Ad
Master për kriminalistikën në Fakultetin e Drejtësisë

Master për kriminalistikën në Fakultetin e Drejtësisë

Ad

Zv/ministrja Romina Kuko gjatë aktiviteti për lançimin e masterit për kriminalistikën, ngritur në bashkëpunim mes OSBE-së dhe Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës u shpreh se thelbësore në parandalimin e ngjarjeve kriminale është zbulimi i shkakut.

Gjatë aktiviteti, ku morën pjesë dhe Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha, si edhe ambasadori britanik, Duncan Norman, zv/ministrja Kuko bëri të ditur se pranë Akademisë së Sigurisë është duke u çelur një Qendër Kërkimore për Parandalimin e krimit apo dhunës.

Sipas Kukos, kjo qendër është bazë për të kuptuar shkaqet që të çojnë në një krim dhe në të duhet të përfshihen persona që kanë njohur në fushën e kriminalistikës dhe ky master i vjen në ndihmë kësaj qendre.

“Një shprehje thotë, një shoqëri përgatit krimin, krimineli e kryen atë. Disa vite më parë kur punonim mbi faktorët që shtyjnë drejt ekstremizmit të dhunshëm, u përpoqëm të kuptonim arsyen se përse disa individë kryejnë këto krime, ndërsa disa të tjerë, në po të njëjtat kushte nuk e kryejnë këtë krim. Kemi kuptuar se në shumicën e rasteve kemi qenë të fokusuar te fakti se si kryhet një krim dhe jo te shtysat përse kryhet një krim”, tha Kuko.

Sipas saj, Ministria e Brendshme ka ndërmarrë dhe disa programe në kuadër të parandalimit të krimit. “Ministria e Brendshme vijon e përfshirë në parandalimin e kriminalitetit. Policimi në komunitet ka pikërisht këtë filozofi, pra parandalimin. Po pa kuptuar rrënjët, shkaqet, është e pamundur të kemi rezultate të mira”, tha Kuko.

“Masteri që prezantojmë sot është pjesë, copëza e munguar e pazëllit në luftën ndaj krimit. Dua t’ju jap vetëm një shifër të thjeshtë, në luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm një përqindje shumë e madhe e të përfshirëve janë persona që kanë pasur probleme në fëmijërinë e tyre, apo që janë dhunuar në familje”, theksoi Kuko.

“Është shumë e rëndësishme që ky program të jap rezultatet e para dhe ne të kemi platformat tona gati, që kush përfundon këtë master t’i vërë në zbatim dijet e marra. Jeta akademike s’mund të jetë e ndarë nga institucionet dhe për këtë arsye ato duhet të ndërveprojmë së bashku”, tha zv/ministrja Kuko gjatë fjalës së saj.

Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe Ambasadën britanike, prezantoi sot projektin për ngritjen e një programi master ndërdisiplinor në fushën e kriminalistikës.

Programi master do të përmirësojë kapacitetet kërkimore të profesionistëve, akademikëve dhe politikëbërësve në identifikimin e shkaqeve themelore të krimeve. Projekti parashikon, ndër të tjera, zhvillimin e strukturës dhe të kurrikulës për Programin Master në Kriminalistikë, ngritjen e kapaciteteve të Universitetit të Tiranës për ta administruar programin, dhe mbështetjen e kursit të parë dyvjeçar.

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *