Ad
BIBERISHIZMI I NEVERITSHËM 30 VJEÇAR DHE ZËRI I QYQEVE TË AMERIKËS

BIBERISHIZMI I NEVERITSHËM 30 VJEÇAR DHE ZËRI I QYQEVE TË AMERIKËS

Ad

Përtej një kënge… një paralele e habitshme!

Xhevdet Shehu

Duke lexuar letrën e Elez Biberajt për poetin Hamit Aliaj dhe replikën që zoti Vasel Malaj i bën ish-shefit të seksionit shqip të VOA-s, kapet thelbi i krizës së thellë të identitetit që po vuan prej vitesh ky seksion. Nuk është puna tek simpatia që paska patur dhe ka Biberaj për një këngë e për një autor. Në fund të fundit Biberaj është me origjinë malësore dhe është e drejta e tij ta dojë folklorin e krahinës që i përket. Në të vërtetë, nuk e di se si është gjendur, por Elezi nga dashuria e pakufishme për folklorin e krahinës së tij, ka denoncuar pa dashje vetveten si një shkelës të statusit të VOA-s. Dhe kjo shkelje është e dënueshme. Sepse këtu bëhet fjalë për një frymë, për një sjellje zyrtare dhe antiligjore që është imponuar për vite e vite me radhë në radion zyrtare amerikane, (seksionin shqip) duke e dëmtuar rëndshëm dhe në mënyrë të pandreqshme atë.

Ulja drastike e dëgjueshmërisë së kësaj radioje prestigjioze vitet e fundit ka krijuar një sërë problemesh të cilat mund të përmblidhen me disa aspekte të punës, drejtimit dhe funksionimit të seksionit shqip. Zëri i Amerikës, flas gjithnjë për gjuhën shqipe, në një periudhë prej më shumë se dy dekadash ka shfaqur një njëanshmëri të pafalshme, duke mbështetur një krah të politikës shqiptare dhe duke luftuar tjetrën. Pa asnjë dyshim përgjegjësia bie mbi drejtuesit e hershëm dhe të sotëm të tij.

Unë kam punuar për disa vjet në gjysmën e parë të viteve 1990 si korrespondent i “Zërit të Amerikës” në Tiranë dhe kam njohur parimet e atij radiostacioni, mënyrën si funksionon, ndërsa i kam njohur thuajse të gjithë ata që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në VOA. Prandaj dhe them me bindje se diçka thelbësore nuk ka funksionuar atje në qendër, në Uashington.

E kam thënë edhe herë të tjera, edhe në DITA, se nuk e kam vënë asnjëherë në dyshim se VOA ka qenë gjatë gjithë kohës në një mbështetje të verbër të Berishës. Mirëpo, nëse në fillim kjo mbështetje ka qenë e justifikuar me ndryshimin e sistemit, më pas mbështetja u bë e pakuptimtë, duke shkelur parimet bazë të “Zërit të Amerikës”. Është pikërisht ky fakt, pra njëanshmëria, madje dhe transmetimi i lajmeve të rreme të sajuara nga vetë Berisha, që ka ndikuar dukshëm në uljen e besueshmërisë dhe të dëgjueshmërisë së kësaj radioje. Argumenti i parë që mund të sillet pse është ulur dëgjueshmëria e kësaj mediaje, për pasojë edhe besueshmëria, për shkak të përhapjes së gjerë të mediave private në Shqipëri sidomos në dekadën e fundit, mendoj se nuk qëndron.

Qysh në gusht të vitit 1995 i jam drejtuar me një letër Drejtorit të atëhershëm të VOA-s, Geoffrey Cowan ku i tregoja se ç’po ndodhte dhe se si po manipulohej me emrin e madh të “Zërit të Amerikës”. Thënë shkurt, i thashë zotit Cowan se seksioni shqip i “Zërit të Amerikës” po shkelte parimet themelore të radiostacionit, të sanksionuara në një statut që e ka firmosur Presidenti Gerald Ford në mesin e viteve 1970. Më vonë kam botuar një libër mbi përvojën time me VOA-n, të cilin e kam botuar nja 15 vjet të shkuar, në të cilin kam treguar se si Berisha mbante në duar fijet e “Zërit të Amerikës”. Nuk e di si kanë rrjedhur punët, por është e pafalshme që ky radiostacion tashmë shumë i sofistikuar të vazhdojë të jetë nën hyqmin e këtij njeriu edhe sot e kësaj dite. Kjo përshtypje të përforcohet duke ndjekur disa intervista agresive dhe disa komente dhe analiza dukshëm të njëanshme kundër koalicionit aktual qeverisës, sikur të jenë orientuar nga selia e SHQUP-it në Tiranë.

Sepse ka një paralele të habitshme: Ndërsa është larguar para disa vjetësh si shef i seksionit shqip të VOA-s, Elez Biberaj duket se vazhdon të mbajë ende frenat e atij seksioni, të orientojë politikat editoriale dhe qëndrimit e përditshme të tij. Kjo duket në emisionet që transmeton çdo ditë dhe që përshkohen nga një mungesë e theksuar profesionalizmi. Ndryshe kjo strategji e ndjekur nga Elezi në seksionin që drejtonte është quajtur ‘Biberizëm’ sikurse e quan dhe Vasel Malaj. Të njëjtën gjë bën dhe Berisha në Tiranë që, megjithëse është larguar de jure nga drejtimi i Partisë Demokratike, vazhdon të luajë de fakto të gjitha fijet dhe orientojë të gjitha lëvizjet politike në atë parti që është katandisur në ditët më të këqija të saj. E kjo strategji e ndjekur nga Saliu në PD është quajtur rëndom Berishizëm.

Të jetë rastësi kjo ngjashmëri? Vështirë ta besojë kush. Këto dy emërtime janë të lidhura ngushtësisht me njëri-tjetrin, ndaj dhe është krijuar një neologjizëm: Biberishizëm. Biberishizmi vazhon të jetë i pranishëm si në Uashington dhe në Tiranë, duke ulur sa besueshmërinë e dëgjuesve të “Zërit të Amerikës” aq dhe mundësitë e PD-së për të qenë një alternativë e së ardhmes.

Fakt është se “Zëri i Amerikës” në gjuhën shqipe sot është një hije e zbehtë e historisë së respektuar dhe hijerëndë të dikurshme të tij. Është për të ardhur keq kur dëgjoj ta krahasojnë aktualisht Zërin e Amerikës me radio lokale të Shqipërisë.

**************

Ish-shefi i seksionit shqip të VOA-s, Elez Biberaj, i ka dërguar një letër poetit Hamit Aliaj ku rrëfehet se si e ka frymëzuar kënga ‘N’Dardani bjen tupanat’ dhe si e shndërroi atë në siglën e radios më të dëgjuar nga shqiptarët 30 vjet më parë. Cili ishte plani ‘strategjik’ i Biberajt për ndryshimet e pritshme dhe lidhjet e tij me Sali Berishën. Si është shkelur statuti i “Zërit të Amerikës” në vijimësi dhe pse dëgjueshmëria e kësaj radioje ka rënë në nivelet më të ulëta të mundshme, duke u krahasuar me radiot lokale në Shqipëri… Dhe një paralele e habitshme midis seksionit shqip të VOA-s dhe selisë së SHQUP-it në Tiranë.

Letër për poetin e famshëm me rastin e ditëlindjes

Si më ka frymëzuar kënga e poetit të shquar Hamit Aliaj, “N’Dardani bjen një tupan”

Nga Elez Biberaj, drejtor për Euroazinë në “Zërin e Amerikës”

Menjëherë pas emërimit tim si shef i seksionit shqip të “Zërit të Amerikës” në shtator 1986, kam filluar zbatimin e një plani “strategjik,” të cilin e kisha përpiluar me kujdes disa muaj më parë dhe që bazohej në studimet e mia mbi çështjen shqiptare dhe mbi rolin që radio transmetimet e huaja perëndimore kishin luajtur në nxitjen e reformave dhe përhapjen e frymës demokratike në vendet e bllokut sovjetik. Synimi ishte që “Zëri i Amerikës” të luante rolin e një faktori ndikues, një faktori ndryshimi nga jashtë, duke mbeshtetur hapur mendimin alternativ dhe duke nxitur idealet e një shoqërie të lirë, pluraliste dhe demokratike në Shqipëri dhe në Kosovë.

Pjesë e planit tim “strategjik” ka qenë edhe përdorimi i një pjese të veçantë muzikore me të cilen do të identifikohesha personalisht dhe që do t’u paraprinte raporteve, intervistave, dhe analizave të mia politike. Dhe për këtë kam zgjedhur siglën e këngës së poetit të shquar Hamit Aliaj “N’Dardani bjen një tupan!” të kënduar nga Gëzim Nika dhe kompozuar nga Kol Susaj. Siglën e kësaj kënge e kam përgatitur disa javë para se të filloja detyrën si shef i seksionit shqip dhe kam filluar ta përdori qysh javën e parë në detyrë. Sigla ka qenë shumë e shkurtër, nën 20 sekonda, kështu që është kopjuar disa herë që përfundimisht të arrinte në 45 sekonda. Këtë sigël e kam përdorur pothuajse ekskluzivisht gjatë një periudhe 15-vjeçare (pas fillimit të transmetimeve televizive në Nëntor 1999, ajo është përdorur më rrallë, dhe pas largimit tim si shef i seksionit shqip në prill 2004, nuk është përdorur më). Në disa raste, zakonisht më 28 nëntor, “N’Dardani bjen një tupan!” është transmetuar e plotë. Këngën “N’Dardani bjen një tupan!” e kam dëgjuar përherë të parë në vitin 1983. Kjo këngë më ka ngjallur emocione të papërshkrueshme dhe menjëherë kam rënë tmerrësisht “në dashuri” me të. Asnjë këngë tjetër, sipas mendimit tim, nuk pasqyronte më denjësisht sfidat si dhe shpresat e kombit tonë aq të vuajtur. “N’Dardani bjen një tupan!” përputhej plotësisht me mesazhin që unë po përpiqesha t’ju transmetoja dëgjuesve: mos të humbnin shpresë se më në fund aspiratat e kombit shqiptar për liri e demokraci do të përmbusheshin.

Zëri i Amerikës ka shërbyer si një dritë shprese gjatë periudhës së errët të komunizmit dhe ka dhënë një ndihmesë modeste në shembjen e komunizmit dhe tranzicionin historik të shqiptarëve drejt një qeverisjeje pluraliste dhe demokratike. Një pjesë e kësaj ndihmese i takon poetit Hamit Aliajt dhe këngës së tij “N’Dardani bjen një tupan!”. Këngët e Hamit Aliajt kanë frymëzuar shqiptarët brenda dhe jashtë Atdheut në periudhat më kritike të kombit tonë.

(Botuar në gazetën DIELLI, 15 gusht, 2015)

Biberizëm në VOA

Nga Vasel Malaj

A i ka shkelur Z. Elez Biberaj ligjet dhe rregullat e VOA Charter, dokumentit bazë ku ligjërisht bazohet veprimtaria institucionale e “Zërit të Amerikës”?!

Duke lexuar artikullin në gazetën “Dielli” me titull, “Letër për poetin e famshëm me rastin e Ditëlindjes”, shkruar nga Z. Elez Biberaj, ish-shefi i seksionit të gjuhës shqipe në radion “Zëri i Amerikës”, është e pa mundur të mos të shkojë mendja tek VOA Charter, dokumenti bazë i “Zërit të Amerikës”, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 1976, i firmosur nga Presidenti Gerald Ford, ku ligjërisht janë të sanksionuara ligjet dhe rregullat që rregullojnë veprimtarinë e “Zërit të Amerikës” duke e bërë një institucion mediatik të besuar tek dëgjuesit e shumtë nëpër botë. Duke lexuar me kujdes “Letrën artikull” kam konstatuar se shkrimi i Z. Biberaj bie krejtësisht në kundërshtim me ligjet, rregullat dhe kodin e gazetarit të “Zërit të Amerikës”. Në dokumentin bazë, VOA Charter, bëhet e qartë se gazetari i “Zërit të Amerikës” duhet të largohet nga preferencat personale politike. Gazetari i “Zërit të Amerikës” nuk mund të përdorë MUZIKËN për të bërë deklarime editorial. Gazetarët dhe përgatitësit e programeve të “Zërit të Amerikës” duhet të jenë të paanshëm dhe të largohen nga çdo preferencë personale. Sipas këtij shkrimi dhe veprimtarive konkrete, seksioni i “Zërit të Amerikës” është prenotuar nga Z. Biberaj, gjë që është në kundërshtim me dokumentin bazë ku bazohet veprimtaria ligjore e institucionale e “Zërit të Amerikës” seksioni i gjuhës shqipe.

Sipas realitetit në këtë letër Z. Biberaj është në kundërshtim me përmbushjen e detyrës së tij si drejtues i “Zërit të Amerikës”, si dhe kontradiktor me vetveten, pasi ka paqartësi të mëdha në shkrimet e tij dhe në veprimtarinë konkrete tek “Zëri i Amerikës”. Si rezultat i kësaj veprimtarie “Zëri i Amerikës” (seksioni në gjuhën shqipe) e ka humbur balancën, ku pas viteve 1990 u punësuan ish punonjësit e propagandës së diktaturës komuniste nga Shqipëria.

Balanca është një parim në dokumentin bazë, VOA Charter. Sipas të dhënave të sakta, emisionit të gjuhës shqipe të “Zërit të Amerikës” i është ulur ndjeshëm numri i dëgjuesve dhe shikuesve duke u shkelur rëndë një ndër parimet kryesore të dokumentit themeltar, VOA Charter, si dhe strategjisë së “Zërit të Amerikës”. Ulja e dëgjuesve dhe shikuesve ka qenë një sondazh i paradokohshëm i vetë “Zërit të Amerikës”.

Le te kthehemi tek kënga e preferuar e Z. Biberaj “Në Dardani bjen një tupan”. Kjo këngë është kënduar në fillim të viteve 1980, atëherë kur ne vuanim nën regjimin gjakatar komunist të diktatorit Enver Hoxha. Kësaj kënge i bëhej bujë nga regjimi komunist për t’iu tërhequr vëmendjen shqiptarëve jashtë Shqipërisë, pasi populli shqiptar në Shqipëri ishte i rrethuar me tela me gjemba në kopshtin zoologjik komunist, nën terrorin dhe diktaturën më të egër të të gjitha vendeve komuniste.

S’ka si të mos habisë mallëngjimi që ngjallin nacional-komunistët tek Z. Biberaj me këngën “Në Dardani bjen një tupan”. Intelektualët, këngëtarët, poetët, gazetarët dhe propagandistët e përzgjedhur nga Sigurimi quheshin levat e Partisë. Në atë kohë në Shqipëri djemtë e rinj për t’i shpëtuar terrorit komunist vriteshin dhe tërhiqeshin zvarrë të lidhur pas makinave nëpër rrugët e qyteteve për të terrorizuar popullin, ndërsa Gëzim Nika këndonte e dilte të këndonte jashtë shtetit.

Në vitet 80-të ju Z. Biberaj mallëngjeheshit me politikat dhe këngët e nacional-komunistëve?!! Ky është një paradoks i vërtetë?!

  1. Biberaj duke parë veprimtarinë tuaj konkrete, shohim se jeni shumë kontradiktor me veten tuaj.

Në fund dua t’ju sugjeroj që me këngët e veprimtarëve matrapazë të regjimit komunist shqiptar mos u mallëngje!!!

(Botuar në ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE, më 22 gusht 2015)

Izet Haxhia: VOA dhe Biberaj

(Fragment nga libri “Izet Haxhia përballë Sali Berishës” i porsa botuar në Tiranë)

Sa për Elez Biberajn dua të them që rridhte nga një familje e nga një fis i dëgjuar i Tropojës. Familja e tij u arratis nga Shqipëria kur Elezi ishte fare i vogël. Pas një qëndrimi në Jugosllavi, kjo familje u lejua dhe ndihmua të emigronte në Amerikë, ku Elezi u shkollua dhe bëri karrierë duke u ngjitur deri në këshilltar për Shqipërinë i Departamentit të jashtëm amerikan. Gjatë kohës komunizmit një xhaxha i Elezit vinte gjithmonë verës deri në kufirin me Shqipërinë nga ana e Malit të Zi ku ai kishte një vilë verore. Është për t’u habitur se si ky person ishte i mirëpritur në Jugosllavinë armike!

Mund të them se në ngjitjen e Berishës deri në postin e presidentit ka luajtur një rol të madh edhe Elezi. Radioja “Zëri i Amerikës” ku punonte ai në ato kohë ishte e hapur në çdo moment për Berishën. Kur donte të bënte ndonjë bisedë, për pyetjet ai konsultohej me Elezin dhe i sajonin bashkë. Takimin e parë të tyre unë e mbaj mend atë të marsit ’91, por ata janë takuar edhe më parë mes tyre në shkurt të 91-shit, kur shkoi për vizitë të parë delegacioni i PD-së në Amerikë. Ndërsa në vizitën e parë si president të Berishës në Amerikë, Elezi na ka shoqëruar në çdo hap të kësaj vizite

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *