Ad
Intervista – AFRIM KRASNIQI – PARDESYTË E BARDHA VOLËN FRYTET E LËVIZJES SË DHJETORIT

Intervista – AFRIM KRASNIQI – PARDESYTË E BARDHA VOLËN FRYTET E LËVIZJES SË DHJETORIT

Ad

Krasniqi: Pse u shkarkua Azem Hajdari nga kreu i PD-së

Afrim Krasniqi, ish-studenti i Dhjetorit ’90 rrëfen si u motivua “Lëvizja” për demokraci. Iniciatorët e parë për krijimin e një partie opozitare. Pse u shkarkua Azem Hajdari nga kreu i PD-së

Rëndom ndodh që historinë e njohim jo ashtu si ka ndodhur realisht. Por, kur vjen puna për Lëvizjen e Dhjetorit ’90 gjenden dëshmitarë që nuk të lenë shtigje për manipulim faktesh. Afrim Krasniqi, pjesëmarrës aktiv në ngjarjet e Dhjetorit ’90, por dhe më tej, jep këtë tablo për ditët plot tension:

Cila ishte situata në fundin e vitit 1990, dhe si nisi revolta studentore?

Dhjetori 1990 nuk ishte vetëm kalendarikisht viti i fundit i vitit, ishte përmbledhje e gjithçkaje që ndodhi atë vit. Në fillim të vitit pati raste të protestës politike në Shkodër dhe më pas në Kavajë, pati vizitë në Tiranë të Peres De Kuelar, pati rikthim të disa institucioneve fetare, pati ikje masive në ambasadat e huaja, pati zhvillime në gjithë rajonin, pati takimin e shefit të regjimit me intelektualët, kriza e thellë ekonomike, dhe në fund edhe deklaratën politike të shkrimtarit, Ismail Kadare.

Të gjitha së bashku ishin pjesë e një klime ndryshimi. Në ambientet universitare kishte rritje të dukshme të pakënaqësisë dhe ndjenjës së protestës, nuk kishte më frikë për kritika ndaj regjimit dhe eksponentëve të tij kryesor, pakkush besonte ende në aftësinë e regjimit për ndryshim dhe se nënshtrimi letargjik i shoqërisë shihej si e papranueshme. Shpresa se ndryshimi do ishte i shpejtë, do vinte nga pjesa e elitës zyrtare të regjimit ishte minimale.

Protesta nisi dukshëm në ditët e para të Dhjetorit, fillimisht me thirrje politike dhe revoltat e ballkoneve dhe më pas, në mbrëmjen e 8 Dhjetorit me thirrje dhe nismë konkrete për protestë të organizuar. Protesta e datës 8 vijoi disa orë, deri në mesnatë, dhe ishte një luftë e ashpër nervash dhe force midis studentëve dhe forcave më të zgjedhura policore dhe politike të regjimit. Ministra dhe zyrtarë, rektorë dhe shef partie erdhën aty bashkë me “specialët” e policisë për të bindur studentët për tërheqje dhe pasi dështuan, atë natë dhe të nesërmen në mesditë ata bënë atë që dinin më mirë të bënin prej 46 vitesh, përdorën dhunën, kërcënimin dhe shantazhin.

Si reaguan studentët pas kësaj dhune?

Studentët reaguan ashtu siç nuk ishte reaguar asnjëherë më parë, jo fshehje në frikë, por përballje me regjimin, rrëzimin e frikës dhe vendosmërinë për të ecur përpara në projektin e tyre. Duken gjëra të thëna, por janë thelbësore. Nëse studentët do ishin tërhequr atë natë, historia e pluralizmit shqiptar do të kishte qenë shumë më e vonë dhe shumë më ndryshe.

Ata reaguan, u mblodhën, u qartësuan në kërkesat politike dhe i imponuan regjimit ultimatumin për pluralizmin politik. Unë e shoh me modesti praninë time aty, si një fat të trefishtë, sepse isha, sepse mora vendimin e duhur dhe sepse bëra gjithçka bashkë me kolegët të realizonim synimin e përbashkët për ndryshimin e sistemit.

Por tej historive e ndjesive personale, flasim për një brez dhe një ngjarje që përsëritet njëherë në një shekull dhe që kanë të drejtë Berisha e Rama kur e konsiderojnë unike. Studentët kanë meritën se rrezikuan, morën përgjegjësi, refuzuan “status quon” dhe udhëhoqën një lëvizje politike që ishte dhe mbetet lëvizja më qytetare, elitare dhe pozitive në historinë moderne të shtetit shqiptar.

Si evoluan pretendimet e studentëve dhe si u motivua Lëvizja?

Fillimisht nisi me kërkesa ekonomike. Edhe lëvizjet më të mëdha politike kanë pasur alibi ekonomike apo sociale. E njëjta situatë u përsërit edhe në Shqipërinë e vitit 1990.

Gjithsesi, dokumenti i vetëm zyrtar është peticioni i studentëve dhe ai qartësisht përmban kërkesën për pluralizëm politik, për reforma të thellë politike dhe ekonomike, për krijimin e partisë së re konkurrues me PPSH-në dhe për publikimin e dokumenteve ndërkombëtarë që përbëjnë “abc” e standardeve demokratike. Ky dokument nuk lë dilemë se protesta ishte dhe mbeti politike nga dita e parë në të fundit.

Edhe në takimin me udhëheqësin komunist Alia, askush nuk u mor me tema ekonomike e sociale, e gjithë biseda ishte politike dhe nuk mund të ishte ndryshe. Çdo përpjekje që tenton të japë një ide tjetër, të akteve të rastësishme dhe synimeve që lidhen vetëm me komoditetin personal, janë të trilluara dhe produkt denigrimi për lëvizjen dhe integritetin e saj.

Rivaliteti

Shkarkimi brutal i Azem Hajdarit

Duke folur për rolin e Azem Hajdarit në Lëvizjen Studentore, dhe për mënjanimin e tij nga drejtimi i PD-së, Afrim Krasniqi thotë: “Azemi ka meritën sepse iu bashkua vetëm disa orë më vonë Lëvizjes Studentore dhe më pas u identifikua si drejtuesi kryesor i saj.

Ai rrezikoi shumë, jetën dhe familjen, por arriti shumë, sepse u bë simbol publik për zhvillimet e atyre ditëve dhe të mëvonshme. Në krijimin e PD-së ai u bë kryetar i Komisionit Nismëtar deri në Shkurt, kur u shkarkua në mënyrë konsensuale dhe brutale, përmes kritikash dhe rivalitetesh të ashpra.

Ai gabimisht mendoi se duke qenë zë i studentëve e kishte të garantuar pozitën dominuese në parti, por duke mos pasur më studentë në kryesi, ai mbeti vetëm, u shkëput nga studentët dhe u bë pjesë e një loje politike, të cilën nuk ishte i përgatitur ta luante. Pas Shkurtit mbeti figurë politike me rëndësi. Por derisa u vra, duhet përmendur fakti se është i vetmi lider protestash në Evropën Lindore që nuk pati post dhe as të drejtë firme në sistemin e ri që u krijua”.

Si u prit nga studentët, marrja e frenave në dorë prej njerëzve që erdhën nga jashtë radhëve të tyre?

Zhvillim normal, pritej. Ditën e dytë të protestës studentët ftuan shumë emra pedagogësh për tu bashkuar me lëvizjen, vetëm ndonjë emër sot periferik pranoi, ata që ishin dhe janë edhe sot emra kryesorë refuzuan. Kjo ka një shpjegim. Përpara Dhjetorit intelektualët publikë, ata që kishin një mendim sadopak politik, e patën rastin të reagonin qoftë edhe në takimin me Ramiz Alian.

Por ata, megjithëse donin ndryshim, e kërkonin atë gabimisht tek vetë kreu i regjimit Alia, tek ndryshimi i elitave në PPSH dhe në përmirësimin e vetë sistemit njëpartiak. Ata nuk ishin, nuk u shprehën dhe as kërkuan pluralizëm. Përkundrazi. Ndaj kur studentët kërkuan mbështetjen e tyre me 8-9 Dhjetor shumica absolute e tyre refuzuan, preferuan qëndrimin në PPSH apo në heshtje. Vetëm kur protesta dha rezultat dhe klima e ndryshimit u qartësua ata u bashkuan me studentët për të marrë frytet e protestës dhe lëvizjes së tyre. Suksesi i tyre nuk përkthehet si dështim i studentëve, por zhvillim i pritshëm paralel.

Të ashtuquajturit njerëzit me “pardesy të bardha” ishin më afër studentëve?

Atë kohë në Tiranë nuk kishte disidencë politike, nuk kishte grupe apo individë me imazh publik pozitiv antiregjim, nuk mund të pritej të kishte parti studentore, por do të kishte një opozitë politike dhe ajo, do të ishte produkt popullor i çdo shtrese që vetafrohej, jo vetëm i moshës së re dhe studentëve. “Pardesytë e bardha” ishin të gatshmit dhe ata morën edhe drejtimin politik të PD-së dhe partive politike të krijuara më pas. Lëvizja nuk ishte më e njësuar me PD-në, është pjesë thelbësore e saj, por jo 100% PD.

Në listën themeluese të saj ka shumicë studentësh, por vetë studentët ishin produkt vullneti i njohjes gjatë lëvizjes, jo i një mekanizmi të organizuar dhe strukturuar. Studentët vijuan mësimin, një pjesë zgjodhi politikën, të tjerë emigruan, pra hynë në një sistem të ri shoqëror.

Kjo është meritë, jo fajësi. Pas 12 Dhjetorit PD u bë parti, me program dhe rregulla të shkruara, me interesa shpesh të ndryshme, me ngritje e ulje në debatin politik, kurse Lëvizja mbijetoi si platformë idealiste rinore deri me 20 Shkurt 1991 kur u rrëzua busti i diktatorit. Teza që PD dhe Lëvizja studentore nuk ishin tërësisht identike provohet edhe me faktin se ajo parti ishte kundër grevës së urisë, madje ka një deklaratë publike dhe një dokument të brendshëm debati që e vërteton këtë.

Pas 23 vitesh, mendoni se aspiratat e vitit 1990, “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”, etj., janë arritur?

Nuk ka përgjigje të prerë, por unë e kam një përgjigje. Unë besoj se dita e parë e Shqipërisë në BE do jetë dita që përputhet tërësisht me pritshmëritë rinore, pse jo edhe utopike të Dhjetorit 1990. Çdo zgjidhje e mesme përbën alibi, është e mbetet gjysmake. Shqipëria në BE do kërkojë minimalisht edhe një dekadë, ndaj edhe aspirata reale, ajo për demokraci funksionale, shtet të së drejtës dhe Shqipëri evropiane do kërkojnë po ashtu një dekadë tjetër, shumë më tepër se çdo vend tjetër ish-komunist. Por nëse lexojmë historinë tonë politike, vonesa është një tipar i përhershëm në proceset tona kombëtare, shtetërore, demokratike dhe integruese.

“Katovica”, alibia e dështimeve

I pyetur rreth një monitorimi të mundshëm të “Lëvizjes”, herë pas here, nga persona me influencë, apo është folur për çështjen “Katovica” dhe ndikimin e saj në Shqipëri, Afrim Krasniqi thotë: “Kam përshtypjen se tezat për skenarë të gatshme, parashtrim të historisë dhe tranzicionit, inskenim të zhvillimeve, partive, zgjedhjeve, etj, janë më shumë alibi për paaftësinë dhe dështimet e një brezi politik e publik sesa argumente që mund të provohen.

Shqipëria nuk ka qenë dhe nuk mund të ishte pjesë e asnjë skenari rus apo ndonjë vendi tjetër, edhe sepse prej vitesh ishte jashtë sferës së secilës perandori ideologjike. Ishte një vend tërësisht i izoluar në marrëzinë e vet, ishte aktor pa peshë politike në gjeopolitikë, ndaj përveç fantazive dhe nevojës për alibi, nuk shoh ndonjë arsye apo argument të besoj diçka të ndryshme. Është tjetër gjë të thuhet se disa barriera erdhën nga Ramizi apo PPSH dhe tjetër të thuhet se gjithçka ishte parashkruar, deri edhe zhvillimet e tranzicionit.

Po, regjimi dërgoi njerëzit e vet, shumë individë nga brezi i dytë dhe i tretë, karrierist në PPSH u bashkuan me opozitën, dosjet nuk janë hapur, kapitali vijoi të mbesë monopol i ish pushtetarëve, etj, etj, por këto janë defekte, janë gabime, janë zgjedhje oportune, janë tipare të një tranzicioni problematik, jo produkte të parashkruara perëndish si në besëtytnitë pagane të vjetra. Në fund të fundit, modele populiste, kritike apo korruptive si Nano apo Berisha ka pasur në çdo fushë e sektor në tranzicion, çfarë më shumë duhet kërkuar tek kultura jonë politike, raporti ynë me shtetin dhe qytetarët, modeli i njeriut që krijoi diktatura dhe mbijetesa jonë përmes miteve të rreme, populizmit të turmës apo regjimesh personave sunduese”.

PD nuk nderon themeluesit

Themelimi i PD-së u bë në 12 Dhjetor. Por cilët ishin në lisën fillestare si firmëtarë të parë të saj. Afrim Krasniqi sqaron: “Firmat u mblodhën mesnatën e 11 Dhjetorit dhe të nesërmen në mëngjes. Ka pasur disa nisma paralele për mbledhje firmash ndaj shpesh ka keqkuptime edhe me emrat.

Por ka një listë finale, dhe ajo është e depozituar në Ministrinë e Drejtësisë, si dhe pjesë e librit tim “Fundi i Siberisë Shqiptare”. Unë kam dokumentet origjinale të gjithë asaj periudhe dhe aty shpjegohet gjithçka. Lista u pri nga intelektualët pedagogë që iu bashkuan “Lëvizjes”, më pas dominohet nga studentët pasi nuk pati numër të mjaftueshëm intelektualësh për ta nënshkruar. Në fund ka edhe një numër minimal punëtorësh. Kjo është historia e saj. Sot pas 23 vitesh duhet përmendur një fakt: asnjëherë, as ato ditë dhe as sot, PD dhe askush tjetër nuk i ka ftuar, mbledhur apo nderuar nënshkruesit e themelimit të partisë së parë opozitare, dhe njëherësh të pluralizmit politik në Shqipëri.

Ironi e revolucioneve. Sikundër dje dhe sot në krye të kujtimeve për 8 Dhjetorin janë emra si Berisha e Rama, dy individë me kontribute të mëvonshme, por që për ironi të fatit, më 8 dhjetor nuk ishin në Shqipëri, – ishin në Itali ose Greqi, në udhëtime të privilegjuara vetëm për njerëz të besuar të regjimit”.

Përfshirja dhe “dorëheqja”

“Unë isha pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve të Dhjetorit 1990, grevës së urisë dhe çdo ngjarje politike që shoqëroi ato. Me disa kolegë krijuam më pas Unionin Studentor, më pas hyra në RD duke qenë gazetari politik më i ri në historinë moderne të medias shqiptare. Pas vitit 1992 dhe me mbarimin e studimeve gjërat ndryshuan, isha pjesë e FRPD, drejtues për 4 vite, si dhe deputet në parlament.

Pas angazhimeve akademike postuniversitare, studimeve të avancuara në shkencat politike, pata fatin të rikthehem në media në rolin e komentatorit politik, këshilltarit politik të dy presidentëve, pedagogut të shkencave politike dhe botuesit të librave të vetëm studimorë në Shqipëri që lidhen me partitë politike, sistemet zgjedhore, si dhe më pas të botimeve të tjera profesionale mbi partitë, zgjedhjet, sistemet politike dhe shoqërinë civile. Aktualisht nuk jam pjesë e politikës dhe nuk e shoh veten pjesë të saj as në vitet më të ardhshme.

Kam bindjet e mia politike, shumë të ngjashme me vizionin e Dhjetorit ’90. Idetë thuhen, mbrohen, promovohen, ndahen me të tjerë edhe pa qenë në politikë. Madje sot është një kohë kur qenia jashtë saj mund të jetë vlerë pozitive, sidomos nëse nuk heq dorë nga mbrojtja publike e ideve tek të cilat beson”, thotë Afrim Krasniqi për gazetën “Shekulli”.

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *