Ad
Çfarë është Shteti i së drejtës? Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit

Çfarë është Shteti i së drejtës? Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit

Ad

Fillimisht duhet të sqarojmë se cila është terminologjia që duhet të pranojmë: shteti ligjor apo shteti i së drejtës, terma këto të përdorura gjerësisht sot në literaturën politike e juridike. Të dyja termat kanë të njëjtin kuptim, shprehin të njëjtin koncept, atë të lidhjes së ngushtë dhe reciproke midis shtetit dhe së drejtës. Kjo lidhje shprehet në mënyrë tepër të qartë në nenin 4, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë: “ e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit”. Ndoshta për arsye të referimit kushtetues, në Shqipëri duket se shprehja “shtet i së drejtës” ka fituar qytetarinë.

Përkufizimi i Shtetit të së drejtës ndryshon sipas autorëve dhe epokave. Shteti i së drejtës është para së gjithash një model teorik. Ai është bërë një temë themelore e politikës meqenëse konsiderohet si karakteristika kryesore e regjimit demokratik. Sipas një përkufizimi më të vjetër shteti i së drejtës është një sistem institucional në të cilin fuqia publike i nënshtrohet së drejtës. Shteti i së drejtës është shumë i lidhur me respektimin e hierarkisë së normave, ndarjen e pushteteve, barazinë e subjekteve të së drejtës para normave juridike, ekzistencën e juridiksioneve të pavarura dhe garantimin e të drejtave civile dhe politike të individëve.

Respekti i hierarkisë së normave. Hierarkia e normave është një vizion sintetik i së drejtës hartuar nga Hans Kelsen për të « çliruar të drejtën nga bazat e saj ideologjike dhe morale, për ta bërë atë veçse një teknikë rregullimi, një teknikë të pastër në shërbim të shtetit laik ». Sipas kësaj teorie, çdo rregull i së drejtës duhet të respektoj normën që është sipër saj, duke formuar kështu një rend hierarkik.

Ky rend është sa statik, pasi normat e ulëta duhet të respektojnë normat që janë sipër tyre, aq edhe dinamik, sepse një normë mund të ndryshohet sipas rregullave të caktuara përmes një norme, që është superiore ose e të njëjtit rang, por me kusht që të jetë e mëvonshme në kohë. Norma e vendosur në majë të piramidës, në shumicën e sistemeve juridike, është Kushtetuta.Këtu paraqitet skematikisht hierarkia e normave juridike:

Ekzistenca e një hierarkie të normave përbën një prej garancive më të rëndësishme të shtetit të së drejtës. Në këtë kuadër, kompetencat e organeve të ndryshme të shtetit përcaktohen në mënyrë të saktë dhe normat që ato prodhojnë janë të vlefshme me kusht që të respektojnë tërësinë e normave superiore.
Këtij rregullimi juridik i nënshtrohen tërësia e personave juridik. Shteti nuk është i veçantë, ai nuk mund të mos njohë parimin e barazisë : çdo normë, çdo vendim që nuk do të respektonte një parim superior do të bëhej shkak për një sanksion juridik. Shteti, që ka kompetencë për të bërë të drejtën, është i detyruar t’u nënshtrohet rregullave juridike; në këtë mënyrë funksioni i rregullimit që kryen shteti është i afirmuar dhe i legjitimuar. Një model i tillë supozon pra njohjen e një barazie të subjekteve të ndryshëm të së drejtës ndaj normave në fuqi.

Ndarja e pushteteve. Ndarja e pushteteve përbën kushtin e parë të ekzistencës së shtetit të së drejtës. Teoria e ndarjes së pushteteve, formuluar për herë të parë nga Aristoteli, e përpunuar nga Locke dhe Montesquie, synon ndarjen e funksioneve të ndryshme të Shtetit për të kufizuar arbitraritetin dhe penguar abuzimet gjatë ushtrimit të misioneve të sovranitetit.

Teoria klasike e ndarjes së pushteteve dallon tre funksione kryesore të rregjimeve të ndryshme politike: funksionin e hartimit dhe vendosjes së ligjeve, funksionin e zbatimit të tyre dhe funksionin e zgjidhjes së konflikteve të lindura gjatë zbatimit të ligjeve. Duke u nisur nga konstatimi që në rregjimin e monarkisë absolute, këto tre funksione shpesh janë përzjerë dhe mbajtur nga një person e vetëm dhe i njëjtë, teoria e ndarjes së pushteteve kërkoi që sejcili prej funksioneve të ushtrohet prej organeve të ndryshme, të pavarura njëra nga tjetra, si për mënyrën e emërimit, ashtu dhe për atë të funksionimit. Sejcili prej këtyre organeve bëhet kështu njëri prej tre pushteteve: pushteti legjislativ ushtrohet prej parlamenteve, pushteti ekzekutiv mbahet prej shefit të Shtetit dhe prej anëtarëve të qeverisë, pushteti gjyqësor i përket gjykatave. Në dallim nga paraardhësit e tij, Montesquieu fliste për arritjen e ekuilibrit të pushteteve të ndryshëm: “Që të mos abuzohet me pushtetin, duhet që, nëpërmjet vendosjes së gjërave, pushteti të ndal pushtetin”.

Teoria e ndarjes së pushteteve frymëzoi hartuesit e Kushtetutës amerikane, që në 1787 të vendosnin një regjim presidencial të organizuar sipas një ndarje strikte të tre pushteteve, e shoqëruar me ekzistencën e mjeteve të kontrollit dhe veprimit reciprok, në përputhje me doktrinën e “checks end balances”. Në mënyrë që sejcili prej pushteteve të mos abuzoj më prerogativat e tij, kushtetuta amerikane ka parashikuar një ndarje strikte të kompetencave midis organeve federale dhe Shteteve të federuara. Gjithashtu pushteti legjislativ është ndarë midis dy asambleve, presidentit ka të drejtën e vetos mbi tekstet ligjore dhe Senatit i është njohur paralelisht mundësia e kundërshtimeve të emërimeve të Presidentit dhe të traktateve ndërkombëtare të negociuara nga administrata. Në Deklaratën e të drejtave të njëriut dhe të qytetarit të 26 gushtit 1789 theksohet se ndarja e pushteteve është e domosdoshme për mbrojtjen e të drejtave naturale të njëriut: kontrolli reciprok që ushtrojnë tre pushtetet njëri kundër tjetrit ruajnë individin prej shkeljeve të të drejtave të tij themelore. Në të njëjtën kohë, ndarja e pushteteve përbën një pengesë ndaj despotizmit dhe tentativës së pushtetit personel, meqënëse asnjë person nuk mund të koncetrojë në duart e tij të gjitha atributet e e sovranit.

Megjithatë, teoria e ndarjes së pushteteve jo gjithmonë është zbatuar në mënyrë rigoroze prej rregjimeve të ndryshme demokratike. Në fakt, një ndarje shumë strikte e pushteteve të ndryshëm mund të çoj në bllokimin e institucioneve. Kjo është arësyeja pse shumë rregjime preferojnë parimin e bashkëpunimit të pushteteve të ndryshëm, se sa atë të ndarjes strikte: dallimi midis legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit mbetet, por këto pushtete të ndryshëm disponojnë mjete veprimi njëri kundrejt tjetrit.

Barazia e subjekteve të së drejtës. Barazia e subjekteve të së drejtës përbën kushtin tjetër të ekzistencës së shtetit të së drejtës. Në të vërtetë kjo do të thotë që çdo individ, çdo organizatë mund të kundërshtojë zbatimin e një norme juridike, kur nuk është në përputhje me një normë superiore. Individët dhe organizatat marrin cilësinë e personit juridik: flitet për persona fizik në rastin e parë, për persona juridik në rastin e dytë.

Shteti vetë konsiderohet si një person juridik: vendimet e tij i nënshtrohen respektimit të parimit të barazisë, njësoj si personat e tjerë juridik. Sipas këtij parimi, edhe veprimi i pushtetit publik duhet t’i nënshtrohet parimit të barazisë, që supozon në rradhë të parë respektimin e parimeve kushtetuese. Personat fizikë dhe juridikë të së drejtës private mund të kundërshtojnë vendimet e pushtetit publik në rrugë administrative dhe gjyqësore. Në këtë kuadër roli i gjyqësorit është kryesor dhe pavarësia e tij është një nevojë e domosdoshme.

Pavarësia e drejtësisë. Shteti i të drejtës supozon ekzistencën e juridiksioneve të pavarura, kompetente për të zgjidhur konfliktet midis personave të ndryshëm juridik duke zbatuar njëherësh parimin e ligjshmërisë, që rrjedh prej ekzistencës së hierarkisë së normave, dhe parimit të barazisë, që kundërshton çdo trajtim të diferencuar të personave juridikë. Një model i tillë kërkon ekzistencën e ndarjes së pushteteve dhe një drejtësi të pavarur. Në fakt, problemi qëndron në faktin se drejtësia është gjithsesi pjesë e shtetit, ndaj vetëm pavarësia e saj kundrejt pushteteve legjislative dhe ekzekutive, mund të garantojë paanshmërinë e saj në zbatimin e normave të së drejtës.

Gjithashtu gjykatat duhet të jenë në gjendje të konfrontojnë normat e ndryshme për të gjykuar barazinë e tyre, përfshirë rregullat që kanë një rend të lartë në hierarkinë e tyre. Një ligj ose një konventë ndërkombëtare që bie ndesh me kushtetutën duhet të hidhet poshtë nga gjykata dhe të konsiderohet e pavlefshme. Shteti i së drejtës nënkupton pra ekzistencën e një kontrolli të kushtetutshmërisë. Duke patur parasysh karakterin kompleks të një situate të tillë, Hans Kelsen ka propozuar ti besohet një juridiksioni unik dhe të specializuar, që ka cilësinë e Gjykatës Kushtetuese.

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *