Ad
Kush fshihet pas Shekspirit? Mbi 300 personalitete mendojnë se gjeniu është dikush tjetër

Kush fshihet pas Shekspirit? Mbi 300 personalitete mendojnë se gjeniu është dikush tjetër

Ad

Kush fshihet pas Shekspirit?
Mbi 300 personalitete mendojnë se gjeniu është dikush tjetër

Dyshimi kryesor janë provat e pakta të ekzistencës që ka lënë pas vetes dramaturgu anglez

Ashtu si autopsitë e trupave të alienove dhe pranisë së një qitësi të dytë në vrasjen e Presidentit amerikan Kenedi, besimi se emri i Shekspirit është veç një mbulim dhe se i ka shkruar dikush tjetër veprat e tij nuk arrin të çrrënjoset. Skeptikët nisën ta vinin në dyshim identitetin e vërtetë të gjeniut në fund të shekullit XIX. Që atëherë, teoria e ekzistencës së një autori tjetër ka fituar legjitimitet falë këmbënguljes së disa studiuesve dhe historianëve. Tani, thuajse 300 personalitete kanë kërkuar publikisht që teoria e tyre të merret seriozisht në konsideratë.

Më 10 shtator, aktori shekspirian Derek Xhekobi dhe ish-drejtori artistik i “Shakespeare‘s Globe Theatre”, Mark Rilans, shpallën publikisht “deklaratën e dyshimit të arsyeshëm”. I përpiluar nga “Koalicioni i autorësisë së Shekspirit” (një fondacion dedikuar tërheqjes së vëmendjes së publikut mbi identitetin e vërtetë të gjeniut të dramës), dokumenti i kërkon botës akademike të pranojë se “ka mjaft hapësirë për të pasur dyshime mbi identitetin e Shekspirit” dhe që këtij problemi t‘i jepet rëndësia e duhur nga ana e studiuesve.

Bashkë me firmat e Xhakobit dhe Rilensit gjenden ato të Çarls Çamplin, ish-redaktori për artin i së përditshmes amerikane “L.A. Times”; Maikëll Delahoid, profesor në Universitetin e Uashingtonit dhe Robin Foks, profesor i teorisë shoqërore në Universitetin Rutxhers të Nju-Xhersit. Por edhe disa emra më të famshëm, si Mark Tuein, Çarls Dikens dhe Orson Uells, gjenden në listën njerëzve që besonin se nën firmën e Shekspirit fshihej dikush tjetër.

Në zemër të debatit qëndron fakti se, për një njeri aq të aftë me penën, e që e kaloi jetën duke shkruar, Shekspiri ka lënë prapa shumë pak prova të ekzistencës së tij. Pjesa më e madhe e studiuesve bien dakord se ekzistojnë mjaftueshëm prova për të vërtetuar se Uilliam Shekspir lindi në Stratford mbi Avon, u bë aktor dhe u kthye në qytetin e lindjes deri kur vdiq në vitin 1616. Por udhët e mbështetësve të secilës teori ndahen pikërisht këtu.

Stratfordianët, siç njihen, besojnë se Uilliam Shekspir është i njëjti individ që shkroi atë, që më pas do të vlerësohej si vepra më e madhe letrare në historinë Britanike. Antistratfordianët thonë se nuk ekziston asnjë e dhënë bindëse për të lidhur Shekspirin me dramat, poemat dhe punët e tjera që i atribuohen atij. Dhe kështu nis loja e polemikave.

Stratfordianët vërejnë se emri i Shekspirit është shtypur në faqet e shumë dramave të publikuara gjatë kohës që ishte gjallë. Antistratfordianët nënvizojnë se askush nuk e ka idenë as si e shkruante Shekspiri emrin e vet: gjenden vetëm gjashtë firma të hedhura me shpejtësi nga dora e tij, të cilat mund të lexohen në mënyra të ndryshme. Stratfordianët thonë se disa bashkëkohës e zënë në gojë Shekspirin në veprat e tyre; pala tjetër këmbëngul, se i referohen vetëm si aktor, pa e përmendur kurrë si autor.

Pastaj, ekziston një dallim i qartë mes jetës së Uilliam Shekspir dhe jetëve për të cilat shkroi në veprat e tij. Antistratfordianët dalin me tezën se vepra e tij karakterizohet nga njohja e shkëlqyer e literaturës botërore, e gjuhës, e jetës aristokratike dhe udhëtimeve jashtë vendit – gjëra që duhej të ishin krejt të huaja për aktorin e një qyteti të vogël pa shkollim universitar. Siç shkruhet në Deklaratë, “studiuesit nuk kanë asnjë ide për mënyrën si ai e krijoi atë bagazh të thellë e të detajuar njohurish që tregohet më së miri në vepër”. Është kjo arsyeja për të cilën për të gjetur Shekspirin e vërtetë këta studiues i hedhin sytë tek aristokratët dhe njerëzit që kishin luksin për të udhëtuar nëpër botë. Eseisti Frensis Bekon, poeti dhe dramaturgu Kristofer Marlou, aristokrati Eduard de Ver: janë këta kandidatët më të mundshëm.

Por pala tjetër e hedh poshtë me forcë këtë snobizëm, duke thënë se edhe një formim më se normal do të kish mjaftuar që Uilliami të arrinte të shkruante veprat e famshme. Dhe këtë stratfordianët kërkojnë ta argumentojnë, duke ngulmuar te fakti që shumica e dramave të Shekspirit janë adoptuar nga vepra më të hershme. Sipas tyre, Uilliami u mbështet tek autorë të tjerë për të kompensuar atë që nuk kishte marrë në universitet apo përvojat e munguara të udhëtimeve. “Ata argumentojnë se Shekspiri në vepra është mbështetur shumë edhe te përvojat personale”, thotë Xhonatan Beit, një ndër emrat kryesorë të stratfordianëve. “Por një imazh i tillë – ku shkrimtari fut shumë nga vetja në vepër – i autorëve është shumë i vonshëm, një ide shumë romantike në literaturë. Në kohën kur Shekspiri shkroi punët e tij, nuk veprohej kështu”.

Por pak rëndësi ka fakti nëse këto kryevepra të letërsisë botërore i shkroi Shekspiri, De Veri apo Frensis Bekon – çfarë do ndryshojë në rëndësinë e tyre në rast se mësohet që autori ka përdorur emër të rremë. Përse gjithë kjo zhurmë? Që të dyja palët i mëshojnë idesë se zbulimi i identitetit të njeriut që qëndron pas “Hamletit” e “Mbretit Lir” është thelbësor për kuptimin e veprave. “Interpretimi që i bëjmë veprave të Shekspirit do të ishte krejt i ndryshëm në rast se do dinim me saktësi kush i shkroi”, thotë Bill Ribinshtein, profesor historie në Universitetin e Uellsit, njëherësh edhe këshilltar akademik në fondacionin “Koalicioni i autorësisë së Shekspirit”. “Në rast se ka qenë i përfshirë thellësisht në politikë, për shembull, çdo rresht i secilës vepër do të kishte motivime të tjera”, shton profesori.

Me anë të “Deklaratës së dyshimit të arsyeshëm”, firmëtarët e koalicionit nuk duan të thonë se dinë kush i ka shkruar punët e Shekspirit, por që kjo pikëpyetje “të vlerësohet me rëndësinë e duhur nga qarqet akademike, si një çështje së cilës i duhen kushtuar studime e thellime”.

Me këtë shpresë, Uilliam Lihi, kreu i katedrës së anglishtes në Universitetin Brunel, për herë të parë do të përfshijë në kurset e tij edhe leksione mbi autorësinë e Shekspirit. “Studimet mbi Shekspirin merren me veprën e tij, duke e trajtuar nga shumë këndvështrime – feminist, postkolonialist, historik”, thotë ai. “Mendoj që do të ishte rëndësishme që ta përfshinim edhe autorësinë mes tyre”

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *