Ad
Kërkimi i paqes presupozon mbrojtje konstante

Kërkimi i paqes presupozon mbrojtje konstante

Ad

“Të gjithë sa besojmë në mënyrë të ndërgjegjshme, duhet të hulumtojmë dhe promovojmë një theologji dhe antropologji paqësore, duke nxjerrë përfitime prej pasurisë së doktrinave tona fetare dhe prej faqeve më të mira të historisë së traditave tona fetare. Njëkohësisht, duhet të theksojmë edhe detyrimin e çdo njeriu për t’iu kundërvënë dhunës dhe të punojmë për pajtimin dhe paqen e qëndrueshme në planet. Në veçanti brezi i ri, ka nevojë për një edukim të ndërgjegjshëm paqësor, të ushqyer dhe të frymëzuar nga burime fetare shpirtërore.
Kërkimi i paqes presupozon mbrojtje konstante dhe fuqizim të drejtësisë. Në çdo kohë, por veçanërisht në epokën tonë, marrëdhënia që paqja ka me drejtësinë po del në pah në mënyrë shpërthyese. Kjo marrëdhënie haset në shumë fe. Dëshira e sinqertë për paqen në nivel lokal dhe global, shprehet me dëshirën e vërtetë dhe me përpjekjen për drejtësi. Një botë e padrejtë nuk mund të jetë paqësore. Sot, paqja dhe drejtësia kanë marrë edhe një tjetër sinonim: progresin. Të gjithë mundemi dhe duhet të kontribuojmë për zhvillimin e zonave më të varfra. Varfëria mbetet forma më e keqe e dhunës. Kur njerëzit, pranë ose larg nesh, privohen nga gjërat e domosdoshme për mbijetesë, nuk është çudi të kthehen në drejtime të tjera dhe të përqafojnë koncepte ekstremiste për arritjen e një shoqërie të drejtë dhe për t’i dhënë kuptim jetës dhe vdekjes.
Më konkretisht, në lidhje me problemin e terrorizmit që dominon vitet e fundit, mendojmë se shoqëritë perëndimore, që disponojnë fuqi ekonomike, shkencore dhe ushtarake, duhet t’i bëjnë vetes një autokritike krijuese. Të shikojnë më qartazi përgjegjësinë dhe detyrimin e tyre në dimensionet e reja globale. Paqja dhe siguria, për të cilat flasim të gjithë, do të arrihen me përpjekjen tonë për paqe sociale dhe zhvillimin e shoqërive më të varfra të planetit ku jetojmë. Do të ishte tragjike, shpirtërisht dhe politikisht, që për shkak të neglizhencës ose arrogancës, të lejojmë të zhvillohet një proletariat i ri, shumëformësh, që do të ngrejë krye dhunshëm, duke shpërdoruar “energjinë atomike” të një tradite fetare konkrete”.
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Fortlumturia e Tij Anastasi

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *