Ad
Në shoqërinë shqiptare kanë ndryshuar shumë gjëra dhe ndryshimet e reja që priten

Në shoqërinë shqiptare kanë ndryshuar shumë gjëra dhe ndryshimet e reja që priten

Ad

Në shoqërinë shqiptare të kohës sonë po bëhen gjithmonë e më prezente realitete të reja sociale që kanë lidhje me rindërtimin e tipologjisë së lidhjeve individuale dhe të marrëdhënieve sociale. Kanë ndryshuar shumë gjëra që kanë të bëjë me përpjekjet sociale, për të vendosur dhe institucionalizuar lidhjet midis njeriut konkret, individit të përvecëm dhe nevojave të modernitetit për organizimin e komunitetit të njerëzve. Që në kohën e sotme më shumë janë virtual dhe të realizuara me njerëz të lidhur nëpërmjet rrjeteve socialë. Në të vërtetë, këto janë probleme të reja sociale, me të cilat po përballet jo vetëm shoqëria jonë, por e gjithë shoqëria njerëzore, globalisht. Kjo është arsyeja që në debatet që zhvillohen sot në vendin tonë, për raportet e njeriut me komunikimin elektronik dhe lidhjet në rrjetet sociale, shpesh ka keqkuptime, herë individuale por në shumë raste me përmasa sociale.
Kjo për shkak të shfaqjes së bujshme të tendencës së thellë të individualizimit dhe zgjerimit të mënyrave të personalizuara të jetës sociale. Kështu që duhet bërë kujdes kur duam të dallojmë kurbën dhe shkaqet e një tendencë të fortë sociale sic është individualizmi. Qoftë si shprehje elokuente e modernitetit social në Shqipëri, apo e vlerësimit koherent dhe objektiv të realiteteteve tona. Problemi është që sa kjo tendencë e modernitetit individualist të shoqërisë dhe zgjerimi i thellimit të “invidiumit të individit”, është e lidhur me zgjerimin e rrjetit social, shumëfishimin e mundësive të komunikimeve personale, individuale dhe të personalizuara përmes internetit dhe rrjeteve të komunikimit social.
Pyetja që shtrohet është: a është niveli i sotëm i shfaqjes së individualizmit i lidhur me fuqinë e rrjeteve sociale, apo individualizmi në shoqërinë e sotme shqiptare është një realitet sociologjik që nuk është vetëm pasojë e internetit, por e prirjes së përgjithshme të kohës dhe natyrës individualiste, si esencë e modernitetit social?
Padyshim, nga disa sociologë mendohet se zhvillimi i internetit, zgjerimi i mundësisë së rrjeteve të komunikimit social, është gjetur si “antidot elektronik”, për të luftuar apo sulmuar individualizmin e thellë të jetës së njeriut. I cili sic duket qartë tashmë edhe në shoqërinë tonë, tenton të bëjë stil të jetës mënyrën e përvecme, gjithnjë e më të izoluar nga lidhjet dhe komunikimet sociale. Në një farë mënyre, njerëzit nëpërmjet internetit dhe rrjeteve sociale, përpiqen të kompensojnë virtualisht atë sasi të lidhjeve sociale dhe komunikimeve interpersonale që u mungojnë, që nuk i realizojnë dot në jetën e përditshme reale. Padyshim, zgjerimi i internetit dhe shumëfishimi i përdorimit të lidhjeve njerëzore përmes rrjeteve sociale, është reagim i sforcuar elektronik, që tashmë është bërë i mundur dhe i realizuar në “shtëpitë me kabllo”, si mënyra indirekte për të “korigjuar” disa nga patologjitë e shoqërisë moderne.
Padyshim ne duhet të pranojmë se tashmë në shoqërinë shqiptare shfaqen dukshëm dhe janë të hapura të mirat dhe difektet e modernitetit. Ato i kanë dhënë shoqërisë së sotme atë format social, e cila shpesh njeriut i duket herë realitet indiferent e pastaj ambient armiqësore ndaj “fatit të tij”. Nga ana tjetër, qytetërimi i sotëm shqiptar, nuk mund të jetë jashtë prirjes së thellë universale të shoqërisë moderne, në të cilën në mënyrë të natyrshme janë reduktuar dimensionet dhe veprimet sociale, duke i larguar njerëzit nga angazhimet e gjëra qytetare apo veprimet me “lëvizje kolektive”, që në të kaluarën janë konsideruar si mënyra e vetme për të ndryshuar apo përmirësuar gjërat që ndodhin në shoqëri.
Koha ka krijuar problemet e veta. Shqiptarët që jetojnë në kohën moderne dhe po binden gjithnjë e më shumë, se zgjidhjet e problemeve sociale me reagime kolektive apo veprime me kohezion social e solidaritet të fortë njerëzor, nuk janë gjithnjë të mundura. Mjafton të kujtojmë që edhe për një ngjarje të tillë, sic ishte akti i mostrës pedofile, reagimi civil dhe pjesëmarrja në protestën qytetare ishte pothuaj e vakët. Në kohën tonë problemet kanë ndryshuar kahjen dhe mënyrat e zgjidhjes. Sepse shumë gjëra nuk mund të zgjidhen duke pretenduar të “reformojmë shoqërinë”, për ta kaluar atë nga indiferenca qytetare në reagimin civil dhe angazhimin qytetar, por nëpërmjet reagimit dhe angazhimit individual të qytetarit si individ.
Në këtë kontekst, hapësira e internetit dhe zgjerimi i komunikimeve përmes rrjeteve sociale, është duke u përdorur jo vetëm në komunikimet dhe lidhjet individuale por dhe në formatin e reagimit sociologjik. Duke e vlerësuar sociologjikisht këtë realitet, duhet të kuptojmë të vërtetën që po ndodh në shoqëri, e cila ka prirjen jo aq të bazohet tek shoqëria dhe zgjidhjet sociale, por të kërkojë zgjidhje duke u “qëndërzuar tek individi” si qytetar. Kjo është arsyeja që për të angazhuar qytetarin në cështjet e jetës sociale dhe zgjidhjen e problemeve qytetare, kemi filluar të besojmë në mundësitë që krijojnë rrjetet sociale dhe që përmes komunikimit të shqetësimeve individuale, të krijojmë reagim social qytetar. Kjo është arsyeja pse po ecim, jo aq nëpërmjet shoqërisë reale, se sa duke krijuar komunitetete virtuale. Sociologët që studiojnë fenomenet moderne të jetës elektronike dhe dukurinë sociale të përzjerjes globale të qytetarëve në sistemet e shumta të rrjeteve që mundësojnë lidhjet sociale midis qytetarëve dhe tipologjinë e rrjeteve virtuale mikrokombëtare, mendojnë se kjo rrugë është bërë realitet i duhur social. Sepse, përderisa kemi një publik social indiferent, është e sigurt që do të zgjerohet baza e fenomenit social të krijimit të qytetarisë me bazament të fortë individual dhe gjithnjë e më shumë me “rrënjë të shkulura” sociale.
Komunikimi, dialogu dhe ndihma që qytetarët kërkojnë përmes komunikimeve në rrjetet sociale, është e lidhur me nevojën e krijimit të “komuniteteve virtuale”, që krijohen nga lidhjet në “site” me njëri tjetrin, për të krijuar opinion apo për të patur ndikim virtual në jetën sociale dhe veprimtaritë publike. Në të vërtetë, lidhjet e qytetarëve përmes internetit ,nuk se kanë ndonjë sukses të vërtetë dhe me ndikime reale në jetën sociale. Ndoshta nga që këto lidhje sociale elektronike më shumë bëhen lidhje banale, shpesh me mesazhe tëkotasociale, herë me natyrë të përgjithshme ose me prirje për konformizëm social. Në të vërtetë beteja për krijimin e komuniteteve virtual, përmes internetit dhe lidhjeve përmes kanaleve të rrjeteve sociale, është dukuri e lidhur me faktin që zhvillimet që po ndodhin në shoqërinë moderne shqiptare, kanë sjellë realitete të reja, që tregojnë se koha është faktor madhor që zbeh gjithnjë e më shumë lidhjet praktike dhe sidomos format e vjetra të solidaritetit njerëzor tradicional.
Por pavarësisht arritjeve dhe ndikimeve që ka internet, fuqisë evidente të rrjeteve të komunikimit social, është e pamundur që ato të mund të bëjnë të “tepërt” apo të zëvendësojnë nevojën e njerëzve për lidhje të vërteta sociale, për ndërtimin dhe funksionimin e solidaritetit komunitar, si lidhje konkrete me natyrë humane dhe impakt të vërtetë social. Rrjeti i komunikimeve sociale dhe lidhjet elektronike kanë vlerën e tyre, e cila sidoqoftë nga pikëpamja e ndikimit social është e kufizuar. Kjo është arsyeja që hapësira e përdorimit të internetit, fusha e zgjeruar e lidhjeve sociale që realizohën përmes rrjeteve sociale, nuk mund të bëhen “hapësirë zëvendësuese”, mënyrë për të kompensuar mungesat e funksionimit të komunitetit dhe lidhjeve sociale reale midis njerëzve. Qoftë të lidhjeve interpersonale apo nevojës së natyrshme për një nivel të caktuar të solidaritetit human. Njerëzit nuk mund ta mbajnë shoqërinë në këmbë, nuk mund të organizojnë komunitete duke i patur lidhjet njerëzore vetëm virtualisht, që ata të reduktohen nga qenie të gjalla dhe active, në adresa të ftohta elektronike, me të cilat lidhemi dhe komunikojmë për gjëra që janë virtuale apo periferike. Shoqëritë virtuale në rrjetin social nuk e zëvendësojnë rolin e shoqërisë reale dhe marrëdhëniet e vërteta njerëzore. Kjo sepse në shumë raste komunitetet e krijuara përmes rrjetit social, jo vetëm që janë komunitete virtuale, të paqarta dhe të pakonturuara nga pikëpamja sociale, por janë komunitete të njerëzve pa “territor”, ose sic konsiderohen në sociologji “shoqëri të shterritorializuara”.
Padyshim, zgjerimi i lidhjeve të njerëzve përmes rrjetit social është shkak i individualizmit dhe pasojë që e zgjeron mënyrën individualite të të vepruarit. Në këtë kontekst, lidhjet individuale elektronike nuk janë kurrë të mjaftueshme për të krijuar komunitete qytetare të qëndrueshme. Sepse komunitetet virtuale të krijuara elektronikisht nuk kanë lidhje të qëndrueshme, nuk kanë norma sociale të veprimit të kompaktësuar social, nuk njohin peshën e trusnisë sociale për të vepruar në mënyrë komunitare. Padyshim, është evidente, që interneti dhe lidhjet e personalizuara në rrjetin social, janë forma që nxitin akoma më shumë përhapjen e individualizmit ekstrem. Komunitetet virtuale nuk janë lidhje të qëndrueshme. Njerëzit janë më shumë të lidhur midis tyre me adresa elektronike, por që shfaqen dhe shuhen pa lënë gjurmë të mëdha sociale. Ideja se kjo është mënyra më e mirë e afirmimit të personalitetit individual, shijeve, hobeve, mendimeve personale, të cilat realizohen duke vendosur kontakte me të tjerët përmes rrjetit social, konsiderohet mënyra moderne e socializimit të njeriut të kohës sonë.
Në të vërtetë më shumë se afirmim të individit, rrjeti social mundëson “shmishërimin” e tij, sepse duke e bazuar tërësinë e lidhjeve sociale vetëm mbi bazën e rrjeteve elektronike, individi bëhet abstrakt ose i nominuar thjesht nga një adresë elektronike, që në fakt e mban larg lidhjeve sociale dhe realitetit të vërtetë jetik. Sipas sociologut të njohur Oliver Roy, “Individualizmi nuk sjell pra një diversifikim të përsiatjes dhe të mendimit, as një thellim të krizës, por më shumë një vetkonfirmim të konformizmit, një kërkim të një bashkëpëlqimi normative. Individualizëm nuk do të thotë krijimtari: ka përsëritje të ortodoksisë mëfortseparaqitje idesh vetjake.” (Oliver Roy, “Islami i globalizuar”, f 186)
Është iluzion i keq, besimi se rrjetet sociale janë mjet i mjaftueshëm për ta nxjerrë njeriun nga “izolimi sociologjik”, apo që ato krijojnë mundësi dhe shanse për të patur marrëdhënie sociale të mjaftueshme. Nuk mund të bëhet shoqëria me komunitete virtuale, me “grumbuj individësh” që kanë lidhje elektronike, por nuk kanë lidhje konkrete midis tyre. Megjithë vlerën që mund të kenë lidhjet në internet, marrëdhëniet në rrjetin social, ato sidoqoftë mbeten lidhje që janë jashtë “shoqërisë reale”, larg marrëdhënieve të vërteta sociale…

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *