Ad
Berati një nga qytetet më të vjetër të botës 550 vite para krishtit. Berati u përket qyteteve të rrallë ku jeta fillon qysh në lashtësinë e thellë dhe vazhdon pa u ndërprerë deri më sot

Berati një nga qytetet më të vjetër të botës 550 vite para krishtit. Berati u përket qyteteve të rrallë ku jeta fillon qysh në lashtësinë e thellë dhe vazhdon pa u ndërprerë deri më sot

Ad

Viti 533
Pulheriopolis (Berati) përmendet si qendër peshkopale dhe si një kryeqendër ideologjike. Këtë zhvillim kulturor e dëshmon dhe Kodeksi i purpurt i shekullit VI, një nga dy të tillët në mbarë botën.
Berati u përket qyteteve të rrallë ku jeta fillon qysh në lashtësinë e thellë dhe vazhdon pa u ndërprerë deri më sot. Dy çekanë guri e datojnë fillimin e jetës në të para Periudhës së Bronzit (2600-1800 P. Kr.). Dëshmitë arkeologjike tregojnë se në shek. VII-VI P. Kr. Këtu është zhvilluar një vendbanim paraqytetar, me punishtet e tij të qeramikës dhe me një jetë shoqërore të diferencuar. Në kufijtë e legjendës dhe të historisë, ky vendbanim thuhet të ketë qenë Orestiada e lashtë, i quajtur kështu ngaqë aty banonin një fis i pellazgëve, orestët, i pari i të cilëve ishte Oresti, i biri i Agamemnonit. Qyteti i mirëfilltë u themelua më 313-310 P. Kr. si qytet-kështjellë i Dasaretisë, i quajtur Antipatrea nga mbreti Kassandër në kujtim të gjeneralit mëkëmbës të Lekës së Madh. Ky është emri i parë i qytetit. Pas pushtimit romak në shek. II P. Kr. ai u quajt prej tyre Albanorum Oppidum (Fortesa e Arbërve). Në shek. V, nën perandorinë Bizantine, u përforcua dhe e ndryshoi emrin në Βουλγερολις (qyteti bullgar, sllv. Belgrad) në shekullin e X.

Muzakajt

Nën zotërimin e Muzakajve, në shek. XIII-XIV, qyteti filloi të shtrihej jashtë mureve të kështjellës. Në këtë kohë Berati arrin shtrirjen më të madhe territoriale, zhvillohet dhe bëhet një qendër e rëndësishme ekonomike, tregtare, administrative e kulturore. Në 1417 qyteti pushtohet nga turqit dhe zhvillimi i tij u ul ndjeshëm, por nga fillimi i shek. XVI ai e mori veten, për tu bërë përsëri një nga qytetet më të mëdhenj të Shqipërisë. Në shek. XVII ai vazhdonte të ishte qyteti më i madh i Shqipërisë, me 500 shtëpi të shpërndara në 30 lagje dhe me 5 medrese. Berati në këtë kohë bëhet qendra kryesore ekonomike e vendit, me zhvillim të madh të zejtarisë e të tregtisë. Tani Berati ishte kryeqendra e sanxhakut të Vlorës të përbërë nga kazatë e: Myzeqesë, Tomoricës, Skraparit, Përmetit, Pogonit, Tepelenës e Vlorës. Në Berat tregtonin mallrat e tyre tregtarë të huaj. Në shek. XVIII Berati bëhet qendër e pashallëkut të madh të Ahmet Kurt Pashës. Ali Pashë Tepelena e bashkoi atë me pashallëkun e tij të Janinës dhe përforcoi muret e kështjellës. Në këtë periudhë tregtarët e mëdhenj beratas kishin marrëdhënie me Venetikun, Triesten, Raguzën, Ankonën, Korfuzin, Maltën, Aleksandrinë, Izmirin, Selanikun, Stambollin, Sofien, Nishin, Belgradin, etj. Berati përdorte dy skela: Vlorën dhe Durrësin. Ai ishte bërë kështu kryeqendër e një sistemi të madh ndërkrahinor. Tregtarët beratas kishin agjencitë e tyre në Durrës, Vlorë, Elbasan, Korçë. Tregtarët e mëdhenj shkodranë kishin në Berat agjencinë e tyre tregtare.berati vjen nga iliret bir ate qe simbas legjendave filluan ndertimin e kalase per tu mbrojtur nga sulmusit.

Pas tërmetit

Berati mori pamjen e sotme në shek. XVIII dhe sidomos në shek. XIX, pas tërmetit të vitit 1851. Në fund të viteve 30 të shek. XIX Berati kishte 8000 banorë dhe si të gjithë qytetet e tjerë ruante karakterin e ekonomisë së vogël zejtare. Tashmë ishin shfaqur punishtet e tipit të manifakturave, por ende të paçliruara nga normat tradicionale esnafore. Nga mesi i shek. XIX Berati zinte vendin e dytë pas Shkodrës për fuqinë ekonomike të tregtarëve të mëdhenj, të cilët kishin korrespondentë ose agjenci në Durrës e Vlorë si edhe në Trieste, Korfuz e Maltë. Ekzistonin punishte me 5 deri 10 krahë pune dhe disa fabrika të vogla mielli e vaji. Në fund të viteve 1800 në qytet kishte 820 punishte zejtare e dyqane, duke qenë kështu qendra më e lulëzuar ekonomike, tregtare e kulturore e Shqipërisë së Jugut.

Deri në mes të shek. XX në Berat ekzistonin ende tre tregje të gjerë të cilët funksiononin rregullisht çdo të shtunë: Pazari i misrit, Pazari i bulmetit dhe Pazari i gjësë së gjallë. Tregu kishte 4 qendra kryesore: të opingarëve, të mestexhijve, të tabakëve dhe të kazanxhijve. Ekzistonte edhe tregu i ri, me 100 dyqane moderne ku përfaqësoheshin të gjitha llojet e tregtive. Për nga numri i zejtarëve Berati ishte në vend të parë; ushtroheshin rreth 23 lloj zeje. Çdo zeje sistemohej në një rrugë të cilës i jepte emrin. Deri në gjysmën e dytë të shek. XX vazhdonin të ekzistonin rrugët e: kazanxhinjve, bakërxhinjve, xhokaxhinjve, leshpunuesve, rrobaqepësve, kazazëve (qëndistarë), argjendarëve, armëtarëve, opingarëve, kujinxhinjve, samarxhinjve, etj.

Kultura

Qytet muze

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Ai është qytet muze me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme për nga gjinitë, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij. Nga zonifikimi dhe nga përcaktimi i kategorisë së monumenteve qyteti ndahet në tri zona : zona muze, zona e mbrojtur dhe zona e lirë.

Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë.

Kështjella

Kalaja e Beratit.

Kështjella ose kalaja, siç quhet nga beratasit është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440m, me 24 kulla e me dy porta. Me themelet e saj ilire, e rindërtuar disa herë në shekujt VI, XIII, XV dhe XIX ajo është sot jo vetëm një nga kështjellat më të mëdha të banuara, por edhe një arkiv i gurtë që ofron varietete stilesh dhe kontributesh të epokave të ndryshme: ilire, romako-bizantine, shqiptare e turke. Kështjella është pjesë e legjendës së vjetër e të bukur të Tomorit dhe Shpiragut.

Ura e Goricës

Ura e Goricës

Ura e Goricës është një nga monumentet e kulturës dhe të arkitekturës së Beratit dhe njëkohësisht një nga simbolet e tij. Rreth viteve 1780 me përkujdesjen e Ahmet Kurt Pashës, nga urë druri në pjesën e sipërme, ajo u ndërtua e gjitha prej guri. Ajo u rindërtua përsëri duke marrë pamjen që ruan sot, me parmakë betoni, në vitin 1922 nga bashkia e qytetit. Është 129,3m e gjatë, 5,3m e gjerë, ngrihet 10m mbi lumë dhe ka 7 harqe me hapësira 9 deri 16,7m.

Ndërtesat e kultit

Disa kapitale dhe kolonada dëshmojnë se në Berat kanë ekzistuar kisha paleokristiane të shekujve IV–VI (Shën Todri). Ndër kishat më të bukura të ndërtuara në shekujt XIII-XIV janë : Shën Mari Vllaherna, Shën Triadha dhe Shën Mëhilli. Në Berat ka edhe një numër ndërtesash të fesë islame, me vlera të shquara arkitektonike e artistike, si: teqeja e Helvetive, Xhamia e Beqarëve, Xhamia e Plumbit, Xhamia e Hysen Pashës, Xhamia e mbretit, Xhamia e Telelkave, Xhamia e Kuqe Xhamia e Bardhë etj. Këto kisha, xhami dhe ndërtesa të tjera urbane, sidomos ansamblet e lagjeve Mangalem, Kala e Goricë, janë perla të arkitekturës mesjetare. Nga përshtypja e veçantë që të krijon ansambli i Mangalemit, Berati është quajtur edhe qyteti i një mbi një dritareve.

Xhamia Mbret, ne qendren e Beratit

Pamje e Lagjes Mangalem

Arti dhe zejet

Në Berat është gjetur një vepër e rrallë, epitafi i Glavinicës, një krijim i mirënjohur i vitit 1373, i qëndisur në ar, argjend e mëndafsh, që tregon Krishtin e vdekur të kurorëzuar, të rrethuar me shkrime greke.

Kishat e Beratit janë të zbukuruara me piktura të stilit bizantin e pas-bizantin, të krijuara nga artistë të ndryshëm të shekujve XII-XIV dhe nga mjeshtrat e shekullit XVI: Onufri dhe biri i tij Nikolla. Katedralja e Shën Marisë shquhet për ikonostasin e saj, të gdhendur në dru të larzuar me ar, një vepër artistike e cilësisë së parë.

Me një fanatizëm të denjë që të quhet i shenjtë, në Berat janë ruajtur dëshmi dorëshkrimore, të cilat dëshmojnë nivelin veçanërisht të lartë të kulturës së qytetit. Më e rëndësishmja nga këto dëshmi është Kodiku i Purpurt (Codex Purpureus Beratinus O) i shekullit VI, i shkruajtur në pergamen të purpurt. Ai është një nga katër/gjashtë kopjet e vetme të gjetura në të gjithë botën. I dyti është Kodiku i Artë (Codex Aureus) i shekullit IX, i shkruajtur në pergamen me shkronja ari. Që të dy këta kodikë përmbajnë pjesë nga ungjijtë të shkruajtura në greqishen e vjetër. Këta kodikë u rizbuluan në kështjellë në 1972 dhe ruhen sot në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Në malin e Tomorit, qysh nga viti 1996, një zonë prej 4.000 ha është shpallur Park Kombëtar. Për nga numri i vizitorëve ai renditet i dyti në vend, pas Parkut Kombëtar të Dajtit

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *