Ad
Ecuria e Krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor (K.L.Gj)  Nga Elda Kurti

Ecuria e Krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor (K.L.Gj) Nga Elda Kurti

Ad

Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor

Këshilli i Lartë Gjyqësor është organi që, sipas nenit 147 të Kushtetutës së Ndryshuar, do të garantojë pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor në Shqipëri. Neni 147/a i Kushtetutës së ndryshuar, cakton funksionet e rëndësishme që KLGj-ja do të ushtrojë mbi gjyqësorin shqiptar:

i. Emërimin, vlerësimin, ngritjen në detyrë dhe transferimin e gjyqtarëve të të gjitha niveleve;
ii. Vendosjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve;
iii. Propozimin e kandidatëve për Gjyqtarë të Gjykatës së Lartë;
iv. Miratimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave të etikës gjyqësore;
v. Drejtimin e administratës gjyqësore;
vi. Propozimin dhe administrimin e buxhetit të gjykatave;

KLGj-ja është një organ kolegjial i cili përbëhet nga 11 anëtarë. Përkatësia profesionale dhe procedura e përzgjedhjes së anëtarëve të KLGj-së është e ndryshme. Shumica e thjeshtë e anëtarëve të KLGj-së (6 anëtarë) zgjidhet nga radhët e gjyqësorit: (i) 3 gjyqtarë nga gjykatat e shkallës së parë ; (ii) 2 gjyqtarë nga gjykatat e Apelit; (iii) 1 gjyqtar nga Gjykata e Lartë. Anëtarët e gjyqësorit zgjidhen nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara nga LigjiNr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” (“Ligji 115/2016”). Pakica e anëtarëve të KLGj-së (5 anëtarë) zgjidhen nga radhët e juristëve jashtëgjyqësorit: (i) 2 anëtarë nga radhët e avokatëve; (ii) 2 anëtar nga pedagogët e fakulteteve të drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës; (iii) 1 anëtar nga shoqëria civile. Kriteret dhe procedura e zgjedhjes së anëtarëve jo gjyqtarë janë të përcaktuara në nenin 147 të Kushtetutës së ndryshuar dhe Ligjin 115/2016. Miratimin përfundimtar të anëtarëve të KLGj-së nga radhët e juristëve e kryen Parlamenti i Republikës së Shqipërisë.

Për shkak të rëndësisë së këtij organi për funksionimin e reformës në drejtësi, Neni 179 i Kushtetutës së ndryshuar dhe ligjiNr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” kanë përcaktuar që KLGj-ja duhet të krijohet jo më vonë se 8 muajpas hyrjes në fuqi të ndryshimeve Kushtetuese. Ndryshimet Kushtetuese kanë hyrë në fuqi 15 ditë pas botimit të tyre në Fletoren Zyrtare Nr. 138 të vitit 2016, dhe përkatësisht në datën 11 Gusht 2016. Megjithëse që nga hyrja në fuqi e ndryshimeve Kushtetuese ka kaluar një periudhë përafërsisht prej 1 viti e gjysmë, institucioni i KLGj-së nuk është krijuar ende.

Nga Elda Kurti

Tiranë më: 28.02.2018

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *