Ad
Dossier – Histori – ngjarje –  Mustafa Matohiti – Hero i Popullit

Dossier – Histori – ngjarje – Mustafa Matohiti – Hero i Popullit

Ad

Mustafa Matohiti – Hero i Popullit

Mustafa Matohiti u lind në Lekdush, më 15 nëntor 1912. Mbaroi shkollën fillore dhe atë plotore në Delvinë. I ati Sabriu rropatej në punëra të ndryshme për bukën e gojës, por të birin donte ta shkollonte. Varfëria dhe shtypja zjente përbrenda çdo zemre. Mustafai ishte 17 vjeçar kur më 28 nëntor 1929 në Gusmar, qendër e n/prefekturës së Kurveleshit, mori iniciativë dhe tha: “Neve kurveleshasve na urrejnë armiqtë e kjo na gëzon dhe do t’I luftojmë akoma më shumë”. Kjo protestë tregon jo vetëm urrejtjen kundër padrejtësive, por edhe zgjuarsinë dhe guximin e Mustafait.
Në vitin 1929 Mustafai u punësua në Tiranë, tek një farmacist. Donte të vazhdonte shkollën, por askush nuk e ndihmonte. Me durim dhe vullnet fitoi në një konkurs provimesh dhe u fut në një shkollë oficerësh. Në shkollë u lidh ngushtë me Asim Vokshin, Hero i Popullit. Në verën e vitit 1933 mbaroi shkollën dhe doli oficer për artilerinë. Emërohet në Elbasan, ku njihet me shumë elementë antizogistë, të cilëve u fliste për historinë dhe luftrat e popullit tonë për liri dhe pavarësi. Në maj 1937 e arrestuan xhandarët e Zogut për veprimtarinë atdhetare dhe e burgosën në Tiranë. Regjimi zogist e përjashtoi nga radhët e ushtrisë dhe i dha banim të detyrueshëm në Delvinë. Madje qeveria zogiste ia kishte shënuar emrin në defterin e njerëzve më të rrezikshëm të regjimit. Pas kësaj Mustafanë e dërguan me banim të detyrueshëm në Lekdush nën një mbikqyrje të rreptë. Në nëntor 1938 ai arratiset dhe shkoi në Greqi me shpresë që të shkonte në Luftën e Spanjës, ku ndodheshin Asim Vokshi, Petro Marko, Ramiz Varvarica e të tjerë, por autoritetet greke e ndaluan dhe e dorëzuan te xhandarmëria shqiptare, ku për dy muaj ai iu nënshtrua torturave.
Agresionin fashist të 7 Prillit 1939 e priti me një zemërim prej atdhetari të vërtetë. Në 1941 u ndodh në Piqeras, ku zhvilloi veprimtarinë patriotike në bashkëpunim me Mitro Xhanin. Më 18 mars 1942, në kujtim të Luftës së Mashkullorës nga çeta e Çerçiz Topullit, Mustafa Matohiti para autoriteteve dhe popullit mbajti një fjalim të zjarrtë patriotik. Në fund ai nga gjiri nxorri një flamur kombëtar, mbi të cilin qe shkruar: “Sot me flamur shpalosur, nesër me pushkë në dorë maleve!” Kështu deklaroi Mustafai në Mashkullorë dhe ai s’la katund e kasolle pa ligjëruar si bilbili për idealet e luftës për liri. Me udhëzim të Qarkorit të PKSH për Gjirokastrën, në lajthitë e Gusmarit, në prill 1942 formoi çetën partizane, ku komisar të saj luftëtarët e lirisë caktuan Mustafa Matohitin …Me iniciativën, pjekurinë e maturinë, Mustafai brenda muajve mars-maj 1942 krijoi në zonën e Kurveleshit këshillat antifashiste nacionalçlirimtare dhe njësitë e armatosura pranë tyre…Në maj 1942, në Kuç u formua celula e parë komuniste për Kurveleshin dhe sekretar u caktua Mustafa Matohiti, i cili ishte njëkohësisht dhe komisar i çetës së parë partizane të krahinës.
Më 28 nëntor 1942, në ditën e 30 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, në krye të 250 kryengritësve kurveleshas, sulmon administratën fashisto-zogiste dhe me trimëri, guxim e mençuri korri një fitore historike që pati një mbështetje të madhe mbarëpopullore në Kurvelesh e më larg. Kurveleshi u çlirua nga vargonjtë e mercenarëve dhe pushtuesve fashistë.
Mustafa Matohiti ishte njeri i aksionit të guximshëm, por ai shquhej edhe për oratorinë e përsosur. Fjala shpatë e barut e Mustafait qe bashkë me Mehmet Shehun dhe Abaz Shehun demaskuan me argumente krerët ballistë Ali bej Këlcyra, Rasim Babameto, Zenel Gjoleka, atje në rrepet e Dervenit, në 4 maj 1943. E ku nuk shkeli këmba e Mustafait!? E njohu Kurveleshi, Lopësi e Mesapliku, Buzi, Rrëzoma e Krahësi, Bënça, Bregdeti e Përmeti, Kardhiqi, Gjirokastra e Mallakastra, Zagoria, Dëshnica e Poliçani, Tepelena e Konispoli…Aftësitë drejtuese, organizuese dhe fryma luftarake e tij u shfaqën edhe kur u emërua komisar i Grupit të Katërt “Çamëria” apo kur u caktua komisar i Brigadës VI Sulmuese, më 26 janar 1944. Brigada VI Sulmuese zhvilloi shumë beteja dhe në njërën prej tyre, në atë të 29 marsit 1944, në Mërgëlliç, Mustafa Matohiti, Dino Kalenja, Lefter Talo dhe Meleq Gosnishti, të katër Heronj të Popullit, me gjakun e tyre të kulluar do të shkruanin pavdekësinë dhe lirinë që do të vinte më 29 Nëntor 1944, përmes pushkës fitimtare partizane.

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *