Ad
Konflikte, mungesë mirëkuptimi, acarime politike të skajshme, shpesh të panevojshme ky është realiteti i dhimbëshëm që u mboll falë politikës

Konflikte, mungesë mirëkuptimi, acarime politike të skajshme, shpesh të panevojshme ky është realiteti i dhimbëshëm që u mboll falë politikës

Ad

Nuk ka njeri normal që jeton në shoqërinë tonë të mos jetë i shqetësuar seriozisht për disa defekte me natyrë sociale që shfaqen dukshëm në jetën e përditshme. Konflikte, mungesë mirëkuptimi, acarime politike të skajshme, shpesh të panevojshme, krime individuale, dhunë individuale dhe sociale – të gjitha këto dukuri janë bërë aq të dendura, saqë cenojnë kualitetet e qytetërimit tonë. Ne nuk mund të ndryshojmë nëse nuk kuptojmë se sa me rëndësi është më së pari të ndërgjegjësohemi dhe të kuptojmë disa cilësi të munguara të qytetërimit tonë. Tendenca e thellë e individualizimit të jetës ka bërë që aktualisht shoqëria shqiptare, në të gjitha organizimet sociale dhe komunitare, të përjetojë pasojat që vijnë nga mungesa e ekuilibrit social të komportimit të njeriut me komunitetin dhe organizimet e tjera sociale, si: familja, farefisnia, fqinjësia etj. Ky realitet, që ndeshet përditë, është ndoshta një nga shqetësimet më të mëdha me të cilin përballemi kudo: në familje, në rrugë, në ambiente publike dhe në komunitet.

Nuk është fare përfytyrim figurativ nëse do të thoshim se tani shoqëria jonë duhet të fillojë betejën edukative për të skalitur tiparet moderne të qytetërimit tonë, standardet e sjelljes individuale dhe modulet e komportimit social me shoqërinë. Nëse do të duhet ta “përkthejmë” këtë imperativ social në terma më konkretë, duhet të pranojmë, njëkohësisht edhe të angazhohemi individualisht, si komunitet dhe si shoqëri në tërësi për nevojën urgjente që kemi që të përpunojmë disa parametra të sjelljes empirike, në mënyrë që strukturat sociale dhe njerëzit tanë, sidomos të rinjtë, të mësojnë të unifikojnë në qenien e tyre individuale, të lirë, marrëdhënie pa konflikt midis qëllimeve dhe dëshirat personale me rregullat e shoqërisë. Njerëzit tanë kanë nevojë të ndihmohen nga të gjitha strukturat sociale dhe edukative: nga familja, shkolla, komuniteti fetar, që të kuptojnë të vërtetën universale të qytetërimit se jeta moderne, e hapur, e lirë kërkon që të rregullojmë sintonitë e jetës personale me rregullat e natyrshme të shoqërisë. Kjo do të thotë se strukturat edukative që merren me njeriun në shoqërinë shqiptare duhet të vlerësojnë punën dhe efektivitetin e tyre me aftësitë e ndërtimit të dy sintonive: individuale dhe sociale. Nga mënyra se si sillen shumë njerëz në shoqërinë tonë, duket se ka një gjendje të përgjithshme të sundimit të mentalitetit të partikularizmit individual, i cili, duke qenë tej përmasave organike të një shoqërie moderne, po sjell çorganizim social në jetën tonë. Në këtë kontekst, as cilësia e jetës, as standardet e qytetërimit nuk mund të plotësohen nëse nuk i përvishemi sfidës së madhe, të punojmë me fuqi të pashtershme për të sinkronizuar brenda qenies së njerëzve tanë një raport të drejtë midis lirisë dhe përgjegjësisë, midis dëshirave personale dhe mundësive (që është sintonia e parë e qenies së njeriut brenda vetes së tij) dhe, nga ana tjetër, edhe sinkronizimin e qenies së njeriut të përveçëm me rregullat sociale (sintonia e madhe sociale ose sintonia e dytë).

Nëse shoqëria jonë shfaqet sot me probleme të sjelljes individuale, shkaku kryesor është se në strukturat socio-edukative, sidomos në familje, shkollë, komunitet apo medie, bëhet punë e pamjaftueshme. Në këto institucione me natyrë specifike ka një mungesë të ndikimit social, psikologjik dhe profesional për të sinkronizuar këto dy sintoni te çdo pjesëtar i shoqërisë sonë. Nuk është normale për shoqërinë tonë që, duke qenë e dhënë pas politikës dhe halleve ekonomike, të neglizhojë situatën morale në të cilën është njeriu dhe shoqëria jonë. Ajo na vë të gjithëve para detyrës që të rregullojmë mekanizmat e të gjitha institucioneve sociale në të cilat gjendet njeriu (familje, shkollë, komunitet), duke i rindërtuar ato sipas standardeve të shoqërisë moderne. Nuk mund ta mohojmë që në shoqërinë tonë ka një prirje të deformimit të këtij raporti të sintonive, marrëdhëniet sinkronizimit të sjelljes individuale dhe sociale të njeriut me veten e tij dhe me shoqërinë. Pa këtë mekanizëm është i vështirë funksionimi normal i jetës, i marrëdhënieve sociale në shoqërinë shqiptare.

Pa dyshim, në kushtet e shoqërisë sonë të re njerëzit janë të vendosur që, pavarësisht nga luhatjet, zigzaget e sjelljes, devijancat e shumta të njeriut, të punojnë për zgjerimin gjithnjë e më shumë të hapësirës së lirisë nga kondicionimi social, duke zgjeruar pavarësinë personale, të drejtat sociale. Sociologët modernë këtë prirje të natyrës së njeriut e vlerësojnë shumë, sepse kjo e bën atë të lirë, jashtë roleve dhe determinimeve të ngurta sociale. Në këtë pikë njeriu është vetja, jashtë kondicionimit shoqëror, jashtë pozicionit social të determinuar, duke qenë ndërkaq i detyruar që të jetë pjesëtar i shoqërisë, duke luajtur role sociale. Kjo është një nga idetë themelore të teorisë sociologjike të sociologut të madh bashkëkohor Ralf Dahrendorf, i cili nënvizon se te njeriu si qenie janë të sintetizuara 9 karaktere me natyrë sociale, si profesioni, karakteri kombëtar, shtetëror, klasor, gjeografik, gjinor, i ndërgjegjshëm, i pandërgjegjshëm, privat etj. Por ka dhe një karakter tjetër, që ai me të drejtë e konsideron tërësisht privat, që ka të bëjë me “fantazinë e hapësirave të pambushura”. Këtu ai është vetja, identikisht i barabartë me veten e tij dhe i pangjashëm me të tjerët.

Gjithnjë është debatuar çështja e raportit të njeriut me ligjshmërinë e shoqërisë, e njeriut sociologjik me thelbin e njeriut të vërtetë. Këtë raport dubël të njeriut, këtë kontradiktë midis roleve sociale dhe thelbit biologjik, midis njeriut si qenie në vetvete dhe determinimit shoqëror, në kohën e vet filozofi i iluminizmit Imanuel Kant e ka konsideruar si “antinomi e pazgjidhshme”. Në të vërtetë, edhe pas shekujsh debati, problemi i raportit të njeriut me shoqërinë, i së drejtës së tij për të qenë i lirë duke qenë njëherësh një qenie sociale, është problem i madh jo vetëm për sociologjinë dhe psikologjinë, por për të gjithë shkencat humane. Nuk është rastësi që në ditët tona problemi po rishfaqet në debatin filozofik dhe sociologjik me të njëjtin intensitet të përmbajtjes, madje me të njëjtën terminologji debati dhe ambalazh filozofik. Kjo tregon se sa thelbësore është çështja e kuptimit të drejtë të natyrës së dyfishtë të njeriut, apo akoma më qartë, e raportit të njeriut sociologjik me njeriun e vërtetë, me njeriun si të tillë, i lirë nga kondicionimet e tepërta, ndërhyrëse e deformative të shoqërisë. Vetëm marksistët dhe kalvinistët kanë guxuar të mohojnë këtë thelb të dyfishtë të njeriut: si qenie sociale dhe njeri i papërsëritshëm. Njeriu jeton në shoqëri dhe aty luan role sociale, të cilat në njëfarë mënyre janë të paracaktuara dhe të paravendosura nga shoqëria në formën e moduleve sociale. Mbi këtë bazë, në shoqëri njeriu duhet që mbi bazën e këtyre moduleve sociale të luajë role si baba, bashkëshort, profesionist, bashkëqytetar, partiak, fetar e plot role të tjera. Ndërkaq kjo nuk e pengon atë të jetë qenie e papërsëritshme, e pangjashme me të tjerët.

Ky është thelbi i debatit që unë mendoj se ka ardhur koha që të zhvillohet edhe në shoqërinë tonë, madje në mënyrë masive dhe me të gjitha mjetet edukative dhe të komunikimit social. Natyrisht, në shoqërinë tonë, për shkak të tranzicionit, por dhe për ca shkaqe të tjera me natyrë historike apo antropologjike, ka konfuzion teorik, sociologjik, por dhe empirik. Idetë liberale, që mbivlerësojnë forcën personale dhe guximin krijues dhe realizues të individit abstrakt, që janë bërë natyrshëm sunduese në shoqërinë moderne shqiptare, kanë sjellë optimizëm social dhe ndihmë në thyerjen e tabuve të vjetra morale. Njerëzit tanë kanë këputur me forcë hallkat penguese të traditës, konvencionet e vjetra të moralit dhe familjes. Këto ide kanë sjellë ndryshim dhe tronditje të fortë të konceptit të marrëdhënieve sociale të njeriut. Duke iu larguar gjithnjë e më shumë ndjenjës së vjetër të bashkësisë, shoqëria filloi të shikojë dhe të vlerësojë më shumë të veçantën e njeriut konkret, si qenie e pavarur në kuptimin metafizik nga lidhjet e vjetra sociale.

Por pa dyshim që çdo gjë e trajtuar dhe e zmadhuar mbi realitetin ka nevojë të rishikohet. Pa luajtur nga aksi i nevojës prioritare të vlerësimit të njeriut si qenie e pavarur, e lirë dhe e vetëmjaftueshme, nuk mund të mos pranohet se, sidoqoftë, ata nuk janë numra të thjeshtë, pa lidhje midis tyre. Koha po vërteton se njerëzit, duke mos qenë qenie abstrakte, kanë krijuar lidhje të ndryshme midis tyre, madje lidhje që vazhdimisht zgjerohen. Një gjë është e sigurt: shoqëria jonë do të vazhdojë të ecë pa kthim prapa në rrugën moderne të çlirimit të njeriut nga lidhjet e vjetra detyruese. Ky është një proces i madh emancipues. Por ajo që duhet të korrigjojmë në sjelljen tonë është kuptimi i së vërtetës universale se edhe në shoqërinë moderne ekzistenca e lirisë nuk mund të përfytyrohet pa lidhjet sociale të natyrshme. Në këtë rast, asnjëherë problemi nuk mund të gjykohet drejt në shoqërinë tonë, në qoftë se nuk vlerësojmë si duhet të vërtetën e njohur të qytetërimit bashkëkohor se liria individuale e njeriut nuk mund të realizohet pa lidhjet sociale të natyrshme. Shoqëria moderne ka krijuar kushte dhe instrumente të realizimit normal të raportit midis sigurisë individuale, lidhjes sociale dhe normave kulturore.

Në kushtet kur në shoqërinë shqiptare relacionet sociale po vijnë duke u reduktuar nga prirja individualiste e modernitetit, kur lidhjet sociale po zbehen, duke e lënë njeriun në vakum personal, në boshllëk shpirtëror, e vetmja mënyrë korrigjimi është mbajtja në efiçencë e formave të ndërmjetme të organizimeve qytetare komunitare…

Opinion nga Edmond Petraj

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *