Ad
BABËZIA E MADHËSHTISË (ZHGËNJIMI I PADREJTËSISË) NGA  EMIL ASDURIAN

BABËZIA E MADHËSHTISË (ZHGËNJIMI I PADREJTËSISË) NGA EMIL ASDURIAN

Ad

Një shëtitës i thekur qensh, shoqërues i atyre të kamur, kur të zotët, apo siç i thërrasin këtu “mamatë” e zëna pa punë tjetër, veë ushtrimeve për një shëndet kofshësh të hekurta dhe muskuj barku që do e kishin tmerruar Fidian e gjorë, dikur skulptor i merituar, se: “qentë me klasë dalloheshin dikur nga të tjerët, (vdekëtarë të rëndomtë) nga mënyra dhe përkujdesja në kohën e përkushtuar mbulimit të përgërës së tyre”. Dekori, apo fasada dikur dhe besoj dhe tani, prapë ka rëndësi, se në të fundit tregon, respekt ndaj vetes, asaj që bën e çfarëdo natyre q’është, e lëshuar nga goja, prapanica apo ndonjë a disa vrima të tjera, hyrje apo dalje dhe mbi të gjitha për çdo gjë që shet, ekonomi konsumi, diku dikur do në një panair a treg tezge, buzë një rruge apo përroi.

Qelbësin në mes të dhomës, m’i madh se një elefant, (merret me mend kundërmimi), nuk e nuhat dhe nuk e sheh asnjëri nga korifejtë e drejtësisë dhe industrisë, dhe pse syve po u plasin rrembat e gjakut, nga mbajtja e frymës. Jashtë dritares, fanfarat e hareshme po frynë bullçitë të lajmërojnë ngjarjen e Panairit të librit, lindjen a vdekjen e tij. Por dhe ato pushuan.

“Vetë, poetë, vetë”

Ka një gjysëm të vërtetë, të sinqertë, në të gjitha ato që shkruajmë dhe themi, ne ballkanasit, por si duket dhe të tjerë rreth e larg nesh, se fajin mbi të gjitha e kanë poetët. Si dikur në këngën e Gavroshit, “fajin e ka Rusoi”.
Si mund të blihen kur nuk nxiten të shkruajnë?
Si mund të marrin çmim kur në numër s’janë të mjaftë, për një juri 6 vetëshe? (Do duhen të paktën po aq!)
Si mund kur u mungojnë “imtësitë e harruara njerëzore” si ato tek Elena Ferrantes, e cila blihet në çdo aeroport, pikërisht për këtë?
Si mund, kur ende fshihen në një tranzicion të pambaruar politik dhe psikologjik, se sa për ekonominë e tregut, e kanë brenda dhe kudo përreth?
A nuk janë ata, që në këtë katrahurë ende s’e kanë gjetur veten, që si politikanët, vetëpëlqehen? “Rrallë flasin të tjerët për të, (poetin) aq më tepër njerëz të profilizuar, të pangatëruar në të gjithë rrezen shqiptare… Madje nderi më i madh mund t’i bëhet atij shkrimtari të cilin e përflet gjithë rrezja totalitariste e sotme. Dhe shumica e këtyre gjykimeve ose paragjykimeve, rrjedh gjithënjë nga arsye jo letrare …” Kritike letrare s’ka! Nga pritet të vijë? Nuk ka plot në media apo kanale televizive?

E vërteta është, se duhet të shkruajnë dhe kur nuk paguhen, se duhet të krijojnë çfarë pëlqehet e jo çfarë ndjejnë, duhet në Instagram e FB, se libri është i rëndë dhe xhepi i pasmë i pantallonave, nuk i nxë, se janë aq të shtrenjtë, sa një shishe vere, se dhe nga ajo e shkretë nuk marrin asgjë, veç një erë dehëse dhe shpesh edhe ajo s’është! Duhet të shkruajnë edhe kur shtypi dhe media, botojnë lajme për mbesën e një politikani pleh, se mbaroi studimet diku jashtë shtetit, se s’ishin të denjë t’i mbaronte aty, në atë vend të vjedhur kërmë, në vend të një poezie dashurie a shprese! Fajin e kane vetë!

Industria dhe Tregu

Ndërsa numri i lexuesve ka rënë dhe vazhdon të bjerë, (me hapa gallopante si në vitet 90 nepër botë) numri i botimeve është shtuar. Ne këtë rast kemi padyshim një paradoks magjik si ai i Sartre kur flet për emocionet, si një realitet i papranueshëm, kur ndodh e kunderta e asaj që pritet, në ekonominë e tregut, vrapojmë në magji. Numri në vend të binte, rritet! Nuk besoj të ketë ardhur kjo nga bashkëpunimi i pamunguar me Ministrinë e Arsimit me iniciativat e saja poetike (“pesë libra për një bebè”, “ mos e jep, pa libra në biblotekë”), se ne këtë rast, dhe unë e besoj plotësisht, në qëndër të kësaj levizje për lexim, duhet të jetë, gruaja. Ashtu, siç nuk besoj, që leximin dhe blerjen e librit, nuk do e rriste bashkëpunimi me Bashkinë dhe Ministritë e tjera, as me bisneset e mëdha, se kjo do rriste të ardhurat e botuesve, por jo cilësinë e librit të botuar. Ne të fundit, botuesi, për çfarëdo libri, i çfarëdo zhanri qoftë, e ka realizuar plotësisht investimin dhe fitimin e tij nga autori dhe jo nga tregu. Mbyllja e ciklit të produktit mbetet si faji, jetim. Numri i shtëpive botuese rritet ndërsa tregu tkurret. As vetëlavdet dhe kritikat, që veç kritikë s’janë, por reklame nga institutet e promocionit, nuk do të mund të nxisin një treg të tillë, i cili nuk stimulon prodhimtarinë, se nuk e paguan. Babëzia është e zeza e të zot, e poetëve, qe për këtë shkruajnë në internet, ku flasin me pasuesit e tyre pa paguar të tjerë të thërasin për mundin e tyre. Librat kalben në magazina, se lexuesit shpellarë nuk gënjehen dot më. Te jesh njerëzor në veprën që shkruan, nuk mjafton. Ndoshta erotik (Vrima). Ndaj të rinjtë, lexues, blejnë dhe tërhiqen nga përkthimet dhe letërsia klasike, nga autorë si Kadare, se janë të bindur se janë shoshitur në tregje serioze, janë shtrydhur nga presë e kohës, dhe nga përvoja, e dinë që këto vepra kanë vlera, estetike, gjuhësore dhe kulturore. “Ia vlen”, sic tha një lexues nga Shkodra, “një libër, mbi çdo gjë ia vlen”, se në të fundit ndan e mëson diçka. Tregun, më shumë se çdo tjetër, e vret zhgënjimi i një produkti pa cilësi. Fatkeqësisht tregu ka ligjet e veta objektive, dhe keqardhja apo dëshira e mirë nuk është një nga ato.

Po, rol në shitjen e librit, veç këtyre aktorëve të sipërpërmendur, kanë: dhe kriza ekonomike, ku hyn edhe ajo e shpresës, kur gjysma e shoqërisë do të emigrojë jashtë Shqipërisë; dhe oligarkia politiko-ekonomike, me një diktature të re, ku tregu s’ka si të jetë dhe nuk është i lirë, mbetur pa frymë nga monopole partiake; dhe arsimi që po humbet gjuhën dhe natyrën e tij kombëtare, ku drejtëshkrimi i saj është kthyer në një kult intelektualësh të plakur; por dhe të gjithë ne, dhe midis jush dhe unë, që ende rrekemi të zgjedhim midis shishes dhe poezisë.

“Tani”, më tha shëtitësi i qenve, “qentë, as që marrin më mundimin të mbulojnë të përgërat nën dhè, por i lëshojnë ku munden, se e dinë, do i mbledhim ne shëtitësit apo “prindërit e tyre”, se ndryshe të vënë gjobë.“

E megjithatë, të marrët, dhe më shumë të rinjtë, të babëziturit për dije, thjesht, heshturazi, vazhdojnë të shkruajnë. Dashuria, fatmirësisht, veç puthjeve, shprehet dhe me poezi!

EA 11/25/2018 All the rights and copyrights are protected.

● – RRJETAT.COM

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *