Ad
“Akt barbar dhe i padëgjuar në Shqipëri, kujtimet e Nexhmije Hoxhës: Si u zhvarros Enveri nga Sali Berisha

“Akt barbar dhe i padëgjuar në Shqipëri, kujtimet e Nexhmije Hoxhës: Si u zhvarros Enveri nga Sali Berisha

Ad

Çfarë ndodhi në natën e 3 majit 1992 te Varrezat e Dëshmorëve dhe si e ka përjetuar në qeli Nexhmije Hoxha zhvarrimin e eshtrave të Enverit dhe 13 ish-udhëheqësve komunistë. Cilët ishin intelektualët që ia sugjeruan këtë ide në prag të 5 majit Berishës, vetëm një muaj pasi ishte zgjedhur president i vendit. Biseda e Nexhmijes me djemtë dhe pse u përjashtuan Gjirokastra, Peza dhe Labinoti si vendvarrimi i ri i Enverit…

“Akt barbar dhe i padëgjuar në Shqipëri, kujtimet e Nexhmije Hoxhës: Si u zhvarros Enveri nga Sali Berisha

Dy fjalë si fillim kronike

Me marrjen e pushtetit nga demokratët, filloi sërish një fushatë e re kundër Enver Hoxhës, ku etiketimet më të pëlqyeshme ishin kriminel dhe antikombëtar. Dukej qartë se do të shkallëzoheshin më tej masat kundër tij me qëllim për ta fundosur sa më shumë në thellomat e historisë, mundësisht edhe për ta fshirë fare nga kujtesa. Ish-të përndjekurit politikë të regjimit komunist filluan të kërkonin me këmbëngulje dënimin e Enver Hoxhës për gjenocid dhe tradhti të lartë kombëtare. Për këtë shkruanin gazetat, bëheshin mbledhje, hartoheshin peticione…

Dhe ja, papritmas, natën e 3 majit 1992 ia behën varrmihësit.

Me anë të një vendimi të posaçëm të pushtetarëve të rinj, (u tha se e kishte firmosur vetë presidenti i sapozgjedhur), varrmihësit autorizoheshin për të hequr nga Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë eshtrat e Enver Hoxhës, Hysni Kapos, Nako Spirut, Myslim Pezës, Gogo Nushit, Josif Pashkos e të disa ish-udhëheqësve të lartë komunistë, gjithsej 13. Zhvarrimi u bë vetëm dy ditë para 5 Majit, ditës së Dëshmorëve.

Sali Berisha kishte vetëm një muaj që ishte zgjedhur në krye të shtetitdhe do të bënte ritualin e vendosjes së një kurore me lule te Varrezat e Dëshmorëve. Po si mund të pranonte ai të përkulej para monumentit Nënë Shqipëri, kur shumë pranë monumentit ndodhej varri i Enver Hoxhës dhe ish-udhëheqësve komunistë?

Pra akti nuk ishte aspak i rastësishëm. Ajo që ndodhi më 3 maj, ishte vetëm parathënia. Ishte më shumë se një akt i thjeshtë zhvarrimi. Ishte një lloj ndërgjegjeje e shfaqur pa maskë. Zhvarrim-varrimet e mëpastajme treguan se ky ishte një veprim i menduar mirë.

Ishte zgjuar instinkti i shëmtuar dhe primitiv i dhunimit të varreve…

Ja si e përshkruan Nexhmije Hoxha këtë ngjarje në librin e saj me kujtime të sapobotuuar.

Përgatiti botimin Xh. Shehu

U hap dera e qelisë. Për çudi, u duk avokati im, Dhimitër Beshiri. Them për çudi, se takimet me të, në asnjë rast, nuk bëheshin në qeli, por te dhoma a n zyrat e hetuesisë. Nga thyerja e këtij rregulli, si dhe nga fytyra e zymtë e avokatit, mendova se po më sillte një lajm jo të mirë, lidhur me procesin tim gjyqësor, që e shtynin dhe e shtynin vazhdimisht.

U ngrita nga dysheku përdhes, ku isha ulur, dhe iu afrova. Polici shoqërues më tha: “Mund të dilni në korridor”. Duke ecur përkrah avokatit, e pyeta: “Ç’kemi?”. Dhimitri për një çast mbeti i heshtur, sikur të mos dinte nga t’ia fillonte, pastaj më tha: “Iliri më ka ngarkuar me një detyrë shumë të hidhur, t’ju them se… sonte natën, Sali Berisha urdhëroi zhvarrosjen e eshtrave të Enverit nga Varrezat e Dëshmorëve, për t’i çuar ato në varrezat publike të Sharrës. Pas pak do t’ju vijnë vetë djemtë dhe njerëzit e familjes”.

Ky lajm më tronditi pa mas dhe më trullosi. Për një çast, nuk po realizoja sesi mund të ndodhë një akt kaq barbar, që është dënuar në shekuj nga etika tradicionale e popullit tonë e më gjerë. Hakmarrja me burgimin tim nuk ishte gjë para kësaj HAKMARRJEJE barbare të këtyre njerëzve primitivë të përtej antikitetit.

Kur erdha në vete, lëshova një britmë, si të më kishte plagosur dikush me armë. Fillova të ecja me vrap në korridor, duke bërtitur sa kisha në kokë, duke qarë e duke mallkuar ata që e kishin kryer këtë barbarizëm. Me grushtet të shtërnguara dhe të ngritura lart, nuk e mbaj mend se ç’kam thënë e kë kam kërcënuar me fjalë.

Më në fund, e lodhur dhe e dërrmuar, u ktheva në qeli, duke qarë me lot të nxehtë dhe duke thënë: “Enver… të ndanë nga partizanët e tu…, por ti mbetesh KOMANDANTI i tyre”.

U ula në dyshekun tim, mblodha gjunjët dhe mbështeta kokën në ta. Nuk doja të shihja njeri. Dhe fillova një “bashkëbisedim” të qetë me Enverin. U ktheva pas në vite dhe nisa të kujtoja ato ditë të hidhura, kur Enveri u nda nga ne përgjithnjë. Në shtëpi ra një heshtje e rëndë, dëgjohej veç ngashërimi mbytës i fëmijëve dhe i familjarëve. Kur filloi Haxhoja të qajë me zë dhe me ligje, i thashë: “Të lutem, Haxho… mos…”. Unë, e ulur në kolltukun e tij, në qoshen e studios, pranë oxhakut, rrija me sytë mbyllur dhe krejt të thatë, duke u munduar të frenoja ca furtunën që po ndodhte në kokën time. Prapa meje, infermierja, Kostandina, pa më pyetur e pa më dhënë ndonjë shpjegim, po mbante në kokën time një borsë me akull, si duket, për të evituar ndonjë goditje në tru.

Si pas një ëndrre të llahtarshme, e zhytur në këto kujtime të largëta, dëgjova zëra dhe pashë që në qeli ishin futur njerëz, të cilët mërmërisnin, duke folur midis tyre. Ngrita kokën, hodha sytë përreth dhe pashë aty të gjithë drejtuesit e burgut, civilë dhe ushtarakë. Të alarmuar nga çfarë u kishin thënë për ulërimat e mia, ata ia behën në qelinë time. I pashë me një shprehje përbuzëse dhe ula përsëri kokën mbi gjunjët e mi. Ata e panë se ishte e kotë të rrinin më gjatë aty dhe as nuk kishin çfarë të thoshin, ndaj u larguan. Prapa tyre u dëgjua zhurma gërvishtëse, që shkaktoi mbyllja së derës së hekurt. Kurse në qeli ra një heshtje e rëndë, mbytëse, si një tym i zi pas një zjarri që kishte rënë në kokën time.

Pas pak, dera u hap përsëri dhe hyri infermieri i burgut. Më duket se e quanin Qazim, ishte një burrë i mirë nga Shijaku. Për të kam shkruar edhe gjetkë në shënimet e mia të burgut, sepse ai kishte marifetin të më ngrinte në këmbë, domethënë, të më shëronte, të më ulte temperaturën etj., kur unë duhej të prisja fëmijët në takim. I thosha me të qeshur: “Ti ua kalon edhe mjekëve të klinikës së udhëheqjes”.

Infermieri m’u afrua me mirësjellje dhe më tha: “Zonjë, këtu në një qosh, afër derës së qelisë suaj, kemi sjellë një dollap farmacie dhe aty do të mbyllim bashkë ilaçet tuaja, që rregullorja nuk lejon të mbahen në qeli. Ne do t’jua japim sa herë të keni nevojë”. Unë kisha aty ca tableta aspirine, antigripale, ndonjë qetësues dhimbjesh apo tableta 1 mlg për gjumin, maleks, kundër djegies së stomakut etj.

Si duket, drejtoria e burgut u tremb se mos i bëja gjë vetes me ilaçet, ndaj dërgoi infermierin t’i tërheqë. Unë nuk kundërshtova, veç i thashë: “Kot e keni për çka mendoni…”.

Aty afër drekës, u hap përsëri dera dhe polici i turnit, shkurt e prerazi, më tha: “Bëhu gati për takim”. Brofa në këmbë dhe vesha këpucët. Mundohesha të merrja frymë thellë, për të ulur rrahjet e zemrës dhe për t’u dukur më e qetë. Kishin ardhur TRE BURRAT E SHTËPISË, dy djemtë e mi, Iliri, Sokoli dhe Klementi, burri i Pranverës.

Iliri bëri mirë që solli më parë avokatin, për të më dhanë lajmin e tmerrshëm, që më gjeti “gafil”, të papërgatitur. Kurse tani isha më e qetë, e kisha mbledhur veten. Më përkiste mua, si nënë, dhe e rrahur me jetën, t’i ngushëlloja dhe të ngrija moralin e fëmijëve të mi, që po ndesheshin me ngjarje të paimagjinuara, njëra pas tjetrës. Edhe ata bënin të njëjtën gjë, përpiqeshin të tregoheshin para meje se ishin të fortë, se nuk e kishin lëshuar veten.

Kur hyra në dhomën e takimit, u lëshuan menjëherë të tre drejt meje. U përqafuam gjatë dhe në heshtje, me njërin pas tjetrit. Fjalët e para që u thashë, me sa mbaj mend, ishin: “Edhe kjo gjë, që nuk e prisnim, ngjau! Nga këta barbarë, që i kanë vënë kazmën Shqipërisë, ç’nuk mund të presim!”. Pastaj u ulëm dhe filluam një bisedim të gjatë. Në fillim më treguan se kur dhe çfarë kishte ndodhur. Dukej si një film horror.

***

Natën e 3 majit 1992, në prag të 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve, Sali Berisha, presidenti i ri, që kishte “fituar” zgjedhjet e para pluraliste, kishte dhënë urdhër dhe kishte dërguar lart në varrezat një bandë të tij varrmihësish, me projektorë dhe ekskavatorë, të shkulnin nga dheu mëmë eshtrat e Komandantit të Përgjithshëm të gjithë atyre dëshmorëve partizanë, Enver Hoxhës, dhe të disa bashkëpunëtorëve të tij.

Familja ishte njoftuar vetëm që: “nesër, në orën 6 të mëngjesit, të ndodheshin në varrezat e Sharrës, ku do të varroseshin eshtrat e Enver Hoxhës”. Kurse gjatë aktit barbar, natën e zhvarrosjes, familjarët, jo vetëm nuk u njoftuan që të gjendeshin në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, por as nuk u lejuan të futeshin brenda kangjellave, as, të paktën, djali i tij, Iliri, që të ishte i pranishëm, të shikonte dhe të firmoste dokumentet përkatëse për gjendjen kufomës së babait të vet.

U mallëngjeva shumë, kur më thanë se fytyra nuk ishte prishur.

Nuk dua të ndalem gjatë në këto shënime në atë se çfarë ngjau atë natë të zezë dhe të nesërmen. Këto janë përshkruar me hollësi nga vetë Iliri, që i ka përjetuar drejtpërdrejt. Por nuk mund të lë pa përmendur se në këtë akt barbar, të padëgjuar në Shqipëri, nga Sali Berisha, kanë qenë edhe dy intelektualë të njohur, madje, të fushës së arteve: K. Çashku, ky edhe veprimtar i Komitetit të Helsinkit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, dhe arkitekti P.Kolevica, të dërguar nga Berisha. Këta të dy e kishin këshilluar Saliun që ta bënte zhvarrimin e Enver Hoxhës para 5 Majit, duke ia lënë këtë me shkrim dhe me firmat e tyre. Këtë letër, Sali Berisha, bashkë me dokumentet e ditës, ia dorëzoi sekretarit të tij të përkohshëm, Shaban Sinani (të trashëguar nga ish-presidenti Ramiz Alia). Ky intelektual, me integritet të lartë moral, pati guximin ta denonconte publikisht këtë letër, e cila e kishte tronditur shumë, në parathënien që i bëri librit të Ilirit, “Babai im, Enver Hoxha”. Kjo parathënie ishte një shkrim i denjë, nga një studiues i shquar.

Presioni i qeverisë injorante të Saliut ndaj intelektualëve, akademikëve etj., për fat të keq të tyre, ka bërë të keqen e pariparueshme, atë që shumë prej këtyre intelektualëve vunë mbi idealet e tyre interesat për karrierë dhe për pasuri; disa të tjerë e bënë për mbijetesë, qoftë edhe duke mohuar ose distancuar shokë dhe miq të vjetër.

Unë shpesh ndjek me keqardhje veprimtaritë e këtyre intelektualëve, që larg formimit të tyre të shëndoshë, për servilizëm dhe pr interesa vetjake u shndërruan në lakej të Berishës dhe zvarriten nga ide false, gjoja moderne, të kohës, por që, në fakt, janë antishqiptare, madje, shumë të dëmshme për kulturën dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Kurse tipat si dy intelektualët në fjalë, që këshillonin Saliun për zhvarrimin e Enver Hoxhës, i shoh me neveri, si korba të zinj, të veshur si varrmihës, por edhe me kazma në duar, që po shkatërrojnë edhe thesare të trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë. Ata duhet të përgjigjen për aktet e tyre, ashtu si dhe Sali Berisha me shokët e vet.

Por le të kthehem te biseda me djemtë e mi. Ata më tregonin për zhvillimet e mëtejshme, më folën edhe për një debat që ishte hapur se cili do të ishte vendi përfundimtar i varrit të Enverit. Familjet e shokëve të tjerë të zhvarrosur kishin vendosur t’i dërgonin në vendlindjet e tyre, si Bab Myslimin, në Pezë; Hysni Kapon, në Tërbaç të Vlorës e kështu edhe të tjerët.

Për Enverin, vendlindja e tij, Gjirokastra, përjashtohej vetiu, ngaqë është larg, në jug të vendit dhe afër kufirit, ku edhe bustin e tij gjirokastritët nuk e ruajtën dot, por e thyen. Prandaj ishin hedhur disa variante, për ta çuar në vende historike të lidhura me veprimtarinë e Enver Hoxhs gjatë kohs s Luftës Nacionalçlirimtare.

Por për varrin e Enver Hoxhës kishte lindur debati edhe në një aspekt tjetër: Hysni Milloshi dhe partia e tij komuniste pretendonin ta merrnin ata në dorëzim trupin e Enverit, fshehurazi, për ta varrosur në një vend të sigurt, në ndonjë mal shkëmbor, larg qyteteve…

Më thanë se kishte dalë edhe një militant, i cili, me vendosmëri të madhe, insistonte se ishte gati ta varroste Enverin në oborrin e shtëpisë së vet dhe ta mbronte me jetën e tij dhe të familjes.

Komunistë të tillë, në propozimet dhe dëshirat e tyre, sigurisht, frymëzoheshin nga dashuria e pakufishme për Enverin, ndërsa kryetari i tyre, Hysni Milloshi, gabohej rëndë në rolin që i jepte vetes si trashëgimtar i Enver Hoxhës (gjë që ai vazhdoi ta pretendojë deri në fund të jetës së tij, fatkeqësisht, të ndërprerë para kohe). Por edhe Partia Komuniste bën gabim të madh që vazhdon ta trajtojë në shtypin e saj në mënyrë tepër naive, duke e vënë Milloshin përkrah Enverit, në një rang me të, në historinë e Shqipërisë. Madje, në gazetën e saj gjen, të shkruar, e zeza në të bardhë, edhe çudira të tilla, si “Skënderbeu – Enver Hoxha – Hysni Milloshi”!!! Por do të vijë koha, kur komunistët e vërtetë të Shqipërisë të bashkohen dhe të shërohen nga këto sëmundje të foshnjërisë.

Edhe unë, e prekur nga “sëmundja” profesionale e një propagandisteje dhe politikaneje të vjetër, nuk mund të rrija pa u sqaruar bashkëbiseduesve të mi të rinj se: Roli dhe vepra e Enverit në udhëheqje të popullit shqiptar, për një gjysmë shekulli, historikisht, u përkasin gjithë shqiptarëve, ku përfshihet edhe familja e tij, me të drejtat që i takojnë. Ndërsa varri i Enverit, po, i përket familjes së tij, me të drejta të plota, sidomos në kushte të tilla që ai dhunohet dhe rrezikohet.

Më pas, në bisedën me djemtë u përqendrova në të keqen e madhe që na kishte gjetur: ku do të vendosej varri i Enverit dhe si do ta siguronim atë nga hienat që ishin dukur në qiellin e Shqipërisë?

Të tre burrat e shtëpisë përkrahën mendimin tim, lidhur me secilën nga tri vendet historike, që ishin propozuar, Peza, Labinoti, Helmësi. Unë u thashë: Peza përjashtohet, sepse ajo i përket Babë Myslimit, i përket popullsisë së asaj zone që ta mbrojë varrin e tij, siç e mbrojti gjatë Luftës heroin e vet, nën drejtimin e të cilit luftoi me aq trimëri e besnikëri.

Ndërsa për Labinotin, ju e keni parasysh që atje ka vetëm dy ndërtesa, një e madhe, një e vogël, ku kanë qëndruar për një kohë Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH dhe Enveri. Gjithashtu, them: përse duhet të jetë varri i Enverit kaq larg njerëzve dhe familjes? Kush do t’i organizonte atje homazhet, pelegrinazhet e të rinjve, të veteranëve etj? Çfarë garancie ka që edhe atje nuk do të dhunohet varri? Në Labinot, edhe një shtatore e Enverit, që ishte vendosur para ndërtesës ku janë zhvilluar mbledhjet e rëndësishme historike, është hequr dhe është fshehur nga njerëzit e mirë të asaj zone, që të mos pësonte fatin e statujave të tjera. Prandaj, sipas mendimit tim, edhe ky variant bie.

Për Helmësin, u thashë, nuk e di a keni qenë ndonjëherë atje. Atje ku ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm gjatë Luftës kishte nja dhjetë shtëpi. Shumica e banorëve që na strehuan janë shpërngulur që në kohën tonë, në zona fushore, për një jetë më të mirë. Mbaj mend, disa prej tyre u vendosën në Sukth dhe punonin në tokat e ndërmarrjes bujqësore. Disa prej tyre, sidomos gratë, si Nurihani etj., na vinin për vizitë në shtëpi, në raste festash apo edhe për ndonjë nevojë të tyre.

Por a duhet çuar Enveri aq larg dhe të lihet atje në vetmi? Kush do ta mbrojë atje nga kriminelët varrmihës? Ju, si më të rinj, dhe familjarët e tjerë mund të shkoni disa herë në vit, po unë? Me moshën që kam dhe me vitet që vijnë, sa kalon koha, bëhen më të rënda për mua. Si mund t’i shkoj Enverit pranë sa herë më merr malli, të bisedoj, të qaj një hall, ta përkëdhel me mall e dhimbje mermerin e ftohtë?! Jo, jo, edhe ky variant bie. Sipas mendimit tim, varri i Enverit të mbetet në Tiranë, aty ku kriminelët me kollare e kostume të zinj, si shpirti i tyre, e transferuan, në varrezat e Sharrës. Aty ai do të jetë “Mes njerëzve të thjeshtë të popullit”, për të cilët Enveri ka folur e shkruar me aq dashuri.

Do të vijë një kohë që nipërit dhe mbesat e tij, por uroj që edhe ju, fëmijët e tij, ta arrini që edhe shtatorja e tij të ngrihet në Sheshin “Skënderbej” dhe varri të kthehet atje, ku e ka vendin, pranë partizanëve të tij, në Varrezat e Dëshmorëve./DITA

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *