Ad
Nga Thoma Goga Fabul: EMËRIMET E REJA…

Nga Thoma Goga Fabul: EMËRIMET E REJA…

Ad

Kjo që do t’u rrëfej tani ka ndodhur vetëm në mbretërinë e Pyllit. Po se kush e përhapi virusin. Punë kafshësh…
Eh, sa ditë e bukur ishte! Gjithë pylli gjëmonte nga festa në familjen e Derrit Fyçko e të Lepurit Pup. Të dy sapo ishin diplomuar për pedagogjinë e pyllit. Të nesërmen e festës ra zia. Gjithë ai gëzim u doli nga hundët.

Dhe a e dini pse? Kishte ardhur shkresa që të hynin në konkurse. Deshën-s’deshën hyn edhe në konkurse se u shkonte dëm gjithë ajo shkollë. I fituan dhe konkurset po prapë nuk u gëzuan. Erdhi emërimi.

Derrin e emëruan në shkollën e arinjve, kurse akoma me keq, Lepuri duhej t’u jepte leksion qenëve. Fyçkoja që kishte një tufë me gica për të ushqyer, u paraqit në punë dhe filloi të jepte ca orë mësim. Fliste dërrçe e bërtiste, po ku hanin pyka arinjtë. Edhe Panda edhe Tao-Tao, që e mbajnë veten si më të zgjuarit, nuk kuptonin gjë. Kurse Lepuri Pup e dini ç’bëri? Gjeti zgjidhjen me të këndshme; nuk u paraqit fare. Ku të shkonte, mo? Qentë paskeshin thënë se “mezi po e prisnin nga gëzimi për ta “puthur”” . . . Pasi kaloi një javë edhe Derri Fyçko e la fare shkollën.

E ç’të bënte kur edhe arinjtë nuk pyesnin fare për gjuhën dërrçe!
Një ditë të bukur me diell, ndërsa kishin dalë secili në hesap të vet, Derri Fyçko e Lepuri Pup takohen tek burimi. Pasi i qanë hallin njeri-tjetrit, vendosën të ankohen tek shefi i arsimit të pyllit.

Dhe ashtu bënë. Të nesërmen të dy u ndodhën para derës së hapur të shefit. Të çante hundën parfumi i markës BAJGA…Shefi, sa i pa, i ftoi brenda gjithë mirësjellje. Sapo ishte miratuar Kodi Mirësjelljes.
– Hë, ç’thotë puna? – pyeti shefi.- Jeni të kënaqur?

Derri Fyçko e Lepuri Pup ulën kokat.
– Siç dihet fillimi ka vështirësi, – vazhdoi shefi, – por ju mos u tërhiqni. Në atë çast, ndërsa Lepuri Pup rrutullonte sytë sa majtas e djathtas mos hynte aty ndonjë nga “nxënësit- qenë” të tij, Derri Fyçko mori guximin e foli:

 

– Shef, këtu ka diçka që nuk shkon. Nuk është aspak e drejtë kur unë që fitova edhe konkursin me djersën e ballit, të punoj me arinjtë dhe Lepuri të punojë me qentë.
– E çfarë zgjidhje jep?- pyeti shtruar shefi.
– Puna bëhet më mirë që unë Derri të punoj me derrat dhe Lepuri me lepujt. Mesa dimë aty vendet janë ende të lira.

– Na shkrive fare, more Fyçko,ha, ha, haaaa…- qeshi shefi.- Pse zgjidhje i thua kësaj, mo?! Do shkoni të punoni atje ku jeni emëruar dhe pikë. A e di ti, more Fyçko, se këtu në vendin tim si organikë, duhej të punonte ndonjë Qukapik akademik? Po ju nuk e shikoni që unë jam GOMAR…
Derri dhe Lepuri dolën me bishtin ndër shalë…/RRJETAT/

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *