Ad
BERAT – KRAHINA HIJERËNDË E XHIHADIT – nga udhëpërshkrimi (Sejahatnameja) i Evlija Çelebiut – Robert Elsie

BERAT – KRAHINA HIJERËNDË E XHIHADIT – nga udhëpërshkrimi (Sejahatnameja) i Evlija Çelebiut – Robert Elsie

Ad

DOSSIER BERATI MAGJIA SHQIPTARE

Në nëntor të vitit 1670, udhëtari turk, Evlija Çelebi, vazhdoi rrugën e tij në Shqipërinë e Jugut. Pas vizitës në Ergiri (Gjirokastër), ai udhëtoi për në Tepelenë ku dy herë brenda një dite ra në pritën e rebelëve nga Progonati. Pas Tepelenës, ai arrin në qytetin e Beratit, të cilën ai e quan me lavdërim krahinën hijerëndë të Xhihadit. Berati i përshkruar nga Evlijai duket një qytet me një zhvillim të lartë dhe me një nivel të mahnitshëm qytetërimi. Ja, përshkrimi i plotë i vizitës së tij në atë qytet para më shumë se treqind viteve.

Nga ky vend zbritëm kah perëndimi duke kaluar mes për mes vreshtash dhe pas 1 ore rrugë mbërritëm në krahinën hijerëndë të Xhihadit, në qytetin e begatë e të rrethuar me mure të Belgradit (Beratit) shqiptar. Sipas historianëve latinë, ai në fillim ka qenë themeluar prej — dhe ka ndryshuar duar shumë herë derisa në vitin —-, në kohën e sundimit të Sulltan Bajazid Khanit, kryekomandanti Ahmed Gedik Pasha ua hoqi nga duart shqiptarëve, grekëve e venedikasve dhe e pushtoi. Në Perandorinë Osmane ka —- kala me emrin Belgrad; së pari, Belgradi i Danubit buzë lumit Danub; së dyti, Stolna Belgrad-i në vijën kufitare të Budas, pak më shumë se një stad larg Budapeshtit; së treti, Belgradi i Transilvanisë, i cili është nën juridiksionin osman; dhe, së katërti, ky Belgradi shqiptar. Sipas regjistrit administrativ të Sulejman Khanit, aty ka selinë beu i sanxhakut të Vlorës në ejaletin e Rumelisë. Ai ka statusin e hasit, për çka beu merr një të ardhur prej 229.000 akçesh nga sulltani. Ka 28 zeamete dhe 489 timare. Ka edhe një allajbej e një çeribash. Në kohë lufte sanxhak-beu është i detyruar me ligj t’i shpjerë sulltanit 4.000 ushtarë të armatosur, ndër ta edhe shpurën e tij vetjake dhe ato të timariotëve. Ata janë ushtarë trima e shumë të rreptë. Berati ka një shejhylislam, një nakibyleshraf, një kadi me nivel page prej 300 akçesh, si dhe 120 fshatra, nga të ardhurat vjetore të të cilave kadiu ka të drejtën ligjore të marrë deri në 6 qese, kurse pashai deri në 30 qese. Qyteti ka edhe këta zyrtarë të lartë: qehajain e spahive, komandantin e jeniçerëve, dizdarin e kalasë me —- trupat e tij të garnizonit, vojvodën e qytetit, inspektorin e financës, tagrambledhësin, qehajain e kalasë, kreun e bandës muzikore, qehajain e qytetit, kryearkitektin, si dhe nëpunësin e taksës për frymë.
Sanxhaku i Vlorës përbëhet prej 9 kazashë. Selia e sanxhakut është Berati. Në veri është kazaja e Myzeqesë me 30 fshatra. Kah lindja është kazaja e Tomoricës. Afër saj, në jug e në lindje, është kazaja e Skraparit. Në kufi me të nga jugu është kazaja e Përmetit. Në jug të Përmetit është kazaja e Pogonit. Në perëndim të Pogonit është kazaja e Gjirokastrës, e cila, megjithatë, bën pjesë në sanxhakun e Delvinës. Në veri të Gjirokastrës është kazaja e Tepelenës. Dhe në jug të saj është kazaja e Vlorës. Këto nëntë kaza janë shumë pjellore, mirëpo një pjesë e rajasë janë të pabindur e rebelë, Zoti na ruajtë prej tyre!
Kalaja e Beratit ka qenë e pushtuar nga Konstantin Greku dhe nga shqiptarët. Trajta e kalasë. E ndërtuar në trajtën e një shandani mbi një shkëmb të çveshur e të thikët të shtrirë në drejtimin veri-jug, ajo është një kala e plotë, e fortë dhe e qëndrueshme, prej guri të latuar e të lëmuar. Me që është në brendësi të vendit, nuk është mbajtur mirë dhe sot është e dëmtuar vende-vende. Perimetri i përgjithshëm është 2.600 hapa të mëdha. Ka 4 porta të forta e të rënda. E para, me faqe nga veriu, është Porta e Madhe; kur zbret prej saj, pazari është 1.000 hapa larg. Kjo portë ka tri rrugë-hyrjeje me dyer, të cilat janë të ndara nga njëra-tjetra me një largësi prej 100 hapash secila. Dy nga këto rrugë-hyrjeje shohin nga veriu, kurse e treta, rrugë-hyrja e brendshme, hapet nga ana e lindjes. Gurët e themelit te porta janë të bëshëm sa një elefant. Gurë të tillë, përndryshe, mund të gjenden vetëm në Hebron afër Jeruzalemit dhe në kalanë e Benderit në brigjet e lumit Dniestër. Porta e dytë, poshtë një manastiri të lashtë, sheh nga perëndimi dhe të nxjerr te rruga që zbret te ana ballore e xhamisë së re të ndërtuar nga Hysejn Pasha në mëhallën Murad Çelepí. Porta e tretë sheh nga lindja, ndërmjet mëhallave; është portë e vogël e fshehur dhe nuk para përdoret shumë.
Trajta e citadelës. Është një citadelë e bukur me gurë të vegjël, me 800 hapa perimetër, e lidhur me njërin kënd të murit perëndimor të kalasë së madhe. Ka dy porta. Njëra, që hapet kah lindja, sheh brendësinë e kalasë. Tjetra, që hapet kah perëndimi, të zbret jashtë kalasë te mëhalla Çelepie poshtë, dhe prandaj priret kah jugu. Të gjitha rrugë-hyrjet e portave të sipërpërmendura janë bërë prej druri vidhi dhe jo prej hekuri, sepse janë të maskuara prapa kullash. Në të vërtetë, kanatat e dyerve të një a dy portave i shohim të shtrira për tokë, sepse janë në brendësi të kështjellës dhe kështjella është në brendësi të vendit, kështu që nuk ndjehet ndonjë frikë e madhe se mos sulmohet. Brenda në citadelë janë 40 a 50 shtëpi me çati me tjegulla, 1 xhami e Bajazid Khanit, disa depo municionesh, plot 6 topa, disa hambarë drithi e sterna tipesh të vjetër, shtëpia e dizdarit, dhe asnjë godinë tjetër.
Jashtë kështjellës së Beratit janë gjithsej 200 shtëpi të rrënuara, me çati me tjegulla, shumica të banuara nga të pafé grekë. Ato kanë oborre shumë të mëdhenj, por kopshtet nuk i kanë të mbajtura mirë. Ka një xhami të veçuar, ajo e Bajazid Khanit, e mbuluar me tjegulla një xhami e madhe e vjetër me një minare guri të gdhendur, por pa besimtarë për t’u falur. Ka 8 kisha, njëra prej të cilave është shumë e madhe dhe e ndërtuar mirë. Rrugët janë të shtruara me kalldrëm gurësh të papunuar. Në të katër anët e kalasë ka shtëpi të ndërtuara mbështetur në muret. Hendeqe nuk ka në asnjërën anë, sepse ajo është e rrethuar nga gryka të rrëpirta.
Në anën jugore është mëhalla e quajtur Shkëmbi Çekebeni (“Tërhiqmëni”), një shkëmb i frikshëm, që lartohet drejt qiellit dhe u bën strehë skifterëve, kukuvajkave, shqipeve dhe qifteve. Gryka është aq e thikët, sa që askujt nuk ia mban të hedhë sytë teposhtë saj. Kjo është arsyeja përse mëhalla e Shkëmbit Çekebeni mban këtë emër. Pas pushtimit të Beratit, të pafetë e mallkuar përsëri e vunë në rrethim kalanë, kurse trupat osmane nga brenda nuk patën mundësi të paralajmëronin sulltanin. Në fund, njëri prej luftëtarëve trima, i gatshëm për të rrezikuar jetën, u lëshua teposhtë shkëmbit me litar. Ai e kaloi me not lumin —- që rrjedh në grykën poshtë, vajti drejt e në Ederne dhe e njoftoi sulltanin për gjendjen e dëshpëruar nga rrethimi i kalasë prej armikut. Pasi u shpërblye nga Sulltani me peshqeshe, ai mori udhën përsëri dhe, pas tri ditësh, mbërriti në mes të natës rrëzë shkëmbit e u thirri të vetëve: Çeke beni (“Më tërhiqni!”). Ata e njohën trimin Kuski kështu e quanin atë që kishte vajtur te Sulltani i cili po thoshte atë parullë njohjeje, që e kishin caktuar së bashku para nisjes. Menjëherë e tërhoqën Kuskin me litar dhe e sollën brenda në kala. “Mirë se u ktheve shëndoshë. Ç’lajm na solle?” e pyetën. “Keni të fala nga Padishahu, nga vezirët e tij, nga deputetët, nga ulematë e nga shejhylislami. Sulltani ju bën me dije se brenda dhjetë ditësh do të vijë me 50.000 ushtarë për luftë. Ju porosit që deri atëhere të jepni dëshmi të shpirtit tuaj të zjarrtë fetar e të mos ia dorëzoni kalanë armikut. Ja shkresat e autoriteteve të atjeshme.” Të rrethuarit morën zemër nga ky lajm dhe ditë e natë e mbrojtën kalanë me të gjitha energjitë derisa u erdhi ndihma, dhjetë ditë më pas, si një engjëll vdekjeje i papritur, në formën e 70.000 a 80.000 ushtarëve, të cilët i prenë të pafetë me një asi shpate si të Bajazidit, sa që edhe sot e kësaj dite mund të shihen pirgje kockash të të pafeve në fushën e Myzeqesë. Pas kësaj fitoreje, Sulltani i shpërbleu ushtarët për mundimin. Ai shpërbleu në mënyrë të veçantë lajmëtarin guximtar, që kishte thirrur Çeke beni, të cilit i dha një zeamet të madh me një fshat të vetin, e që edhe sot administrohet nga fisi Çekeben. Që prej asaj kohe, shkëmbi në fjalë vijon të quhet Shkëmbi Çekebeni. Ai është si një lloj monumenti historik, një shkëmb i bardhë plot dritë si kube qiellore, mbi të cilin vijnë radhë-radhë kulla, faltore, ballkone, kënde për të soditur e vende dëfrimi.
Kalaja e poshtme. Në bregun e lumit rrëzë këtyre shkëmbinjve është një radhë tjetër muresh të forta kalaje. Anës brigjeve të lumit —-, që nga porta e poshtme e kalasë në fundin e urës së madhe e deri te porta e tregut të bakërpunuesve, shtrihet një pazar 800 hapa i gjatë, një treg madhështor. Brenda në kala janë 70 a 80 shtëpi deri diku të ndërtuara mirë, me çati me tjegulla. Përveç këtyre, është një rrugë kryesore me 80 dyqane të mëdhenj, por tjetër rrugë kryesore nuk ka, sepse në njërën anë është Shkëmbi i Çekebenit, kurse në anën tjetër rrjedha e lumit —-. Mjeshtrit kanë gdhendur shkallë, që shpien nga kalaja e poshtme te pjesa e epërme. Baza fundore e kësaj shkallareje është brenda në ujë dhe pastaj i ngjitet murit të kalasë deri në lartësinë e një minareje. Ajo zbret 70 a 80 shkallë poshtë dhe prej këndej të shpie në kullën e madhe të ujit të ndërtuar në ujë afër portës së tregut të bakërpunuesve. Nga Shkëmbi i Çekebenit deri poshtë në kullën e ujit ka edhe rrugina prej guri të latuar, që të shpien dalngadalë poshtë me 1060 shkallë. Ata që mbeten brenda në rast rrethimi mund t’i përdorin këto rrugina për të marrë ujë te kulla e ujit pa u parë nga armiku. Kanalet e ujit që zbresin nga tregu i bakërpunuesve janë afër vendit, po edhe ato nuk mund të shihen nga armiku. Dyqanet në këtë kala të poshtme janë të gjitha bakërpunuesish, përveç njërit leshpunues. Jashtë portës së tregut të bakërpunuesve, i ndjeri Uzkurli —- pati ndërtuar një tjetër pazar, afër të cilit u ngritën shumë shtëpi. Ky vend quhet varoshi i Uzkurliut (Skuraj). Nga tregu i bakërpunuesve kah lindja deri te dyqani i leshpunuesve zgjatet një rrugë kryesore 2.000 hapash, me dyqane dykatëshe anës. Në të majtë e në të djathtë, dyqanet janë të mbajtur pastër e mirë dhe me lloj-lloj dyqanxhinjsh e mallrash. Shumica e dyqaneve rreth 700 syresh janë bamirësi të dhuruara nga familja e Uzkurlive. Bezistan tamam nuk ka, por këtu mund të gjenden të gjitha llojet e pëlhurave të shtrenjta, ndër to asish të qëndisura me ar, napa të holla, etj. Shamipunues, sidomos, gjenden me shumicë.
Qyteti i madh jashtë kalasë i Belgradit shqiptar (Berati). Është qytet tepër i stërmadh, i gjithi jashtë mureve të kalasë. Ai shtrihet në një sipërfaqe të hapur të madhe anës brigjeve të lumit —- drejt lindjes dhe jugut të kalasë së epërme dhe mbulohet me vreshta, kopshte me trëndafila e bahçe të mbjellura me zarzavate. Ka 5.000 shtëpi guri një- e dykatëshe me çati të bukura tjegullash të kuqe. Janë shtëpi të hijshme të ndërtuara mirë, me kopshte përqark, e të shpërndara mbi shtatë kodrina e lugina të gjelbëruara. Ndër to janë më se 100 saraje madhështorë me sterna e çesma dhe me një klimë të shëndetshme.
Sarajet e parisë. Njëri është saraji i Hysejn Pashës. Një tjetër është saraji i ndarë veç për pashallarët: këtu e ka selinë Osman Pasha, vëllai i Çatallbash Pashës, i cili është vali i këtij vilajeti. Është ai Osman Pashë, të cilit, në një kuvend të hapur, i dorëzova dekretet perandorake dhe shkresat e Serdar Ali Pashës, si dhe i tregova kokat e prera të rebelëve progonatas, që i kisha sjellë nga Tepelena. “Urdhri i Padishahut nuk bëhet dysh,” tha me zë të lartë Osman Pasha pas shpalljes së dekreteve. Ai menjëherë dërgoi lajmëtarë për t’u dhënë kushtrimin gjithë krerëve të sanxhakut të Vlorës, që të mblidhnin ushtarët e tyre e të niseshin në mbrojtje të Manias. Për paraqitjen e kokave të prera më nderuan me një stemë të zbukuruar dhe më hodhën supeve një xhybe, kurse për përcjelljen e urdhrit të Serdarit më dhanë 1 qese me kurush, 1 kalë dhe 1 rob, kurse shërbëtorëve të mi u dhanë 10 florinj e nga një copë stofi secilit. Më pas kaluam një javë pushimi e çlodhjeje në këtë saraj, ku na kishin bërë konak të veçantë, si dhe në disa shtëpi të tjera të mira. Ndër sarajet më në zë janë ato të familjes së Mehmed Efendiut, të Serdar Agait dhe të familjes Uzkurli.
Emrat e mëhallave. Berati ka 30 mëhalla, ndër to Murad Çelepia, në jug të kalasë; Uzkurli; Hynqar; Vakëf (Bamirësie); Baba Kadi; Pashmakçilar; Ak Mesxhid (Faltorja e Bardhë); Eski Pazar (Pazari i Vjetër); dhe Gjyn Gjyrmez. Pastaj janë 10 mëhalla të krishterësh dhe 1 çifutësh. Nuk ka mëhalla armenësh, frankësh, ose arixhinjsh, por ka shumë të pafé latinë, që shkojnë e vijnë për punë tregtie.
Xhamitë e sulltanëve osmanë. Berati ka 30 faltore gjithsej, nga të cilat njëra me grigjën më të madhe të besimtarëve është xhamia e Sulltan Bajazidit II të Shenjtit në qendër të qytetit. Kjo xhami është 60 këmbë për së gjati dhe 50 këmbë për së gjeri me një minare të lartë të hijshme. Ka tri porta, dy në anët dhe një në murin nga kibla. Në anën ballore të xhamisë ka një koridor të madh të madh sa edhe xhamia vetë, ndonëse oborri është i ngushtë. Xhamia u ndërtua në stilin e vjetër me çati të plotë me tjegulla. Përballë faltores është teqeja dykatëshe oktagonale e —- Efendiut. Është teqe halvetie.
Xhamia e Uzkurliut: e ka çatinë me kube të lartë me gurë të latuar, e mbuluar tërësisht me plumb të kaltëremë. Është një xhami plot shkëlqim, me një minare të lartë e të hijshme, e cila mund të krahasohet vetëm me xhaminë e Melik Gaziut të qytetit Niksar në ejaletin e Sivasit. Koridorët përreth oborrit të jashtëm kanë një çati plumbi me shtatë kubé të larta të mbështetura në kolona gjatoshe prej mermeri të bardhë të lëmuar. Medreseja, mejtepi, teqeja dhe mensat e fukarenjve gjithashtu janë me çati prej plumbi.
Xhamia e Gazi Murad Pashës: ndërtesë e thjeshtë, e bukur.
Në kalanë e epërme është xhamia Hynqar, e quajtur edhe xhamia Fethije
(“Pushtimi”).
Xhamia e Çelebi Hysejn Pashës, nipit të Kara Murad Pashës, në mëhallën Murad Çelepia: godinë tërheqëse dhe bashkëkohore. Në qemerin sipër portës nga ana e kibles, mbishkrova me shkronja xheli dhe në stilin Karahisar, këtë kronogram të hartuar prej meje:

“Evlijai e shkroi datën jo me numra, por me pesë emra të hyjnueshëm:
I gjalli, Lavdiploti, I përkujdesuri, I fuqishmi, Besniku i palëkundur.
Viti 1081/1670.”

Kjo xhami ka një minare të hijshme, të lartë, hekzagonale, të punuar prej guri. Çatia e saj kubelie vjen e rrumbullt si një kupë e kaltër dhe është e mbuluar me tjegulla të kuqe, çka i jep kësaj xhamie të bukur një ndjenjë hapësire të madhe e një atmosferë tepër të këndshme, si dhe e kthen në monument arkitekturor të hijshëm e të rrallë.
E ashtuquajtura xhamia e Mushkës, afër godinës së gjykatës: si një kopsht i parajsës. Këto janë xhamiat e mëdha më në zë.
Xhamiat e mëhallave. Janë gjithsej —-, ndër to xhamiat e mëhallave Vakëf, Murad Çelepia, Baba Kadi, Pashmakçilar, Ak Mesxhid, Eski Pazar, dhe Gjyn Gjyrmez, si dhe 8 të tjera, por këto që përmendëm janë më të shquarat.
Medresetë. Berati ka 5 shkolla për të përgatitur ulema, më të shquarat prej të cilave janë medreseja e Sulltan Bajazidit II të Shenjtit, medreseja e Uzkurliut, —-. Institucione të tjera për mësimin e hadithëve dhe për studimiin e Kuranit nuk ka, por çdo xhami ka mësimdhënësit e vet te ditur, që japin mësim në disiplinat fetare, sepse kërkesat janë të shumta.
Mejtepet. Janë —- shkolla fillore, ndër to ajo e Bajazid Khanit, e Uzkurliut, e Sheh Hazizit, e Murad Çelepisë, si dhe e Teqes. Këto janë më të njohura.
Teqet. Janë 3. E para, teqeja e Sheh —- Efendiut, e cila gjendet përpara faltores së xhamisë Hynqar: teqe dykatëshe oktagonale halvetie. Për nga planimetria kjo teqe është krejt ndryshe nga ato që kemi parë në krahina të tjera. Kthinëzat e dervishëve janë në anën e djathtë të xhamisë. Ajo ka 40 kthinëza, të ndriçuara me qirinj të erëmiruar dhe të banuara nga dervishë që i këndojnë emrit të Zotit. Përveç kësaj, e mirënjohur është edhe teqeja e Uzkurliut. —-
Hamamet. Ka dy hamame me ujë të nxehtë, njëri syresh hamami i Uzkurliut përpara xhamisë Uzkurli. Kjo është një ndërtesë jashtëzakonisht e këndshme, e punuar me shije të hollë, me atmosferë të mirë. Tjetra është një ndërtesë madhështore, që gjendet në tregun e lëkurëpunuesve, banjo e pastër, me dritë e me ajër, e me shërbim të mirë.
Hamamet private. Janë 170 hamame private, pra nga një në të gjitha sarajet e mëdha, të paktën kështu dëgjova nga qejflintë e qytetit.
Çesmet. Gjithsej —-. Matanë rrugës, para derës së xhamisë së Uzkurliut, është çesma e Kasem Agës, sot arkitekt i Sulltanit në Stamboll, data e së cilës mund të shihet në këtë kronogram:
“Kasem Aga, kreu i arkitektëve,
Bëri këtë vepër bamirësie për të ngjallur zilinë e shikuesit.
Qoftë e pranuar nga Zoti, tani që e ka mbaruar:
Më 1054 —- (?) kjo çesme guri. Viti 1054/1644.”

Ky kronogram është mbishkruar me shkronja të bardha xheli mbi një pllakë blu të errët sipër çesmës. Është një çesmë tjetër, në krye të tregut të saraçëve, edhe ajo nga Kasem Agai e që përmban po këtë mbishkrim mbi një pllakë. Përveç këtyre janë edhe 9 çesma, të dhuruara nga familja Uzkurli.
Tregjet dhe pazaret e mbuluar. Ka —- tregje të shkëlqyer me dyqane të këndshëm e të rregulluar mirë, ndër to me dyqanet e saraçëve, shkarpapunuesve, lëkurëregjësve, dhe bakërpunuesve. Anës lumit është pazari i bukur, i ndërtuar kohët e fundit nga Hysejn Pasha, me 100 dyqane, të gjitha me një planimetri. Ai është edhe vendi ku takohen miq e të njohur. Këtu, nën hijen e lloj-lloj drurëve, njeriu sheh duke punuar në fronat e tyre të gjithë tipat e tregtarëve dhe zanatçinjve të zotë sipas zanateve.
Në mes të këtij pazari është një shesh i madh me një mrekulli një kullë sahati e
madhe. Sahati është sjellë nga Transilvania dhe vendi i kambanës mund të mbajë dhjetë vetë. Ajo bie dymbëdhjetë herë në mesditë. Kur bie, kambana mund të dëgjohet një ditë rrugë larg. Kulla e sahatit është aq e mrekullueshme, sa që nuk ka fjalë ta përshkruajë; kush e sheh me sytë e vet, e beson.
Në afërsi të këtij pazari janë 6 kafene, secila e lyer dhe e zbukuruar si me qenë tempull kinez. Disa syresh janë në bregun e lumit —-, i cili e përshkon qytetin mes për mes; këtu disa lahen në ujë, disa vijnë për peshk, kurse të tjerë mblidhen me shokët për një dorë muhabet mbi çështje fetare ose laike. Këtu ka shumë vjershëtorë, njerëz të ditur e që shkruajnë, me dije mjaft të gjera. Ata janë të sjellshëm e të hijshëm, të zgjuar e të pjekur, më fort të dhënë pas qejfit e të pirit sesa pas përkushtimit fetar.
Tregu i lëkurëpunuesve anës bregut të lumit gjendet nën hijen e disa rrepeve të lartë, shelgjeve e hardhive, çka e bën vend tërheqës për njerëzit, për të ardhur e për të kaluar kohën e lirë këtu, edhe pse aty është punishtja e Ahi Evranit.
Tregu i bakërpunuesve, me “takataktak takataktak-un” e vazhdueshëm e ritmik të tij, prej kudhrave e çekanëve të tyre, është, po ashtu, i bukur e me hije, me dyqane të sistemuar me rregull.
Tregu i mëndafshpunuesve, i cili gjithashtu është i rregullt e i pastër, të del përpara me një bukuri të jashtëzakonshme me gjithë ata të rinj të hijshëm, që punojnë atje. Janë aq të pashëm, sa që u duket edhe palca e kockave të gishtërinjve.
Mes për mes krejt pazarit kalojnë vija uji, që mundësojnë një pastërti të atillë, sa që njeriu pa frikë mund të ulet shesh në rrugë e të magjepset nga bukuria që e rrethon. Djelmoshat nëpër dyqane janë si princa mbreti, kurrë nuk ua ka parë dielli lëkurën. Pjesa më e madhe e dyqaneve në të dy anët e rrugës kanë çati prej druri. Pikërisht këtu, shokët, miqtë e dashnorët e kalojnë gjithë kohën duke mbajtur me muhabet djemtë që punojnë, dhe nuk e kanë për turp. Madje, mjeshtrat zanatçinj, po edhe baballarët e nënat e tyre, e kanë për mburrje që çirakëve dhe bijve të tyre u vijnë rrotull.
Hanet e tregtarëve të mëdhenj. Janë 5 hane si kulla kalaje e me çati me tjegulla. Bujtinat e zanatçinjve beqarë. Janë 6 bujtina, që u ofrojnë dhoma zejtarëve beqarë pa shtëpi të vetën.
Mensat për njerëzit fukarenj. Ka 3 mensa për fukarenj, ajo e Bajazid Khanit, ajo e Uzkurliut dhe ajo e Aziz Efendiut.
Lumenjtë. Mes për mes qytetit kalon lumi Osum, i cili buron nga jugu në malet e Skraparit, Osumit e Tomorrit e që, pasi kalon nëpër Berat, vijon në drejtim të perëndimit në fushën e Moravës dhe, pasi kalon poshtë çifligut të djalit të Kara Osman Beut, bashkohet me lumin —- në Elbasan. Të dy së bashku, tani lumë i madh, kalojnë nëpër ultësirën e Myzeqesë dhe derdhen në Gjirin e Venedikut (Deti Adriatik) afer kalasë së Bashtovës. Lumi Osum, në rrjedhën e Myzeqesë, është i lundrueshëm dimër e verë.
Koru Varoshi (Gorica). Matanë lumit Osum, në brigjet nga ana e jugut, shtrihet një pjesë tjetër e bukur qyteti, e quajtur Koru Varosh, me 200 shtëpi me çati me tjegulla, e
rrethuar me bahçe, pemishte e vreshta. Është e banuar kryesisht prej të pafeshë shqiptarë e grekë. Prapa këtij qyteti është mali Koru (Gorica), nga e merr edhe emrin qyteti. Është mal i gjerë e i lartë, mbuluar me drurë të lartë e të mëdhenj. Lënda e drurit e nxjerrë prej tyre përdoret për mirëmbajtjen dhe ndreqjen e urës mbi lumin Osum. Kushdo që këput qoftë edhe një degë druri të vetme, ndëshkohet nga pushteti. Në të njëjtën kohë, kush kryen vrasje dhe ia del mbanë të marrë malin e të fshihet atje shpëton nga përndjekja, por kurrë nuk lejohet të kthehet në qytet. Po të kthehet, vrasësi ekzekutohet, kështu që arratisja e tij don të thotë mërgim i përjetshëm.
Vende dëfrimi. Në afërsi të Beratit janë 77 sheshe dëfrimi në natyrë. Më kryesorët janë: qoshkat e Shkëmbit Çekebeni në kalanë e epërme, sofatë e tregut të lëkurëpunuesve në qytetin poshtë, sheshi në pazarin e ri me drurë hijeshumë, rrëza e malit Tomorr, ku rinia venë për gjah, si dhe ky vend shetitjeje e dëfrimi në malin Koru. Ky i fundit, me livadhet dhe lirishtat e tij, një parajse e vërtetë e Persisë, të kujton kopshtet e Meramit afër Konias dhe të Aspozos afër Malatias. Disa nga vendet, ku shkojnë për të kaluar kohën në gjirin e natyrës, freskohen prej ujrash që zbresin nga mali. Stolat nën hijen e drurëve të lartë janë aq të mëdhenj, sa mbajnë edhe grupe prej 100 vetësh secili. Në disa pika të veçuara të malit, qejflinjtë e qytetit, si të gjithë qejflinjtë kudo, mund të kalojnë një javë të tërë me të ngrëna e të pira e qejfe. Me pak fjalë, ai është vend i mrekullueshëm për ta kaluar sa më mirë.
Koru Varoshi nuk ka hane, hamame ose pazare, por duhet thënë se ka dy kisha. Ai mund të quhet mëhallë e Beratit, mëhalla matanë lumit. Shtëpitë buzë ujit janë të pajisura të gjitha me dajlane për peshkim. Herë-herë, kur ujrat e Osumit vijnë buzë më buzë, shtëpitë e
Koru Varoshit, si dhe ato afër bregut në anën tjetër, pra të Beratit vetë, përmbyten, sikundër përmbyten edhe sheshi i gjelbëruar i tregut të lëkurëpunuesve, shumë nga bahçet e shtëpive të banorëve, kafenetë dhe dyqanet e rrobaqepësve. Të gjitha sarajet e mëdha të qytetit i kanë dritaret me faqe nga ana e lumit. Zakonisht, edhe këto shtëpi përmbyten, por dëmtohen më pak, sepse janë të forta dhe të ndërtuara mirë.
Urat më të njohura. Mu poshtë Beratit, aty ku mbaron tregu i bakërpunuesve, është një urë mbi lumin Osum, që shpie në Koru Varosh. Është urë e madhe druri me 9 harqe. Këmbët e urës i ka në ujë dhe të ndërtuara prej guri. Pjesa ku kalohet është e shtruar me trarë të trashë lisi, nga lënda e prerë në malin Koru. Është urë e mahnitshme, që s’e ka shoqin. E vetmja që mund të krahasohet me të është ura me një hark, që Sulltan Sulejmani ka ndërtuar mbi lumin Drina në qytetin Foça të vilajetit të Hercegovinës. Por kjo urë e Beratit ka 9 harqe, Zoti e ruajtë! Lumi Osum, që rrjedh nën këtë urë madhështore, kalon mes për mes fushës përkarshi Beratit dhe ujit mijëra orizore e bahçe zarzavatesh. Pjesa më madhe e banorëve të Beratit përdorin ujët e lumit, i cili është mjaft i pastër e i lehtë. Orizi që prodhohet këtu është i shijshëm dhe shitet në të gjithë Shqipërinë.
Mali i Tomorrit. Dy orë larg në jug të Beratit gjendet Tomorri, një mal shumë i lartë, i cili shihet edhe nga pesë a gjashtë ditë rrugë larg. Në këtë mal gjenden të gjitha llojet e barit, bimëve të dobishme dhe bimëve mjekësore. Vit për vit vijnë këtu mjekë nga Europa Perëndimore e nga Latinistani e i ngjiten malit të lartë përpjetë për të mbledhur sasi të mëdha bimësh mjekësore. Ujrat që burojnë në këtë mal dhe zbresin shpateve të tij mbajnë 11 kaza rretheqark. Ato të anës jugore të malit në fund derdhen në Liqenin e Ohrit. Në këtë mal, gjithashtu, ka shumë lloje kafshësh e insektesh, që, përndryshe, hasen vetëm në malet Bisutun, Syfan, Demavend, Sehend, Ararat, Bingjol dhe Elburz. Shkurt, ky mal i lartë është vend i mrekullueshëm për të bërë ngjitje malore e për gjah.
Nga ana e fushës në veri të Beratit do 5 orë rrugë për të vajtur në Elbasan. Me kullotat e shumta verore, që ka, Berati gëzon një klimë shumë të shëndetshme, çka bën që të ketë shumë djem e vasha të hijshme, të cilat adhurohen nga dashnorët e tyre, por edhe që janë shumë të sjellshëm e të edukuar. Të gjithë djemtë dalin të armatosur Zoti na ndihtë po kështu e ka Shqipëria. Ata betohen vetëm mbi shpatën e tyre. Ata që nuk janë ushtarë ose detarë, por vetëm fshatarë, zakonisht ikin nga qyteti dhe shkojnë në Stamboll, ku punojnë si shërbyes profesionistë në hamamet.
Hajet dhe pijet më të parapëlqyera. Ndër hajet më të mirënjohura janë: simitet e bardha shqiptare, çyrekët me qiqër, byreku me mish pule, disa lloje djathi me emrin xhamuk dhe qumështuari, byreku me djathë e vezë, bakllavaja dhe kajmaku, si dhe samsaja me bajame. Nga pijet më të mirënjohura është mushti i kuq i rrushit, i quajtur rejhaní, i cili bëhet duke zier rrush llojesh të ndryshëm. Mjafton një gotë që të dehesh e që truri të të mbajë erë borzilok e amber gri tërë javën. Me dy fjalë, ky qytet është me emër për rejhaní. Përveç kësaj, këtu bëjnë edhe bozë meli, si palca e bardhë e koçkave, që ta shuan etjen, shumë i ngjashëm me pijen egjiptiane prej orizi me emrin subja. Ndër frutat janë shegët lüffan, të mëdha sa një kokë njeriu, si dhe ullinjtë e fiqtë, kurse e gjithë krahina është e stolisur me kopshtije e pemishte pa hesap; limonët e portokajtë nuk bëhen.
Zanatet. Këtu hasen të gjitha llojet e zanateve, por shumica punojnë si tregtarë, duke u nisur nga ajo fjala arabe, që thotë al-kasib habibu’llah (“Tregtarin e do Zoti”). Ata marrin rrugët nga vilajeti në vilajet për të shitur mallrat dhe prodhimet e tyre. Njëri grup shoqëror përbëhet nga njerëzit e thjeshtë të rrugës; tjetri është grupi i ulemave; një grup të tretë e përbëjnë zanatçinjtë, të cilët i ushtrojnë zejet kryesisht në qytet: saraçët, argjendarët, mëndafshpunuesit, qëndistarët, bakërpunuesit dhe lëkurëpunuesit.
Klima. Sipas dijeve astrolabe e të astrologjisë, ky qytet është në mesin e brezit të katërt klimatik. Është në gjerësinë gjeografike —- ; dita më e gjatë (dmth., solstici i verës) është më —-
Ylli i fatit. Sipas astrologëve dhe mjeshtrave falltarë Padre e Kolon, ylli i Beratit është në yjësinë e Virgjëreshës, shenja e Mërkurit, tokësor. Me që qyteti ka prodhime të bollshme, njerëzit janë shumë realistë, të shtruar e me këmbë në tokë. Por, gjithashtu, nga ky qytet kanë dalë një numër i mirë njerëzish të rëndësishëm, vezirë, deputetë, si dhe dijetarë e fetarë të shquar.
Fjalë të tjera të mira për Beratin. Njerëzit këtu janë shumë të përkushtuar, trima e guximtarë dhe qeverisen nga nëpunës e administratorë të matur e të urtë. Janë të pastër e të paqëm. Ky është fisi Kurejsh i fisnikëve në gjirin e shqiptarëve. Mbahen për sunitë dhe pasues të vendosur të doktrinës së Hanefiut. Por mes tyre ka shumë njerëz tolerues, ku rafsha mos u vrafsha, e që ushtrojnë praktikat mistike.
Vendet e bekuara. Tyrbet që duhen parë janë ato të: Vaiz Mehmed Efendiut; Xhim Xhim Hoxhës; Emirler Sulltanit, në oborrin e xhamisë së Sulltan Bajazidit II të Shenjtit; Pir Mehmed Efendiut, mu në jug të xhamisë së Uzkurliut; dhe Sheh Ali Dedeit, në varrezat e
sheshit të qytetit pranë urës. —- Mëshira e Zotit rëntë mbi ta!
Në veri të qytetit janë Perondia, Dushniku dhe Lapardhaja, fshatra pjellorë e të begatë, me 500 a 600 shtëpi secila. Pasi i vizituam këto fshatra, Pashai u kthye në qytet, i shoqëruar nga një vargan madhështor, e me sendet e plaçkën e fituar me vete, dhe mbajti një fjalë para qytetit. Në zbatim të dekretit perandorak, Pashai po nisej në mbrojtje të Manias. Ai paraqiti shatorren e tij të madhe dhe flamujt bisht-kali të luftës e u përshëndet me ne, duke na lënë lamtumirën e duke më dhënë, me këtë rast, 200 kurush, 1 skllav zezak, 1 vashë shqiptare, 1 palë rroba, si dhe 1 kalë; kurse secilit prej shërbëtorëve të mij 1 copë stofi, 1 copë pëlhure të hollë, dhe 10 kurush; si dhe solli 100 djelmosha të armatosur me mushqeta për të na shoqëruar. I urova rrugë të mbarë Pashait, pastaj ai u nis, kurse ne vetë —-.

[botuar në Albanica ekskluzive: revistë mujore për dije e kulturë, Prishtinë, 67, prill 2007, f. 74-79 / published in: Albanica ekskluzive: revistë mujore për dije e kulturë, Prishtina, 67, April 2007, p. 74-79.]

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *