Ad
Nacionalizmi është sëmundja e skizofrenis së kohës që po jetojmë

Nacionalizmi është sëmundja e skizofrenis së kohës që po jetojmë

Ad

Nacionalizmi sot paraqet produkt te vektorëve politik divergjent, të cilët prapë se prapë janë nën mbulesën neoliberale. Idologjia neoliberale mbzotëron në mënyrë absolute dhe monolite dhe përsëri jemi dëshmitarë të mungesës së një konsenzusi më të gjërë shoqëror për modelin e shoqërisë dhe pushtetit! Divergjenca është cipa e nevojshme për ekzistencën simbolike të shumësisë në spektrin politik që të mund të mundësohet pluralizmi i stalinizmit zgjedhor. Cilado qoftë zgjedhje politike në dispozicion të qytetarëve, ajo në thelb është etnocentrike dhe neoliberale. Inaugurimi i ideologjisë së re nacionale nuk është asgjë tjetër veçse tentim për tu mbuluar apo zëvendësuar nevoja për një konsenzus të hapur shoqëror me një naracion të tillë që mundohet ta legjitimon sistemin e vendosur politik dhe institucional që funksionon nën mbështjellësin e tranzicionit të pafund.

Si është e mundur të flitet për ideologji nacionale apo nacionaliste në kushte të mbizotërimit të ideologjisë neoliberale?! Duke e patur parasysh tezën themelore neoliberale për të sotmen, e cila në stilin e Fukujamës e përcakton atë si erë post-politike, si erë pa ideologji, e cila vet më vetë është deklarim më se ideologjik dhe e cila tenton të rrënjos bindjen që e stomja është produkt i rrjedhojave natyrore në ekonomi pa asnjë përmasë ideologjike, naracioni nacional pozicionohet si paraqitje që mund të receptohet dhe pranohet si ideologji e vërtetë. Mu për shkak të përmbajtjeve të tij mitologjike, diktatit emotiv, të thirrjes në viktimën dhe suksesshmërisë që ti transhedentojë çështjet sociale, nacionalizmi përjetohet bile edhe si ideologji par excellence. Mjetet e neoliberalizmit, si kulturalizimi i problemeve socio-shoqërore, deregullimi i përgjithshëm dhe ndarja në nëngrupe janë në favor të jashtëzakonshëm të nacionalizmit. Nga njëra anë e gjithë shoqëria ndahet në nëngrupe, të cilat përmes kulturalizimit organizohen në grupe etnike, për shembull në shqiptarë dhe maqedonas, ndërsa tendenca e mëtejme e ndarjes të vetë grupeve etnike kundërshtohet me idenë e unitetit dhe bashkimit kombëtar, me çka nacionalizmi vendoset edhe si përgjigjje bashkëkohore ndaj efekteve të dëmshme të neoliberalizmit.

Koncepti i interpelimit të qytetarit në nacionalizëm është i ngjashëm me atë përmes të cilit ideologjia e adreson subjektin para-ideologjik duke e prodhuar atë si subjekt të vërtetë, e në kontekstin tonë, si shqiptar të vërtetë, maqedonas, etj. Vetë vetëdija për tjetrin është një formë e ideologjisë, e ajo që nacionalizmi e bën është kolektivizimi dhe identizimi kulturor dhe lingusistik i tjetrit. Si praktikë ideologjike, nacionalizmi sot në Maqedoni shërbehet më aparatet e njohura ideologjike, familjen, mediumet, organizatat religjioze, sistemin arsimor, etj. Sfida më e rëndësishme sot është të kalohet nga retorika banale e marrëdhënieve ndëretnike në domenin e ideologjisë, mu për shkak të faktit që të gjithë përoblemin e ndarjes etnike në Maqedoni duhet ta vendosum në binarët e politikës dhe t’i rekonfigurojmë çështjet e ditës. Ajo në të cilën jemi dëshmitarë në skenën formale politike është shpërdorim i fushës së politikes nga ana e partive që në kundërshtim me konceptin e politikës, i vendosin parametrat dhe antagonizmat etnikë si paraqitje natyrore. Për këtë arsye, incidentet ndëretnike të kohës së fundit, nga kjo perspektive analitike- dmth politike dhe ideologjike, nuk janë aspak të papritura. Nëse e shohim se si përmes interpelimit ideologjik shqiptarët dhe maqeodnasit subjektivizohen në atë që është shqiptare dhe atë që është maqedonase, atëherë me të vërtetë duhet të jemi të suprizuar që incidente të tilla ndodhin aq pak dhe aq rrallë. Potencialiteti që është prodhim i dallimit të rendit simbolik të shqiptarëve dhe maqedonasve është shumë më i madh se sa ajo që e shohim ditëve të fundit.

Në Maqedoni ndërtohen dy rende të ndryshme simbolike kolektive, ai i shqiptarëve dhe i maqedonasve. Të dy rendet ekzistojnë njëkohësisht, paralelisht në shtet unitar. Edhepse Maqedonia është shtet unitar, modeli i pushtetit është binar, shqiptar dhe maqeodnas. Ashtu siç veçmë është vendosur, edhe VMRO edhe BDI në kuadër të qeverisë së njejtë sjellin vendime politike të cilat e forcojnë rendin simbolik maqedonas, që është ekskluzivsht maqedonas dhe rendin simbolik shqiptar që është ekskluzivisht shqiptar. Kur për këtë nuk ka konsenzus, atë e bëjnë në mënyrë jashtë-qeveritare, jashtë-institucionale. Shkupi 2014 për numrin më të madh të maqedonasve paraqet përparim dhe përforcim të shtetësisë dhe historisë, ndërsa për shqiptarët paraqet shtrembërim, shënim teritoresh, etj, por prandaj ndërtohet sheshi paralel i Skenderbeut, gjithashtu me mjete nga qeveria. Në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit që organizohet nën patronazhin e Sekretariatit, përfaqësuesit qeveritarë maqedonas mungojnë, e në mënyrë të njejtë mungojnë edhe përfaqësuesit shqiptarë në festimin e Ilindenit. BDI e festoi 28 nëntorin, ndërsa VMRO e festoi 20 Tetorin. Nxënësit shqiptarë dhe maqedonas, me vendime politike ndahen në ndërrime dhe objekte të veçanta. Përfaqësues qeveritarë e vizitojnë Tarçullovskin në Hagë që është një kriminel i dënuar lufte, ndërsa me vendim qeveritar gjithashtu jepet amnesti për torturimin e punëtorëve të Mavrovës. Kryeministri e promovon enciklopedinë, ndërsa partnerët e tij qeveritarë organizojnë protesta kundër saj…! Edhe sa raste të tilla mund të jepen…? Rendi simbolik është ai sajim që na e strukturon përjetimin e realitetit. Si përmes këtyre vendimeve politike, shqiptarët dhe maqedonasit, duhet të kenë një përjetim të njejtë të realitetit në Maqedoni !? Dëshirat, zgjedhjet, qëllimet, preferencat, mendimet nga rendi simbolik shqiptar dhe ai maqedonas janë prodhim-pasojë e vendimeve politike.

Mu politika, mënyra e qeverisjes dhe vendimmarjes e ka kushtëzuar dallimin e sotëm në realitetin e Maqedonisë. Mu për këtë tensionet e fundit nuk janë aspak befasuese dhe mu për shkak të faktit që të gjitha problemet e deritanishme janë zgjidhur nga ana e të njejtave struktura përmes NDARJES dhe manupulimit, duke i krijuar këto ‘komunitete’ dhe duke e mirëmbajtur dallimin mes tyre. E pritshme është që një qeveri dhe politikë shizofrene do të prodhonte një shoqëri dhe shtet shizofren.

Për shkak se logjikën e kemi ‘të ndarjes’ kuotat diskriminuese për shqiptarët në universitetin e Shkupit ishin të tilla për shkak të një vendimi politik dhe mu me një vendim politik tjetër u legalizua universiteti i Tetoves si një universitet i veçantë në gjuhën shqipe. Duam apo jo, sot Maqedonia është faktikisht e ndarë. Anketa e gazetës Dnevnik tregoi që shqiptarët në një përqindje dërmuese mendojnë që Maqedonia udhëhiqet në drejtim të gabuar, ndërsa maqedonasit në të kundërtën, mendojnë që ajo po shkon në drejtim të duhur. Kjo tregon për dallimin në rendet simbolike, të cilët si të tillë janë ndërtuar me vendime politike. Shizofrenike janë rezultatet e shqiptarëve të anketuar të cilët përderisa nuk pajtohen me drejtimin në të cilin udhëhiqet shteti, më së shumti përkrahin partinë shqiptare në pushtet, pra atë që e udhëheq shtetin. Një ndarje dhe dallim i tillë kur veçmë kemi shkolla të ndara, mediume të ndara, parti, teatro, univesitete, lagje, jetë nate, etj, mund ta zgjidhim, me qëllim të daljes nga gjendja e tillë shizofrenike, përmes dy modeleve. Njëri, duke e adaptuar modelin politik të rregullimit shtetëror ndaj realitetit shoqëror që do të rezultonte në federatë, që do të thotë ndarje për zgjidhje të shizofrenisë. Ose, do ti dekonstruktojmë si sajime artificiale rendet e ndryshme të shqiptarëve dhe maqedonasve, si pasoja të vendimeve politike, dhe mu përmes intervenimit diskursiv dhe ideologjik në politiken do të ndikojmë në dekonstruktimin e tyre dhe rekontekstualizimin e asaj që realisht është e rëndësishme për shqiptarët dhe maqedonasit.

Unë jamë për të dytën dhe për këtë angazhohem për shkak të besimit tim të thellë që të jesh shqiptar apo maqedonas do të thotë të kesh agjenda politike të ngjashme, të ngjashme deri në masë të jenë të njejta, për shkak se këtu në mënyrë parësore flasim për njerëz të cilët janë të privuar nga aftësia për të qenë subjekte të vërteta politike përmes sulmit të pandërprerë ndaj identitetit të tyre të plotë me qëlim përlartësimin e pjesës nacionale që është përjashtuese dhe pamundësuese.

Në kushte të tilla, neve na duhet një diskurs i fuqishëm antinacionalist. Përderisa disa mendojnë që nacionalizmi mund të jetë i mirë dhe jo i dhunshëm, në formë të dashurisë ndaj kombit, për mua, nacionalist është ai për të cilin çështjet kombëtare janë para së gjithash çështjet më të rëndësishme politike, e duke pasur parasysh kontekstin tonë, nacionalizmi padyshim do të sjell në përplasje të vazhdueshme.

Ne gjithashtu duhet ta tejkalojmë konceptin e marrëdhënieve ndëretnike. Për të patur marrëdhënie të duhen së paku dy pjesë, e për marrëdhënie etnike, dy etni. Të vendosura në marrëdhënie të rendeve të kundërshtuara simbolike, këto gjithmonë do të përcaktohen nga lufta për mbisundim dhe nënshtrim të njërit ndaj grupit tjetër. Në Maqedoni kemi nevojë ta mendojmë homogjenitetin pa mos pasur ndonjë marrëdhënie me veten, që është edhe ajo një karakteristikë e shizofrenisë. Një diskurs i tillë është i mundur edhe pse duket i pamundur nga perspektiva e tanishme e mbisundimit të konstrukteve përmes vendimeve politike që insistojnë në ndarje. Kur kryeministri deklaron që nëse në regjistrimin e popullsisë paraqiten më shumë shqiptarë se në atë të fundit kjo do të rezikontë interesat kombëtare dhe shtetërore, dhe kur nënkryetar i kuvendit deklaron që nëse maqedonasit nuk duan, shqiptarët do të shkojnë vetë në UE, kjo paraqet një sjellje indikative të koordinimit të nënkuptuar. Sa shumë janë plotësuese këto du deklarime njëri më tjetrin: shqiptarët ndihen sikur janë një gjë e jashtme për shtetin, një rezik, ndërsa maqedonasit i shohin shqiptarët si ata që duan të marrin një pjesë të shtetit, i cili sipas këtyre i trajton ata si gjë e jashtme për shkak se ata duan të marrin një pjesë të tij për shkak se shteti i trajton si të jashtëm, etj…etj.

Problemi nuk është që incidentet e fundit po keqpërdoren, problemi është në mundësinë e lehtë të incidenteve të tilla. Nëse është aq e mundur dhe e lehtë që të krijohet tension, gjithmonë do të ketë parti që do të duan ti shfrytëzojnë të njejtat. Nuk është problem emancipimi i partive, por sfida është eliminimi i modelit të tanishëm të politikës, me parti krejtësisht të reja dhe model rektësisht të ri tek i cili do të arrijmë përmes subjektivizimit politik të qytetarëve. Dhe këtu mediumet e luajtën rolin e rëndësishëm. Dhe ata u lëshuan në modelin e ndarjes dhe e përkrahën procesin e ndërtimit të imazheve të armikut. Mediat shqiptare reportuan për sharjet dhe nënçmimet ndaj shqiptarëve, ndërsa ato maqedonase për sharjet dhe nënçmimet ndaj maqedonasve dhe sado që kontribuan në ngritjen e vetëdijes për paraqitjet e tilla, më shumë kontribuan në përcjelljen e porosive të urejtjes. Pasiqë këto u përcollën, dëmi veçmë ishte shkaktuar, rendet simbolike u përforcuan, shizofrenia u bë akoma më e pranishme.

Duke udhëtuar nga Tetova për në Shkup dhe anasjelltas më tronditi afërsia thelbësore e luftarëve të rënë nga rradhët e UÇK-së dhe ‘branitellave’. Kjo njejtësi është e tmershme, nëse jo edhe brutale. Ato familje që i humbën më të afërmit e tyre për naracionet e mëdha kombëtare sot janë më të dëshpëruarit, më të haruarit dhe më të afërmit njëkohësisht. Nëse këto naratcione nacionaliste ishin të vërteta deri në masë të vrasjes së luftarëve njëri me tjetrin, atëherë koalicioni ndërmjet VMRO dhe BDI do të duhej të ishte absolutisht i pamundur. Mundësia e një koalicioni të tillë tregon për pavërtetësinë dhe karakterin artificial të këtyre naracioneve të sajuara. Ajo që duhet të bëjmë është që ta flakim këtë konstrukt ideologjik i cili përmes aparateve të ndryshme ideologjike u vendos dhe po shfaqet si gjendje natyrore, si normalitet natyror në të cilin shqiptarët dhe maqedonasit janë të ndryshëm në natyrë dhe si të tillë urehen. Sfida jonë qëndron në intervenimin diskursiv dhe ideologjik në fushën e politikes përmes dekonstruktimit të konstrukteve nacionale me qëllim të zhbërjes së faktit që ne veçmë e jetojme luftën që po zhagitet

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *