Ad
Del nga Arkivi i Marubëve/ Zbulohet fotoja e flamurit origjinal të Vlorës, si ishte shqiponja

Del nga Arkivi i Marubëve/ Zbulohet fotoja e flamurit origjinal të Vlorës, si ishte shqiponja

Ad

Del nga Arkivi i Marubëve/ Zbulohet fotoja e flamurit origjinal të Vlorës, si ishte shqiponja
flamuri origjinal i 1912Flamuri është simboli më i madh i kombit, edhe i popujve, dhe nderimi i flamurit është nderimi i atdheut, i kombit. Fama dhe lavdia e flamurit s’është në dorën e një pakice të zgjedhurish, por e të gjithë atdhetarëve të bashkuar nën hijen e shenjtë të flamurit të kombit. Një kërkesë e shtetit për qytetarët e vet, e shkruar në pasaportën e tyre: “Ndero flamurin e atdheut tand: Kush nuk e nderon Shejin e komsisë, shnderon vendin e vet”. (Në emën të Shtetit Shqyptar. Letër Njoftim. … 10.9.1923).

1.
[“Nderimi i Flamurit. … Napoleon Bonaparti duke ndenjur në çadër, afër Clayes, u lajmërua se një njeri po e kërkonte. – Një ushtar u paraqit i mbuluar me pluhur dhe llucë. – Ç’do ti? – tha Bonaparti. Shikoni paketën, e kapi, e hapi dhe nxori jashtë një flamur, flamuri kombëtar. Sytë e ushtarit u mbyllën. – Ç’kërkon ti?… Ushtari mbante sytë të mbyllur… Nuk fliste e gjak i pikonte nga qafa. – Ti je i plagosur? Heshtje… Me dëshirë që të kuptonte këtë ndodhje, Napoleoni iu qas trimit e me majë të gishtit e preku. Mjaft: Ai burrë ra për atdhe dhe flamur…” (Dita e Re, 1922:2 korrik)]
2.
Flamuri! Një fjalë, një emër. Një shtrojë e kuqe me shqiponjën dykrenore në mes. Dhe si shenjë dorznie për të mos e ndalur fluturimin kurrë më kah folet e kombit. Flamur! A thua se kjo fjalë e shkurtër kalon vetëm me një tingëllim të thatë të kësaj fjale, pa na shtyrë në kujtime e gjurmime të largëta! Në pak vite janë bërë mjaft albume e aq shumë blogje për flamurin kombëtar dhe tashmë thuajse flamuri është një temë tabu, ama flamuri ynë është bërë lesheli! Thuajse çdo shqiptar atë që di më mirë nga historia e Shqipërisë është: Flamuri që ngriti Ismail Qemali në Kuvendi i Vlorës është po ai flamur që ngriti Skënderbeu në çlirimin e Krujës më 28 nëntor 1444, dhe po ashtu, flamuri ynë i sotëm është po ai që ngriti Ismail Qemali në Kuvendin e Vlorës! E vërteta: Flamuri, historia e tij, është edhe mit edhe legjendë, mit e legjendë bashkë. Flamurin e Skënderbeut askush as e ka parë e as e ka prekur. Flamuri ynë kombëtar dhe flamuri i 28 nëntorit 1912 kanë të përbashkët kuq e zinë, të qenit shqiponjë me dy koka, por me simbolikë e vizatim krejt ndryshe. Një përpjekje sa pasionante e aq idiote nga studiues e krijues me emër të madh për të identifikuar “shqiponjën dykrenore shqiptare apo iliro-shqiptare si më e lashta e botës” dhe se dy kokët e shqiponjës simbolizuakan bashkëjetesën e gegëve me toskët, edhe se shqiponjën tonë na e paskan marrë e grabitur vende dhe shtete të tjera e plot brambullima “historike”! Dhe vjen historia e flamurit me argumente të verifikueshme e thuajse të patrajtuara më parë, për ta nxjerrë flamurin e kombit nga legjenda e miti në historinë e vërtetë të tij, nga terri në dritë, paçka se studiues e opinionistë e quajnë “…të pamundur zbulimin e të vërtetës së flamurit”… (Blendi Fevziu, 100 vjet, Tiranë 2012:24-25). Sido të jetë, në këtë 102-vjetor të shpalljes së Pavarësisë, fotoja e flamurit origjinal të Vlorës tanimë ka dalë nga misteri, edhe pse ka qenë në dritën e “diellit” Marubi.

3.
Është në meritë të Faik Konicës, që në librin “Historia e Skënderbeut”, e shkruar në latinisht nga Marin Barleti dhe botuar më 1506, zbuloi si ishte flamuri: “Skënderbeu përdorte flamur të kuq me shqiponjë të zezë dykrerësh”. Është po në meritë të Konicës, që me fantazinë e tij të hatashme vizatoi flamurin e Skënderbeut dhe e botoi në revistën e tij “Albania”, më 1899, që dilte në Bruksel (Figura 1). Dhe sërish, është po në meritë të Konicës, që ai – flamuri i Skënderbeut – “parakaloi” për herë të parë sheshit në udhët e Bostonit, pranë Stars and Stipes-it. Më 1908 patrioti Dervish Hima sjell në Shqipëri të parin flamur që nga koha e Skënderbeut dhe dënimi me vdekje nga gjyqi osman mbeti me burg për katër muaj. Më 1911 malësorët shqiptarë të Malit të Zi ngritën krye duke marrë shenjë të lëvizjes së tyre flamurin e Skënderbeut (Dielli 1928:2 nëntor), dhe tash diç më shumë: më 6 prill 1911 malësorët shqiptarë të Malit të Zi me Ded Gjo’ Luli në krye ngritën flamurin e Skënderbeut në Bratilë të Deçiçit (Figura 2, është i pari e i vetmi flamur origjinal i atyre viteve) dhe për katër orë pa ndërprerje ai u vu në goditjet e topave osmanë, e kryetrimi e trimat e tij ranë për flamur (Hylli i Dritës 1944:4:11). Për kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1911 fshehtas e tërë frikë, por me kujdes e dashuri motrat Stigmatine qëndisnin flamurin e Skënderbeut për luftëtarët e lirisë.
Një grup vatranësh të “Vatrës” në nëntor 1921 iu lutën Konicës t’u rrëfente historinë e flamurit të kuq me shkabën me dy krerë dhe Konica ua plotësoi dëshirën: “…Popuj të ndryshëm që në kohët më të vjetra kanë përdorur kafshë si shënja (simbole) kombëtare në monedhat e flamurët e tyre… por kafsha më e përdorur ishte shqiponja, e cila simbolizon forcën dhe madhështinë… dhe kur u prish mbretëria e Perëndimit, me qendër Romën, pasonjësit e tyre në Perandorinë Romake nisën të përdorin shqiponjën me dy krerë, si shenjë se kishin të drejtë mbi të dy pjesët e Perandorisë Romake” (Dielli 1921:26 nëntor).
Argumenti më kuptimplotë për origjinën e flamurit vjen nga princi Gjon Muzaka, bashkëkohësi i Skënderbeut dhe që thuajse në të njëjtën kohë me Barletin, që botoi “Historinë e Skënderbeut”, përfundoi veprën e tij “Memorie”, me historinë e Muzakajve. “Konstadini dhe pastaj perandorët e tjerë bizantinë morë stemën e Jul Qesarit me fushën e kuqe me një shqiponjë në mes me dy koka (f. 54). Perandori Konstandin i Kostandinopolit urdhëroi t’i jepnin Andrea Muzakës stemën e tij – shqiponjën me dy krerë që do të thotë stema perandorake” (Muzaka. Memorie 1996:29, ribotim shqip) dhe kësi dhurata perandori u bëri edhe shumë princërve të vendeve të tjera sllave.

4.
Në pesë motet e para të viteve `30 intensifikohen kërkimet për gjetjen e flamurit kombëtar, ka një korrespondencë midis Kryetarit të Parlamentit Pandeli Evangjeli dhe qeverisë, kërkesa e Ministrisë së Arsimit dhe drejtorit të Muzeut Kombëtar, shohim se do të bëhet protagonist edhe Eqerem Vlora (por për interesa personale) dhe përfundimi është negativ: nuk gjendet flamuri, por ka një kërkesë ministrore për të kontaktuar një grua (e paemër), që mendohet se e ka flamurin, por korrespondenca e humb rrjedhën e vet e s’dihet përfundimi i kërkimit. Në janar 1937, në vigjilje të 25-vjetorit të Pavarësisë, në gazeta bëhet debat për qëndistaren e flamurit qe u ngrit në Vlorë. Spiridhon Ilo, njëri nga firmëtarët e Pavarësisë, mbron argumentin se qëndistare ishte Marigo Posio, veçse ai ishte shumë i afërt i familjes së saj, kurse Koli Rrodhe, një mërgimtar shqiptar në Boston, “mbronte” mendimin se flamuri i ngritur në Vlorë ishte ai i qëndisuri nga shqiptarkat e Bostonit dhe i dërguar në Korfuz për të ardhur në Shqipëri nga guximtarja Posio, fare e vërtetë.
Në programin e festimit të 25-vjetorit të Pavarësisë është edhe vendimi për ngritjen e Komisionit Qendror për organizimin dhe realizimin e festimeve, i përbërë nga personalitetet më të shquara të kohës: Parashqevi Kyrias (kryetare), Mati Logoreci, Sotir Papakristo, Teki Selenica, Zoi Xoxa, Lasgush Poradeci, Pandeli Nase, Qemal Butka, Koli Rrodhe, Odise Paskali, Karl Gega dhe në mbledhjen e 21 shtatorit konstatohet se anëtar i komisionit ishte edhe Eqerem Vlora (AQSH, fondi 170, dosja 2, 1987). Për organizimin e ekspozitës “Rilindja Kombëtare”, Komisioni u dha përgjegjësi anëtarëve të tij: Eqerem Vlora, Qemal Butka e Lasgush Poradeci, kurse “kurator” ishte Luigj Shala (realisht me detyrën e censorit nga Oborri), sekretar i Këshillit të Ministrave dhe mësuesin e historisë Blakçori nga Peja. Në veprimtarinë e Komisionit, në shumë se 20 mbledhje me procesverbale bien në sy dy konstatime. I pari, ka kërkesa nga më të shumtat për dokumente, fotografi, relikte, madje dhe letra për historianë të huaj, si profesor A. Baldacit, të interesohet në bibliotekat e Venedikut dhe Sirakuzës për dokumente e heraldike, por s’ka asnjë shenjë më të vogël për flamurin dhe aktin e pavarësisë, që le të kuptohet se këto ishin gjetur, siç konstatohet në vijim. Konstatimi i dytë: Eqerem Be Vlora, që “mbronte” pikëpamjen se në Kuvendin e Vorës ishte ngritur flamuri i tij, i dhuruar nga Princi Aleandro Kastrioti dhe Koli Rrodhe, po ashtu mbronte mendimin se flamuri i ngritur në Vlorë ishte ai i qëndisur nga shqiptarkat e Bostonit, që kishte mbërritur në Vlorë nga Marigo Posio, por në mbledhjet e Komisionit nuk ka asnjë shenjë të debate për pretendimet e tyre, siç shihet i kishin ulur armët e debatit përballë të vërtetës së Flamurit, por edhe në shtypin e kohës, në ditët pas mbylljes së festimeve nuk ka asnjë debat, për protagonistët e Flamurit, siç bëhej muaj më parë.

5.
Janë më shumë se një duzinë argumente e pikëpamje dhe një shumicë e madhe për flamurin: cili është flamuri i ngritur ne kuvendin e Vlorës dhe është po kjo shumicë që mbështet vetëm se në opinion: Marigo P. qëndisi flamurin që solli Spiridhon Ilo nga Bukureshti (Figura 3), të tjerë mendojnë se e solli në pajën e vajzërisë dhe i pari e i vetmi që bëri një studim serioz për Marigo P. është Jakov Mile, pionier i shquar i shkencës shqiptare (i burgosur me vite të gjata në diktaturë), i cili ka prekur me dorën e vet një nga qindra flamurë që qëndisi Marigo: Në ato ditë gëzimi të pavarësisë ”… e ëma e një shokut tim ruan me kujdes në fund të arkës së teshave një flamur të vogël në trajtë trekëndëshi me dimensione 70×40 cm., është i kuq si flaka, me thekë të mëndafshta rreth e rrotull, me një Shqipe të bukur nga pjesa e gjerë dhe shkruhet me gërma ari: Rroftë Shqipëria… Por edhe në mos qoftë e vërtetë flamuri që u ngrit për herë të parë ka qenë i pikturuar vetë prej dorës së zonjës Marigo, është krejt i sigurtë që ai flamur u ngroh prej trupit të saj, u nxeh në prushin e zemrës së saj shqipëtare sa herë i duhej të kalonte nëpër doganat e huaja, ose të kërkohej prej autoriteteve turke…” (Përpjekja Shqiptare 1938:13). Marigo P. edhe pse ishte e penës dhe edhe pse për një kohë drejtonte gazetën Shpresa Kombëtare, por kurrë nuk shkroi asgjë, as dy rreshta për flamurin, si qëndistaria e tij, apo ndoshta reflektonte: Meritën më mirë ta kesh e të mos e meritosh, apo ta meritosh dhe të mos e kesh (në dosje a të publikuar). Marigo P. nuk ka të ngjashmen e vet (si femër) për shqiptarizëm aktiv dhe ka meritën e madhe se është qëndistarja e qindra flamujve të Pavarësisë, por jo qëndistare e Flamurit, që u ngrit në çastin e shpalljes së Pavarësisë.
Deri tashti është cituar vetëm emri i Marigo P., si qëndistare e flamurit të pavarësisë, por studiuesi i shquar Injac Zamputi që më 1940 (me veprimtari studiuese të mirëfilltë që atëherë) shenjon dhe një emër femre tjetër si qëndistare të flamurit të pavarësisë, dhe është Virgjinia, pa e identifikuar me mbiemër, ndoshta ishte i panjohur për të: “… Duart e ëmbla të Virgjinies që punuen mbi pëlhurën e kuqe Shqipen dykrenore që u dridhën në një dashuri për të cilën ajo s’kishte të drejtë të zgjojë në zemër pshehrëti, … duart e Virgjinisë mshefën flamurin në fund të arkës së pajës së vet prej ka e nxorën kurdoherë dy buzë burri që kërkojshin me e puth me mall” (Tomorri 1940: 28 nëntor). Femra e identifikuar me emrin Virgjini s’mund të jetë një ngatërresë me Marigo P., e cila ishte një emër shumë i njohur atë botë.
Eqerem Bej Vlora që në vitet 30 e shumë vite më pas, edhe kur shkroi librin me kujtime, qëndroi fort në “argumentin” se flamuri i ngritur në Kuvënd ishte ai që ishte dhuruar atij nga don Alandro Kastrioti në Paris me 1907 dhe argumenti i tij është i pavërtetë sepse në Kujtime fsheh të vërtetën e kohës kur ishte anëtar komisioni, dhe po ashtu, pa të drejtë është cinik me Ismail Qemalë e fimëtarët e pavarësisë dhe kërkon që babait të tij ti japë merita të pamerituara. Ekerem V. ishte në Komision për ekspozitën Rilindja Kombëtare ku vendosej një tjetër flamur, siç e shohim në vijim, por në Kujtime nuk e shkruan këtë të vërtetë e cinizmi i tij është i pafre: “…më 28 nëntor kryeobjekti i ditës, flamuri si simboli i pavarësisë, me atë pazotësinë tipike shqiptaro-lindore ishte harruar. Për më tepër, shumica… më parë as e kishte parë as e kishte mbajtur. Askush në Vlorë s’kishte flamur në shtëpi. Shtetformuesit ranë në hall… e flamuri që dikur don Aleandro Kastrioti ma kishte dhuruar solemnisht në Paris… ra në duart e Ismail Beut”. (Kujtime 1895-1925: 313-314). Figura 4. Ka plot fakte se flamuri ishte një nga preokupimet kryesore të Ismail Q. dhe ditët e Kuvendit Eqerem V. s’ishte në Vlorë, siç pohonte vetë, dhe shumica e delegatëvë, sipas rajoneve, erdhë me flamurët e tyre në Kuvënd dhe kronikat e kohës i përshkruajnë rrugët e Vlorës e ballkonet e shtëpive plot flamure. Ai e akuzon Ismail Q. se i bëri komplot të vëllait të tij, Syrja V., i cili mendonte të shpallte pavarësinë dhe të ngrinte flamurin, por vlerat e Ismail Q. ishin shumë më të mëdha se ato të vëllait, Syrja V. Ekerem V. i jepte merita të pamerituara vetes se e kishte ngritur flamurin e Skënderbeut në një veprimtari para një ushtaraku turk, i cili e kishte nderuar flamurin shqiptar dhe si ministër i qeverisë fashiste do të deklarohej publikisht për flamurin e Skënderbeut: “Bashkimi i kurorës së Skënderbeut me atë të Shtëpisë së Savojës përfaqëson sigurinë më të fortë të sovranitetit të indipendencës dhe të ekzistencës së kombit” (Tomorri 1943: 25 maj).
Donat Kurti OFM sjell një fakt tjetër: “… Ka të gjitha gjasat se flamuri që u ngrit në Vlorë më 28 nëntor 1912 është ai që vetë Ismail Qemali merr prej Lec Shkjezit në Kotorr disa ditë përpara – nuk e due i pat thënë Plaku as tepër të madh as tepër të vogël- ai kishte flamuj gjithëfarë mase dhe i dha një flamur të thjeshtë dy metro të gjatë (Hylli i Dritës 1937:11:527

6.
Nikola Lorusso Attoma, ndihmësi i mëkëmbësit të mbretit të Italisë pranë mbretit Zog, me shkrimin e gjatë “Shqipëria prej lëvizjes për indipendencë deri në realizimet e regjimit të mbretit zog”, i shkruar me mjaft kulturë e që mbulon gati faqen e parë të Gazetës Shqipëtare, në ditët e fundit të festimeve të pavarësisë, vjen me një informacion tepër interesant për ruajtësen e flamurit që u ngrit në Kuvëndi i Vlorës nga Ismail Q.: “… Duar të bekuara gruaje kishin qëndisur atë shqipe, simbol i trimërisë, për shumë vjet flamuri i lavdishëm ishte fshehur me kujdesje të madhe, pastaj atë ditë një grup të armatosurish kishte trokitur në portën e shtëpisë së gruas plot kurajo. Flamuri pa dritën dhe u puth për herë të parë nga dielli. Plaka, që në rini kishte qenë propagandiste guximtare e lirisë dhe që mburrej se kishte qëndisur të parin flamur kombëtar e kishte rrënjosur në mendjen e saj midis kujtimeve të paharrueshme skenën solemne. Dhe kallzonte … Ishte e vogël shtëpia ku kishte zënë qendër qeveria e përkohshme e Vlorës. Në të vetmen dritare të katit të parë, një plak i nderuar, Ismail Qemali ngriti flamurin dhe i lajmëroi popullit sihariqin e madh: Shqipëria është e lirë. Përreth një grumbulli malësorësh krenarë, të theshtë-sipas zakonit të tyre- edhe në shprehjen e gëzimit të madh, që mbushte shpirtërat e tyre, Shqipëria është e lirë… Plaka sot pushon në Vlorë në një varrezë të vogël të bardhë që tregon vargun e madh kryqesh, midis kodrës e bregut të detit…” (Gazeta Shqiptare 1937: 26 nëntor).
Kuptohet qartë se një ditë, një grup i armatosur kishte trokitur në portën e gruas dhe kishin marrë flamurin e ngritur në ditën e pavarësisë, me arsyen e fortë se Flamuri ishte vlerë e madhe kombëtare e pronë e shtetit se Attoma i referohet kujtimeve të plakës- ruajtëses së flamurit, dhe disa herë përdor trepikëshin, sepse kujtimet e marra duket ishin të gjata. Nga shkrimi kuptohet se nuk është fjala për Marigo P., që vdiq në moshë 42 vjeç, pse në atë moshë s’mund të quhej plakë, po ashtu varri i saj ishte në ishullin Zvërnec e jo në Vlorë, prandaj kjo plakë, për të cilën shkruante Attoma, ka pasur një tjetër emër, ndoshta është Virgjinia, për të cilën shkruante Zamputi. Këtu është vëndi për një refleksion, me probabilitet qind për qind se flamuri i Kuvendit të Vlorës, me gjithë shënimet e tjera të Attomës gjenden në arkivin e Ministrisë së Jashtme të Italisë, në fondin e Mëkëmbësit të mbretit në Shqipëri apo në fondin e Attomas, ndihmësi i Mëkëmbësit, nëse ishte krijuar fond për të.

7.
Ekspozita Rilindja Kombëtare, aktiviteti më i madh i 25-vjetorit të Pavarësisë, e hapur në Shkollën e Vizatimit (liceu artistik) nga 20 – 28 nëntor, në katalogun e vet regjistroi 748 objekte, dokumente, relikte e foto, me shtrirje që nga mesjeta, dhe në faqen 50 është regjistruar: Një flamur i qëndisur në Vlorë më 1912, i dhuruar nga Dhimitër Berati. Për ekspozitën shkroi gjatë vetëm Branko Merxhani në revistën e tij Përpjekja Shqiptare, me mjaft kritika e me vlerësim vetëm për pavijonin e historisë, nga mësojmë se atje ekspozohej edhe flamuri kombëtar i Kuvendit: “…Kati i dytë i shkollës së vizatimit përbëhet prej katër dhomash. Shkuam në dhomën e dytë. Kjo është më e madhe dhe e stolisur bukur… Sapo të hysh brenda në këtë dhomë, në murin ballas kundrohesh menjëherë me fytyrën e çelur të Plaku (Ismail Q.). Një flamur i madh që simbolizon flamurin që u qëndis dhe u ngrit me 28 nëntor në Vlorë gjendet i vendosur mirë e bukur përmbi kokën e Plakut…” (Përpjekja Shqiptare 1938: janar). Marubi me aparatin e tij fiksoi shumë pamje të ekspozitës dhe që gjenden në Arkivin Marubi, me to bashkë edhe flamuri i Kuvendit të Vlorës (Figura 5), për të cilën shkruante Branko M. e iu referuam më parë. Në një foto, e marrë në një plan të madh, në qendër është flamuri i Kuvendit të Vlorës (Marubi. Fototeka Kombëtare Marubi, 2012).

8.
Princ Widi, i vetëquajtur mbreti i shqiptarëve, për hir të së vërtetës reflekton objektivitet për flamurin: në thelb Princi mbajti flamurin e Kuvendit të Vlorës, me disa detaje jo thelbësore. Figura 6. Në ditët e festave të njëqind vjetorit, në një ekspozitë me flamuj, e organizuar nga dy Artanë – Lame e Shkreli – që e gjezdisën ekspozitën e flamujve deri në Kosovë bënë një mashtrim të madh popullor: Për flamurin familjar të Princ Widit klithën Eureka: Zbuluam flamurin e Kuvendit të Vlorës, të 28 nëntorit `12.
Në Statutin e Zgjeruar të Qeverisë e dalë nga Kongresi i Lushnjës përcaktohet me ligj flamuri: “Neni 90. Flamuri Kombëtar asht i kuq me shqipe të zezë dykrerëshe në mes”. (Fletorja Zyrtare 1922:10 gusht.) Në vitet 1922 – 1923 pati një “garë” për gjithfarë vizatime të flamurit kombëtar: si ruajtje të flamurit të 28 nëntorit, si përsëritje të flamurit të Widit e për habi dhe një flamur me shqiponjë gati si ajo e vitit 1946. Në pasaportën e vitit 1933 është stema e flamurit të Widit, kurse vula e zyrës që lëshon pasaportën është ajo e Kuvendit të Vlorës.
Statuti Themeltar i Mbretërisë Shqiptare (1929) ne ballinë ka shqiponjën e sotme por me dy kokë natyrale, kurse dy këmbët e saj me dukje afërsisht si ato të figurës 4. Në pasaportën e qytetarëve për stemë kombëtare mbahet flamuri i Princ Widit, siç duket qartë në figurën 5, por stema e pasaportës është shprehje e identitetit të flamurit kombëtar, dhe në asnjë libër apo gazetë të kohës nuk është parë i botuar Flamuri kombëtar, madje as në festimet e 25-vjetorit të Pavarësisë. Flamuri I Mbretërisë së Zogut në Figura 7.
Me pushtimin fashist ndryshoi edhe flamuri kombëtar, ai mori një pamje tjetër: u mor nën “mbrojtjen” e sëpatave fashiste dhe me përkrenaren e Skënderbeut. Nën pushtimin gjerman, në pranverë 1944 flamurit kombëtar komunistët i vunë dhe simbolin stalinist me drapër e çekan, i cili u kap e u dogj dhe ishte koha kur Gjirokastra e Kolonja shpallen të ashtuquajtura republika sovjetike, por komunistët detyrohen nga opinion popullor ti heqin simbolet staliniste nga flamuri kombëtar. (Citohen burime arkivore nga Bernd Ficher. Shqipëria 1943–1945:251-252). Për herë të parë flamuri kombëtar doli publikisht në sfondin e Kongresit të Përmetit, por i pa yllin komunist dhe nuk dihet motive i kësaj simbolike jokomuniste.
Në Statutin e Republikës Popullore të Shqipërisë (1946) përcaktohet flamuri kombëtar, si ai i Statutit të Zgjeruar të Lushnjës apo i Mbretërisë së Zogut, por që nga koha në kohë Flamurit i janë bërë zbukurime të pakuptimta, derisa edhe stemës së flamurit i është shtuar me ligj edhe Koka e Dhisë, që është e në flamurin e pushtimit fashist. Në fillimet e viteve ’70 Flamuri kombëtar identifikohej me flamurin e Partisë, madje merrej edhe si simbolikë për organe të “diktaturës së proletariatit”. Në figurën 6 shihet si syri i vigjilentit të sigurimit të shtetit bëhet njësh me syrin e shqiponjës së flamurit.

9.
Janë shumë blogje për qëndistaren e flamurit të Vlorës dhe nuk ka asnjë ngasje për kryesoren: kush e ideoi flamurin e Vlorës apo e vizatoi atë që tashmë e njohim nga fotografia e tij, nga shkrepja me dorën e mjeshtërit të fotografisë, fotografit të Oborrit, Marubit. Kur mungojnë faktet, verë në punë argumentet. Është mësimi që vjen nga Herodoti, historiani i parë dhe më i madh i lashtësisë. S’ka pikë dyshimi se Ismail Qemali ishte ideatori i projektit për shpalljen e pavarësisë dhe realizimin e tij, por bashkë me projektin s’mund të mos lindte dhe meraku për valëvitjen e flamurit të shpalljes së pavarësisë dhe vetëm projektues i misionit të shpalljes të pavarësisë ka aftësinë dhe përgjegjësinë për ideimin e flamurit, vizatimin e tij, veçanërisht simbolin e shqipes. Flamuri s’mund ti lihej rastësisë, i cili më të rrallë është edhe mbret, por rregullisht është humbje e dështim. Përderisa fotografia e mbetur (si relikte e çmuar) për flamurin origjinal, që u ngrit ditën e shpalljes së Pavarësisë, nuk ka asnjë ngjasim me asnjë nga flamurët e diskutuar më parë, si ai i Konicës, ai i Princit Kastrioti, ai Marigo P. etj. ja pra Ai flamur është ideuar me nge nga nje person me kulturë të gjerë dhe veç Ismail Q. s’ka tjetër. Dhe për këtë vjen detaji: Shqiponja me dy krerë e atij flamuri me ato kthetrat e verdha e të frikshme që ka mbërthyer fort rrufetë, siç shihet, ka qenë një zot i rrufeve dhe i ndriçimit që nderohej në qytetërimin e Mesopotamisë se lashtë. Dhe kjo kulturë e lashtë s’mund të ishte e panjohur për atë që ideoi flamurin e Pavarësisë.

10.
Ka mjaft studiues që shkruajnë libra e albume për flamurin kombëtar se shqipja dhe shqiponja me dy krerë kudo në botë ka fytyrë shqiptare e janë më të lashtat në botë. Shqiponja dykrenore e flamurit tonë kombëtar, por edhe e çdo flamuri tjetër me këtë simbol, është përdorur për herë të parë në Mesopotami mijëra vjet përpara Krishtit. Shqipja me dy krerë ka qenë motiv i zakonshëm në artin dhe kulturën hitite të Anadollit në mijëvjeçarin e dytë përpara Krishtit e që këtej simboli i shqiponjës dykrenare mori rrugën për ne Evropë e në botën mbarë. (The Mesopotamia Origins of the Hittit Double- Headed Eagle, Uw-L Journal of Undergraduate Reseurch XIV (2011).

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *