Ad
Nga Xhahid Bushati  Poeti Zef Zorba në shqipërimin e E. Montales, S. Quasimodos, G. Ungarettit

Nga Xhahid Bushati Poeti Zef Zorba në shqipërimin e E. Montales, S. Quasimodos, G. Ungarettit

Ad

-Shënime për librin: “Montale, Quasimodo, Ungaretti –Perfectum trinum-, shqipëroi dhe parathënie Zef Zorba, Çabej, Tiranë, 2019-

1.
Teksa po lexoja gjithë vemendje librin e sapo dalë në qarkullim “Montale, Quasimodo, Ungaretti” – Perfectum trinum-, poezi të zgjedhura, shqipëruar dhe me parathënie të poetit të shquar Zef Zorba; njëherësh, përmes viteve, më erdhën ca kujtime që nuk mund t’i harroj lehtë, që më sillnin në memorie dhe në kujtesë: at’ stinë pranvere që e njoha Zorbën, ato pak kafe që i piva me të, fjalët e pakta, vështrimin e përqendruar e të menduar përmes gjyslykëve me ngjyrë, tundjen e lehtë të kokës, buzëqeshjen e largët, të afërt e pakëz të zbehtë, buzët ende “të ngrira në gaz” edhe pse kishin kaluar vitet ’90, si dhe ajo shprehja e tij proverbiale që e kishte për zemër e të zemrës, plot dhimbje: “jeto pa u vënë re…”. Eh, ç’më kujtonin kujtimet! Më kujtonin shumëçka…
Libri përmban rreth 100 poezi të tre poetëve të mëdhenj italianë të shekullit XX që bënë epokë. U botua më mjeshtëri e profesionalizëm nga Botimet Çabej. Libri kishte vite që rrinte në sirtar (si dorëshkrim) përmes ditëve e viteve të heshtjes, deri një ditë si kjo…, kur pa dritën e bardhë të botimit. Kjo falë veprimit të dy bijave të Zorbës për ta paraqitur për botim. Veprimi i tyre është një akt fisnikërie në shërbim të kulturës shqiptare, për të njohur elitat e vërteta krijuese e njëkohësisht për të plotësuar e dritësuar më tej portretin e Zorbës, për ta ridimensionuar atë, ndonëse dorëshkrime të tjera të poetit presin radhën për të parë dritën e botimit.
Me të drejtë Botuesi “Çabej” në shënimin e librit shprehet: “Zef Zorba ka zgjedhur t’i sjellë në shqipen e njësuar të standartit vjershat italiane, ashtu si shkruante jo rrallë edhe poezi të vetat, duke ndërkallur hera-here elemente të gegnishtes e më rrallë edhe ndonjë të toskërishtes. Pra është treguar i hapur ndaj përdorimit të trajtave gjithfarëshe.”
Libri me rreth 100 poezi zgjedhur e shqipëruar nga Zorba shoqërohet edhe me një parathënie e shkruar nga ai 35 vjet më parë. Edhtë një përkushtim dinjitoz kushtuar E. Montales, S. Quasimodos, G. Ungarettit; ndonëse titullohet “Dy fjalë nga Shqipëruesi”. Njohja ka disa rrafshe, si: -Zorba për tre poetët italianë dhe biografitë e tyre., -Zorba dhe letërsia italiane, procesi zhvillimor i saj., -Zorba dhe shikimi i poetikës së përbashkët të tre poetëve., – Zorba dhe njohja bibliografike e studiuesve të tjerë, të cilët me shkrimet e tyre u janë qasur tre kolosëve italianë. Kjo njohje e thelluar poetike dhe stili nga ana e Zorbës ndikuan fuqimisht jo vetëm në procesin krijues, por kryesisht te vëllimi i tij poetik “Buzë të ngrira në gaz”, libër që e përcaktoi Zorbën si individualitet i spikatur e që solli risi në rrugëtimin e poezisë shqipe.

-vijon-

xhb., Shkoder, prill 2019

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *