Ad
KPK u nda në vendimin për prokurorin Elvin Gokaj

KPK u nda në vendimin për prokurorin Elvin Gokaj

Ad

Prokurori i Apelit të Shkodrës, Elvin Gokaj pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Kryesuesja e trupës gjykuese Xhensila Pine në mendimin në pakicë shprehet se prokurori Elvin Gokaj duhet të ishte shkarkuar nga detyra dhe jo të pezullohej për një vit për shkak të mangësive profesionale.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më datë 24 korrik 2019, me shumicë votash, të pezullojë nga detyra për një periudhë një vjeçare drejtuesin e Prokurorisë së Apelit Shkodër, prokurorin Elvin Gokaj dhe detyrimin e tij për të ndjekur programin e trajnimit sipas kurrikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës.

Ky ishte rasti i parë dhe i vetëm i deritanishëm që gjatë procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, KPK aplikon Nenin Ë të Kushtetutës, për masat disiplinore që merren për shkak të mangësive profesionale ku thuhet se: “Komisioni ose Kolegji i Apelimit në përfundim të shqyrtimit të çështjes, vendos masat disiplinore, pezullimin e subjektit të rivlerësimit nga detyra për një vit, të shoqëruar me edukim të detyrueshëm, ose shkarkimin e tij nga detyra”.

Problemet më të mëdha lidhur me profesionalizimin janë konstatuar kur ai ishte në rolin e drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit, ku ka rezultuar se kur prokurorët kanë pushuar hetimet apo kanë lehtësuar pozitën e të proceduarve duke kërkuar masa të buta, ndërsa Gokaj në cilësinë e eprorit nuk i ka ushtruar kompetencat e tij duke mos ndërhyrë. Problematikat janë konstatuar pas të dhënave të servirura në KPK nga një denoncuese lidhur me një seri çështjesh të hetuara nga prokurorët e Elbasanit, e cila ka pretenduar se Gokaj ka ndikuar ose bashkëpunuar për lehtësimin e të proceduarve. Nga hetimi i KPK është konstatuar vetëm neglizhenca dhe mangësitë e tij profesionale, por nuk janë siguruar prova për implikimin e drejtpërdrejtë të tij në mënyrë të qëllimshme.

Por, trupa gjykuese e përbërë nga Xhensila Pine kryesuese, Genta Tafa(Bungo) relatore dhe Pamela Qirko anëtare, është ndarë përsa i përket masës së dhënë për prokurorin Gokaj. Ndryshe nga relatorja Tafa(Bungo) dhe anëtarja Qirko, kryesuesja Xhensila Pine argumenton se prokurori Gokaj është në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për pasurinë dhe figurën dhe i papërshtatshëm për aspektin profesional duke votuar për shkarkimin e tij nga detyra.

Njohuri të cekëta

Elvin Gokaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore. Në vitin 2000 ai është emëruar prokuror në Prokurorinë e Matit, ndërsa në vitet 2007-2013 ka kryer detyrën e drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit.

Gokaj është promovuar në Prokurorinë e Apelit të Shkodrës në vitin 2014 dhe prej vitit 2016 ka suhtruar funksionin e drejtuesit të kësaj prokurorie.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka arritur në përfundimin se se prokurori Elvin Gokaj ka treguar mangësi në drejtim të interpretimit dhe zbatimit të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës.

“Në disa raste ka rezultuar se ai ka aftësi dhe njohuri të cekëta në kuptimin dhe interpretimin e drejtë të legjislacionit penal dhe procedural penal në fuqi, si dhe ka shfaqur gjykim të dobët. Rezulton se subjekti ka njohuri të cekëta, gjykim të dobët si dhe një mënyrë pune që nuk pajtohet me pozicionin e tij si drejtues i Prokurorisë në lidhje me kryerjen e procedurave dhe veprimeve të nevojshme hetimore, të cilat janë evidentuar nga ana e Komisionit…”, thuhet në vendimin e KPK-së.

Shumica konstaton se prokurori Gokaj nuk ka respektuar normalisht të drejtat e palëve ose viktimave, të paktën në një rast. Gjithashtu, në vendim thuhet se Gokaj ka mangësi profesionale në arsyetimin ligjor pasi në disa raste rezulton se nuk ka kryer analizën e figurës së veprave penale; se rezultojnë të pargumentuara masa e dënimit të kërkuar dhe kërkesa për caktimin e masës së sigurimit dhe se ato nuk përputhen me provat e administruara si dhe me kriteret e parashikuara nga legjislacionin procedural penal.

Shumica konkludon se nuk janë konstatuar elementë të cënimit të integritetit të tij apo paanësisë në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve të ngarkuara.

Ka qenë një prej tre denoncimeve të kryera pranë Komisionit që i ka nxjerrë telashe të shumta prokurorit Gokaj në kriterin e profesionalizimit lidhur me mënyrën e ushtrimit të detyrës nga ana e tij si drejtues i Prokurorisë së Elbasanit .

Komisioni çmon se subjekti ka shfaqur njohuri, aftësi dhe gjykim të cekët në punën profesionale të tij si dhe një mënyrë pune që nuk pajtohet me pozicionin e tij si drejtues i prokurorisë në mjaft raste. Konkretisht, Komisioni konstaton se Gokaj ka treguar njohuri dhe aftësi të cekëta e gjykim të dobët për: kryerjen e procedurave dhe veprimeve të nevojshme hetimore në tetë raste; në dy raste në lidhje me figurën e veprës penale; në tre raste për analizimin e masës së dënimit të kërkuar; në tre raste në lidhje me analizimin e provave të administruara; në dy raste në analizimin e provave dhe argumentimin e masës së sigurimit; në një rast në lidhje me të drejtat e të pandehurit dhe mbrojtësit të tij dhe në 10 raste është evidentuar një mënyrë pune që, sipas Komisionit, nuk pajtohet me pozicionin e tij si drejtues i Prokurorisë.

“Pavarësisht pozicionit të tij si drejtues prokurorie dhe shpjegimeve të tij për përgjegjësi të prokurorit dhe jo drejtuesit, Komisioni konkludon se subjekti ka patur detyrimin ligjor të thellohej në arsyetimin e vendimeve, të kontrollonte lidhjen logjike të argumentave me kërkesat e prokurorëve përpara gjykatës si detyrim ligjor i përcaktuar nga ligji procedural penal dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij”, citohet në vendim.

Në përfundim, shumica konstaton mangësi në aftësitë e tij profesionale, të cilat mund të plotësohen nëpërmjet programit të trajnimit pranë Shkollës së Magjistraturës.

Por, kryesuesja Xhensila Pine edhe pse shprehet se pajtohet me gjetjet e shumicës lidhur me kriterin e profesionalizimit, thekson se ndan mendim të ndryshëm në lidhje me mangësitë e konstatuara në këtë kriter. “…Referuar rëndësisë, shpeshtësisë dhe tipologjisë së shkeljeve të konstatuara, kam vlerësuar se ato nuk mund të korrigjohen përmes programit njëvjeçar të edukimit në Shkollën e Magjistraturës”, thekson Pine, e cila konstaton papërshtatshmërinë Gokajt për aspektin profesional dhe ka votuar për shkarkimin e tij nga detyra .

Mendimi ndryshe për pasurinë e figurën

Në lidhje me vlerësimin e pasurisë Pine shpreh gjithashtu mendim të ndryshëm për disa gjetje të KPK-së. Për një apartament banimi me sipërfaqe 76 m2 në Durrës, Gokaj ka pasqyruar si burim krijimi në deklaratën veting kursime nga paga e tij dhe e bashkëshortes. Ndërkohë, nga hetimi administrativ është konstatuar se pagesa e këstit të dytë të këtij apartamenti prej 10 mijë euro është kryer më 30 maj 2014 nëpërmjet huasë së marrë shtetasit E.N., në po të njëjtën datë.

Pasi Komisioni e ka pyetur prokurorin Gokaj për mospaqyrimin e kësaj huaje në deklaratën veting, ai ka shpjeguar se burimi i krijimit për këtë apartament nuk është huaja e marrë nga E.N., por pagat dhe depozita bankare e tij. Gokaj ka pretenduar se në deklaratën veting janë kërkuar detyrimet ndaj të tretëve dhe në rastin e tij konsideron se nuk ka pasur të tilla. Prokurori Gokaj ka deklaruar se burimi real kanë qenë të ardhurat e tij nga depozita në “Credins Bank”. Këto shpjegime e kanë bindur shumicën që konkludon se subjekti ka marrë një hua të cilën e ka shlyer brenda të njëjtit vit kalendarik, menjëherë pas maturimit të depozitës së tij në “Credins Bank” dhe për pasojë burimi i të ardhurave ka qenë pikërisht kjo depozitë. Shumica konstaton se kjo hua nuk ka qenë e detyruar për t’u deklaruar dhe se nga hetimi ka rezultuar se shtetasi E.N., ka pasur aftësi financiare për dhënien e kësaj huaje.

Por, kryesuesja Pine ka votuar kundër qëndrimit të shumicës, duke paraqitur argumente të ndryshme lidhur me këto gjetje. Ajo konkludon se Gokaj nuk rezulton të ketë plotësuar në mënyrë të saktë dhe të plotë rubrikën “të dhëna konfidenciale”, të deklaratës veting, të dhënat për huadhënësin E.N., lidhjen mes tyre, si edhe llojin e interesave privatë e vendndodhjen e tyre.

Pine e quan të pavërtetë pretendimin e Gokajt se në rastin e tij nuk ka pasur detyrime ndaj të tretëve. Sipas saj subjekti kishte detyrimin të plotësonte të dhënat për çdo pasuri në pronësi, burimin në momentin e krijimit, duke bashkëlidhur dokumentacionin ligjor për të justifikuar ligjshmërinë e burimit të krijimit për secilën pasuri në momentin e fitimit të tij. “Më konkretisht, në deklaratën e pasurisë veting, burimet e krijimit të pasurisë janë objekt shprehimisht i përfshirë ndër detyrimet e subjekteve, si dhe pjesë e trajtuar në mënyrë të shprehur në përshkrimin e atyre pasurive”, argumenton Pine.

Ajo thekson se Gokaj kishte detyrimin të deklaronte këtë hua, si burim në momentin e krijimit të kësaj pasurie dhe të justifikonte ligjshmërinë e krijimit të shumës së dhënë hua nga shtetasi E.N.. Sipas Pines, nuk është arritur të provohet se E.N. ka pasur të ardhura të ligjshme për krijimin e shumës dhënë hua prej 10 mijë euro dhe çmon se Gokaj ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për krijimin e kësaj pasurie.

Pine konkludon ndryshe edhe lidhur me gjendjet në depozita bankare në emër të bashkëshortes me nënën e saj dhe të prokurorit Gokaj.

Nga hetimi administrativ është konstatuar se më datë 29 maj 2012, në llogarinë bankare në emër të bashkëshortes së prokurorit Gokaj është derdhur cash në depozitë shuma 5 mijë euro. Kjo shumë është transferuar një vit më vonë, më datë 29 maj 2013, në llogarinë dy emërore të bashkëshortes dhe nënës së tij . Një ditë më pas, nga llogaria në euro e S.G. ose R.G., në llogarinë e bashkëshortes së Gokajt është kredituar shuma 6.000 euro, me përshkrim − kalim në depozitë 12 mujore.

Ndërkohë, më datë 14 gusht 2013, nga llogaria e përbashkët në lekë e bashkëshortes së Gokajt me nënën e saj, znj. L.P., është transferuar shuma 1,010,010 lekë, në llogarinë e përbashkët në emër të nënës së tij dhe bashkëshortes.

Në vendim thuhet se Komisioni i ka kaluar subjektit të rivlerësimit barrën e provës për mosdeklarim të transfertave bankare të kryera nga bashkëshortja e tij duke i kërkuar të qartësojë arsyen e transferimit të shumës 1,010,010.72 lekë nga llogaria e përbashkët e bashkëshortes me nënën e saj, tek llogaria e përbashkët e bashkëshortes me nënën e tij.

Në vendim thuhet se Gokaj ka shpjeguar para Komisionit se për çdo llogari bankare në Shqipëri, ku titullar i kontratës me bankën është nëna e tij, vlerat janë kursimet e prindërve me të ardhurat e tyre ndër vite që kanë përfituar në Itali dhe se bashkëshortja nuk ka pasur asnjë rast të derdhjes apo tërheqjes së kapitalit pa praninë e vjehrrës së saj.

Shumica ka arsyetuar se nuk lindin dyshime që këto llogari të kenë si burim të ardhura të krijuara në mënyrë të paligjshme nga subjekti i rivlerësimit dhe se ai ka qenë i saktë në deklaratën veting pasi llogaritë dyemërore janë mbyllur gjatë vitit 2016 e për pasojë nuk ka pasur detyrimin ligjor për të deklaruar këtë llogari.

Ndërsa Pine i cilëson shpjegimet e Gokajt për këto llogari dyemërore në kundërshtim me legjislacionin bankar në fuqi.

“Nëse nëna e subjektit dhe nëna e bashkëshortes së tij do të kishin fondet e tyre në llogaritë bankare që dispononin, ato do të ishin mbajtëset e llogarive bankare në emër të tyre. Bashkëshortja e subjektit të rivlerësimit, si personi i besuar i tyre, do pajisej me autorizimin, që i jepte të drejtën të kryente veprimet në kuadër të nivelit të autorizimit të caktuar, sipas njoftimit të autorizimit të bërë nga palët për bankën personalisht ose me akt noterial”, arsyeton Pine.

Pine konkludon se mosdeklarimi i këtyre transaksioneve dhe i burimit të likuiditeteve të sipërcituara ka sjellë si pasojë mosplotësim të saktë të formularit “deklarimi i pasurive”.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, në raportin e dorëzuar pranë Komisionit ka konstatuar përshtatshmërinë e prokurorit Elvin Gokaj për vazhdimin e detyrës. Ndërkohë, KPK ka identifikuar se huadhënësi E.N., me të cilin Gokaj ka pranuar se ka miqësi, ka qenë i proceduar dy herë nga Prokuroria e Durrësit, në një rast për “shpërdorim detyre” në vitin 2014 dhe një herë tjetër për “pastrim të produkteve të veprës penale” në vitin 2015. Hetimi i fundit është pushuar në vitin 2017, ndërsa i pari është dërguar për gjykim, por E.N. është deklaruar i pafajshëm nga Gjykata e Durrësit.

Vetë prokurori Gokaj ka konfirmuar për Komisionin se ka pasur dijeni për procedimin ndaj mikut të tij për “shpërdorim detyre”, por ka shtuar se nuk e dinte për hetimin “për pastrim të produkteve të veprës penale” gjatë kohës kur kishte plotësuar deklaratën veting.

Shumica vlerëson se për veprën penale “pastrimi i produkteve të veprës penale” huadhënësit E. N. nuk rezulton t’i jetë vënë emri në regjistrin e njoftimit të veprës penale dhe se ai nuk mund të konsiderohet si person i proceduar penalisht. Për këto arsye, Tafa(Bungo) dhe Qirko konkludojnë se nga ana e Komisionit nuk u arrit të provohej dijenia e Gokajt në lidhje me procedimin ku i dyshuar ishte E.N. dhe se në përfundim subjekti ka qenë i saktë në deklarimet e tij në deklaratën për kontrollin e figurës. Por, Pine e konsideron si deklarim të pamajftueshëm të kriterit të figurës mos pasqyrimin e procedimit të dytë të huadhënësit E.N.

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *