Ad
Nga lavdia në rrënim total. Ja çfarë ishin dikur Vllehët

Nga lavdia në rrënim total. Ja çfarë ishin dikur Vllehët

Ad

Në Ballkan qendrat kryesore që mikpritën voskopojarët ishin Ohri, Manastiri, Krusheva, Milovishta, Nishi, Novisadi, Velesh, Karlovici, Kraina, Zemuni e Pançevo. Censusi i banorëve të Sremit në vitin 1770 tregon se pjesën më të madhe të familjeve vllahe e përbënin të ardhurit nga Voskopoja, 29 nga 81 familje, në Zemun; 28 nga 76 familje në Kroaci; 28 nga 76 familje kishin të njëjtën prejardhje voskopojare. Në Krajinë të Kroacisë, sipas historianit Vaniçek, pjesa më e madhe e tregtarëve ishin nga Voskopoja, Grabova, Kozani dhe Shipska. Nga Grabova kanë emigruar deri në Australinë e largët Miti Nikolla, Nikola Cicani, Balamacët, Steamitru etj. Nuk ka asnjë dyshim që tregtarët voskopojarë përbënin pjesën më jetësore ekonomike, shoqërore dhe kulturore të krahinave serbe ku u ngulitën. Gjithashtu Venediku, Vjena, Budapesti, Mishkolc, Kecskemet dhe gjithë ish-territoret e pushtuara osmane midis Danubit dhe lumit Tisza me dendësi të vogël popullsie ishin vendet më tërheqëse të nënshtetasve ortodoksë të Sulltanit. Veprimtaria financiare e voskopojarëve Sina, Tirka, Xhehani, Gira, Shpirta, Kurti e shumë të tjerëve, në Vjenë në ndërthurje me praninë e fortë të tyre ne Budapest si të Aleksander Lepurit, Sofia dhe Dhimiter Likës, Naum Miskës, të cilët shpenzuan shuma të mëdha për ndërtimin e katedrales ortodokse të qytetit të tyre, bënë të mundur që këta të kishin rolin kryesor ekonomiko – shoqëror në krahasim me nënshtetasit e tjerë ortodoksë të Sulltanit. Në Budapest kishte 170 familje të ardhura vetëm nga Voskopoja. Ata nuk dëshironin të shkonin në kishat serbe, por ndërtuan kishën e tyre të pavarur. Duke u nisur nga aksioma se asnjë fenomen në Histori nuk është i rastësishëm, do përpiqemi të kuptojmë atë që autorët e quajnë Fenomeni Voskopojë. Duke qenë një vendbanim malor vllah e më pas edhe shqiptar me privilegje nga Sulltani, ky qytet apo politeia (gr. shtet ose njësi autonome) u kthye në një nga qendrat më të rëndësishme tregtare e zejtare të Ballkanit Jugor. Në fillim blegtoria përbënte gurin e themelit për zhvillimin e mjeshtërive dhe bizneseve me karakter shtëpiak-familjar, ndërsa materiali i leshit, kapitali kryesor u përdor si lëndë e parë për kalimin nga blegtoria në fushën e transportit dhe tregtisë. Siç del nga letrat tregtare të voskopojarëve të ndryshëm që janë gjetur në arkivat e Venedikut, nga Voskopoja dhe rrethinat eksportohej zakonisht leshi i përpunuar dhe i papërpunuar, mbulesa, velenxa, qilima, dyllë, duhan dhe lëkurë.
Siç thekson studiuesi serb Dushan Popoviç në veprën e tij për Cincarët (cincarë quhen vllehët nga sllavët si pasardhës të veteranëve të Legjionit V romak nga vllahishtja Cinci “pesë”), “veçanërisht voskopojarët dhe më pas te ardhurit nga Vlasti dhe Shatishta ishin ata që çuan në krijimin dhe zhvillimin e klasës borgjeze të qytetit të Beogradit dhe krahinave përtej lumit Sava…dhe luajtën një rol shumë të madh në jetën tonë publike”…Sipas të njëjtit autor, përgjigja e pyetjes se ç’kuptohet me emrin Cincar nuk është aq e thjeshtë. “Cincari me prejardhje është ilir ose thrakas, sipas gjuhës është roman, me besim fetar është ortodoks, ndërsa kulturalisht, sidomos në qytete, ndihet grek. “Veigandi kishte vënë re se në Vjenë, Budapest e Beograd kishte shume vllehë të famshëm, të cilët në mënyrë të rrejshme shfaqeshin si grekë. Sremaci i përshkroi kështu borgjezët e mëdhenj: “Të gjithë ata ishin vllehë ose grekë, them kështu, sepse nuk mund të thotë askush se ç’janë në të vërtetë vllehë apo greke”. “Tendenca për të bërë ekonomi e për të mbledhur para është një nga karakteristikat themelore te tyre. Me këtë veçanti njihen në botë dhe në popullin tonë- thotë Popoviç. Shumë shpesh fjala “cicar” në serbisht ka marrë kuptimin e cingunit, kopracit dhe shprehja ‘’të bësh si cincar do të thotë të bëhesh koprac”. Njehsimi i vllehëve me grekët u forcua më shumë kur grekët morën pavarësinë ndaj turqve. Por mos të harrojmë se vllehët që vinin nga trojet shqiptare quheshin arvanito – vllehë dhe në Serbi njiheshin si Arbanas apo Arnautë. Për arsye konkurrence në tregti, për faktin se vllehët u shmangeshin detyrimit ushtarak duke mos vajtur në luftë, por merreshin me tregti dhe donin kishën e tyre, midis serbëve dhe vllehëve kishte paragjykime, madje edhe përplasje…

Në fund të shekullit XVIII lëvizja e dhunshme e voskopojarëve nga vatrat e tyre atërore, shkaktoi një rrymë të përgjithshme emigracioni që përfshiu të gjitha vendbanimet fqinje që kishin fatin e Voskopojës. Numri i atyre që u larguan për një fat më të mirë duhet të jetë shumë i madh për kohën, na kumton dr. Konstantina Karakosta një nga studiueset bashkëkohore mbase më të mira të emigracionit të voskopojarëve në territoret e Austro-Hungarisë. Madje emri voskopojar mori një kuptim më të përgjithshëm duke u quajtur kështu ata që merreshin me tregti, zejtari dhe bartësit e progresit dhe zhvillimit.

Vijon

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *