Ad
Lufta e Vlorës: E quajtën një “kryengritje barinjsh”, por italianët ikën të turpëruar nga Shqipëria

Lufta e Vlorës: E quajtën një “kryengritje barinjsh”, por italianët ikën të turpëruar nga Shqipëria

Ad

Shqipëria e shpalli pavarësinë më 28 nëntor 1912, akt që iu njoh zyrtarisht 6 muaj më vonë, me kufijtë e cunguar që lanë jashtë gjysmën e popullsisë dhe trojeve etnike. Por pavarësia u vu seriozisht në pikëpyetje gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, kur edhe pse vendi kishte shpallur neutralitetin e tij, u shndërrua në një fushëbetejë mes 2 blloqeve ndërluftuese.

Pasi përfundoi lufta, forcat e huaja u larguan, me përjashtim të atyre greke në jug, serbe në verilindje, dhe italiane në jugperëndim. Pikërisht këto të fundit qëndruan më gjatë, dhe nuk donin që të largoheshin nga Vlora dhe rrethinat. Për Romën, pjesë perëndimore e Shqipërisë ishte trofeu që i ishte premtuar nga aleatët, për hyrjen në luftë në vitin 1915, pas Traktatit të fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915, sipas së cilës pas luftës Shqipëria pushonte se ekzistuari duke u ndarë midis Italisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.

Ky traktat famëkeq, u bë publik gjatë zhvillimeve të Konferencës së Paqes në Paris, dhe indinjoi jo vetëm shqiptarët por edhe amerikanët, që e hodhën poshtë atë. Traktati u hodh zyrtarisht poshtë nga Kongresi i Lushnjes, që doli me vendimin jo vetëm e krijimit të një qeveria të re, por edhe për spastrimin e gjithë territorit të vendit nga ushtritë e huaja.

Për këtë arsye, Lufta e Vlorës e qershor-gushtit 1920, ishte e një rëndësie të madhe në përpjekjet e Shqipërisë për ruajtjen e territoreve të saj, dhe rikonfirmimin e pavarësisë. Kryeministri Sulejman Delvina, i nxiti krahinat e jugut për të dëbuar me luftë forcat italiane. Që në shkurt të atij viti, u mbajtën mbledhjet e pleqësive të fshatrave të Labërisë, për të përgatitur kryengritjen. Në fillim të muajit maj, italianët nuhatën përmes agjenturës së tyre organizimin e kryengritjes popullore dhe morën masa. Më 16 maj ata shpallën gjendjen e jashtëzakonshme në krahinën e Vlorës, nisën arrestimet dhe torturuan disa atdhetarë të njohur, që dyshohej se ishin në krye të lëvizjes.

Më 29 maj 1920, u mbajt në Barçalla kuvendi i të gjitha krahinave të Vlorës. Ai miratoi njëzëri shpalljen e kryengritjes së përgjithshme. U caktuan komandantët e çetave për çdo fshat, dhe u vendos që të gjitha forcat kryengritëse, rreth 4 mijë, të mblidheshin në Beun më 2 qershor. Mehmet Selim Mallkeqi, i caktuar nga komiteti, i dorëzoi ultimatumin e parë gjeneralit italian Piaçentini, për t’u larguar nga vendi. Ky i fundit e priti me arrogancë dhe ironi ultimatumin. Sipas tij, Italia nuk mund të trembej nga një “kryengritje barinjsh”.

Duhet theksuar se kryengritësit shqiptarë ishin të armatosur keq, dhe jo të gjithë. Një pjesë e mirë kishin armë, por të tjerët mbanin në duar mjete rrethanore si sëpata, thika dhe hanxharë. Në Vlorë dhe fshatrat përreth, ishin të stacionuar rreth 15.000 ushtarë italianë, të pajisur me armatimet më moderne të kohës.

Luftën e nisi e para çeta e Kuçit, që rrethoi postëkomandën e karabinierisë italiane në fshat, duke arritur të dëbonte prej andej 60 trupat italiane. Mbrëmjen e 4 qershorit, në errësirën e natës, u prenë linjat telefonike të Vlorës nga garnizonet në terren, duke paralizuar kësisoj ndërlidhjen italiane. Po ashtu, u prishën urat e rrugët, dhe u çarmatosën pa luftë të gjitha postat e karabinierisë, duke i mbajtur robër forcat e tyre.

Ndërsa më 5 qershor, çetat rrethuan e sulmuan forcat italiane në Gjorm, nga disa drejtime. Luftimet ishin të ashpra, deri edhe në përleshje trup me trup, ku pati shumë të vrarë nga të dyja palët. Dhe pas disa orësh, italianët u dorëzuan. Fitorja, e rriti moralin dhe besimin e luftëtarëve në forcat e veta për çlirimin e Vlorës.

Sulme të ngjashme u ndërmorën në ditët në vijim në Kotë, Drashovicë dhe pika të tjera. Në dy javët e para të luftimeve, kryengritësit shqiptarë patën 25 të rënë dhe mbi 150 të plagosur. Kurse italianët 200 të vrarë, mbi 1.000 të plagosur dhe rreth 1.500 ushtarë e oficerë robër.

Megjithatë këto shifra duhen marrë me rezerva, pasi vinin nga pala shqiptare, në një kohë që pala italiane flet për pak të vrarë dhe dhjetëra të plagosur. Në fakt, italianëve në Itali u kishte ardhur në majë të hundës nga lufta. Ata hynë vërtet gati një vit më vonë në Luftën e Parë Botërore, por pësuan disa prej humbjeve më të rënda, ku më epikja është ajo në Kaporeto përballë austriakëve.

Forcat e majta dhe lëvizjet e ndryshme pacifiste, po fitonin shumë ndikim, dhe përkraheshin shumë nga media.

Zëra rebelë kishin nisur të shfaqeshin në ushtri, teksa divizone të tëra po refuzonin t’i bindeshin urdhrit për t’u mobilizuar dhe shkuar në Vlorë. E përditshmja ”Picolo giornale d’Italia” e përshkruante kështu Luftën e Vlorë më 12 qershor 1920:“Po jetojmë orë të tmerrshme. Të ngjethet mishtë nga pamja e mjerueshme e qytetit. Disa thonë se kryengritësit janë 5.000 vetë, të tjerë thonë 10.000 vetë, por asgjë nuk dihet me siguri. Është e pamundur të vërtetosh numrin e saktë të humbjeve  tona, dhe ato të kryengritësve…”.

Revolta më e rëndësishme ishte ajo e bersalierëve në qytetin-port të Ankonës, por edhe qytete të tjera italiane më 26-29 qershor 1920. Lëvizja nisi në një kazermë, kur një regjiment ushtarësh refuzuan të shkonin në Vlorë. Lëvizja u mbështet menjëherë nga popullata civile dhe u përhap në qytete të tjera, deri në një grevë të përgjithshme, me moton “Via da Valona” (Të ikim nga Vlora).

Qeveria italiane e shtypi revoltën në gjak, duke dërguar disa anije në Ankona për të bombarduar qytetin. Ndërkohë kryengritësve në rajonin e Vlorës, po u vinin në ndihmë luftëtarë shqiptarë nga i gjithë vendi, por edhe nga Kosova. Numri i kryengritësve në kulmin e luftimeve, mendohet se mbërriti në 10 mijë.

Rasti më frymëzues ishte ai i një grupi emigrantësh shqiptarë, anëtarë të federatës Vatra në Shtetet e Bashkuara, që udhëtoi për 23 ditë me vapor nga SHBA-ja në Durrës, për të luftuar kundër italianëve. Përparimi i trupave shqiptare, si dhe lëvizjet revolucionare komuniste dhe trazirat brenda ushtrisë në Itali, pamundësuan përforcimet për ushtarët italianë në Vlorë.

Në këto kushte, italianët kërkuan armëpushim, dhe më 2 gusht 1920 nënshkruan me shqiptarët protokollin shqiptaro-italian, sipas të cilit Italia do të tërhiqej nga Shqipëria, duke njohur pavarësinë dhe sovranitetin e plotë të shtetit shqiptar. Italia ruajti vetëm kontrollin e ishullit të Sazanit, si një garanci të kontrollit ushtarak italian mbi kanalin e Otrantos.

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *