Ad
Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ardi Veliu

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ardi Veliu

Ad

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ardi Veliu, në 107-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit:

I nderuar z. Kryeministër,
I nderuar z. Ministër i Brendshëm,
I nderuar z. Ambasador i BE-së
E nderuar znj. Kryetare e Komisionit të Sigurisë,
Të nderuar përfaqësues të misioneve policore dhe Oficerë Ndërlidhës të vendeve partnere,
Të nderuar familjarë të Dëshmorëve të Policisë,
Të nderuar veteranë të Policisë,
Të nderuar miq e të ftuar,
Të nderuar kolegë,

Njëri prej Reparteve me reputacionin më të lartë, jo vetëm brenda vendit dhe tek agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri, por edhe tek partnerët tanë të huaj që kanë bashkëpunuar me këtë Njësi Speciale, do të ketë nga sot shtëpinë e re. Inaugurojmë këto ambjente vërtet moderne, me të njëjtat standarde si ato të Policive partnere më të zhvilluarat në Europë, të bindur se ky është një investim që Reparti RENEA do t’ja kthejë pas gjithë shoqërisë duke prodhuar më shumë siguri.

Ndërtim i këtij Reparti u bë i mundur falë mbështetjes së qeverisë shqiptare, me iniciativë të Kryeministrit Rama, duke siguruar infrastrukturën e nevojshme, sipas standardeve bashkëkohore për përgatitjen fizike, taktike, profesionale dhe akomodimin e forcave speciale në një mjedis të sigurt. Implementimi i këtij projekti u mbështetet nga financimet e buxhetit të shtetit dhe ato të BE-së, nëpërmjet programit IPA. Në total, për realizimin e këtij projekti u investuan 10 milion euro, nga të cilat 7.6 milion euro nga buxheti i shtetit dhe 2.4 milion euro nga Bashkimi Europian.

Në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, është kënaqësi e dyfishtë, që kjo ditë e përurimit të ambienteve ku do të stërviten e qëndrojnë forcat RENEA, sot përkon me 107-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit. E kemi zgjedhur jo pa qëllim, që këto dy evente të ishin në të njëjtën ditë.

Gjithë trupa e Policisë është fizikisht në frontin e parë të luftës kundër krimit e paligjshmërisë, por në jo pak raste më të rrezikuarit e kësaj lufte janë këta burra, djem e gra, që punojnë në forcat RENEA. Publiku nuk njeh fytyrat, por njeh aktet dhe ka parë shpesh sakrificat e tyre.

Ky është momenti, ku së pari dua që të gjithë së bashku të nderojmë e përkujtojmë me respekt 224 Dëshmorët e Policisë, që nuk kursyen jetën në mbrojtje të ligjit, jetës e pronës së qytetarëve.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!

Organizata e Policisë, që ka hyrë në shekullin e dytë, si një ndër të parat institucione të shtetit shqiptar, është përballur me vështirësi e sfida të panumërta në rrugëtimin e saj. Nuk është sakrilegj të them, se në jo pak momente është vënë në pikëpyetje edhe vetë egzistenca e organizatës. Por jam krenar të pohoj, se ja ka dalë falë kontributit të padiskutueshëm ndër vite të qindra e mijëra atdhetarëve të mirë, burrave të nderuar e profesionistëve të shkëlqyer.

Për të ardhur deri në ditët e sotme, ku sërish me krenari e ndjenjë të lartë përgjegjësie theksoj se Policia e Shtetit është në sytë e publikut dhe aleatit tonë më të madh, qytetarit, institucioni më i besueshëm.

Të nderuar kolegë,
Ne mbyllëm një tjetër vit me rezultate domethënëse, duke garantuar paramentrat normal të sigurisë dhe rendit publik, edhe pse e them pa drojë se 2019-ta ishte një ndër periudhat me mbingarkesën më të madhe për Policinë e Shtetit, këto vitet e fundit.

• Numri i personave të rrezikshëm të vendosur prapa hekurave është me qindra, për t’i përballur ata me drejtësinë. Në disa raste ishim të tradhëtuar nga disa vendime të gjyqësorit. Por kjo nuk ishte për asnjë moment dekurajim për ne, përkundrazi.
• Asetet kriminale të hequra nga duart e krimit llogariten në rreth 90 milion euro për vitin 2019, një dëshmi e luftës së ashpër e të pakompromis që i kemi shpallur paligjshmërisë dhe krimit të organizuar në vend.
• Duke qenë një partnere e besueshme tek partnerët, Policia e Shtetit zhvilloi në bashkëpunim, me dhjetëra operacione ndërkombëtare, në fushën e krimit të organizuar dhe terrorizmit.
• Ia dolëm të mbajmë të pastër dhe jashtë hartës së kultivimit të kanabisit Shqipërinë, duke e kthyer këtë në një arritje të konsoliduar tashmë. Të ashpër me shkelësit e ligjit kudo e kushdo qofshin ata, do të jemi edhe në vijim.
• Sezoni turistik me gjithë volumin e madh e të pakrahasueshëm me disa vite më parë, u përballua falë dhe bashkëpunimit me institucione të tjera me shumë sukses dhe pa asnjë ngjarje kriminale, që do të cënonte jetën e pushuesve të huaj e vendas, apo cënonte imazhin e Shqipërisë.
• Përballimi i situatës pas tërmetit të datës 26 nëntor, ku mijëra punonjës Policie lanë familjet e tyre në panik e frikë dhe të parët u përfshinë në operacionet e kërkim-shpëtimit mes rrënojave. Sot në këtë ditë të shënuar për Policinë, dua t’i falënderoj edhe njëherë për sakrificën dhe përkushtimin. Janë me dhjetëra jetë të shpëtuara dhe qindra të tjerë që u ndihmuan e asistuan. Ky është misioni ynë, e ndihemi krenarë që veshim këtë uniformë e shërbejmë.

Të nderuar pjesëmarrës,
Marrëdhëniet e Policisë me komunitetin njohën zhvillim epokal. Duke parë tek qytetari aleatin e vyer, punonjësit e Policisë nuk janë padronë të qyteteve, por janë shërbëtorë të qytetarëve.
Ky zhvillim, kjo marrëdhënie dhe ky ndryshim është rezultat i aplikimit të metodave më të përparuara të policimit në komunitet, falë edhe mbështetjes së programeve nga qeveri e policitë mike. Një ndihmesë mjaft të madhe kanë dhënë edhe partnerët tanë OSBE, misionet PAMECA-s e ICITAP-it, si dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese të huaja, duke ndihmuar Policinë e Shtetit me trajnime, arsimim e bazë logjistike.

Për vitin 2020, objektivat tona janë shumë të qarta, duke veçuar si prioritet luftën kundër krimit të organizuar.
Policia e Shtetit do të demostrojë në këtë luftë se ka kapacitetet, motivimin, përgjegjësinë për t’ju përgjigjur pritshmërive të larta të publikut.
Kapacitetet tona rriten dita-ditës. Besoj brenda muajit të ardhshëm do të kompletojmë flotën tokësore me mjete të reja e dinjitoze.
Më tej, falë mbështetjes së qeverisë ndër projektet kryesore për 2020 e në vijim janë ngritja e një godine, më modernia e profesionalja në rajon për Policinë Shkencore.
Akademia e Sigurisë do të pësojë një transformim rrënjësor, duke vijuar traditën e mirë të arsimimit të dhjetëra të rinjve e të rejave, që janë forca dhe inteligjenca e nesërme e Policisë së Shtetit.

Në 2019 ne rekrutuam numrin më të madh të të rinjve, gati 700 vetë, duke rritur kështu edhe numrin total të Policisë. Të njëjtën gjë do të bëjme edhe në 2020, duke i dhënë frymëmarrje organizatës, duke ulur moshën mesatare, duke rinovuar me të rinj të motivuar kryesisht shërbimet me të cilat përballet qytetari çdo ditë, si Policinë Kufitare dhe Qarkullimin Rrugor.
Hapësira që na u dha me vendimin e fundit të qeverisë për trajtimin financiar të punonjësve mbi 55 vjeç, është një tjetër mundësi për të rritur kapacitetet e brendshme, duke ulur moshën mesatare në 3 vitet e ardhshme, me të paktën 1 vit e gjysëm.
Sigurisht që dhe organizata e Policisë si vetë shoqëria ka nevojë për përmirësim, ndryshim e vetëpastrim. Besoj fort se procesi i vetingut që ka nisur prej muajsh me gradat e larta, si dhe puna në vijim do të pastrojë nga radhët e Policisë së Shtetit elementet e padëshiruar dhe do ta bëjë më të shëndetshme atë.

I nderuar Kryeministër,
Në emër të Policisë së Shtetit shpreh falënderimet e sinqerta për mbështetjen dhe inkurajimin e madh që i jepni organizatës dhe siguroj se jemi të vendosur për të kryer misionin tonë përditë e më mirë, në shërbim të qytetarëve, në mbrojtje të jetës e pronës, duke përmbushur objektivin parësor për një Shqipëri më të sigurt.

Një falënderim i veçantë dhe shumë miqësor është për gjithë qytetarët, për mbështetjen dhe besimin, duke i ftuar sërish që jenë krah nesh, që bashkërisht të kontribuojmë për të parandaluar dhe goditur paligjshmërinë. Komisariati Dixhital dhe numri 112 janë siguria juaj, përdorini ato kur konstatoni apo hasni paligjshmëri.

U uroj gjithë kolegëve dhe të pranishmëve gëzuar 107-vjetorin dhe sa më shumë suksese në këtë vit që sapo kemi nisur!

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *