Ad
Njerëzit, që s’bëhen dot njerëz, dalin në ballë të njerëzve

Njerëzit, që s’bëhen dot njerëz, dalin në ballë të njerëzve

Ad

“Njerëzit, që s’bëhen dot njerëz, dalin në ballë të njerëzve dhe rijnë në ballë… Dhe jeta rrotullohet, mërzitshëm e mërzitshëm me shpirt të palarë…”
.-Drejtësia hesht, politika ulërin-
-Kush nuk di të shajë e të vjedhë, nuk do as ta shajnë e as ta vjedhin-.
-Midis njerëzores dhe çnjerëzores është fjala-…

Njëzetë e tetë vjet dhe nuk u mësuam dot me demokracinë. Ose nuk na lanë të mësonim sjelljet demokratike… Por mësuam më mirë: si të shahemi e si të shajmë, si të mashtrohemi e si të mashtrojmë, si të vidhemi e të vjedhim, si të vritemi e të vrasim, si të dëgjojmë fjalë marrëzie e të themi fjalë marrëzie… Dhe, ne shqiptarët i mësojmë shpejt këto vese, kur i shohim te ata që kemi lart, se jemi mësuar t’u besojmë e t’i imitojmë ata që kemi pasur në udhëheqje.
Marrëzia e njeriut në pushtet e çon vendin në shkatërrim. Kështu thotë Erich From dhe kjo është vërtetuar në gjithë kohët. Shqiptarët, të thërrasin kujtesën e 28 vjetëve, binden se marrëzia e dhuna kanë qenë krye e keqja e jetës demokratike. Sekush mund të tregojë se ç’i kanë parë sytë e ç’i kanë dëgjuar veshët: vrasje e super-vrasje, mbytje, përmbytje e super-mbytje, djegie e tmerr-djegie, vjedhje e mbi-vjedhje, sharje e turp-neveri-sharje, poshtërime, shkatërrime, dhe deri tek ngjarjet e fundit që kanë ndodhur e ndodhin në parlamentin shqiptar. Një shoqëri e dëshpëruar në të gjitha kategoritë shoqërore e në të gjitha moshat. Historia e Shqiptarëve në këta 20 vjet është histori sunduese. Partia, pushteti apo dhe Shqipëria me historinë e saj ndjehet si pronë e Njëshit.
Ku janë treguesit e demokracisë?! E para është “si përdoret fjala”. Të mos dish të përdorësh fjalën-s‘ka demokraci. Është drithëruese dhe e pështirë pamja e parlamentit shqiptar në fillim të këtij viti. Kur kryeministri ulërin dhe nxjerr nga goja: “zhduku, qelbanik, qenër, legenë,… zhvishuni lakuriq, motra, babai, gjyshi yt…, nëna jote… , prostituta…, të ngrihen nga varret…”, duke harruar se është në qendër të sallës të shenjtë të parlamentit; kushdoqoftë, ndjehet i shokuar. Dhe, në atë pisllëk fjalësh, kur të vjen ndotë t’i dëgjosh, ndodh ndryshe me kryeparlamentaren-femër, e cila duartroket, qesh si triumfatore, duke i dhënë kurajë fjalëve jashtë moralit qytetar (!)… Çfarë mund të thuash tjetër pas këtyre pamjeve?!

Në fshatin tonë, mbaj mend nga fëmijëria, se nëpër dasma e festa, mblidheshin të gjithë burrat (në trapezë burrash). Uleshin, ngrinin dolli e merrnin këngë. Vetëm njëri nuk pranohej, se pinte dhe prishte dasmën me të shara. Atë e kish dënuar fshati me “Ikë” e “mos eja”. Dhe, ai fshatari im, që u “dënua” nga fshati, nuk shante aq ndyras siç ndodh në parlamentin shqiptar. Vjedhja dhe sharja nuk njihej në fshatin tonë e në krahinë. Kush nuk di të shajë e të vjedhë, nuk do as ta shajnë e as ta vjedhin. Por në një sallë parlamenti si duhet përdorur fjala? As në familje e as në rrugë nuk mund t’i përdorësh ato fjalë, se të zënë me bisht fshese e me gurrë, apo të mëshirojnë për të marrë… Askujt nuk i falet, në një shtet ligjor e demokratik, të sillet kështu me njerëzit. Aq më pak kreu i qeverisë me qeveritarët e tij, kryetarja e parlamentit apo deputeti që pandeh se përfaqëson popullin… Midis njerëzores dhe çnjerëzores vendos si përdoret fjala.
As në parlamentin shqiptar të fillim shekullit të 19 (më 21 janar 1920, Kongresi i Lushnjës zgjodhi parlamentin e parë me 37 deputetë) nuk ishte kjo gjuhë e sjellje ndaj fjalës e halleve të popullit. Atëherë nuk kishte as TV që t’i shihte populli, por kish burra kombi, me nder e peshë fjale. Shqiptarët kanë ditur të kuvendojnë e t’i zgjidhnin problemet me fjalët e kuvendit në të gjitha kohërat.
Kështu ka ndodhur që më 1601 në Kuvendin e Dukagjinit, më 1703 te Kuvendi i Arbrit, më 1878, te Kuvendi i Dibrës, Kuvendi i Gjirokastrës më 1880, më 1908 te Kuvendi në Ferizaj, e deri tek Kuvendi i Lezhës, Kuvendi i Labërisë e Kuvendi i 1912, kur u formua Shteti i Parë Shqiptar. Shqiptarët kanë ditur të kuvendojnë e të zgjidhin problemet nëpërmjet fjalës.
Tashti kemi një situatë aq të vështirë sa më e pakta mund të thuhet kemi humbur 20 vjet nga jeta demokratike, nga sjellja demokratike.
Antidemokratizmi shihet kudo. Në parlament (!), në komunikim dhe marrje vendimesh. Është qesharake, që për tre minuta të miratohen e numërohen votat për 17 ligje, siç ndodh me kryetaren e parlamentit shqiptar (sikur transmetonte ndonjë ndeshje futbolli), sa edhe ritmin e frymëmarrjes nuk e kontrollonte dot. Dhe, shumica e vendimeve nuk votohen nga opozita. Konflikti mes shumicës e pakicës nuk është zgjidhur, por thelluar çdo ditë e më shumë. Pasqyrë e demokracisë është qëndrimi ndaj pakicës. Shprehja e kryeministrit: “nuk të hap rrugë”, do të thonë se në Shqipëri sundohet nuk drejtohet. Po drejtësia? Drejtësia ka padrejtësi të detyruar. Asnjë nivel, që nga prokuroria, gjykatat, deri te Kushtetuesja, nuk merr frymë e punon lirisht. Përballen me kërcitje dhëmbësh nga ekzekutivi. Po shkon në vitin e tretë “Gërdeci”, ku u vranë 26 e u plagosën 300 të tjerë. Pse? Se nuk i intereson kryepolitikës të përfundojë hetimi e të vejë në vend drejtësia. Kështu edhe për pronarët e tokave e trojeve, të përndjekurit politikë, ishushtarakët, studentët e universiteteve, minatorët, medja… ata që u mbytën e u përmbytën, vjedhësit e vrasësit. Pa lëre pastaj për çështjet e thjeshta civile, familjare e qytetare?! Sa ka dalë shprehja: “Vetëm në dyert e gjykatave mos shkofsha, se nuk e gjen të drejtën kurrë!” Cili sektor i jetës shqiptare është model i vendosjes së demokracisë?! Sekush e jep vetë përgjigjen.
Do shkojmë në Europë me këto mendësi sunduese?! Nuk mundemi. Një kasetë filmike mes dy ministrave të qeverisë, tronditi opinionin publik. U dëgjua për pazare, në zyrat e qeverisë. Dhe bëhet fjalë për Hidhja t’ia hedhim, vidh të vjedhim. Pa u zbardhur kaseta (që nuk ka çfarë t’i zbardhet,) nga Prokuroria, ish ministri, merr pamjen e një heroi dhe jep konferenca shtypi për të sqaruar “vjedhjen”. Kështu edhe kreu i qeverisë. Kështu edhe ata e këta… Atëherë, prokuroria “e zënë prej fyti” kërkon “ekspertë nga SHBA, për një gjë aq të thjeshtë, si të tregosh një tepsi me byrek me lakra dhe të thuash: me se është bërë byreku? …
Europa na jep shembuj: Një deputet i parlamentit anglez, për 10 mijë paund (rreth 15 mijë euro) dha dorëheqjen dhe i kërkoi falje qytetarëve anglezë. Po qeveritarët dhe deputetët tanë, me gjithë këto fatkeqësi ekonomike, shpirtërore e njerëzore, që i kanë sjellë këtij populli, kanë ndonjë guxim (nuk mund të them: edukatë demokratike) të thonë: Unë jap dorëheqjen. Populli do qeverisur më mirë. Dhe duhet të kërkohet votëbesimi i popullit për të qenë të dy palët të vërtetë. Demokracia është sistem, që përkohësisht mund të pengohet nga “sundimi”, por së fundi do të vendoset drejtësia.
Drejtësia dhe e vërteta është frymëmarrja e demokracisë. Këtë e kërkon shqiptari, që të mos i vidhet vota, pushteti, prona… Shqiptarët kërkojnë të marrë fund urrejtja, të gjejë drejtësinë e shtetit, drejtësinë e pushtetit, drejtësi në drejtësi, që të mos ndjehet i pafuqishëm të jetojë ndershëm. Që të ndodhë kjo, politika duhet të edukohet!

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *