithmonë e buzëqeshur, dukesh sikur asgjë nuk mund të të shqetësojë. Dreqi ta hajë! Ti na mashtron të gjithëve me këtë perfeksionin tënd të frikshëm. Asnjë njeri nuk mund të jetë gjithë kohën kështu si je ti! Ja pra! Sot do flasim për ty! Boll folëm për rrëmujat në jetën time. Sot do flasim për këtë perfeksionin e jetës tënde.”

Herë tjetër do ju tregoj se sa e sulmuar u ndjeva. Si më shkuan mornica nëpër trup. Si e ndjeva lëkurën që filloi të më përcëllonte dhe mendjen që filloi të punonte me shpejtësinë e dritës për të gjetur fjalët e duhura. Këto do t’jua tregoj një herë tjetër.

Sot po ju tregoj se çfarë bëra. U ngrita nga kolltuku dhe iu afrova. Nuk fola asnjë fjalë. Thjesht hapa krahët dhe prita. Ajo u ngrit, më përqafoi me ndrojtje dhe filloi të dëneste me forcë.

Vazhdoj ta pyes veten përse e bëra. Ndoshta sepse çdo fjalë do të ishte ose e tepërt ose e pamjaftueshme për t’i treguar se e kuptoja. Ndoshta sepse përqafimi në këto situata është ndërveprimi më i fuqishëm dhe njëherazi më i pakeqkuptueshëm. Arsyet mund të jenë me dhjetëra.

Diçka e di me siguri. Unë isha aty për atë. Isha ty me gjithçka time. Edhe me idenë e saj për

perfeksionin e jetës time.

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *