Ad
Kryeprokurori i ri fut në “rreth” politikën, me prokurorët “piketon” dosjet për SPAK-un

Kryeprokurori i ri fut në “rreth” politikën, me prokurorët “piketon” dosjet për SPAK-un

Ad

Çela ka kërkuar referimin ndaj nenit 75/a të Kodit Penal që përfshin hetimin nga Presidenti tek zyrtari më i thjeshtë abuzues. “Selektimi” i dosjeve fillon nga tragjedia e marsit 1997 e me vdekjet misterioze të ish kryeparlamentarit Arbnori, ish ministrit të Mbrojtjes Zhulali, ish kreut të SHIK Gazidede, Spahisë e njerëzve afër Berishës, vijoi te ‘Gërdeci’, ‘Rruga e Kombit’, vjedhja e floririt në Krrabë, ‘21 janari’, afera CEZ-DIA, përgjimi i Priftit për Metën, koncesionet e Ramës në shëndetësi, rrugë dhe shërbime të tjera

Kryeprokurori i ri Olsian Çela ka shfrytëzuar sot një takim me Prokurorët e Krimeve të Rënda për të kërkuar në mënyrë konkrete kalimin e dosjeve të rënda në duart e SPAK.

Teksa një ditë më parë Çela ka nxjerrë udhëzimin që të gjitha këto dosje të transferohen në duart e institucionit më të lartë të ngritur për të hetuar “peshqit e mëdhenj” të politikës shqiptare, sot ka qënë më specifik në kërkesën e tij.

Prokurori i ri i Përgjithshëm ka qënë konkret, kur ka kërkuar në mënyrë të prerë që, të gjitha dosjet e rëndësishme të parashikuara në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale, kalojnë në duart e SPAK-ut, që pritet të ngrihet më 19 dhjetor, me apo pa dëshirën e Ilir Metës.

Ky nen ka një gamë të gjërë parashikimesh dhe “ngjitet” pikërisht në nivelin që kërkojnë partnerët tanë ndërkombëtarë SHBA-BE, duke filluar nga Presidenti i Republikës e deri tek zyrtari më i thjeshtë që ka abuzuar me detyrën.

Çfarë thotë neni i Kodit të Procedurës Penale, për kompetenca e organeve të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, i ndryshuar pas votimit të Reformës në Drejtësi?!

Neni 75/a (Shtuar me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002 dhe ndryshuar me ligjet nr.9276, datë 16.9.2004, nr.9911, datë 5.5.2008, nr.145, datë 2.5.2013, nr. 21, datë 10.3.2014, nr. 99, datë 31.7.2014 dhe nr. 35/2017, datë 30.3.2017)

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjykon:

  1. a) krimet e parashikuara nga nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 257, 258, 259, 259/a, 260, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç,

319/d, 319/dh dhe 319/e;

  1. b) çdo vepër penale e kryer nga grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, organizata terroriste dhe banda e armatosur, sipas përcaktimeve të Kodit Penal;
  2. c) akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kryetarit të bashkisë, deputetit, zv.ministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qëndrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj;

ç) akuzat penale kundër ish-funksionarëve të mësipërm, kur vepra është kryer gjatë ushtrimit të detyrës”, thuhet në Kodin Penal.

Pra Çela orienton prokurorët se cilën kategori krimi dhe niveli qeverisës duhet të godasin që në fillim me përparësi dhe me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Kryeprokurori i ri, teksa u ka kërkuar prokurorëve të Krimeve të Rënda si dhe prokurorëve me juridiksion të përgjithshëm që të ruajnë sekretin hetimor gjatë inventarizimit dhe transferimit të dosjeve, ruajtjen e të dhënave hetimore dhe ndalimin e publikimit të akteve, procedimeve apo çështjeve objekt kalimi për kompetencë prokurorive përkatëse, para, gjatë dhe pas dorëzimit në prokuroritë kompetente, ka “selektuar” dhe dosjet e rënda që janë “piketuar” për tek SPAK.

Dhe dosjet në ngarkim të Presidentit dhe ish presidentit, kryeministrit dhe ish kryeministrit, ministrave dhe ish ministrave, drejtorëve dhe ish drejtorëve, fillojnë nga tragjedia e marsit 1997, vdekjeve misterioze të ish kryeparlamentarit Arbnori, ish ministrit të Mbrojtjes Zhulali, ish kreut të SHIK Gazidede, Spahisë dhe njerëzve afër Berishës, Gërdecit, Rrugës së Kombit. Ndërkohë që vijon me vjedhjen e floririt në Krrabë, ‘21 janarin’, aferën CEZ-DIA, përgjimin e Priftit për Metën, koncesionet e Ramës në shëndetësi e rrugë e shërbime të tjera. Pra fut në “rreth” politikën./Pamfleti

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *