Ad
Në vëndet e civilizuara qetësia publike mbrohet me ligj Nga Silvana Berki

Në vëndet e civilizuara qetësia publike mbrohet me ligj Nga Silvana Berki

Ad

Në vëndet e civilizuara qetësia publike mbrohet me ligj. Për ketë temë ka kohë që kam dashur të shkruaj dhe sa here vija në Shqiperi mundohesha të shihja ndonjë ndryshim në lidhje me qetësinë publike e cila gjithmonë rezultonte të ishte në format e abuzimit më të lartë, por që fatkeqësisht mbas kaq vitesh akoma egziston si problem edhe pse ka pak ndryshim. Problemi pse nuk zbatohet apo pse nuk ndryshon si kulturë I ka rrënjët diku shumë më thellë. Po c`është qetësia publike? Sipas ligjit të organizimit (4§) të paktën të kushtetutës Finlandeze ky ligj ju garanton qytetarëve siguri dhe qetësi nëpër vëndet e përgjithshme sic janë ato që frekuentohen nga të gjithë, institucione, rrugë, shtëpi banimi. Kjo edhe më e përpiktë nëpër apartamente me qera por edhe në ato që janë të pronësuara.

Me një shikim të shpejtë në arenën ndërkombëtare, popujt skandinavë janë të mirëinformuar me anën juridike të së drejtave të veta dhe nëse dikush I prish qetësinë mbas orës 22.00 ai pa menduar se mos prish miqësinë me komshinë thërret policinë, ku as komshia nuk e shikon si armiqësi një kërkesë të tillë. Nëse ky rast përsëritet arrihet deri në ndëshkim me largimin nga apartamenti. Po ashtu Europa e mesme dhe ajo jugore e respekton këtë ligj, edhe pse ligji nuk ështe aq strikt sic ndodh në shtetet e Europes veriore. Por përse ndodh kjo? Ndoshta për jugorët zhurma nëpër rrugë, apartamente, rrugica nuk shikohet si një prishje qetësie e të tjerëve. Mund të ketë interpretime se është cështje kulturore apo se zhurmat brënda shtëpie apo rrugica janë probleme personale. Në të vërtet ky është një koncept I gabuar për vet faktin, se qytetarët e kanë prodhuar vet këtë lloj kulture që është në kundërshtim me ligjin, gjë që më bën të mendoj se vet jugorët ose nuk janë të mirëinformuar me këtë ligj ose nuk duan t`ja dine për të. Ti shkaktosh zhurëm tjetrit nuk është më problem personal por ai bëhet problem I të gjithëve. Por c`ndodh me një ligj që nuk respektohet nga qytetarët? A nuk është mire që ai ligj të hidhet përsëri në diskutim në parlament, për të konstatuar ja vlen të jetë në fuqi apo jo? C`duhet një ligj I tillë që është në kushtetutë vetëm për numër dhe nuk respektohet e as zbatohet nga populli?

Në brendi të vet, koncepti I mbrojtjes së qetësisë së qytetarëve ka të bëjë edhe me dicka tjetër. Ka të bëjë me empatinë njerëzore, domethënë të vendosësh përpara egoizmit tënd interesin e tjetrit. Në Shqiperi kjo që pash kësaj vere ishte pothuaj e panjohur për qytetarët. Ky lloj egoizmi apo mungesë empatie vihej re kudo, në autobus ku askush nuk shikonte me njerëzllëk ti hapte rrugën apo stolin një të moshuari, nëpër dyqane, në spital. Nëpër apartamente ku kuptohet që zhurma e komshisë bëhet shumë lehtë edhe jotja, dhe ku shumë të moshuar kanë nevojë dhe të drejtën për qetësi, fillojnë makinat e larjes në orën 24.00, sepse më hertët nuk ka ujë. Kamionat e atyre që punojnë në ndërtim fillojnë që prej orës 02.00 të mëngjesit me një prishje qetësie më keq sesa qentë e rrugëve që lehin koshave të plehrave. Në qarkullimin rrugor mund të shikosh 20 makina rresht që kanë marrë nusen dhe që të gjitha në të njëjtën kohë ti bien borive si simbol dasme, pa menduar cfarë zhurme shkaktohet përreth. Eshtë një zhurëm e “pëlqyer” sepse shikoja sesi publiku I shikonte me kënaqësi duke e menduar si një kulturë të bukur. Meqënese asgjë të bukur nuk ka kur I shkakton zhurëm të tjerëve qoftë ai edhe nga gëzimi apo kur kujton se ke të drejtë t`ua zhvatësh atë lloj qetësie. Kjo për mua ishte më shumë mungesë e gjestit të empatisë.

Dhe pastaj themi që jemi popull simpatik dhe I duam shtegetarët dhe jemi mikpritës. C`më duhet mua kjo lloj kulture, që nuk është rrjedhojë si princip I karakterit të shqiptarit, por si një mjet që e përdor atë vetëm në vënde të caktuara. E kuptoj që kërkohet profesionalizëm kur punon me turistat dhe sidomos ata të kombësive të huaja, dhe empatia është pjesë e kulturës profesionale. Kjo është pikërisht ajo që më shqetëson. Sepse duket më shumë si një veprim I huazuar dhe jo natyral gjendje e karakterit. Pyetja qe do të bëja është: Si e përcjell shqiptari emocionin empatik me njëri tjetrin në vëndet ku ai është 100% vetvetja sic janë ambientet familjare? Apo kjo tashmë ka marrë përmasat e materializmit liberal, ku cdo gjë qoftë edhe veprim njerëzor aktivizohet nga paraja?! Tregohet empati kur përfiton dicka dhe empatia humbet kur nuk ke interes. Pra më shumë se gjithcka është cështje psikologjike dhe kur fillon rrënjoset ky lloj të menduari ajo kthehet në përditshmëri. NJë përditshmëri pa empati është njëlloj aktiviteti shoqërore pa shpirt njerëzor. Ndoshta kjo lloj demagogjie kërkohet sot, të jetojmë si robot, pa ndjerë asgjë, pa përgjegjësi për njëri tjetrin, pa dinjitet.

Eshte një frymë dhe rrymë e frikshme, që nëse nuk diktohet që herët, përmasat e saj do te jenë në të ardhmen prodhim I dhunës, mosrespektit, indiferentizmit dhe krimit. Jo më që shenjat e krimit ishin shumë të dukshme që tani. Mos pyesni pse ndodhin ato që ndodhin, por prej nga ndodhin, dhe unë them prej pakësimit të empatisë në karakteret tona dhe kujdesit për njëri tjetrin. Keni ndonjë ide, përse ka pakësim të këtij virtyti, që në të kaluarën ne si komb e kemi patur të lartë dhe të theksuar, ku rasti i mbrojtjes së cifutëve atëherë kur e gjithë bota i braktisi, ne ju dhamë bukë, ju hapëm dyert dhe i pajisëm me pasaportat tona. Ndoshta është mirë të ndalemi dhe të konstatojmë c`po ndodh me ne si komb, nëse nesër duam më pak vëlla vrasje.

Ju faleminderit,

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *