Ad
Nga Edmond Bejtaj-02.09.2018 NINULLË PËR STELA Z.

Nga Edmond Bejtaj-02.09.2018 NINULLË PËR STELA Z.

Ad

Si në çdo të hënë mësuesja kujdestare filloi kontrollin e higjienës duke kaluar bangë më bangë, unë vendosa pranë duarve shaminë e hundëve që mamaja ma kish hekurosur për merak dhe mbi të furçën e dhëmbëve për të cilën ishim porositur që ta kishim me vete, mësuesja mbriti pranë meje pasi kish kontrolluar për morra vajzën pas shpinës time, më pa me dashuri sikur të thoshte – Me ty nuk kam punë, – dhe pastaj pyeti shokun e bangës time :- Po ti ku e ke furçën e dhembeve ?
Ndryshe nga të tjerat ku qëndronin pranë njeri-tjetrit një djalë dhe një vajzë, tek e imja ishim unë dhe Maksi, jevgu i vetëm i klasës, portieri i skuadrës time të futbollit, dhe truproja ime personale.
Ishte një kokë më i gjatë se të gjithë ngaqë ishte ngelës i përsëritur, ma kishin sjellë në bangë që ta bëja si veten, por shpejt kish arritur të më bënte si veten, meqë në këmbim të lejimit të kopjimit nga unë, më kish mësuar të këndoja, të gjuaja zogj me llastiqe dhe mbajtur frerët e karrocës së babait të tij, me të cilën na vinin drutë e dimrit të cilat Maksi m`i ngjiste vetë deri në katin e katërt që unë të mos lodhesha, gjë për të cilën meritonte qerasjen nga mamaja ime me një pjatë gliko, të cilën ai e përpinte duke thënë – Sa të mirë e ke bërë mi teta Liria !, ;
– Unë i laj me furçën e babait..- u përgjigj duke u zgërdhirë dhe bërë që të qeshnim të gjithë, mësuesja nuk e zgjati, u ul në tavoline dhe filloi apelin.
Në klasën time kishte vajza me emra vetëm shqiptarë, emra të rinj dhe të vjetër, emra lulesh, gurësh të çmuar dhe zogjsh të bukur, emra që në një farë mënyre ishin bërë njësh me tiparet e tyre, aq sa mendoja se një emër i caktuar i përshtatej vetëm një tipi fytyre, dhe aq fort e mendoja këtë gjë, saqë një vajzë me emrin e vjetër Hanko më dukej si plakë megjithëse kishte fytyrë prej fëmije, e megjithate nuk ndjeja dhimbje për fatin e saj të zi, përkundrazi, sa herë që mësuesja bënte apelin, kur vinte rradha e saj, sapo shqiptohej Hanko.., – zbavitesha duke mërmëritur – Mos dil nëpër varre, se të vdekurit ç`i ngjalle, të gjallët ç`i vdiqe fare…- sipas vargjeve të një vjershe që nuk e di se ku e kisha lexuar.
Këtë po pregatitesha të bëja edhe ate ditë kur dera e klasës u hap dhe në prag u duk drejtori i shkollës me një vajzë në krah, mësuesja ju afrua, ai pëshpëriti diçka dhe u largua, ajo e mori përdore vajzën dhe tha, : Kjo do të jete shoqja juaj e re, quhet Stela dhe ka ardhur nga Tirana.
Asokohe kisha filluar të mësoja italisht, të dëgjoja muzikë italiane dhe të mendoja se parajsa ndodhej në Itali, kështu që kur dëgjova emrin e saj mendova se parajsa kish ardhur në klasën time në formën e një vajze dhe unë nuk duhej të bëja asgjë tjeter përveçse ta prisja pranë meje, instiktivisht ktheva kokën nga ëngjëlli im i zi si për t`i thënë – Shtyhu pak, – dhe sikur të ma kish lexuar dëshirën, mësuesja tha, – Ulu aty, në bangën e pare, tek ata dy djemtë.
Ishin gjithsej nja dy metra nga dera deri tek banga jone, por mua mu duk se Stela i bëri ato me njëzetë hapa, me ecjen e një japonezeje të vogël të penguar nga kimonoja, unë u shtyva dhe ajo u ul prane meje.
I shastisur nga mrekullia qëndrova si i ngrirë gjatë gjithë orës së mësimit pa guxuar ta ktheja kokën drejt saj, derisa ra zilja dhe të gjithe lëvizën, Stela u kthye dhe sikur të mos e kish dëgjuar mësuesen që ja kish shqiptuar emrin perpara nesh, më tha :- Unë quhem Stela.
– Po po, si stela kadente..- u mburra me italishten time, – Urdhëro.. ?, – Yll që bie…- Ah, po, – qeshi duke nxjerrë në pah dhëmbët e bukur, e pastaj më rrefeu se ishin transferuar prej pak ditësh në qytetin tonë, ngaqë i jati ishte ushtarak.
Kur u ktheva në shtëpi ja rrëfeva prindërve ngjarjen e madhe dhe vura re se im atë nuk foli kur tregova mbiemrin e saj.
Në muajt që pasuan Stela u kthye menjëherë në yllin e klasës, të gjithë vajzat donin të rrinin me të, ndërkohë që vendet e djemve ishin zënë nga unë dhe truproja im me ngjyrë, që në një moment pushimi ndërsa po flisnim pa lëvizur nga banga, ndërhyri duke i premtuar vajzës nga Italia se atë që do guxonte ta ngacmonte, ai do ta bënte mut.
Si në çdo dimër unë u sëmura nga gripi, dhe për herë të parë urdhëri i mjekut për të qëndruar në shtëpi mu duk si dënim, ndryshe nga herët e tjera kur i thosha mamasë se pas tre ditëve do më pëlqente që të rrija edhe dy ditë sa të bëhesha mirë dhe prandaj duhej të fliste me mësuesen që të më lejonte.
Dhe ndodhi në ditën e parë të raportit, kur sapo prindërit ishin kthyer nga puna, që tek dera u dëgjua një e trokitur e lehtë dhe pastaj e shtyra e saj, mamaja shkoi ta hapte, ndjeva zërin e Maksit që po largohej, pastaj ca hapa të lehtë dhe para meje u shfaq Stela kadente me çantën e shkollës në dorë, ;- Erdha të të sjell detyrat…
– Kjo është Stela, shoqja e bangës time…- ajo u ul në karriken pranë meje, hapi çantën dhe nxorri librat dhe fletoret, unë e shikoja i skuqur, mamaja solli karamele, im atë për habinë time e pyeti se si ishte babai dhe i përkëdheli flokët duke e parë me ca sy që nuk ja kisha parë kurrë, ajo përtypi karamelen duke më shpjeguar mësimet, më përqafoi, na përshëndeti dhe iku.
I numërova orët e dy ditëve të tjera, mes bezdisë së gëlltitjes së ilaçeve, dëshirës për të dalë dhe qortimit se duhej të qëndroja shtrirë dhe mbuluar, derisa erdhi mëngjesi dhe me vrap mbrita në shkollë.
Më ra në sy mungesa e saj në rrjesht, u hutova dhe fillova të kërkoj rrotull, zëri i zakonshëm na kërkoi të ishim gati në luftë për çështjen e partisë, instiktivisht mërmërita – Gjithmonë gati, – rrjeshti lëvizi drejt hyrjes, i hodha këmbët si në jerm, nuk doja të hyja në klasë por zura vend në bange, Maksi mbriti vonë si gjithmonë, duke më parë në sy, nuk fola, ;- E more vesh ?, – zëri më erdhi si nga humbëtira, për pak bërtita – Çfarë të marr vesh !!,- koka u afrua pranë veshit tim – Babain e Stelës e arrestuan… – humbëtira u bë më e thellë, – E pastaj ?, – Stelën e internuan me gjithë ata të shtëpisë, i pashë natën kur ngarkuan plaçkat në një kamion, po thoshin që do i çonin andej nga veriu…
Gremina ku rashë qëlloi e ftohtë, ndjeva të më bëhej kurrizi akull, si në ditët me temperaturë të lartë, mësuesja hyri dhe filloi apelin, si një robot u përgjigja – Këtu, – zëri i saj thërriste me rradhë emrat e luleve, gurëve të çmuar dhe zogjve të bukur, por truri im nuk dëgjonte më asgjë, ;
– Ashtu i rrafshuar prej ortekut siberian ishte kacavirur me thonjtë e bërë gjak mbas karrocerisë së kamionit ku kishin hedhur yllin e këputur të klasës time, dhe po vraponte drejt veriut për të mos e lënë vetëm atë që mbase po mendonte edhe për mua që nuk do më shikonte kurrë, e mbase edhe për Maksin, jevgun zemërbardhë që nuk e mbrojti dot, ndërkohë që acari lodronte duke u tallur : – Dil Hanko, tani dil nëpër varre….

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *