Ad
7 prilli 1939 sipas arkivave italiane – Agresioni  dhe pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste është parë në 3 këndvështrime të ndryshme

7 prilli 1939 sipas arkivave italiane – Agresioni dhe pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste është parë në 3 këndvështrime të ndryshme

Ad

Agresioni i 7 prillit dhe pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste është parë në 3 këndvështrime të ndryshme në vartësi të përkatësisë politike dhe të qenies shqiptar apo italian. Të tre këto këndvështrime ne do t’i trajtojmë vetëm duke analizuar dokumente të palës italiane, që mbulojnë Operacionin OTM (Oltre Mare Tirana), sic u quajt në mënyrë të koduar zbarkimi dhe pushtimi i Shqipërisë nga trupat e Musolinit.

Së pari

Ishte propaganda fashiste, që pretendonte se shqiptarët përgjithsisht e pritën me gëzim zbarkimin e trupave italiane, që vinin si miq për t’i shpëtuar vendasit nga sundimi i vrazhdë i mbretit tiran. Sipas propagandës fashiste vetëm pak hajdutë e brigandë të liruar nga burgjet e të armatosur me urdhër të Zogut hapën zjarr për pak minuta kundra trupave fashiste. Kuptohet, që kemi të bëjmë me propagandë të mbështetur në gënjeshtra të trasha. Për t’ia nxjerrë bojën kësaj teze mjafton të analizojmë me kujdes një dekret të mbretit perandor për dekorimin e ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve italianë për trimëri të treguar në fushën e betejës, (Sic!) gjatë Operacionit OMT. Në dekretin e 22 majit 1939 të Mbretit Perandor Viktor Emanueli III për dekorimin e ushtarëve dhe oficerëve, që treguan trimëri gjatë clirimit (pushtimit) të Shqipërisë kemi 12 Medalje ari për trimëri ushtarake (pas vdekjes d.m.th. 12 të vrarë në luftime). Këtyre 12 të vrarëve u shtohen edhe 2 të tjerë: Florenzo Marani, capo cannoniere

Bersaljerët italianë me motorçikleta në bulevardin kryesor të Durrësit, menjëherë pasi kanë neutralizuar rezistencën shqiptare. Në sfond duket makina e markës FIAT 1500 (1935) e Ministrit Rrok Gerra të dërguar nga Mbreti Zog në Durrës për të biseduar me gjen. Guzzonin rreth kushteve të palës italiane për një pushim zjarri

Bersaljerët italianë me motorçikleta në bulevardin kryesor të Durrësit, menjëherë pasi kanë neutralizuar rezistencën shqiptare. Në sfond duket makina e markës FIAT 1500 (1935) e Ministrit Rrok Gerra të dërguar nga Mbreti Zog në Durrës për të biseduar me gjen. Guzzonin rreth kushteve të palës italiane për një pushim zjarri

d.m.th. komandant topi, i dekoruar me Medaljen bronzi të trimërisë, pas vdekjes, i vrarë në bordin e torpedinierës “Lupo” dhe Vincenzo Semeraro i dekoruar me Medalje bronzi të trimërisë, pas vdekjes i vrarë gjatë zbarkimit në Durrës. Me të njëjtin dekret janë dekoruar edhe 15 ushtarakë me Medalje argjendi për trimëri ushtarake dhe 27 ushtarakë me Medalje bronzi të trimërisë. Ky dekret po ashtu u akordoi Medaljen e Kryqit të luftës 59 ushtarakëve italianë. Ndonëse Mbreti Perandor dukshëm ishte treguar dorëlëshuar me dekorimet e ushtarakëve të vet, prapë se prapë nuk mund të besohet që një grusht hajdutësh e brigandësh të liruar nga burgjet na paskërkan ofruar një rezistencë të tillë sa për ta detyruar Viktor Emanuelin të dekoronte plot 113 ushtarakë e civilë për trimëri në fushën e betejës. Në këto dekorime dhe në arsyetimet për dhënien e dekoratave përkatëse gjen mjaft hollësi se si u zhvilluan realisht luftimet dhe sesi e sa e organizuar ishte rezistenca e palës shqiptare ndaj zbarkimit të trupave italiane.

Së dyti

Këndvështrimi zogist i 7 prillit është i mbushur me lavdërime për Monarkun August, që organizoi mbrojtjen e vendit, për mbretëreshën lehonë, që preferoi të udhëtonte në rrugë malore e të paasfaltura për të mos rënë në dorë të pushtuesve duke refuzuar azilin në ndërtesën e Ambasadës amerikane të ofruar nga ambasadori Grant. Në kujtimet e personaliteteve zogiste, por edhe në komunikatat zyrtare të Radio Tiranës apo të Agjensisë Shqiptare të Lajmeve të datës 7 prill normalisht jepen përmasa të fryra si të rezistencës së tupave shqiptare të komanduara nga Mbreti si Komandant gjeneral i fuqive armate edhe të humbjeve të shkaktuara trupave zbarkuese italiane. Kështu në komunikatën e transmetuar nga Radio Tirana në shqip, anglisht, frëngjisht, italisht, turqisht e serbisht në mesditën e 7 prillit bëhet fjalë për shkarkime (zbarkim) të trupave italiane në Shëngjin, të cilat për shkak të rezistencës së shqiptarëve ishin zmbrapsur tre herë duke pësuar dhjetra të vrarë e qindra të plagosur. Faktikisht trupat italiane filluan të zbarkojnë në Shëngjin vetëm pas më pak se një ore shkëmbim zjarri, ku pala shqiptare krahas pushkëve përdori edhe një mitraloz të tipit FIAT Revelli. Këto trupa patën vetëm një të vrarë, të konfirmuar dhe disa të plagosur.

Së treti

Këndvështrimi i historiografisë komuniste përbëhet nga dy komponentë: ekzaltim i luftës së vullnetarëve shqiptarë dhe mohim i çdo përpjekjeje për rezistencë të organizuar nga monarkia zogiste. Ky qëndrim në mënyrë të qëllimshme thekson dhe përgjithson raste tradhëtie të oficerëve dhe funksionarëve të lartë zogistë. Këmbëngulet në sabotimin e rezistencës së popullit shqiptar nga Mbreti Zog deri në shtrembërimin flagrant të fakteve historike. Në thelb ky këndvështrim thekson që populli luftoi me dyfekë me gjalmë, ndërsa Mbreti hajdut i floririt ia mbathi nga sytë këmbët, duke tradhëtuar Atdheun dhe popullin e vet.

Këmbësoria italiane e mbështetur nga tanket e lehta L3/35 po në bulevard përballë ndërtesës së Banca di Napoli.

Këmbësoria italiane e mbështetur nga tanket e lehta L3/35 po në bulevard përballë ndërtesës së Banca di Napoli.

E vërteta sipas dokumenteve italiane

Ka një sërë dokumentash italiane, që hedhin dritë për atë, ç’ka realisht ndodhi gjatë Operacionit OMT (Oltre Mare Tirana), më 7 prill e në vazhdim. Një raport i Mareshalit Pietro Badoglio (Shef i Shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura italiane) për Mbretin Perandor pas inspektimit që kreu në Shqipëri Badoglio në prill-maj 1939, përmban të dhëna interesante për luftimet e kryera për pushtimin e Shqipërisë, si edhe të metat dhe dobësitë e manifestuara nga trup-ekspedita italiane. Ditari operacional i bazës ajrore të Grotaljes (Grottaglie) ofron hollësi për pushtimin e Aeroportit të Tiranës nga granatjerët (trupa elitë) italianë të transportuar me avionë. Të dhëna jashtëzakonisht të vlefshme ofrojnë ditari i bordit i kacatorpedinierës (destrojerit) Lupo për luftimet e ashpra në Portin e Durrësit, i kryqëzorëve “Fiume” në Durrës dhe”Garibaldi” për zbarkimin në Sarandë, i torpedinierave “Castore” për zbarkimin në Vlorë dhe “Airone” për zbarkimin në Sarandë, të torpedinierës “Lira” për zbarkimin në zonën e Banjave në Durrës (aktualisht ish-Blloku i udhëheqjes në plazh), i karrocatës “Giulio Cesare” për bombardimin e pozicioneve të një batalioni të këmbësorisë shqiptare në Bestrovë afër Vlorës. Në librin “Le fanterie di marina italiana” të shkruar nga Luigi Fulvi janë botuar faksimile dokumentesh për luftimet e kryera nga ushtarakët e njësisë elitë “San Marco” gjatë zbarkimit në Shëngjin e Sarandë. Një kontroll i thelluar i arkivave të hapura italiane (të Super Marina-s, Super Aero-s dhe Regio Esercito-s) dhe një interpretim i kujdeshëm i dokumentacionit, që përmbajnë ato për 7 prillin, me siguri do sjellë risi të rëndësishme për të kuptuar dinamikën e luftimeve më 7 prill dhe në ditët në vazhdim.

Në Durrës

Rezistenca ishte më e organizuar madje duke shfrytëzuar edhe dobësitë e trup-ekspeditës italiane arriti t’i shkaktojë italianëve të vrarë e të plagosur si edhe ta vonojë për më shumë se një ditë hyrjen e trupave italiane në Tiranë. Rezistenca komandohej nga Major Abaz Kupi i xhandarmërisë (fakt ky i pranuar edhe nga një komunikatë e PKSh-së e shtatorit 1942 e shkruar nga Enver Hoxha) dhe major Alibali i Ushtrisë Kombëtare. Mbi italianët hapën zjarr me pushkë dhe tre mitralozë austriakë “Schwarzlose” marinarët e togës së marinës të komanduar nga kapiten Xhevdet Tirana, xhandarët e major Kupit, ushtarakët e Rojes së kufirit dhe vullnetarë të armatosur në Depon e ushtrisë te Balta (në buzë të ish Kënetës së Durrësit), të quajtur sipas terminologjisë zogiste “trupa kreshnike”. Bateria “Prandaj” e pajisur me 4 topa “Skoda” kalibër 75/27 mm e komanduar nga major Gaqe Jorgo hapi zjarr me 12 predha kundra luftanijeve italiane në radën e Durrësit. Një nga predhat shkatërroi katapultën për lëshimin e avionëve të vendosur në bashin e kryqëzorit “Fiume”. Pra në Durrës nuk kishte një grup vullnetarësh të armatosur me pushkë me gjalmë por disa qindra ushtarakë, xhandarë e vullnetarë të armatosur me pushkë e mitralozë të rëndë e të lehtë si edhe të mbështetur nga artileria. Komanda e mbrojtjes së Durrësit deri në rënien e qytetit rreth orës 10 të 7 prillit, komunikonte vazhdimisht me Tiranën me telefon, me telegraf dhe me radio të tipit R3, madje edhe më mirë se trupat italiane, që u detyruan të përdorin avionët e zbulimit në funksionin e ndërlidhjes sepse radiotelegrafistët italianë nuk dinin të përdornin stacionet moderne të radios tip R3 (Për më shumë shiko relacionin “Badoglio”). Në Durrës u kryen edhe punime xhenjere si psh hedhja në erë e urës mbi Lumin Erzen, që e gozhdoi në breg të Erzenit për rreth 20 orë kolonën e gjeneralit Messe, që kishte për objektiv pushtimin e Tiranës.

Një kompani e Divizionit të këmbësorisë

Një kompani e Divizionit të këmbësorisë “Murgia”, që ka zbarkuar në Durrës, rreth mesditës së 7 prillit (në kolonë marshimi pranë Torres Veneciane)

Italianët në Durrës patën të vrarë e të plagosur përfshirë edhe oficerë (në detyrën e komandantit të kompanisë e të shefit të shtabit të batalionit të parë të regjimentit të 47-të të këmbësorisë). Ushtaraku italian me gradë më të lartë i plagosur në Durrës ishte nën/koloneli i portit Mario Ramires i dekoruar me Kryqin e luftës, sepse u kishte prirë trupave italiane gjatë zbarkimit në Durrës duke shfrytëzuar edhe njohjen në detaje, që kishte për Portin e Durrësit. Nën/kolonel Ramires ishte këshilltari italian i paguar nga Ministria e Luftës e Shqipërisë për organizimin e kapitanerive të porteve në Shqipëri. Dekreti për dekorimin me Medaljen e bronzit të trimërisë të Luigi Aloisi-t, shef i komanduar i nën/konsullatës italiane në Durrës (faktikisht oficer i SIM-it, zbulimit italian i kamufluar si diplomat), hedh dritë mbi një aspekt tjetër të 7 prillit, atë të luftës së fshehtë të zbulimit dhe kundërzbulimit. Diplomati-spiun, 52 vjeçari Aloisi u plagos me dy plumba, ndërsa kryente veprimtari zbulimi kundra pozicioneve të trupave shqiptare. Në Durrës trupat italiane u përleshën edhe trup me trup me xhandarët e marinarët shqiptarë. Nga dekreti mbretëror italian mësojmë se Domenico Perotta u dekorua me Medaljen e argjentë të trimërisë, sepse u plagos në luftim trup me trup me dy ushtarakë shqiptarë në zonën e Portit të Durrësit. Esposito Biagio dekorohej me Medaljen e argjentë të trimërisë, sepse me bomba dore kishte sulmuar një pozicion të trupave shqiptare duke vrarë e plagosur disa prej tyre përfshirë dhe dy oficerë. Ka të ngjarë, që ky është personi që ka vrarë kapterin Mujo Ulqinaku (Hero i Popullit) dhe ka plagosur toger Stefan Gogën. Nga dekreti i dekorimit të marinarit Francesco Bontempo mësojmë se ura e komandimit e torpedinierës “Lupo”, që u bregëzua e para në kalatën e portit të Durrësit, ishte bërë shoshë nga plumbat dhe ishte mbushur me oficerë e marinarë të plagosur. Mjafton ky fakt për të kuptuar sesa të ashpra ishin luftimet në Durrës. Italianët për të thyer rezistencën e mbrojtësve të Durrësit përdorën edhe goditjen me artileri kalibër 100mm të torpedinierës “Lupo” dhe anijeve të tjera luftarake në Portin dhe radën e Durrësit. Për trimërinë e treguar dhe efektivitetin e një bombardimi të tillë koloneli (capitano di vascello), baroni Carlo Daviso di Charversod u dekorua me Kryqin e luftës për trimëri ushtarake. Kolonel Karlo më pas arriti deri në gradën e kundëradmiralit, në funksionin e komandantit të forcave të marinës italiane në Ishujt e Dodekanezit. Po ashtu nga këto dekorime mësojmë se avionët bombardues të lehtë “IMAM Ro 37” kishin kryer me efektivitet të lartë bombardime të pozicioneve të forcave shqiptare në periferi të Durrësit si edhe në zonën midis Fushë Krujës dhe Vorës kundër një kolone me kamionçina Ford, që transportonte trupa dhe artileri (efektivët e Shkollës së xhandarmërisë së Burrelit të pajisur me mitralozë FIAT dhe topa të lehtë malorë kalibër 65/17 mm). Autokolona po shkonte në mbështetje të forcave shqiptare të vendosura në bregun e djathtë të Lumit Erzen. Një fakt i tillë na jep të kuptojmë se mbrojtja në sektorin e Durrësit deri në Tiranë ishte e tipit mbrojtje në thellësi e organizuar në disa skalione.

Në Shëngjin

Një ditë para se trupat italiane të zbarkonin në Shëngjin u dërgua për zbulim kapiteni (tenente di vascello) Aldo Capriata i veshur si peshkatar në bordin e një barke peshkimi italiane. Kapiten Aldo, pasi u identifikua nga xhandarmëria zogiste, u arrestua dhe u torturua për të nxjerrë prej tij informata mbi trup-ekspeditën italiane. Kapiten Capriata duke shfrytëzuar konfuzionin e shkaktuar nga bombardimi i Shëngjinit nga luftanijet italiane arriti të arratisej dhe ndihmoi trupat elitë “San Marco” në pushtimin e Shëngjinit për këtë u dekorua edhe me Medaljen e argjendtë të trimërisë. Në Shëngjin italianët u pritën me batare pushkësh dhe breshëri të një mitralozi të rëndë. Në këtë konkluzion arrijmë, kur lexojmë motivacionin e dekorimit të nën/kolonelit (capitano di fregata) Adone del Cima të dekoruar me Kryqin e luftës për trimëri ushtarake, sepse me zjarrin e topave të kacatorpedinierit (destrojerit), që komandonte neutralizoi zjarrin e mitralozit dhe të një pjese të pushkatarëve, që mbronin Shëngjinin.

Në hyrje të Shkodrës trupat shqiptare të komanduara nga nën/kolonel Ullagaj (ish-bjellogardist), pasi kishin minuar Urën e Bunës, i pritën me zjarr pushkësh e mitralozësh bersaljerët e kolonel Scantini-t, që vinin nga Shëngjini. Në shkëmbimin e zjarrit te Ura e Bunës pati të vrarë e të plagosur nga trupat italiane. Ricardo Bomping, italian nga Istria (Pola) u dekorua me Medaljen e artë të trimërisë (pas vdekjes), me motivacionin: Duke thirrur “Avanti Savoia” (Përpara për Mbretërinë e Savojës) u vra, ndërsa tentonte të kalonte urën e Bunës nën zjarrin e mitralozit armik (shqiptar). Për më shumë mund të lexoni në linkun: http://digilander.libero.it/lacorsainfinita/guerra2/39/albania.htm

Trupat shqiptare në përbërje të batalionit “Deja” dhe “Korata” nën komandën e nën/kolonel Ullagajt u tërhoqën në mënyrë të rregullt bashkë me armatimin personal dhe atë në mbështetje drejt Koplikut. Në mesditën e 9 prillit pasi u informuan se Mbreti Zog ishte larguar nga Shqipëria për në Greqi nëpërmjet Kapshticës, një pjesë e mirë e trupave të rregullta shqiptare, e oficerëve të tyre të shoqëruar nga familjet

Civilë italianë dhe personel i nën/konsullatës italiane të Durrësit të shoqëruar nga ushtarë dhe marinarë të armatosur italianë me flamurin italian në dorë takojnë trupat. Fotoja është marrë menjëherë sapo është neutralizuar rezistenca e trupave shqiptare.

Civilë italianë dhe personel i nën/konsullatës italiane të Durrësit të shoqëruar nga ushtarë dhe marinarë të armatosur italianë me flamurin italian në dorë takojnë trupat. Fotoja është marrë menjëherë sapo është neutralizuar rezistenca e trupave shqiptare.

dhe një numër vullnetarësh të armatosur (trupat kreshnike) kaluan kufirin për në Jugosllavi. Ndër oficerët që kaluan në Jugosllavi ishte edhe kapiten Spiro Mojsiu, i cili në 10 korrik 1943 u emërua Shef i Shtatmadhorisë së ushtrisë partizane shqiptare.

Në Vlorë

Trupat italiane ndeshën në një rezistencë të lehtë në zonën e Skelës, ku pësuan vetëm 2 të plagosur. Konsulli italian Merloni, spiun i SIM-it i maskuar si diplomat kishte punuar mirë për të neutralizuar rezistencën shqiptare, duke shfrytëzuar me djallëzi mërinë e vlonjatëve kundra monarkut Zog dhe prefektit Kol Rrodhja të dërguar prej mbretit si dorë e fortë në Vlorë. Asnjë vlonjat nuk pranoi të armatosej për të luftuar italianët, ndonëse nga Tirana mbrëmjen e 5 prillit ishin dërguar në Vlorë 1300 copë pushkë “Mannlicher Carcano” me nga 10 ballë fishekë (50 copë) secila. Një numër i vogël xhandarësh të komanduar nga nën/kolonel Faik Quku u tërhoqën duke luftuar në periferi të Vlorës. Në kodrat e Bestrovës batalioni i këmbësorisë “Kaptina” i ushtrisë shqiptare nga pozicione fushore pak të fortifikuara me batare pushkësh e zjarr mitrolozësh FIAT M 1914 i gozhdoi për orë të tëra këmishëzinjtë e Legjionit “Ferrara” dhe “Nannini”. Njëkohësisht xhandarmëria e Beratit preu kabullin telefonik, që lidhte zyrat e AIPA-s në Kuçovë me Italinë, kështu që forcat zbarkuese italiane nuk mund të informoheshin për dispozitivin mbrojtës të forcave shqiptare në trekëndëshin Vlorë-Berat-Fier, qytet në të cilin italianët hynë vetëm në mbrëmjen e 8 prillit. Në motivacionin për dekorimin me Medaljen e Bronzit për trimëri të majorit (capitano di corvetta) Giuseppe Lauricella theksohet se në krye të trupave të veta zbarkoi nga torpediniera “Castore” pa u trembur, nën zjarrin e rreptë të armikut. Në motivacionin për dekorimin me Kryqin e luftës për trimëri të Stefanino Palmas-it komandant kateri silurues me gradën kapiten (tenente di vascello) theksohet se ai trimërisht komandoi bregëzimin e katerit silirues, ndonëse anija goditej vazhdimisht nga plumbat e kundërshtarit. Pra në Vlorë bataretë e mbrojtësve shqiptarë goditën jo vetëm trupat italiane, por edhe anijet nga, prej të cilave zbarkonin këto trupa.

Me interes është edhe fakti, që karrocata e klasit “Giulo Cesare” për të thyer rezistencën e batalionit të këmbësorisë në kodrat e Bestrovës hapi zjarr, me 12 predha gjithsejt me topat e kalibrit të rëndë 320/44 mm. Për këtë kryetopçiu (capo cannoniere) Bertoldi u dekorua me medaljen e Kryqit të luftës për trimëri në fushën e betejës.

Në Sarandë

Rezistenca shqiptare komandohej nga kol. Ali Riza Topalli. Në skelën e Sarandës italianët patën disa të plagosur dhe dy të vrarë, Tomasso Lamberti të dekoruar me Medaljen e artë të trimërisë (pas vdekjes) dhe Andreino Pastine i dekoruar me Medaljen e argjendtë të trimërisë (pas vdekjes). Pas një zjarri prej jo më shumë se 15 minutash, kufitarët, xhandarët por edhe vullnetarët e armatosur në depon ushtarake të Delvinës tërhiqen në Qafën e Gjashtës, ku me zjarr nga lartësia gozhdojnë trupat italiane, që përgjithsisht ishin trupa elitë të Regjimentit “San Marco” apo bersalierë të mbështetur nga 2 skuadrone tankesh të lehtë të tip L3/35 të njësisë “San Giorgio”. Italianët për të shuar rezistencën e trupave shqiptare morën peng dhe sollën në vijën e zjarrit gruan dhe fëmijën motak të një togeri të Rojes shqiptare ë kufirit. Angelo Sorbo komandant toge pushkatarësh dekorohej me Kryqin e luftës për trimëri ushtarake, sepse në luftimet trup me trup në periferi te Sarandës (në Qafën e Gjashtës), çarmatosi dhe kapi rob dy ushtarakë shqiptarë. Pra edhe në Sarandë kemi luftime të rrepta deri trup me trup midis mbrojtësve shqiptarë dhe okupatorëve italianë.

Si është e vërteta?

Duke u bazuar edhe në dokumentet zyrtare italiane mund të arrish në konkluzionin se shqiptarët, si fuqitë e rregullta qeveritare dhe vullnetarët e armatosur të avantazhuar nga të metat në organizimin e zbarkimit të trupave italiane, bënë një rezistencë të konsiderueshme jo vetëm në porte, por në disa raste edhe në thellësi të vendit. Normalisht nga pala shqiptare pati trima dhe heronj ashtu siç pati edhe frikacakë dhe tradhëtarë. Tipi është rasti i ministrit të luftës gjen. Aranitasit, që vetëm 4 ditë para zbarkimit të ushtrisë italiane i paraqiti Mbretit Zog dorëheqjen për pamundësi totale në kryerjen e detyrës. Ky farë ministër lufte ishte i aftë për të marrë rrogën e majme në napolona flori në kohë paqeje, por krejt i paaftë si ministër në kohë lufte. Kapiteni Mahmuti, komandant batalioni këmbësorie në Berat, që në mëngjesin e 7 prillit shkëputi çdo lidhje me telefon e radio me Komandën gjenerale të fuqive armate dhe me eprorin e vet nën/kolonel Qukun, që luftonte në Vlorë. Ai nuk ju përgjigj thirrjeve të vazhdueshme, që në krye të batalionit të vet të shkonte në ndihmë të batalionit “Kaptina” të angazhuar në luftime të ashpra në kodrat e Bestrovës. Kapiten Mahmuti pa cak e pa bam e dorëzoi batalionin bashkë me armatimet e pajisjet dhe flamurin e batalionit trupave italiane, që hynë në Berat mëngjesin e 8 prillit. Princi Dohosishti, pjesëtar i familjes mbretërore, pa e shkrepur as edhe një herë ju dorëzua bersalierëve italianë (colonna celere) në Qafë Kërrabë bashkë me rreth 300 trupa nën komandën e tij të armatosur edhe me 4 mitralozë të rëndë. Qark-komandanti i xhandarmërisë së Gjirokastrës me gradën nën/kolonel në vend të organizonte mbrojtjen e Qarkut të Gjirokastrës, me veturën personale i shoqëruar nga shoferi dhe një aspirant, u drejtua në Sarandë për të pritur me flamur të bardhë trupat pushtuese. Me urdhër të Kol. Ali Riza Topallit u ekzekutua në Qafën e Muzinës nga Roja shqiptare e kufirit, që i kishte ngritur një pritë. Prefekti i Mark Kodheli me bashkëshorten italiane u evakua në 5 prill për në Itali bashkë me një pjesë të civilëve italianë rezidentë në Shqipëri, dhe nga Radio Bari u bëri thirrje durrsakëve dhe gjithë shqiptarëve t’i prisnin trupat italiane si çlirimtarë, që do t’i shpëtonin shqiptarët nga tirania e Mbretit Zog. Prefekti preferoi, që napolonat flori të Zogut t’i zëvendësonte me liretat letër të Duçes. Nën/koloneli i xhandarmërisë Stamati me bashkëshorte italiane, në prag të pushtimit u vu haptazi në shërbim të kol. Gabrielle-s, atasheut ushtarak italian në Tiranë. Nga një shkresë e zyrës sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme mësohet se nën/kolonel Stamati bashkëpunoi edhe me nën/kolonel Bombati-n instruktorin e artilerisë pranë ushtrisë shqiptare për të nxjerrë jashtë luftimit një pjesë të parkut tejet modest të artilerisë shqiptare. Pikërisht ky fakt histori ka shërbyer edhe për një nga arketipat e historiografisë komuniste atë të heqjes së gjilpërave të topave.

Kapiten Xhevdet Tirana, ndonëse i martuar me italiane në 7 prill së bashku me marinarët shqiptarë nën komandën e tij hapi zjarr mbi bersalierët e marinarët, që zbarkonin nga torpediniera “Lupo”, fakt ky i provuar nga dëshmia e tetarit të marinës Jonuz Dardha dhënë gjatë marrjes në pyetje të robërve shqiptar më 13 prill 1939 në Kazermat e Ali Rizait në Tiranë. Konsulli shqiptar në Bari, Maliq Libohova ndonëse ju kërkua me insistim nga eprorët e tij në Tiranë, nuk dha asnjë informacion për përgatitjet ushtarake, që bëheshin në Bari në prag të 7 prillit. Kapiten Gjeluci, komandant i Kapitanerisë së Portit të Durrësit, duke shfrytëzuar njohjet personale në portet e Puljes përpiloi një raport me mjaft hollësi dhe saktësi për dispozitivin e trupave italiane, që po grumbulloheshin në Bari e Brindizi në prag të agresionit fashist. Ky raport ju dërgua Ministrit Aranitasi dhe për dijeni Musa Jukës, Ministrit të brendshëm. Konsulli frikacak nuk e kreu detyrën ndaj Atdheut, ndërsa kapiten Gjeluci me zgjuarsi dhe patriotizëm shkoi madje edhe përtej detyrave funksionale të Kapitanerisë së Portit të Durrësit duke ndërmarrë veprimtari të mirëfillta zbulimi ushtarak. Koloneli i xhandarmërisë Sami Koka dhe Ministri i ekonomisë Rok Gera të dërguar në Durrës nga Mbreti Zog për të diskutuar për një armëpushim me komandatin e forcave të pushtimit gjen, Guzzonin, nuk e patën fare problem të viheshin në shërbim të italianve duke tradhëtuar Mbretin, Atdheun dhe betimin si ushtarak apo si deputet i Parlamentit shqiptar. Si konkluzion mund të themi se pushtimi i 7 prillit nuk është një histori bardh e zi, por në të ndesh plot ngjyra e nuanca, ku protagonistët shqiptarë luajnë edhe role heronjsh edhe role frikacakësh, edhe role tradhëtarësh të Atdheut.

Gjergj Thanasi – DITA

Authored by: Rrjetat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *