Ad
GRABOVA-LLËNGA-NIÇA (HISTORIA E VENDBANIMEVE TË HERSHME TË VLLEHVE)

GRABOVA-LLËNGA-NIÇA (HISTORIA E VENDBANIMEVE TË HERSHME TË VLLEHVE)

Ad

 

Grabova-Llënga-Niça (Historia e vendbanimeve të hershme të vllehve)

Nga Jovan Bizhyti

Voskopoja nuk ishte një fenomen i shkëputur nga hapësirat e tjera të trevës juglindore të Korçës e të Mokrrës, ajo përfaqësonte vendbanimet e arëmënve (vllehve) në një trevë shqiptare më të gjerë, duke përfshirë tashmë rreth 7 qendra banimi të qytetërimit të kësaj etnie, shumë prej të cilave ishin kthyer në qyteza të zhvilluara në vitet e mesjetës së vonë të shekujve XVII e XVIII-të. Njëra prej tyre, e dyta mbas Voskopojës, ka qenë Grabova, e njohur nga historia si një qytet mesjetar e krijuar që në shekullin X nga fiset arëmëne (vllahe) dhe vazhdon të mbetet një nga ikonat historike më pak e folur dhe e shkruar për vlerat që mbart në historinë e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Grabova në të shkuarën ka qenë nga vendbanimet armëne më të hershme dhe më të populluara pas Voskopojës, e cila fletë për kulturën dhe civilizimin romak e bizantin që mbarte në historinë e saj. Ajo ka qenë dhe një nyje lidhëse në rrugën e vjetër “Egnatia”, ku njëra nga degët  kalonte në Grabovë dhe shtrihej pastaj drejtë Shqipërisë së Mesme dhe asaj verilindore.

Grabova

Nga të dhënat historike thuhet se në shekujt XVII e XVIII, ky qytet përbëhej nga rreth 2000 familje me rreth 12 000 banorë kryesisht të etnisë arëmëne (vllahe). Nga fundi i shekullit të XVIII, epidemia shkatërruese që përfshiu Voskopojën, përfshiu dhe qytetërimin e Grabovës, ku nga një e dhënë e veçantë historike thuhet se: “Brenda një nate e një dite morën arratinë drejtë Shqipërisë së Mesme dhe asaj Perëndimore rreth një e katërta e kësaj popullsie”.

Qytetërimi i Grabovës, i dha emër etnisë vllahe në trevat shqiptare, që njihen tashmë si “vllehë grabovarë. Gjuha arëmëne (vllahe) në këto troje mbetet ende autentike e pa shkruar dhe e pa huazuar nga gjuhët e tjera, pavarësisht se shumë shprehje të saj mund të përqasen me latinishten e vjetër, spanjishten, frëngjishten, apo dhe me rumanishten. Në elementët antik me vlera kulturore e historike në Grabovë, mbeten dhe ndërtimet e gurta të banesave dhe objekteve të kultit orthodhoks, rrugët e kalldrëmta, çezmat dhe urat me një arkitekturë ndërtimi të veçantë të periudhës së mesjetës së hershme. Në territorin e Grabovës janë 7 ura për gjatë degëzimit të rrugës “Egnatia”, ku erozionit dhe shkatërrimit i kanë rezistuar vetëm 3 prej tyre, “Ura me tre harqe” e shekullit të XVII, dhe dy të tjerat që janë shumë më të hershme, të ndërtuara rreth vitit 997 të mijëvjeçarit të sapo mbyllur. Këto objekte mbartin mbi shpinë historinë e Grabovës dhe që ende vazhdojnë të shërbejnë për kalim udhëtarësh e transport mallrash.

Gjithashtu në Grabovë ekzistojnë si monumente të kulturës së hershme dhe dy kishat orthodhokse tashmë me emër, ajo e Shën e Premtes dhe kisha e Shën Kollit, që janë të vjetra të ndërtuara që me krijimin e këtij vendbanimi në shekullin e X-të dhe të ristrukturuara në shekujt e më vonshëm. Në këto kisha gjenden dhe afresket e pikturuara gjatë ristrukturimit në shekullin e XVIII-të nga mjeshtrit grabovarë të kohës, pjesëtarë të familjes Çetiri si: Gjergji, Joani, Nikolla dhe Naumi, veprat e të cilëve kanë lënë gjurmë dhe në kishat e tjera të Shqipërisë së Mesme dhe në veçanti në kishat e Myzeqesë. Këta artistë grabovarë ishin nxënës të vëllezërve piktorë të dëgjuar Zografi, si dhe të Kostandin Shpatarakut në shekujt XVIII-XIXtë.

Me shkatërrimin e atij qytetërimi në Voskopojë, Grabovë e vendbanimet e tjera për rreth pas shekullit të XVIII-të, popullsinë e Grabovës dhe të gjithë kësaj treve, e përfshiu epidemia e eksodit të vazhdueshëm. Në vitin 1905, sipas një studimi të bërë nga administrata turke mbi bazë familje të regjistruara në defterët e taksave, Grabova kish mbetur me 70 familje arëmëne dhe sot sipas të dhënave në librin e studiuesit Meçan Hoxha, “Grabova, e bukura me arëmën”, thuhet se ka mbetur me rreth 40 familje të kësaj etnie.

Vllehtë e Grabovës përfshihen sot në shumë qytete e fshatra të Shqipërisë së Mesme e atë Perëndimore, si në: Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan, në Myzeqe, jo më pak dhe në Pogradec e Korçë, si dhe në emigracion në shtetet e Europës dhe përtej në Amerikë,Kanada, Australi e tjera.

Këto vendbanime arëmëne (vllahe), që shtrihen në hapësirat pranë Voskopojës e Grabovës në zonën e Mokër-Gorës të malësisë së Pogradecit, përfshijnë dhe dy fshatra, Llënga dhe Niça, të cilat kanë pasur një popullsi që fliste dikur një gjuhë idiom-latine (vllahofone), si dhe Grabova.

Llënga

Llënga është një fshat malor me pozicion buzë trasesë së rrugës “Egnatia”, që përshkon gjithë Ballkanin deri në Kostandinopojë. Fragmente të kësaj rruge gjenden sot tek “Ura e Golikut”, në Proptishtë “Ura e Tereziut”, “Ura në luginën e Llëngës” dhe më tej “Ura e Niçës”, një  fshat vllahofon i kësaj zone. Në Llëngë rruga “Egnatia” duket qartë në mbetjet e trasesë, siç janë gurët e mëdhenj që e kufizojnë dhe që gjenden në grykën e Llëngës pranë luginës së lumit Shkumbin.

Nga të dhënat historike, thuhet se nëpër këtë rrugë ka kaluar dhe Shën Pavli nëpërmjet grykës së Llëngës, për të dal nga tema e Maqedonisë për në temën e Ilirikut, gjatë misionit të tij për përhapjen e krishterimit në këto territore. Po kështu, nëpërmjet kësaj rruge ka kaluar dhe Çezari me ushtrinë e tij, për tu ndeshur me kundërshtarin Pompein në luftërat e tyre romake të përgjakshme.

Popullsia arëmëne (vllahe) në këto vendbanime, kanë folur të njëjtën gjuhë e të njëjtin dialekt si dhe vllehtë e Voskopojës e të Grabovës. Në përgjithësi këta banorë kanë qenë kryesisht zejtarë, tregtarë dhe blegtorë, duke jetuar në harmoni të plotë me shqiptarët e kësaj zone. Ndërsa me grekët (helenët) nuk i ka lidhur asgjë, veç feja orthodhokse e përbashkët dhe klerikët e kishave që kishin studiuar në shkollat helene, pasi arsimi shqip dhe vllahisht nuk ekzistonte në ato kohë të hershme.

Nga të dhënat historike, del se në shekujt XVII-XVIII-të qyteza e Llëngës kishte rreth 7000-8000 banorë, ndërsa Niça kishte 6000-7000 banorë. Ndërsa në vitin 1905, nga të dhënat e studimit të administratës turke në defterët e taksave, thuhet se në Llëngë kishin mbetur vetëm 100 familje arëmëne, ndërsa në Niçë 50 familje.

Një përshkrim të bukur për këtë fshat jep studiuesi italian me origjinë rumune, C .N. Burileani, në shënimet e tij të vitit 1905. Ja si shkruan ai: “Pas rreth një orë ecje, hymë lumtur në Llëngë dhe unë përshëndeta duke lagur shaminë në burimin e famshëm të kësaj qyteze, për të freskuar pak kokën që më ishte nxehur si flakë. Në mes të komunës pashë 5 a 6 arëmëne që po qepnin rroba për veshjet e tyre. Së bashku me Balamacën që para një viti provuam se ndjenjat e kësaj race arëmëne janë kombëtare. I përshëndeta me fjalën e tyre “bunë dëmnëca” që shqip do të thotë mirëmëngjesi. Arëmënët janë njerëz që respektojnë dhe respektohen. Ata sa na panë u ngritën të gjithë në këmbë, duke na kthyer me njerëzillëk dhe ëmbël përshëndetjen tonë, duke na lutur të uleshim në disa qilima dhe jastëkë. Ishin biseda të denja dhe arëmënjët në mënyrë të qartë e me kënaqësi na ftuan për të na nderuar duke shkuar nëpër shtëpitë e tyre dhe ne pranuam Ata na pritën miqësisht dhe me një trajtim të mirë. Sigurisht mikpritja e tyre filloi me atë tradicionalen që ata kanë, pra, me rakinë”.

Në afërsi të Llëngës ndodhet “Kanioni i Llëngës”, ose siç quhet nga vendasit, “Gryka e Gurit”, që ka një gjatësi rreth një kilometër dhe gjerësi 15-20 metra. Ajo përbënë një bukuri të rrallë turistike, me shpate mali që bien thikë me një lartësi rreth 50-60 metra mbi hullinë e kanionit. Një tjetër karakteristikë e kësaj zone, është se në pyjet e malësisë së Llëngës, ka pasur midis kafshëve të tjera dhe arinj me lëkurë kafe si specie e veçantë e kësaj zone.

Në majën dominuese të malit në veri të Llëngës, ndodhet kisha  dhe manastiri i Shën Marenës. Kisha e këtij manastiri ndërtuar rreth vitit 1666, përfshinë në brendin e saj veç afreskeve dhe ikonastasin me motive floreale dhe piktura të bëra nga dora mjeshtërore e Kostandin Shpatarakut gjatë ristrukturimit në vitin 1754. Në këtë zonë shfaq interes dhe “Ura e Golikut”, që është e veçant për teknikën e ndërtimit të saj. Është një urë e lashtë e ndërtuar në periudhën romake, që i ka rezistuar shekujve dhe ndodhet në fshatin Golik.

Niçën me Llëngën e ndan mali i Senies me vargpyjet e Valamarës dhe të Gurit të Nikës. Edhe fshati Niçë ka pasur dy kisha: Shën Maria, një kishë shumë e vjetër, ku në dokumentet e klerikut At Todi Jovanit, thuhet se është ndërtuar rreth viteve 1500. Po ashtu është dhe kisha e Shën e Premtes e tipit bizantin dhe e ndërtuar në vitin 1845 me kontributin e banorëve vendas.

Niça

Sipas studiuesit Gjergj Gusho, emri Niçë shpjegohet në dy variante të prejardhjes së tij: Së pari, ky emër mund të ketë prejardhje nga fjala latine “nucis”, në italisht “noce” (noçe), që ka kuptimin “arrë”. Ky fshat është i përmendur për prodhimin e arrës.

Së dyti, në dokumentet turke në librin e taksave të vitit 1583, përmendet emri “Nikaj”. Edhe mali aty pranë fshatit quhet “Guri i Nikës” dhe në rrëzë të tij ndodhet “Shpella e Nikës”. Nga regjistrimi i popullsisë në vitet 1921-22 del se fshati Niçë kishte 57 shtëpi me 316 banorë të  familjeve arëmëne (vllahe) të besimit të krishterë.

Studiuesi C. N. Burileani, që cituam më sipër e përshkruan kështu Niçën e një shekulli e ca më parë: “Niça është e vendosur në një pllajë dhe rrëzë tij kalonte një lum i vogël. Niça numëron 50 shtëpi banimi, të gjitha të ndërtuar me gurë të skalitura e të rehatshme. Gjuha e tyre ishte armenishtja. Si popull arumenët njihen përgjithësisht me emrin vlleh dhe armenishtja njihet si vllahishte. Shkova në kishë. Ç’të shikoje kishën e Niçes, shenjtorët të pikturuar nëpër muret e brendshme të saj. shumë nga ato ishin të dëmtuar, kokat e shenjtorëve të çarë, sytë të gërryer nga turqit që kishin hyrë në Niçe dhe kishin bërë dëme të mëdha. Ata kishin djegur krejtësisht Niçen. Është për të theksuar se pikturat e kishës së Shën Mërisë të Niçes ishin bizantine dhe i përkisnin vitit 1746, por ndërtesa ishte shumë e vjetër pra një konstruksion antik. Pra qysh nga viti i djegies e deri në këtë kohë ajo ka mbetur në gjendje shkatërrimi dhe kjo për faj të pushtuesve otoman. Niça u ribanua dhe u bë e banueshme për të dytën herë nga familja Spiro, e cila mbas djegies së Niçes u vendos në Moçan e merrej me blegtori të madhe, pra një orë larg Niçes dhe nga familjet Premti, familje Mengri, familje Bulli. Është për të theksuar se Niça në kohët e hershme numëronte një popullsi prej gjashtë mijë deri në shtatë mijë shtëpi, Llungu (llëngu) shtatë mijë deri në tetë mijë shtëpi. Po kështu dhe Grabova”.

Edhe nga këto fshatra, pas epidemisë shkatërruese që përfshiu Voskopojën, Grabovën dhe gjithë hapësirat rreth tyre nga fundi i shekullit të XVIII-të, u larguan shumë banorë armën (vlleh) për në zona të tjera të Shqipërisë.

Haxhi Bira, një personalitet arëmën (vllah)

Ka qenë arkimandrit në Manastirin e Shën Marenës së Llëngës. Ishte vllah me origjinë nga Samarina në krahinën e Thesalisë, si kryeqendër shpirtërore e vllehve. Edhe bashkëshortja e tij ishte vllahe nga Llënga. Haxhi Bira ka shërbyer 15 vjet si drejtor në shkollën vllahe të Elbasanit nga fundi i shekullit të XIX-të dhe më pas si klerik në Shën Marenën e Llëngës. Ka drejtuar një sërë shkollash armëne (vllahe), fal lavdisë së tij si njeri i shkolluar dhe i dëgjuar. Ka mbajtur një korespondencë të gjerë dhe me armënët (vlleht) e Manastirit. Haxhi Bira ka qenë dhe anëtar i delegacionit armën (vllah) në konferencën e Fuqive të Mëdha në vitin 1913 për të drejtat e arëmënve.

Familjet vllahe të zonës së Korçës më 1905

Korça 500, Plasa 150, Dishnica 30,Mborja 30, Drenova 7, Dardha 7, Boboshtica 15, Floqi 5, Polena 5, Gjana 5, Pogradeci 30, Remenji 15,Niça 50,Llengu 100,Voskopoja 140, Shipska 80, Vithkuq 30, Liboniku 20, Grabova 70, Erseka, Kojeli 40, Buzen 30, Valea dhe Ser Neda 50, Variboba 30, Badra 20, Pelikati 80, Nikolica 50

Shënim: Regjistrimet në administratën turke me bazë familje. Çdo familje llogaritej me 5 banorë

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *