Ad
KATUNDI I BUDALLENJVE QË KISHTE TË BARABART NUMRI E POPULLATËS ME ATË TË GOMERËVE

KATUNDI I BUDALLENJVE QË KISHTE TË BARABART NUMRI E POPULLATËS ME ATË TË GOMERËVE

Ad

Na ishte një fshat i vogël që njihej si Katundi i Budallenjve. Kishte edhe një statistikë interesante: Numri i banorëve ishte i barabartë me numrin e gomarëve. Por edhe më i çuditshëm ishte fakti se njerëzit e tij nuk dinin të flisnin me zë të ulët. Aq sa shpesh e bërtitura e tyre ngatërrohej me pëllitjen e gomarëve dhe të dyja dëgjoheshin deri në fshatrat fqinje.
Edhe punët në katund shkonin si mos më keq, po për këtë nuk merakosej njeri. Më me seriozitet e shikonin problemin autoritetet e larta të vendit, të cilat kishin arritur në përfundimin se gjithë të këqijat e fshatit vinin nga budallenjtë e shumtë dhe se hapi i parë efikas duhej të ishte evidentimi i tyre emër për emër.
Kështu vendosën të dërgojnë në fshat, për ta parë gjendjen nga afër, një komision prej tre vetash. Katundi e priti komisionin si nuk ka më mirë. Me këngë e valle, me të ngrëna e të pira.
Të nesërmen e mbërritjes Komisionin e priti edhe Kryeplaku i katundit. Kryekomisioneri e tha troç që në fjalinë e parë qëllimin e vizitës:
– Duam të dimë sa është numri i saktë i budallenjve të fshatit!
– Nuk jam kundër, – tha kryeplaku, – por kjo është e pamundur…
– Pikërisht për të bërë të pamundurën të mundur kemi ardhur nga ana e anës, – e ndërpreu Kryekomisioneri. – Ndryshe jo vetëm fshati juaj nuk do të ndreqet, por budallenjtë tuaj do mbushin vendin…
– Nuk jam kundër, – tha Kryeplaku, – kjo është e mundur.
Kryekomisioneri u hutua për një çast nga përgjigjja, por nuk e humbi toruan. I kërkoi Kryeplakut listën e banorëve të fshatit.
I pari i katundit nxori nga sirtari dhe shtriu mbi tavolinë një defter të zhubrosur e të llangosur me bojë.
Kryekomisioneri i rrasi tjetrit në dorë një shënjues dhe i tha, gati me ton urdhërues:
-Shënjo me bojë të kuqe mbi emrin e çdo budallai…
– Nuk jam kundër, – foli Kryeplaku. – po kemi statistika vetëm për gomarët. Për mua çdo buzëbardh është gomar…
Kryekomisionerit po i mbaronte fitili i durimit:
– Nuk kam ardhur për katërkëmbëshit!
Kryeplaku, në vend që të fliste, ngriti supet.
I ardhuri e dinte se asnjë nga budallenjtë nuk e pranon veten për të tillë, përkundrazi e drejton gishtin nga të tjerët. E megjithatë kjo nuk e bindi që Kryeplaku nuk ishte një prej tyre.
Përplasi shënjuesin mbi tavolinë dhe ktheu krahët.
Në mbrëmje, kur katundi fjeti – asnjë katundar nuk rrinte zgjuar pas pëllitjes së gomarit të fundit – komisioni u mblodh në fshehtësi. Për tri orë, të tre burrat rrahën mendime se si mund të regjistroheshin dykëmbëshit e fshtatit. Dhe varianti që mori konsensusin mbështetej në një të vërtetë të thjeshtë: “Budallenjtë janë njerëzit që kanë më shumë besim te vetja”.
Kështu komisioni vendosi që ta vërë fshatin para një testi. Sipas një plani: Të gjithë do të merrnin nga një gomar dhe do hidheshin në anën tjetër të lumit. Fshatarët që do të hipnin mbi gomar për të kaluar lumin do regjistroheshin te kolona e njerëzve normalë. Ata që do kalonin lumin bashkë me gomarin përdore do shkruheshin si gjysmëbudallenj. Vetëm ata që do ngarkonin gomarin mbi kurriz për të kaluar lumin ishin budallenj.
I entuziazmuar Kryekomisioneri nuk priti pëllitjen e gomarit të parë për të filluar nga zbatimi i planit. Kërkoi të takonte menjëherë Kryeplakun. Dhe e urdhëroi se si duhet të vepronte.


Në mëngjes i gjithë katundi kishte dalë në breg të lumit. Natyrisht që çdo katundar mbante për kapistre edhe një gomar. Përjashtim bënte Kryeplaku: Shtrëngonte në duar katër gomarë, dy andej e dy këtej.
– Po këta ç’i ke? – e pyeti Kryekomisioneri.
– Një për vete dhe tre për ju, – tha tjetri me një shprehje kënaqësie që sikur i vinte nga thellësia e rropullive.
Habia e përzier me inatin nuk e pengoi Kryekomisionerin të kujtohej se në fshat numri i banorëve ishte i barabartë me numrin e gomarëve.
Dhe gati sa nuk thirri:
– I gjithë fshati duhet të kalojë në testin e inteligjencës. Pse mungojnë tre fshatarë?
Kryeplaku tha vetëm kaq:
– Ata mbetën pa gomar.
Tre burrat e komisionit mbetën si guhakë. I pari i katundit ktheu kokën, një herë majtas dhe një herë djathtas, nga gomarët për të treguar se përsenë në këtë fshat e dinë njëlloj të gjithë, pavarësisht nga numri i këmbëve që kanë.
Po ngaqë gomarët heshtën, Kryeplaku u detyrua t’i sqarojë vetë tre të huajt:
– Te ne, kush mbetet pa gomar nuk i duhet më katundit…
– Edhe? Ku janë tre fshatarët tani? – thanë thuajse në një gojë të tre komisionerët.
Kryeplaku, pa e kthyer kokën nga ata, foli me një qetësi për t’u admiruar:
I vrava….. :)))

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *